Author

Admin - page 10

Admin has 1886 articles published.

Shiu-Don Paterson

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Shiu-Don Paterson

Unë i dua të gjithë filmat që fillojnë me shi:
shiu që vizaton një xham dritareje
apo që lag një fustan të varur në tel
ose që derdhet në fytyrën e saj ngritur drejt qiellit,

një rrebesh i madh gjëmimash
përshkon skenarin e zbrazët dhe kolonën zanore,
para aktit, para fajit,
para se syri i kamerës të shpojë kornizën,

deri te vendi ku gruaja është ulur e vetme
pranë një telefoni të heshtur,
apo ku fustani është shkalafitur mbi bar,
ose ku vajza largohet nga ura e mbikalimit,

të gjitha rrjedhin nga ai burim,
duke ndjekur rrëkenë e tyre fatale.
Sado i keq apo i stërgjatë qoftë
një film i tillë nuk mund të bëjë keq.

kështu, kur dialekti i tij natyral nxjerr krye
apo kur mikrofoni shfaqet përpara syve
ose kur fjalët e saj fillojnë të zbulojnë
se janë përshtatur nga drama,

mua më kujtohet skena e hapur në natë të ftohtë,
rrugica nën yje e shndritshme si përrua ari.
një kryq farmacie që dridhet lehtë në neon
dhe unë që lexoj në vargun e tij flakërues:

harroje bojën, qumështin, gjakun-
të gjitha u fshinë nga vërshimi,
ne u ngritëm mbi rrëketë që derdheshin,
bijtë dhe bijat e këtij shiu

dhe asgjë nga kjo, asgjë nuk ka rëndësi.

Përktheu: Arlinda Guma

Sytë i kemi në ndoshta, zemrat në përse-Sueton Zhugri

in Letërsi/Tharm by

Sytë i kemi në ndoshta, zemrat në përse-Sueton Zhugri

Sytë i kemi në ndoshta,
si dritare të varura mbi mjegull,
ku horizontet s’janë kurrë të plota,
veç copa hënash që premtojnë, pastaj shuhen.

Zemrat i kemi në përse,
varur në një fije pyetjesh
duke rrahur si orë pa akrepa
që matin jo kohën,
por ankthin e hapësirave të paprekura.

Ndërmjet ndoshta-ve dhe përse-ve
rritet një urë e padukshme,
ku hapat tona bëhen jehona,
e jehona kthehet në këngë të thyer.

Është shikimi,
ndoshta,
përse,
     frymëmarrja.
Mes tyre,
njeriu endet si një shenjë
që nuk di nëse është fillim
apo fund i vetvetes.

28.8.2025

Pasaporta – Mahmoud Darwish

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Pasaporta – Mahmoud Darwish

Ata nuk më njohën në hijen
Që më thithte ngjyrat në këtë Pasaportë
Plaga ime për ta qe thjesht një ekspozitë
Për turistin që pëlqen të mbledhë fotografi
Ata nuk më njohën,
Ah… Mos e lini
Pëllëmbën e dorës sime pa diell
Sepse pemët më njohin
Mos më lini të zbehem si hëna!

Të gjithë zogjtë që ndoqën pëllëmbën time
Drejt derës së aeroportit të largët
Të gjitha fushat me grurë
Të gjithë burgjet
Të gjithë gurët e bardhë të varreve
Të gjithë kufijtë me tela me gjemba
Të gjitha shamitë që valëviteshin
Të gjithë sytë ishin me mua,
Por ata i hoqën nga pasaporta ime

I zhveshur nga emri dhe identiteti im?
Në tokën që e ushqeva me duart e mia?
Sot, klithi Job-i
Duke mbushur qiellin:
Mos më bëni sërish shembull!
Oh, zotërinj, Profetë,
Mos i pyetni pemët për emrat
Mos i pyetni luginat se kush i lindi
Nga balli im shpërthen luari i dritës
Nga dora ime buron uji i lumit
Të gjitha zemrat e njerëzve janë identiteti im Ndaj merreni pasaportën time!

Përktheu: Arlinda Guma

Marksi ka humbur kujtesën – Një roman i ri nga Arlinda Guma

in A(rt)ktivizëm/Letërsi by

Një aktiviste shqiptare shkruan një ese kushtuar fëmijëve të vendeve në luftë dhe ajo përhapet kudo. Lexohet në një seancë të jashtëzakonshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Ndërkohë NASA lajmëron se do të hedhë në hapësirë Komedinë Hyjnore. (Njerëzimit i duhet një pasaportë e denjë si ajo për të konkurruar me yjet.)

