Sot artisti fatkeqësisht bëhet Zot vetëm nëse del shpesh në televizion/Një intervistë e kantautorit italian Giovanni Nuti mbi bashkëpunimin me poeten Alda Merini

in Letërsi/Muzikë by

Sandalet e drunjta, të harruara nën shtrat, ishin të një prifti-Alda Merini

Intervistoi: Fabrizio Ciccarelli

Giovanni Nuti publikon dy albume para se të njihej me poezinë e Alda Merini-t: “Çrregullohuni” (1994), të cilën e solli në versionin:“Sandalet”. Falë këtij kompozimi ai arrin ta njohë atë personalisht. Dhe që nga ai çast i përkushtohet projektit me të cilin vendos t’i japë formë melodike fjaleve të “Muzës së Anijeve”. Pas dhjetë vjetësh, shkruan në pentagram albumin: “ Milva këndon Merini-n”. Në vitin 2005 publikon: “Poema e kryqit”, vepër që prezantohet ne Douomo, Milano dhe vetë poetja ishte në rolin e Marias. Në vitin 2007 publikohet: “Brisqe mëndafshi – Giovanni Nuti këndon Alda Merini-n”, me 21 poezi muzikore të kantautorit toskan.

Në vetvete, muzika dhe poezia lidhen në mënyrën më natyrale të mundshme. Historia e muzikës e vërteton më së miri këtë. Nuk ka nevojë të përmendet ajo që poetja i ka dhënë letërsisë italiane dhe as të vlerësohet risia stilistike, e sidomos guximi për të denoncuar, dashuria për të folur për “të ndryshmen”, me dhimbje dhe shpirt në dridhje: “Poezia më e bukur ka qënë jeta ime”, titull që çdo lexues mund të reflektojë.

Ndërkohë që institucionet e lane në vështirësi të madhe ekonomike për vite të tërë, falë Giovanni Nuti-t mori rrugën e duhur drejt ‘thjeshtësisë” të një ndër shpirtrave më të ndritshëm të kohërave tona.

“Një bletë e vogël e furishme”, është metafora me të cilën Merini identifikonte veten në mënyrë ironike.

Ja çfarë thotë Nuti:

– Si jeni takuar me poezinë e Alda Merinit?

Giovanni Nuti: Ka disa takime që të ndryshojnë thellësisht jetën, dhe takimi me poezinë e Alda Merini-t ishte një nga këto takime. Ndoshta e kërkoja prej kohësh e nuk e kasha kuptuar. Ndieja nevojë urgjente të bëja diçka ndryshe, e një ditë të bukur u futa në një librari dhe hapa një libër, të parin që më zuri dora. Gjeta një poezi: “Sandalet”, të Alda Merini-t. “Sandalet e drunjta, të harruara nën shtrat, ishin të një prifti…’, ndjeva menjëherë një tërheqje aq të forte, sa të vrapoja në shtëpi  e t’I jepja muzikë atyre vargjeve. Ishte çdo gjë natyrale dhe spontane. I shkrova nje letër Alda Merini-t, e cila u përgjigj menjëherë dhe më ftoi në Hotel Certosa, ku kishte shkuar me pushime. Hoteli ishte pesëqind metra larg shtëpisë së saj dhe kjo me habiti; mu duk shumë origjinale të bëje pushime disa metra larg shtëpisë. Kjo më bëri menjëherë të kuptoja gjenialitetin e saj. Takimi ishte magjik, sepse vështrimet tona u prekën dhe ishte si të ishim kthyer fëmijë, e shikonim botën me një besim të çarmatosur. Pata menjëherë bindjen se ishte një grua e magjishme, e cila ndër vite m‘u bë udhërrëfyese në nivel artistik dhe në nivel njerëzor. Bashkë me të udhetova me fantazi në çdo vend dhe sidomos të dy udhëtuam përmes shpirtit.

– Një kujtim personal për Alda Merinin…

Giovanni Nuti: Kur shëtisnim nëpër rruget e Milanos, Alda nuk i tha kurrë jo ndokujt që i kërkonte lëmoshë. Madje nxirrte kartmonedha që i mbante të fshehura në gjoks, dhe ai që i merrte thuajse skuqej nga sikleti kur shikonte shumën që ajo i zgjaste. Ishte e mrekullueshme të shikoje fytyren e lypësit tek merrte pesëdhjetë apo një qind euro. “Shikon?”, më thoshte Merini, “Mua paratë më vinë gjithmonë, sepse I qarkulloj.”

– Çfarë vëndi zë, sipas jush, poetja në panoramën e poezisë bashkëkohore?

