Alkool etilik/Fatmira Loci

in Prit deri në pranverë, Bandini! by

Fatmira Loci

Mora leckën, sprajtin me emrin “Arf” dhe dola të laj derën e xhamtë të dyqanit. Vëreja kalimtarët që më shihnin çuditshëm, jo pa njëfarë përçmimi disa… Mbase, për herë të parë nuk më erdhi aspak turp që ta shijoja procesin e larjes së një xhami në publik. Me aq vëmendje ia shquajta gjithë shenjat e gishtave që hallakateshin nëpër të, ndotjet nga mizat, vijëzimet e larjeve të pakujdesshme, dhe ia fshiva ngeshëm, lehtë e lehtë, njollë pas njollë, a thua po fshija fjalët e një libri të shkruar keq, germë pas germe, aq sa s’më bëhej ta shqisja nga duart pa e bërë xixë… Jo pak herë hasa në veshtirësi, saqë çuditesha sesi duhej të arrinin aq lart (mbi lartësinë tonë) jashtëqitjet e mizave, të cilat kishin bërë kërdinë me pikëla të vogla të rrumbullakëta gjithandej. Duart e njerëzve nuk kishin lënë gjë mangut, veçse këtu i ngjanin një demokracie gjysmake, me dy gishtat pjerrtas-gjasme përpjetë, që herë-herë merrnin formën e një njolle të thatë e të patrajtë.
Ndërsa hiqja nga xhami harta fjalësh, m’u ndërmend se këtë mbasdite është mbrëmja e promovimit të librit “përmbledhje me tregime…”, ku vetëm tregimi im është përjashtuar, pasi nuk përmbushte kriteret e kërkuara nga botuesit. Pra nuk isha në lartësinë e duhur për të qënë krah autorëve tjerë! Letërsia që shkruaj nuk meritonte as të quhej letërsi, jo më të botohej! Është hera e dytë në kaq pak kohë që kuptoj ose më saktë, ma thonë pa teklif, se ajo që shkruaj është thjesht një broçkull që s’e meriton botimin. Dhe mirë bëjnë. Ndaj po ia pastroj kaq ngeshëm njollat xhamit të derës, sikur po fshij gjithë ç’kam thënë e shkruar deri më tani.
Më kujtohet ëndrra e javës së kaluar, një natë para ndarjes së çmimeve, pashë shkrimtarin e madh. Nuk kisha ëndërruar ndonjëherë ta shihja fizikisht, pasi më dukej e mjaftë vepra e tij, ndaj nuk përjetova asnjë lloj emocioni. Bëmë ecje të gjatë, si të qemë miq të hershëm dhe një çast u ndal e më kërkoi raki! I gjeta një binde raki thane cermë! Më pas kuvenduam me fjalë të thata. Në ikje më pyeti nëse ia kisha lexuar tregimet. Më përmendi tre katër tituj për të cilët nuk kisha dëgjuar të flitej kurrë. U ndjeva e turpëruar. U mundova të përmendja romanet, poezitë, tregimet, esetë, artikuj të ndryshëm… por, shikimi i tij i gozhdtë ma ndali frymën! Kërkonte përgjigje për ç’më kish pyetur dhe i thashë pazëshëm: “Jo”! Më zgjati një bllok me kapakë të trashë, ngjyrë kafe të errët, ku sapo kishte shkruar fjalën e fundit dhe tha: “Lexoje! Pasi ta kesh mbaruar, flasim”. Kur u zgjova, u ndjeva gati e sigurt se e kisha të fituar të drejtën e botimit, por jo! As e kisha fituar dhe as do ta fitoja me ç’kisha shkruar deri më tani.
Mbase më duhej ky rizgjim i beftë nga kllapia, të më thosh troç: “Shikoje pak veten vajzë e dashur, je me leckë në dorë! A sheh sesi të vëren përbuzshëm njerëzia! Pale, ke harruar të veshësh dhe uniformën! Pastaj, shkrimtarët nuk lajnë xhama nëpër qendra tregtare.” Nga neveria që ndjeva për padrejtësitë që pandehja se më ishin bërë, iu riktheva larjes nga fillimi. Për t’mos lënë të më shpëtonte i pashlyer asnjë detaj nga gjurmët e papastërtive të mëparshme, mora në tryezën e punës rakinë (bisht kazani) të cilën e kishim hedhur në shishen me mbishkrimin: “Alkool etilik”.

Tags:

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.