Por ç’mendon Dantja, Marksi dhe të tjera mendje të përndritura, të cilët, nga një përmasë e panjohur, janë duke ndjekur me vëmendje zhvillimet e protestave në Tokë.

Ndërsa Zoti është kaq i zënë me shpirtin e njeriut, që zvogëlohet e zvogëlohet…

A do të arrijë ky shpirt, kaq i zvogëluar, të realizojë këtë përmbysje kaq të madhe?

“Marksi ka humbur kujtesën” është romani i katërt i autores Arlinda Guma dhe më përfaqësuesi i letërsisë së saj.

Kjo është fabula e romanit, me pak fjalë, ashtu siç është shkruar në kopertinën e pasme.

Romani është botuar nga Shtëpia Botuese “Dritëhije”

E gjeni në Librarinë Tiranabook pranë Sheshit Wilson, në Librarinë Shtëpia e Librit në Rrugën Komuna e Parisit, në Art”s Librari pranë ish- Stacionit të Trenit, në Librarinë Leximtari në Ring Center dhe në Librarinë Valentini në Rrugën e Kavajës te Kisha Katolike.

____________

Arlinda Guma është autore e katër romaneve: Bulevardi i Yjeve (2014), Terma humanitarë si fjala bombardim (2016), Bob Legjenda (2021) dhe Marksi ka humbur kujtesën (2025).
Letërsia e saj është botuar në disa revista letrare ndërkombëtare, përfshirë revistat amerikane Words Without Borders dhe Poets & Writers, në revistën greke Teflon, etj. 
Poezitë e saj janë përfshirë në antologji letrare ndërkombëtare dhe janë interpretuar nga aktorë të huaj në shumë vende të botës.
Që prej vitit 2018, ajo është themeluese dhe drejtuese e revistës kulturore defekt-teknik.com, e cila ruhet në Bibliotekën e Kongresit Amerikan në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kritika e përshkruan si një autore të guximshme dhe jokonformiste, “që shkruan me grusht.”

Dhe hijet në jug kushtojnë këtë verë më shumë-Arben Velo

in Letërsi/Tharm by

Dhe hijet në jug kushtojnë këtë verë më shumë-Arben Velo

Gusht, o gunë!
Hijet në jug,
këtë verë kushtojnë më shumë.
 
Ku ta gjej një kafe të lirë,
në lirinë që mban erë det.
Gjinkallat ofrojnë mjuzikëll falas,
me një frape valësh
për një poet.
 
Kalldrëmi i Vunoit,
gjuhë e fortë labe,
me theks si thep,
u gërvisht këmbët turistëve
si shqipe e sertë.
(Unë, zhapa me jod perëndimesh ilire,
për çdo të papritur
mbaj në xhep:
“Buonosera”!
 ” Kalispera”!
 “Good evening”!)
Ua kthejnë labërishte:
“Mirëmbrëma”!
nën kapelet e blerta, ullinjtë.
 
Pse s’ndihem i lumtur?
Në mersinat e syve
befas më bujtin dy çajme.
Vijnë nga qiejt,
nuk kuptohen në tokë.
U kanë ngecur zjarret,
si nyjë në grykë,
tymi i shkrehur
si dhimbje nëpër kokë.
Me puplat e bardha
marrë me qera,
në butikët e ankthit të detit,
pyesin:
“Kushton lirë të flemë një natë,
në bujtinën e syve të një poeti”?
 
“Një hënë e plotë.
 Dhe merrni falas tre gllënjka vese Vunoi,
distiluar në lot!”

Franz Liszt, një nga figurat më komplekse e ‘joshëse’ të historisë së muzikës së shek XIX/Metila Dervishi

in Muzikë by

Metila Dervishi

Pianisti më i madh e virtuoz i kohës
Franz Liszt (22 tetor, 1811(Doborján) – 31 July 1886 Bayreuth) .
Personaliteti, poemi simfonik dhe sonata për Piano në Si -.

