Një eksperiment dashurie-Alexander Kluge

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Alexander Kluge

Si mjeti më i lirë për kryerjen e sterilizimit masiv, në kampet e përqëndrimit, në vitin 1943 u zbulua rrezatimi rëntgenologjik. Nuk dihej ende me saktësi nëse shterpësia e përftuar ishte afatgjatë. Ne zhvilluam një eksperiment duke i vënë bashkë një të burgosur mashkull me një femër. Dhoma e parashikuar për këtë ishte më e madhe se qelitë e tjera, madje ishte e shtruar me qilima të stafit të kampit. Shpresa që të burgosurit t’i jepnin sukses eksperimentit, në qelinë e tyre të gatitur si për dasmë, nuk u realizua.

Mos vallë ata kishin dijeni për kryerjen e sterilizimit?

Kjo s’mund të kishte gjasa. Të dy të burgosurit ishin vendosur në qoshe të ndryshme të dhomës së mbuluar me dysheme prej dërrase dhe të shtruar me qilima. Nga dritarja e rrumbullakët, e ngjashme me ato të anijeve, e cila i shërbente vrojtimit të tyre së jashtmi, nuk ishte vënë re ndonjë komunikim mes tyre qëkur i kishin vënë bashkë në atë qeli. Ata nuk flisnin me njëri-tjetrin sido që të ishte. Për pasojë ky lloj pasiviteti ishte tejet i pakëndshëm, sepse aty kishin ardhur edhe miq të rëndësishëm për të marrë pjesë në vrojtim; për të përshpejtuar ecurinë e eksperimentit, mjeku i burgut dhe drejtuesi i testimit, urdhëroi që të dy të burgosurve t’u zhvisheshin rrobat.

A ndiheshin me turp personat e testuar?

S’mund të thuhej me siguri që personat e testuar kishin turp. Edhe pa rroba në trup, ata vazhdonin të qëndronin kryesisht në të njëjtat pozicione si më parë, dukeshin sikur flinin. Ne duam t’i zgjojmë pakëz, – tha drejtuesi i vrojtimit. U sollën gramafonë. Përtej dritares rrethore mund të shihej që të dy të burgosurit reagonin ndaj muzikës. Megjithatë, pak më vonë ata ranë sërish në gjendjen e tyre apatike. Për kryerjen e eksperimentit ishte me rëndësi që personat e testuar të fillonin më në fund me testimin, pasi vetëm kështu mund të përcaktohej me siguri nëse shterpësia e injektuar tek personat e trajtuar mund të zgjaste edhe për periudha më të gjata kohore. Ekipi që merrte pjesë në testim priste në korridoret e ndërtesës disa metra larg derës së qelisë. Ata dukeshin të qetë në përgjithësi. Kishin marrë udhëzim të kuptoheshin me pëshpërima. Një vrojtues po e ndiqte ecurinë e kësaj ngjarjeje brenda në dhomë. Kështu, ai mund të sigurohej që të dy të burgosurit të kishin bindjen se ata ishin vetëm tashmë.

Megjithatë, në qeli nuk pati asnjë shkëndijë erotike. Përgjegjësit e eksperimentit ishin të një mendjeje se mbase duhej të ishte zgjedhur një dhomë më e vogël. Vetë personat e testuar ishin përzgjedhur me mjaft kujdes. Pas këtyre veprimeve ata duhej të shfaqnin mjaftueshëm interes erotik kundrejt njëri-tjetrit.

Nga e dinin këtë?

J., bija, e njërit prej këshillit qeveritar të Braunshvajgut, lindur më 1915, pra diku te 28 vjeçe, e martuar me një burrë arian, me gjimnaz dhe fakultet të kryer në Historinë e Artit, kishte mbetur në kujtesën e një qyteti të vogël sakson G., si e pandashme prej një personi mashkull të testuar, i njohur si P., lindur më 1900, pa profesion. Për shkak të P.-së, J., hoqi dorë prej burrit të saj arian. Ajo e ndoqi të dashurin e saj deri në Pragë, më pas në Paris. Më 1938, P. arrestohet në territorin e Perandorisë Gjermane. Disa ditë më pas, në territorin perandorak u shfaq J., në kërkim të P.-së dhe u arrestua gjithashtu. Fillimisht në burg dhe më vonë në kamp, ata të dy tentuan disa herë të puqeshin bashkë. Ndërkohë, ky ishte kulmi i zhgënjimit tonë; tani, më në fund ata munden dhe nuk duan.

