Filmi “Kumbari” dhe shkrimtari që u kërcënua se do t’i thyenin këmbët

in Kinema by

Mafiozët vendosën kushte të rrepta për ta lejuar filmin “Kumbari”. Karakteri i “kumbarit” u bazua në nënën e shkrimtarit Mario Puzo, i cili mori kërcënime se do t’i thyenin këmbët.

Një familjeje mafioze italiane, që jeton në Amerikë, është objekt i filmit “Kumbari”.
Vito Corleone, i ashtuquajturi “Kumbari” dhe kryetari i familjes, emigroi nga Italia në New York dhe shumë shpejt u bë udhëheqësi i mafies italiane.

Filmi është bazuar në romanin e Mario Puzo-s, i cili u frymëzua nga aktiviteti i mafiozëve të vërtetë.
Në fakt, u përfol se personazhi i këngëtarit Johnny Fontaine u bazua te Frank Sinatra.
Kur e kuptoi këtë këngëtari, e kërcënoi shkrimtarin se do t’i thyente këmbët.
Sidoqoftë, nuk ishte vetëm Sinatra që u zemërua nga filmi i ardhshëm. Joseph Colombo, i përzier me mafien amerikane, kur mësoi për skenarin, filloi të kërcënonte producentët.
Ndiqte makinat e tyre dhe u linte shënime paralajmëruese për të ndërprerë xhirimet.

Përfundimisht, pas shumë presioneve, një nga producentët u takua me Colombo-n në një hotel të njohur dhe ranë dakord të mos e përmendnin fjalën “mafioz” dhe “Coza Nostra” në skenar.
Në të vërtetë, në të tre filmat fjala “mafioz” nuk përmendet kurrë nga personazhet.
Në fakt, Colombo kishte vizituar sheshxhirimet shumë herë dhe një nga truprojat e tij, Lenny Montana, kishte luajtur rolin e të besuarit të Vito Corleone-s, Luca Brasi në film. Megjithë shqetësimet fillestare, regjia u mor nga Francis Ford Coppola.
Producentët menduan se origjina e tij nga Italia do ta ndihmonte të skiconte Corleone-n në mënyrën më të mirë.
Xhirimet u kryen në New York dhe zgjatën dy muaj.
Para se të përfundonin, producentët tashmë po përgatitnin pjesën e dytë, pasi ishin të sigurt për suksesin e tij.
Dhe vërtet, “Kumbari” mbeti në historinë e kinematografisë.
Kontributi i Coppola-s ishte shumë i madh.
Falë këmbënguljes së tij, Al Pacino mori rolin e Michael Corleone, djali më i vogël i familjes.
Michael ishte fëmija i preferuar i Vito Corleone-s i cili mori përsipër “biznesin” e familjes pas vdekjes së babait të tij. Siç deklaroi vetë aktori, askush nuk e dëshironte për rolin e Michael-it.
Pacino ishte ende i panjohur në studiot kinematografike.
Kur u shfaq në një provë, menduan se fytyra e tij ishte e zbehtë dhe nuk i përshtatej rolit të një mafiozi. Megjithatë, arriti ta fitojë rolin dhe pas filmit, të ndërtojë një karrierë të rëndësishme.
Rastësisht, Pacino gjithashtu kishte një të përbashkët me karakterin e Michael-it, pasi e ka origjinën nga qyteti italian i Corleone-s.

Coppola luajti gjithashtu një rol katalitik në zgjedhjen e vështirë të aktorit që do të luante patriarkun dhe drejtuesin e mafies, Vito Corleone.
Roli i “Kumbarit” ishte mjaft i kërkuar dhe shumë aktorë u vetëpropozuan.
Siç kishte deklaruar Puzo, ai ishte frymëzuar nga personaliteti i nënës së tij!
Coppola ishte i prerë dhe donte që të ishte Marlon Brando ai që do ta mishëronte.
Producentët fillimisht ishin të shqetësuar me zgjedhjen e tij, sepse konsiderohej kapriçoz dhe do të shkaktonte telashe me kërkesat e tij.
Coppola shkoi në shtëpinë e tij me kamera, sepse e dinte që Brando nuk do kalonte kurrë në provat e zakonshme. Brando hapi derën veshur me një kimono.
I lyeu flokët e tij të zeza me një vernik këpucësh dhe vuri pambuk në faqe për t’u dukur si bulldog.
Më pas ndezi një cigare dhe filloi t’i thoshte fjalët me zërin e tij të qetë.
Coppola kishte përpara Vito Corleone-n e pamëshirshëm, roli ishte i tij.

Transformimi i Brando-s në Vito Corleone.

Aktorët studiuan shumë para se të fillonin xhirimet.
Vizituan emigrantë në New York dhe u takuan me mafiozë të vërtetë.
Brando ndoqi fjalime të kryemafiozit Frank Costello, nga i cili frymëzoi zërin e ngjitur pëshpëritës të Vito-s.
U deshën tri orë për t’u shndërruar në Vito Corleone.
Grimi i rëndë i aktorit ishte arsyeja që pjesa më e madhe e skenave të tij ishte aq e errët, pasi Brando ishte 47 vjeç dhe duhej të dukej më i vjetër.
Brando gjithashtu dëshironte që fytyra e tij të dukej e egër dhe të të kujtonte bulldogun.
Për këtë arsye, vendosi pambuk në faqe, që ato të ishin të fryra dhe një protezë të veçantë.

Skena me kokën e kalit dhe reagimet

Skena ku Jack Walsh zgjohet i mbuluar në gjak dhe sheh kokën e një kali në shtratin e tij, provokoi reagime nga organizatat e mbrojtjes së kafshëve.
Kafsha ishte e vërtetë dhe ishte porositur nga një fabrikë për ushqim qensh që therte 200 kuaj në ditë.
Xhirimi që kushtoi më shumë dhe zgjati tri ditë ishte vrasja e Sonny Corleone-s.
Coppola dëshironte një vdekje mbresëlënëse për Sonny-n.
Shkrimtari u frymëzua për emrin e tij nga djali i Al Capone-s.
Sonny del nga makina e tij dhe qindra plumba e godasin. I duheshin gjithsej 127 qese gjaku të rremë, të cilat ishin fshehur nën xhaketë.
Vrasjet origjinale të kundërshtarëve të familjes nuk ishin skenar fantastik, por frymëzoheshin nga vrasje të vërteta.

Përktheu: Shpendi Shakaj

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Kinema

Go to Top