Kompozitor hungarez, pianisti e mësuesi Franz Liszt, ka qenë një nga udhëheqësit e periudhës romantike në muzikë. Në kompozimet e tij ai zhvilloi metoda të reja si teknike, si imagjinare, të cilat lanë vulën e tyre në këndvështrimin e tij progresiv kontemporan dhe paraprijnë disa nga idetë e procedurat e shek. XX. Njëkohësisht ai evoloi edhe metodën e ‘transformimit të temave’ si pjesë e revolucionit që bëri në formë, kreu eksperimente radikale në gjuhën harmonike dhe shpiku poemin simfonik për orkestër. Si pianisti më i madh e virtuoz i kohës së tij, ai përdori teknikat e tij sensacionale dhe personalitetin koncertor ‘joshës’, jo vetëm për efekte personale, por për të përhapur, me anë të transkiptimeve të tij, dituri nga muzika e kompozitorëve të tjerë.
Si dirigjent dhe mësues, veçanërisht në Weimar, ai u bë një nga figurat më ndikuese në Shkollën e Re Gjermane, kushtuar progresit në muzikë.
Përkrahja e tij e pandërprerë për Wagner-in dhe Berlioz-in, bëri që këta kompozitorë të merrnin një famë më të gjerë europiane. I një rëndësie të njëjtë qe angazhimi i tij i pakrahasueshëm për të ruajtur dhe promovuar më të mirën e së shkuarës, duke përfshirë Bach-un, Handel-in, Schubert-in, Weber-in dhe mbi të gjithë Beethoven-in; performancat e tij mbi punime të tilla si Simfonia e Nëntë e Beethoven-it dhe Sonata Hammerklavier, krijuan një audiencë të re për muzikën, deri më atëherë të quajtur si jo-të kuptueshme.
Kontradiktat e dukshme të jetës së tij personale – një besimtar me një impuls të fortë, i përzier me një dashuri për emocionet e kësaj bote – u zgjidhën nga ai me vështirësi. Akoma, shumica e informacionit të ri biografik mbi të e japin pamjen e tij si ‘gjysmë- cigan, gjysmë prift. Ai përmban në karakterin e tij idealet dhe aspiratat e shek XIX. më shumë se çdo muzikant tjetër i madh. Atij i takon merita historike për krijimin dhe përcaktimin e një forme dhe gjinie të re muzikore të quajtur Poemi simfonik. Bashkimi i termave poem – simfonik, si dhe forma e tij, u krijuan nga Franc Liszt-i për të përcaktuar serinë e punëve orkestrale të tij, të shkruara rreth viteve 1850-1860. Ai përdori transformimin poetik paralel me emocionet e poezisë. Forma muzikore e poemit simfonik është e lirë, megjithatë ajo afron me formën e sonatës, që përdoret në kohën e parë te simfonitë. Poemi simfonik, i quajtur gjithashtu edhe ton poem (poemi i tingujve), është një kompozim muzikor për orkestër, i frymëzuar nga ide jashtëmuzikore, histori ose “program”, ku titulli ose referon diçka, ose e aludon atë. Karakteristikat e poemit simfonik kanë evoluar nga koncert uvertura, një uverturë jo e lidhur me operan, por e sugjeruar nga letërsia ose nga episodet historike të ngjarjeve. Midis miteve të periudhës romantike, kultura evropiane rrënjosi më së shumti mitin e trajtimit të artit si transfigurim poetik të ekzistencës. Ky mit i kaloi kufijtë e sferës estetike, duke i kombinuar me mendimin utopik të rigjenerimit të njeriut dhe të shoqërisë. Në mjediset muzikore Liszt-i qe dëshmia e gjallë lidhur me këtë, ai, i ndezur nga revolucioni i Parisit, në korrik të vitit 1830, filloi të tregonte një interes të madh për çështjet sociale e politike, duke u afruar me doktrinat e Lamane-së dhe të Sant Simon-it. Në moshë më të pjekur këto ideale sociale u shuan krejtësisht dhe mbeti vetëm një sens fetar dhe mistik i krijimit artistik. Por, poetika listiane vazhdoi të karakterizohej nga prirja drejt dimensionit të së ardhmes së artit muzikor, i cili, nga fusha e tij specifike, duhej të hapej për të përqafuar artet e tjera. Ideja e shkrirjes së të gjitha arteve, sipas Listit, dukej se i përgjigjej kërkesës së rëndësishme të kohës për arritjen e një shprehshmërie më të gjerë e më të thellë. Nga ky këndvështrim, frymëzimi poetik dhe ai piktural, përfaqësojnë për muzikantin atë element të përshtatshëm për të rinovuar format e trashëguara. Vetëm muzikanti poet, mund të zgjerojë kufijtë e artit të tij, duke thyer zinxhirët, që pengojnë lirshmërinë e fluturimit të fantazisë së tyre ( Liszt). E njëjta gjë mund të thuhet dhe për futjen e një programi në muzikë, i cili u bë një element i rëndësishëm, që mund të sugjeronte rrugë të reja për muzikantin dhe, njëkohësisht, t’i hapë rrugë muzikës së së ardhmes. Kështu, në veprat e Liszt-it, arti muzikor nuk i drejtohej publikut të veçantë dhe