Mos vallë personat e testuar nuk ishin të gatshëm?

Në parim ata ishin të shtruar. Pra, dua të them; të gatshëm.

A ishin ushqyer mirë të burgosurit?

Shumë kohë përpara fillimit të testimit, personat e testuar të marrë në mbikqyrje ishin ushqyer mirë. Ndërsa tani ata rrinin thuajse prej dy ditësh në të njëjtën dhomë, pa u lënë të kuptonin ndonjë përpjekje për t’i afruar ata të dy. Ne u dhamë për të pirë xhelatinë; të bardhë veze dhe të burgosurit e pinë me ëndje. Shefi i skuadrës së lartë, Vilhelmi, i kishte spërkatur të dy me zorrën e ujit të kopshtit dhe së fundmi, duke u dridhur nga të ftohtët, ata i kishin shpënë sërish në dhomën eksperimetale, por as nevoja për t’u ngrohur në krahët e njëri-tjetrit nuk i bëri dot bashkë.

A mos kishin frikë nga mendimi të cilit ata dukeshin se i ishin nënshtuar? Mos vallë ata besonin se ky ishte një provim, ku ata duhej të dëshmonin moralin e tyre? Mos ndoshta fatkeqësia e të qenurit në kamp kishte ngritur një mur të lartë mes tyre?

A e dinin ata se në rast të një shtatzanie trupat e tyre do të priteshin dhe analizoheshin?

Fakti që personat e testuar e dinin këtë apo fundja e merrnin me mend, është i pagjasë. Nga kryesia e kampit atyre u ishte dhënë disa herë garanci për mbijetesën e tyre pas eksperimentit. Sipas meje, ata thjesht nuk donin. Për zhgënjimin e drejtuesit të grupit të lartë, i ardhur posaçërisht për këtë, A. Cerbst dhe shpurës së tij, eksperimenti nuk u zhvillua, meqenëse të gjitha mjetet, edhe ato më të dhunshmet nuk çuan në një ecuri pozitive të testimit. Ne ua puthitëm trupat bashkë, i mbajtëm në ngrohje të ngadaltë në prani të lëkurës së njëri-tjetrit, i lagëm me alkool dhe u dhamë për të ngrënë vezë me mish dhe verë të kuqe e shampanjë për të pirë, pëmirësuam ndriçimin, megjithatë asgjë nga këto nuk i joshi ata.

A është provuar vërtet gjithçka?

Mund të garantoj se është provuar gjithçka. Ne kishim një shef skuadre të lartë mes nesh, i cili merrte vesh nga këto punë. Ai i provoi, e i provoi të gjitha mënyrat me rezultat të garantuar. Në fund, as ne vetë s’mund të futeshim brenda e ta provonim shansin tonë, pasi kjo do të quhej përlyerje race. Anjëra nga format që u përdorën nuk i joshi ata.

Po ne vetë a u joshëm?

Sido që të jetë, më tepër se ata dy në dhomë; të paktën kështu u duk. Nga ana tjetër, kjo do të kishte qenë e ndaluar për ne. Ndaj, nuk besoj se ne ishim të joshur. Mbase të shqetësuar, që kjo gjë s’po funksiononte.

Unë dua të të takoj patjetër,

 A do të vish sonte te unë?

S’kishte alternativë tjetër për t’i përfshirë në një reagim të dyanshëm, dhe kështu eksperimenti u anullua pa sukses. Më pas ai u rifillua sërish.

Ç’ndodhi me personat e testuar?

Personat e testuar rebelë u qëlluan me armë.

Mos do të thotë kjo se në një pikë të caktuar të fatkeqësisë, njeriu s’mund të bëjë më dashuri?

Përktheu nga gjermanishtja: Smeralda Çaça

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

DËSHTIM-Janis Ricos

DËSHTIM-Janis Ricos Gazeta të vjetra të hedhura në oborr. Përherë të njëjtat.

Një orë- Erich Fried

Një orë- Erich Fried M’u desh një orëpër të korrigjuarnjë poezi që

Harta-Wislawa Szymborska

Harta-Wislawa Szymborska E sheshtë si tavolina ajo është vendosur mbi të. Asgjë
Go to Top