Letër autorit që NUK merr pjesë në Panairin e Librit/Granit Zela

in A(rt)ktivizëm/Letërsi/Në kohërat e kolerës/Prit deri në pranverë, Bandini! by

Granit Zela

Shumë i dashur kolegu im i letrave!

Me hidhërim të thellë mora vesh që NUK do të marrësh pjesë në Panairin e Librit që po organizohet në Tiranë.

Pra, NUK do ta botosh librin, tek “Leka Press”.

NUK do t’i japësh një mijë e pesëqind euro nëse e ke libër me poezi, një mijë euro nëse e ke libër në prozë, një mijë e dyqind euro nëse libri nuk ka një zhanër që përcaktohet lehtë, duket si prozë por është poezi, ngjan si novelë por është roman.

NUK do të dëgjosh gojët e liga të thonë se nga 100 shtëpi botuese, 50 prej tyre janë banesa të palegalizuara botimi, bunkerë botues, kasolle botuese, strehimore botuese për shkrimtarë azilkërkues nga politika dhe gazetaria.

Nuk do të jesh në ceremoninë e Hapjes plot me Sude botuese dhe Rrapushxhaferra botues.

NUK do të dëgjosh të flasë për të drejtën e autorit BunkerBotuesin që ka botuar librat e Hitlerit, KasolleBotuesin që ka botuar kujtimet e Enverit, KafshëBotuesin e kolanës së plotë të veprës së Derrit.

NUK do të takosh kolegun tënd shkrimtar të shkollës nëntëvjeçare, të gjimnazit katërvjeçar, të universitetit trevjeçar plus dy vite master, kolegun shkrimtar pensionist që vetëm shkruan, shkruan, shkruan e pastaj boton, boton, boton.

NUK do të mendjendriçohesh dot se ne jemi një popull shkrimtar. Studentët blejnë librat e pedagogëve ose librat e tyre po me parathëniet e pedagogëve. Gazetarët do të jenë si autorë librash për historinë. Historianët si autorë librash për politikën. Politikanët si autorë romanesh fiction.

Dhe në këtë panairnajë, në Pallatin e Kongreseve, NUK do të ekspozohesh në sallën e madhe prej 2100 vendesh, ku shkrimtari më i shitur i të gjitha kohërave, Zgalem Budalla, paraqet para lexuesit romanin “Kujtimet e kurvës B.”, në një sallë me ajër të kondicionuar, ndriçimin e nevojshëm, dhe pajisjet e zërit në gjendje shumë të mirë për të ndarë me lexuesit mendime për kujtimet e një kurve…

Ne do të dëgjojmë heshtjen tënde ndërsa ti NUK flet për misteret e krijimit të veprës.

Nuk do të lësh autografe me pika gjaku të derdhura paragrafëve…

Pastaj, ja përfytyroje, ti që NUK ngjitesh në skenë si Autor dhe nuk e tërheq Çmimin e Madh për veprën e pabotuar dhe të paekspozuar në Panair.

NUK e merr dhe i mallëngjyer para kamerave NUK i përgjigjesh pyetjes se përse 1 milion shqiptarë nuk lexojnë.

NUK u thua  në atë Pallat Festivalesh me 3 kate, se Abraham Maslow ka përshkruar nevojat që motivojnë sjelljen njerëzore duke i ndarë në 5 kategori dhe se këta 1 milionë janë tek kategoria e nevojës për ushqim, veshje, punësim, siguri jete, për një shtëpi e cila NUK është botuese.

NUK u thua që fotografia më e mjerë që ke parë në postkomunizëm është ajo e një plake të drobitur pranë arkave me domate në trotuarin e një rruge në Kombinat duke lexuar “Arti i brishtë i not giving a f**k.”

NUK i premton asgjë lexuesit.

NUK do të jesh në Ceremoninë e Mbylljes, ku vetë Leka i Madh i Librit i akordon vetes çmimin “Gjergj Kastriot Skënderbeu i Panairit të Librit”.

I dashur koleg,

Për fatin Tuaj të keq ju NUK keni marrë pjesë as në Panairin e 20, të 19-të, të 18-in, 17-in, 16-in, 15-in, 14-in, 13-in, 12-in, 11-in, 10-in, 9-in, 8-in, 7-in, 6-in, 5-in, 4-in, 3-in, 2-in, dhe as në Panairin e 1-të të librit.

Dua ta mbyll këtë letër, i nderuar koleg, se ndarja Juaj nga jeta letrare, sidomos e këtij Panairi, më pikëlloi shumë.

Sinqerisht,

G.Z

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from A(rt)ktivizëm

Go to Top