aktual të asaj kohe, por publikut të së ardhmes, pra, një publiku ideal. Nomadizmi, internacionalizmi i tij, e shtynë Listin të ikte nga atdheu i vet Hungaria nëpër udhëtime të vazhdueshme, nëpër qendrat kulturore të Parisit, Vajmarit, Romës. Por periudha më e fuqishme krijuese e tij qe pikërisht ajo e Vajmarit (1848), ku qëndroi për më tepër se një dhjetëvjeçar. Pikërisht gjatë kësaj kohe ai krijoi 13 poema simfonike, më e njohura ndër të cilat është ajo me titull Preludet, si dhe dy simfoni të programuara, të dedikuara njëra Faustit të Gëtes, (Simfonia e Faustit, me tri kohë, 1854-57) dhe tjetra Komedisë Hyjnore të Dantes (Simfonia e Dantes, 1856). Nga njëra anë, këto projekte zbulojnë pjekurinë e plotë të atij konceptimi, tashmë të shprehur qartë në poemat simfonike të krijuara më parë, sipas të cilit krijimi muzikor ka përmbajtje poetike jashtëmuzikore dhe, nga ana tjetër, ato tregojnë nevojën për të zgjeruar përmasat e kompozimeve nëpërmjet kritereve, të ndryshme nga ato të mëparshmet. Këto janë kritere të bazuara në metamorfoza të vazhdueshme tematike, të cilat mund të rikuperojnë disa parime ose skema tradicionale të trashëguara, si forma e sonatës, në një këndvështrim të çfunksionalizuar, ku skema poetike kryen funksionin e udhëheqësisë narrative, duke e orientuar shtjellimin ekspresiv gjatë trajektoreve të paparishikuara dhe të papritura. Liszt-i në idenë qendrore përdori një formë krejt të veçantë, monotematizmin, sipas të cilit një temë a një motiv bëhet ‘strumbullar’ intonativ i gjithë veprës dhe përmes shndërrimit, kryesisht variacional, fiton aftësi karakterizuese të aspekteve të ndryshme, ndonjëherë edhe të kundërta. Aplikimi i kësaj forme karakterizuese, jo vetëm nuk e varfëroi larminë e figurave muzikore, por, përkundrazi, ndikoi në unitetin tematiko-emocional dhe stilistik të veprës. Në kërkimet e tij të vazhdueshme, të frymëzuara nga pasione të ndryshme dhe shpesh kundërthënëse, siç ishin dhe motivet e tij krijuese, arti muzikor i Liszt-it në tërësinë e vet nuk është i përkryer, aq sa ç’është, p.sh arti vagnerian, një art ky harmonik, tematik dhe formal. Por, pikërisht çekuilibrimet e Liszt-it, ndonëse nga këndvështrimi estetik mund të duken si një dobësi, zbulojnë një ndërgjegje estetike torturuese, që pikërisht në këtë torturë dhe në kundërthëniet e saj, në konfliktin mes ideve, kategorive të ndryshme të së bukurës dhe karakteristikes, paraprijnë në qëndrime që do të jenë tipikë për artin muzikor të shek.’20. Në këtë këndvështrim dhe me këtë profil, Liszt-i, ndërmjet gjithë kompozitorëve romantikë ishte më parashikues, më i projektuar në të ardhmen, të paktën në të ardhmen e artit muzikor. Është e rëndësishme që Listi nuk këmbënguli të caktonte burime të lidhura ngushtësisht me letërsinë në veprat e tij, ndërsa, për sa i përket kompozitorëve që ndoqën dhe përshtatën modelin e tij të transformimit dhe zhvillimit tematik, ata mund të përfitonin ose të shfrytëzonin lirinë e madhe të kësaj forme, që mori dhe emërtime të tilla, si: Fantazi, Studim, Skicë, etj. Lidhur me këtë formë muzikore, Liszt-i ndikoi dhe te pasardhësit e tij. Po do ndalesha dhe te një arritje e madhe e Liszt-it në atë kohë, një nga veprat e tij që ka zgjuar jo pak debate: Sonata për piano në si minor. Mes arritijeve të mëdha të krijimeve të viteve të Weimar-it (1848-1861) ishte dhe kompozimi i Sonatës për Piano në Si minor. Gjatë kësaj kohe Liszt-i kompozoi disa nga punët e tij më të mëdha e më mbresëlënëse si: dy koncertet për piano, të dy simfonitë “Faust” dhe “Dante”; “Totentanz” për piano dhe orkestër dhe poemat e tij simfonike. Duke shtuar këtu edhe rolin e tij si drejtues në festivale muzikore, ku ai luante repertor nga Beethoven-i, Berlioz-i, Verdi dhe Wagner-i. E mbaruar në shkurt të vitit 1853, Sonata në Si minor përfaqëson një nga kontributet më origjinale të formës së sonatës që erdhi nga shekulli XIX. Jo vetëm që janë katër kohët e saj që janë futur në një, po ato vetë në vetvete janë kompozuar përballë një sfondi të një skeme të plotë sonatë-ekspozicion-përpunim, reprizë, që shtjellohet afërsisht në gjysmë ore muzikë. Pra, shkurtimisht Liszt-i ka kompozuar ‘një sonatë nëpër një sonatë’. Ndoshta hera e parë në historinë e muzikës që diçka e këtillë është tentuar. Nganjëherë, Beethoven-i i ka lidhur kohët e sonatave dhe simfonive të