Bella Ciao-Kënga që u bë himn i të shtypurve

in Muzikë/Në kohërat e kolerës by

Bella Ciao-Kënga që rrëfeu vuajtjet e grave italiane në fusha, “nën kamzhikun” e mbikëqyrësit. Si u bë ajo himni i partizanëve dhe i të shtypurve.

Kënga «Bella Ciao» është një këngë italiane partizane e Luftës së Dytë Botërore. Krijuesi i saj është i panjohur, siç nuk është e ditur data e saktë e qarkullimit. Megjithatë, ajo këndohet ende sot si një himn për lirinë dhe rezistencën. Është përshtatur dhe përkthyer në dhjetëra gjuhë; angleze, ruse, boshnjake, kroate, serbe, spanjolle, finlandeze, kineze, kurde, turke, japoneze dhe greke. E këndonin gra punëtore. Sipas një teorie, muzika e këngës vinte nga një këngë e vjetër tradicionale italiane. Të tjerë argumentojnë se ritmi i këngës është regjistruar në Amerikë në fillim të shekullit të 20-të dhe më pas u transferua në Itali nga një muzikant. Fjalët e para mendohet se u shkruan dhe kënduan nga gra punëtore që punonin në plantacionet e orizit në Luginën Po në Italinë Veriore. Gratë duhej të rimbillnin dhe të mbronin fidanët e ndjeshëm nga ndryshimet e temperaturës, por edhe të shkulnin barërat e këqija nga kulturat që pengonin rritjen e shëndetshme të bimëve të reja. Procesi zhvillohej nga fundi i Prillit deri në fillim të Qershorit. Fermerët që vinin nga klasat më të varfra sociale punonin në kushte të tmerrshme. Ishin zbathur dhe uji nga fushat e përmbytura u arrinte disa herë deri në gju. Qëndronin të përkulura për të mbledhur barërat e këqija gjatë gjithë ditës. Dhe kjo për pak pará. Vargjet e para të këngës denonconin kushtet e rënda të punës së grave nën diellin e nxehtë. Ato bëjnë fjalë për martirizimin e tyre të përditshëm në fusha dhe nën mbikëqyrjen e pronarit të egër që qëndronte pranë tyre, “me një shkop në dorë”, ndërsa ato ishin të përkulura për orë të tëra. Gratë thoshin se “për çdo orë që kalonin nëpër fusha, shkonte dëm jeta dhe rinia e tyre”, por shpresonin se do të çliroheshin dhe se “do të vinte dita kur të gjitha do të punonin të lira”. Regjistrimi i parë i «Bella Ciao-s» me këto vargje u bë në vitin 1906, në qytetin Vercelli, në rajonin italian të Piemonte-s. Keqtrajtimi i tyre i çoi në greva dhe trazira në fillim të shekullit të 20-të. Betejat e tyre pengoheshin nga punëtorë, të cilët ishin të gatshëm të paguheshin më pak, edhe më pak, ngaqë kishin nevojë për punë. U konsideruan grevë-thyes. Kërkesat e protestuesve u plotësuan pjesërisht gjatë periudhës 1906 deri në 1909, kur të gjitha komunitetet e rajonit italian të Piemonte-s duhej të respektonin të drejtën e tetë-orëshit të punës. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, partizanët italianë ndryshuan tekstin në mënyrë që të shprehnin luftën e tyre çlirimtare dhe rezistencën kundër fashizmit dhe trupave naziste gjermane. Vargjet e përshtatura flisnin për një partizan që pa armiqtë të pushtonin vendin e tij. U lutej partizanëve të tjerë ta merrnin larg, për shkak se “ndiente se po afrohej vdekja”. Në rast se vdiste në betejë, u thoshte që ta “varrosnin diku në mal dhe mbi të të mbillnin një lule të bukur”. Në vazhdim u kërkonte t’u thoshin “atyre që kalonin andej se është lulja e një partizani, i cili vdiq për liri”. Ngjarjet e Luftës së Dytë Botërore çuan në zhvillimin e lëvizjes së fuqishme guerilase në Itali, e cila luftoi kundër trupave gjermane dhe Italisë fashiste. Regjimi fashist italian filloi të tronditej si rezultat i zhvillimit të lëvizjes popullore dhe për shkak të dështimeve ushtarake në Greqi, Jugosllavi dhe Bashkimin Sovjetik. Fundi i tij ishte zbarkimi i forcave Aleate në Siçili, që filloi më 10 Korrik, 1943. Partia e Musolinit u destabilizua. Kundër tij u kthyen edhe shokët e tij. Më 24 Korrik, në takimin e Këshillit të Lartë Fashist u vendos përmbysja e Musolinit dhe transferimi i pushtetit ekzekutiv te mbreti Viktor Emanueli i III. Më vonë Mussolini u internua dhe kryeministër u bë marshalli Pietro Badoglio. Këto zhvillime çuan në ndërhyrjen e trupave naziste dhe pushtimin e një pjesë të Italisë Veriore. Me një operacion mbresëlënës parashutistë gjermanë liruan Musolinin dhe e dërguan në zonën e kontrolluar nga gjermanët. Fillimisht, qeveria Badoglio vazhdoi politikat represive të regjimit të Musolinit, fakt që çoi në revolta. Në të njëjtën kohë, u përpoq të afrohej me Aleatët Perëndimorë, ndërsa u kërkonte forcave të Boshtit të hiqnin qafe Aleatët nga Italia. E gjithë kjo çoi në nënshkrimin e marrëveshjes të kapitullimit të Italisë më 3 Shtator, ndërsa më pas qeveria Badoglio i shpalli luftë Gjermanisë. Në vitin 1945, Musolini u përpoq të arratisej në Zvicër, por u arrestua nga partizanët italianë dhe u ekzekutua. Që atëherë, kënga «Bella Ciao» u bë e famshme në botë dhe është interpretuar nga artistë nga e gjithë bota, ndër të cilët dhe Manu Chao. Kënga dëgjohet tani në çdo betejë për të  drejtat e njeriut.

Përktheu: Shpendi Shakaj

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Muzikë

Go to Top