Bohemian Rhapsody-Arti që i mbijetoi vdekjes/Aldo Muçaj

in Muzikë by

Aldo Muçaj

Më 2017, Green Day, organizoi një koncert në Hyde Park. Përpara se artistët të dilnin e të performonin në skenë, për të mbajtur të karikuar një turmë prej 65 000 vetësh, dikush prej inxhinierëve të zërit, jo pa qëllim, vuri muzikë. Dhe magjia ndodhi. Sapo filloi “Bohemian Rhapsody”, ajo turmë e paorganizuar gjeti mes saj një disiplinë ushtarake, për të kënduar, pa asnjë stonaturë, një këngë tejet të vështirë përsa i përket anës së saj vokale.
Le të flasim pak për këtë këngë. Një këngë që u prodhua 42 vjet përpara këtij koncerti, një këngë që u kundërshtua prej producentëve, një këngë të cilën di xhejtë nuk donin ta transmetonin në radio, një këngë që kritika e kohës e masakroi, gjithashtu dhe një këngë që mbijetoi duke magjepsur breza të tërë. Me një tekst autobiografik, që më shumë i ngjan një letre lamtumire, ku njeriu kërkon të vrasë mbështjelljen që e rrethon, duke dalë tej kohës së tij për të thënë:
– Kështu jam unë, realiteti ta shpif!
Dhe nuk besoj se ka qenë e lehtë në ato vite të tregoje krenar përkatësinë tënde seksuale, raciale, politike, fetare. Atëherë ishte një botë më konservatore sesa kjo që ekziston sot, pavarësisht se ndikimi i brezit të ri po ndihej në vendimmarrje, dhe falë krijimeve të tilla kemi këtë botë që sot kemi, ku asnjërit s’i plas se je gay, i zi, anarkist, apo budist.
Ndërsa muzika e kësaj kënge, është thjesht një gërshetim i mrekullueshëm i muzikës operistike me rock protestë, duke bërë kështu që Queen të ishin pagëzuesit e rrymës rock opera. Nga notat e para në një piano të qetë, deri tek kitara vajtuese e Brian May-t, nuk besoj se ka shumë njerëz në botë, që të paktën një herë në jetë nuk e kanë dëgjuar këtë kryevepër. Personalisht mua më pëlqen versioni i mbretëreshës së muzikës operistike, spanjolles Montserrat Caballe dhe këngëtarit të Iron Maiden-it, Bruce Dickinson, por kjo është veç një çështje shijesh, ndërsa kënga është thjesht hyjnore, ajo lloj muzike që do luhet në parajsë.
Pra, me pak fjalë, ajo që dua të them është se i tillë është arti, 26 vjet pas vdekjes së Freddie Mercury-t, 42 vjet pas publikimit, në një koncert të një grupi tjetër pa lidhje me ta, një turmë prej 65 000 vetësh, e cila ende nuk kishte lindur në atë kohë, magjepset, frymëzohet dhe këndon në kor, një këngë hyjnore që do të jetojë ende dhe për brezat e tjerë.
Arti i vërtetë mbijeton pas vdekjes së artistit, teksa vetë artisti është në një luftë të vërtetë me realitetin që e rrethon dhe e mbyt. Arti i vërtetë, i çfarëdo lloji qoftë, muzikë, letërsi, pikturë, nuk bëhet as për lavde qokash, as për like dhe as për klikime, ai është antikonformist në sistemin ku jeton e nuk është kurrë pjesë e tij, madje shpesh është i papërkrahur nga kritika e kohës.
Dhe e fundit, do dëshiroja vërtetë të kisha qenë në këtë turmë.

Videon mund ra shihni këtu:

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.