tij, sigurisht; dikush mendon për simfoninë e pestë dhe sonatën Appassionata, ku finalet respektive shfaqen nga kohët e mëparshme pa ndërprerje. Por, te Sonata në Si- është ndryshe. Materiali vazhdimisht kontribuon në dy forma sonatash njëkohësisht. Kjo strukturë me funksion të ‘dyfishtë’ ishte që mos të kishte më vazhdimësi, derisa Schoenberg-u bëri diçka të ngjashme në Simfoninë e tij të parë për harqe, më shumë se 50-vjet më vonë. Nuk ka punë të tjera të Liszt-it që kanë tërhequr të njëjtën shkallë të vëmendjes shkencore si kjo sonatë. Tërheqja karshi kësaj ka të bëjë gjithashtu me programin e fshehur, gjë që ka mbajtur tre breza ekspertësh të zënë. Githsesi, pavarësisht heshtjes totale të Liszt-it mbi këtë çështje: ai thjesht e quajti këtë punim një ‘sonatë’. Kjo sonatë është mjaft e qartë, e fuqishme dhe intriguese sa mund të mbajë shumë interpretime, duke përfshirë edhe atë të një kompozimi abstrakt instrumental, pra atë të një muzike absolute. Po a ish ajo një muzikë absolute apo vepër programatike?! Për dikë që ka bashkangjitur tituj dhe përshkrime programatike përreth 90% të punimeve të tij, heshtja e tij, siç është, te ato me kuptimësi jashtëmuzikore, është shprehëse… Sipas Peter Raabe-s ‘Sonata është një portret muzikor i legjendës së Faust-it, e kompletuar me tema të Faust-it, Gretchen-in dhe Mephisto-s’. Disa të tjerë kanë parë në këtë punim një përshkrim të kopshtit të Edenit, me tema që simbolizojnë Zotin, Luçiferrin, Adamin dhe Evën. Disa të tjerë e kanë parë veprën si një portret autobiografik të vetë Liszt-it. Sonata në Si minor, padyshim paraqet punën më të realizuar të prodhimeve pianistike të Liszt-it. Ajo qëndron në linjën e poemave simfonikë. Me këtë punë, Liszt-i arriti majën dramatike të punës së tij për piano. Ajo u shfaq si një kohë e vetme dhe gjigante, afërsisht 30 minuta, në varësi të interpretit. Gjithsesi ajo nuk e thyen krejtësisht të shkuarën. Në të vërtetë Beethoven-i, ka përdorur parimin e mbivendosjes së temave në sonatën tradicionale në shpirtin e një dialogu apo lufte dramatike. Është i njëjti shpirt, e njëjta frymë që përdori Liszt-i, por duke i dhënë një liri totale. Përveç përpjekjeve të ndryshme për ta shpjeguar këtë sonatë, forma e saj ende shkakton probleme mes muzikologëve. Nuk ka një marrëveshje universale nëse kjo duhet të konsiderohet si një kohë e vetme e formës së sonatës, apo një punë shumëkohëshe me një kohë të ngadaltë dhe një scherzo, ndonëse numri i seksioneve është katër apo tre. Në të vërtetë e tërë premisa e një strukture me një funksion të dyfishtë në vetvete me një fuge të identifukuar si një scherzo, është dyshuese. Këto pozicionime kontradiktore, veçanërisht ato që rrethojnë fugën, padyshim që do të jenë për një kohë të gjatë qender debatesh. Sonata u publikua në vitin 1854, me një dedikim për Robert Schumann-in (një gjest reciprok për dedikimin që Schumann-i i kishte bërë Liszt-it tek Fantazia në Do maxhor, disa vite më parë). Performanca e parë u bë në publik nga Hans von Bülow në Berlin në 22 janar, 1857. Perceptimi që u bë për veprën nuk ishte premtues. Otto Gumprecht-i e përshkroi atë ‘si një ftesë për të fërshëllyer dhe stamposur’ (Nationalzeitung), ndërkohë që Gustav Engel mendonte që kjo hynte në konflikt si me natyrën si me logjikën. Nga këto kritika sonata u përmirësua pak dhe u luajt shumë pak, kështu që kjo vepër madhështore pianistike e Liszt-it pati fare pak performanca para se të hynte shekulli ‘XX. Një nga performancat më të famshme, ish ajo që dha në mënyrë private Karl Klindworth për Richard Wagner-in në Londër, në 5 prill, 1855. Gjithsesi, duke mënjanuar kritikat konservatore të kohës, kjo vepër ishte një sfidë për themelimin e formës së sonatës në shek. XIX. Për përdorimin e kësaj strukture Liszt-i qe influencuar nga Fantazia Wandere e Franz Schubert. Schubert-i përdori në të njëjtën mënyrë një numër të kufizuar elementesh muzikorë për të krijuar një punë të gjerë e të plotë me katër kohë, dhe përdori fugaton në kohën e katërt. Në fakt, që në vitin 1851, Liszt-i eksperimentoi me një pjesë për piano jo-programatike, të gjerë, të quajtur Grosses Concert-Solo, ku katër kohë ishin në një. Kjo pjesë që u publikua në vitin 1865 si version me dy-piano nën titullin Concerto pathétique, tregon një marrëdhënie tematike edhe me Sonatën edhe me Simfoninë e mëvonshme “Faust”.