Zë një vend shumë të rëndësishëm. Ndoshta është zëri poetik më i fuqishëm i viteve nëntedhjetë. Origjinaliteti i saj njihej nga Pasolini, Montale, Manganelli, Raboni dhe u mbrojt e u promovua nga një kritike shumë fine si Maria Conti. Një poete e vërtetë, prej mishi e fjale: “e banuar” nga urgjenca krijuese dhe metafora të fuqishme.

– Pse zgjodhe vargjet e saj?

Giovanni Nuti: Sepse vargjet e saj i kam dashuruar dhe i dua pafund. Falë vargjeve të saj arrita të bëhem “kantautor i shpirtit, që të drejton drejt universit“. Pastaj kanë diçka magjike vargjet e saj, që nuk di ta shpjegoj. Falë saj renditem pas De Andre-s, Paolo Conte-s dhe Goran Bregovich-it. Janë emra artistësh që njoh dhe dua.

– Cilët artistë mendoni se kanë ndikuar në zgjedhjet e tua muzikore?

Giovanni Nuti: Kanë zënë vend në zgjedhjet e mia muzikore artistët që sjellin atmosferë origjinale dhe kanë poezi në tekste. Teksti i një kënge është shumë i rëndësishëm. I dua të ashtuquajturat: “këngë autor”.

– Si ndodhi përshtatja e muzikës me tekstin e Alda Merini-t? Si kombinuan fjalët me pentagramin?

Giovanni Nuti: Gjithmonë lind teksti dhe pastaj muzika. Alda Merini me diktonte poezitë në telefon dhe nuk donte që t’ia rilexoja. Pastaj ulesha në piano dhe mrekullisht, metrika ishte aq e përsosur, sa nuk ishte nevoja të ndryshoja asnjë fjalë që teksti të përshtatej me muzikën. Çdo gjë ishte shumë e thjeshtë dhe e shpejtë, si nga ana e Merini-t edhe nga ana ime. Një këngë, nëse duhej të lindte; ose lindte menjëherë ose fare.

– A mund të përsëritet në të ardhmen eksperienca e “të dhënit muzikë” një  poeti? Cilin do të zgjidhnit në atë rast?

Giovanni Nuti: Për shumë vite, Alda më lexoi aq shumë poezi, sa mund të bëj akoma shumë albume të tjerë. Historia ime me të do të jetë e papërsëritshme. Në këto momente nuk mendoj se mund t’i jap muzikë një poeti tjetër. Kur i kushton kaq shumë kohë ndërtimit të një marrëdhënieje, ashtu siç bëra unë me marrëdhënien me Alda Merinin, është e vështirë që një sintoni e tillë të përsëritet. Mendoj se për t‘i dhënë muzikë një poeti, duhet më pare ta jetosh në përditshmëri, në mënyrë që të marrësh në fillim thelbin njerëzor dhe pastaj atë poetik. Thelb që pastaj bëhet muzikë.

– Mendoni se arti mund të shpëtojë botën?

Giovanni Nuti: Patjetër që po. Unë mendoj se arti ka detyrë të ushqejë shpirtin dhe të krijojë vlera universale. Vetë Alda Merini, në një nga poezitë e saj të fundit u drejtohet muzikantëve që të mos ndalojnë kurrë së bëri muzikë, pasi vetëm ajo mund ta ndryshojë botën.

– Sipash jush ç’farë vëndi zë sot artisti në shoqëri?

Giovanni Nuti: Sot artisti fatkeqsisht bëhet Zot vetëm nëse del shpesh në televizion. Në rast të kundërt shikohet, ashtu siç shprehej Alda, si “dikush që nuk do të punojë”… e të mendosh që Quasimodo, i konsideronte artistët si punëtorë të mendimit.

Unë ndjej më shumë se kurrë detyrimin që poezitë e Aldes t‘i nxjerr nëpër botë. Ka ndodhur shpesh që njerëzit, pasi kanë dëgjuar këngët e mia, kanë blerë librat e Ada Merini-t. Pikërisht sot kam marrë një email nga Japonia, nga një djalë që më shkruante se falë muzikës kishte vendosur të studionte gjuhën italiane. Më shkruante se fjalët e Alda Merini-t kanë shpirt.

Përktheu: Blerina Berberi

1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

DËSHTIM-Janis Ricos

DËSHTIM-Janis Ricos Gazeta të vjetra të hedhura në oborr. Përherë të njëjtat.

Një orë- Erich Fried

Një orë- Erich Fried M’u desh një orëpër të korrigjuarnjë poezi që

Harta-Wislawa Szymborska

Harta-Wislawa Szymborska E sheshtë si tavolina ajo është vendosur mbi të. Asgjë
Go to Top