NATËN NËN QIELL-Sueton Zhugri

in Letërsi/Tharm by

NATËN NËN QIELL-Sueton Zhugri

Kjo është anija dhe ne të dy mblidhemi dritareve duke numëruar flakërimat e çuçurisim;

Ti thua:
Fryma

Unë them:
Ky element i bukur i gojës tënde
Me hapje-mbyllje fjalësh në
forma nebiolash

Hunda:

Një rrëpirë nga ku bie pafundësisht i palodhur
Sizifi.

Buzët:

Qeramikë e butë e antikëve në Knosos

Dhëmbët:

Yje të mbledhur nga dridhërimat e universit,
pulsarë të vegjël që ndalen veç kur ti buzëqesh.

Sytë:

Një qiell i gjelbër që më mban të gjithin për vete.

Lotët:

Mërgimtarë të largët që rrëshqasin në faqe,
kometa që braktisin galaksitë e tyre,
dhe unë,
shtegtar etur pas tyre,
ndjek gjurmë të ujshme për të mbërritur
në një sistem yjor që vetëm ti e zotëron.

Të kisha një ëndërr e të flija…

Ky element i bukur i qenies tënde…

2.8.2025

TYM I BARDHË-Aleksandër Bardhi

in Letërsi/Tharm by

TYM I BARDHË-Aleksandër Bardhi

 

Gyshja thoshte
se në shtëpinë tonë,
kishte kohë
që kishte hyrë i paudhi.

Motra përlotej
dhe dilte nga shtëpia.

Unë mërzitesha
dhe i shkoja pas.

Një natë u fol
për një fjollë tymi
që bëhej pëllumb
e dilte nga dritarja.

Nëna qeshte.
Babai flinte i fundit.

Gjyshja, që pa gdhirë
dilte rreth e rreth shtëpisë
dhe mblidhte gurinjtë
që binin mbi çati.

Gur perifrazues-Kiki Dhimula

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Gur perifrazues-Kiki Dhimula

 

Fol.
Thuaj diçka, çfarëdo qoftë.
Veç mos rri si statujë e çeliktë.
Zgjidh qoftë edhe një fjalë,
që të t’lidhë më fort
me pasigurinë.
Thuaj:
“padrejtësisht”,
“pemë”.
“zhveshur”.
Thuaj:
“do ta shohim”,
“pa peshë”,
“peshë”.
Ka aq shumë fjalë që ëndërrojnë
të kenë pakëz jetë të çlirët në gojën tënde.

Fol.
Para nesh shtrihet një det i tërë.
Aty ku mbarojmë ne
fillon deti.
Thuaj diçka.
Thuaj “dallgë”, që s’rri në një vend.
Thuaj “varkë”, që zhytet
nëse e mbingarkon me parafjalë.
Thuaj “çast”,
që thërret për ndihmë mgaqë po mbytet,
mos e shpëto,
thuaj
“s’dëgjova gjë”.

Fol.
Fjalët janë armike të njëra-tjetrës,
janë në garë mes tyre:
nëse njëra syresh të robëron,
tjetra të çliron.
Tërhiq një fjalë nga nata rastësisht.
E tërë nata një rastësi.
Mos thuaj “e tërë”,
thuaj “veç pak”,
që të lë të ikësh.
Veç pak
ndjesi,
hidhërim
i tëri
i imi.
E tërë nata.

Fol.
Thuaj “yll”, që shuhet.
S’pakësohet heshtja me një fjalë.
Thuaj “gur”,
që është fjalë e pandarë.
Kësisoj, mbase-mbase,
i vë një titull
kësaj shëtitjeje buzë detit.

 

Përktheu: Stefan Zhupa

Një fragment nga libri “Shumë vonë për t’u zgjuar” (2023)/Slavoj Žižek

in A(rt)ktivizëm by

Slavoj Žižek

Në kondita si të sotmet, ku mund ta gjejmë një busull? Te artistët dhe mendimtarët? Apo te Realpolitika pragmatike?

Ja që edhe artistët e mendimtarët mund të shërbejnë si rrugëhapës të krimeve e të luftërave. Edhe kur janë krejt të pafajshëm mund të prodhojnë ambiguitete banale. Më 24 shkurt 2022 psh. aktorja AnnaLynne McCord nxori një video ku lexonte një poemë kushtuar Putinit, e cila fillonte kësisoj: “I dashuri president Vladimir Putin më vjen kaq keq që nuk jam jot ëmë” e mandej vazhdonte me shpjegime se si po té kishte qenë e ëma e Putinit do t’i kishte falur atij shumë dashuri qyshkur ai ishte fëmijë, në mënyrë që kur të rritej të mos e kishte më prirjen për të nisur luftëra. Poema është krejt e gabuar: problemi me të tillë kriminelë të mëdhenj është pikërisht se kanë qenë të mbuluar me shumë dashuri amësore, tepër, aq sa nuk kanë patur madje hapësirë të marrin frymë lirisht.

Por situata me artistët mund të shkojë dhe më keq. I mbani mend ato vargjet e famshme të William Butler Yeats-it:

“Ëndrrat e mia t’i shtrova poshtë nën këmbë
Shkel pak më butë, se po më shkel mbi ëndrra.”

Duhet që këto vargje të merren seriozisht edhe nga vetë poetët: kur na i shtrojnë ëndrrat e tyre poshtë këmbëve tona, duhet t’i shtrojnë me kujdes të madh, sepse ato do të lexohen nga njerëz të vërtetë që edhe do t’i marrin seriozisht e do të veprojnë sipas atyre poezive – le të kujtojmë këtu se psh. vetë Yeats-i vazhdimisht flirtonte me Fashizmin, e në gusht të vitit 1938 publikisht mbështeti ligjet antisemite të Nyrembergut.

Nuk ka spastrim etnik pa poezi. Pse? Sepse jetojmë në një epokë që veten e përjeton si post-ideologjike. Meqenëse kauzat e mëdha ideologjike (liria, drejtësia shoqërore, arsimi falas) më nuk e kanë fuqinë për të mobilizuar popujt për dhunë masive, atëherë nevojitet një kauzë edhe më e madhe, e tillë që t’i bëjë të duken vogëlsira të parëndësishme ato hezitimet individuale që mund të frenojnë vrasjen. Frymëzimi i politikës nga feja apo etnia e përmbush plotësisht këtë rol. Me siguri ka edhe raste ateistësh patologjikë që janë në gjendje të kryejnë vrasje masive thjesht për qejf, por këta janë përjashtime të rralla: shumica ka nevojë të anestetizohet që të mos e ketë as atë ndjeshmërinë elementare për vuajtjen e tjetrit, e për këtë anestezi duhet një Kauzë e shenjtë. Ideologët fetarë zakonisht këmbëngulin se feja, e vërtetë apo jo, megjithatë i shtyn njerëzit e këqij të bëjnë punë të mira; por po të gjykojmë nga përvojat e sotme na duhet të pajtohemi me Steve Weinberg-un kur thotë se po të mos ketë fe njerëzit e mirë do bëjnë punë të mira e njerëzit e këqij punë të këqija, e vetëm feja po arrin t’i bëjë edhe njerëzit e mirë të bëjnë punë të këqija.

Platonit i ka mbetur një nam i keq ngaqë ka thënë se poetët duhen përjashtuar prej polisit – mirëpo kjo mund të jetë edhe këshillë kuptimplotë, po të kesh parasysh se në dekadat e fundit spastrimi etnik kaq shpesh është paraprirë prej ëndrrave të rrezikshme të poetëve dhe “mendimtarëve” (në Rusi psh. prej librave të Aleksandr Dugin-it dhe filmave të Nikita Mikhalkov-it). Një hap i vockël e ndan Dichter und Denker (poetin e mendimtarin) nga Richter und Henker (gjyqtari e xhelati) – kështu që mbase duhet ta plotësojmë vargun e mirënjohur të Anna Kamienska-s që “poezia parandjen të vërtetën” duke shtuar “po, por kjo e vërtetë mund të jetë vërtetësi e impulseve më të errëta që fshihen né mendjen tonë”. Duke parafrazuar Thackeray-n, poezia mund t’i bëjë të dashura edhe mendimet tona më të shëmtuara.

E sa për Realpolitikën, ajo është thuajse edhe më keq. Pragmatizmi politik apo “realizmi” s’ka fuqi t’i përgjigjet mistifikimeve ideologjike: e pikërisht atëherë kur denoncon mbithjeshtëzimet e naivitetin e një ideologjie, harron mistifikimet që përfshin vetë pozicioni i tij “realist”. Si kështu? Ideologjia shpesh evokon ndonjë dimension të fshehur tej vellos së dukshme, që shërben si mbulesë për krimet që vetë ajo i bën haptazi (dhe i legjitimon). Shprehja tipike që kumton këtë lloj mistifikimi të dyfishtë është “situata është më e ndërlikuar se kaq”. Kështu pra edhe faktet që duken haptazi – psh. një sulm dhe pushtim ushtarak – relativizohen duke evokuar “njé situaté shumë më të ndërlikuar në prapaskenë”. A s’po ndodh pikërisht kjo në Ukrainë? Rusia sulmoi brutalisht, ndërsa shumë analistë e komentatorë kërkojnë të gjejnë “situatën më të ndërlikuar se kaq” qé fshihet pas sulmit. Po me siguri që ka ndërlikime, ama fakti elementar mbetet: Rusia sulmoi. Gabimi ynë ishte që nuk e morëm mjaft seriozisht Putinin – menduam se ai nuk donte të thoshte atë që thoshte, por thjesht luante ndonjë lojë manipulimi strategjij. Ironia e madhe është se na bie të citojmë këtu atë barcoletën e famshme jahude që e citon edhe Freud-i, ku një rrenë merr formën e së vërtetës faktike. “Pse po më thua se do shkosh në Lviv nëse vërtet po shkon në Lviv?” – e pyet njëri shokun. Ata qenkëshin marrë vesh për një kod të nënkuptuar sipas të cilit kur thua se do shkosh në Krakov shkon në Lviv, e anasjelltas; pra brenda kësaj kornize të thuash të vërtetën do të thotë të gënjesh. E kur Putini shpalli ndërhyrjen ushtarake, ne nuk e morëm aq seriozisht sa duhej deklaratën e tij se donte “pacifikim” dhe “denazifikim” të Ukrainës. Strategjistët tanë të zhgënjyer për momentin po ankohen “pse o Putin na the që do pushtosh Lvivin kur në fakt vërtet deshe të pushtosh Lvivin?”.

Me fjalë të tjera ky mistifikim i dyfishtë do të thotë fund i Realpolitikës ashtu siç e kemi njohur: “si një aktivizim apo angazhim ne raport me strategji politike e diplomatike që bazohen kryesisht në konsiderimin e rrethanave e faktorëve të dhënë e që nuk ia lidh këmbët vetes me nocione ideologjike apo me premisa morale e etike”. Ky tip i Realpolitikës si rregull i kundërvihet naivitetit, apo lidhjes naive me versionin tonë të parimeve morale a politike. Problemi është se në një situatë si e sotmja naivitet është pikërisht të luash këtë lojë Realpolitike: premisa e saj fillestare (që edhe pala tjetër, armiku, synon të arrijë një marrëveshje përfundimtare pragmatike) tashmë nuk është më e qëndrueshme.

Përktheu: Arbër Zaimi

1 8 9 10 11 12 189
Go to Top