Nuk i përshtatesh ti shijes së publikut, por i ofron publikut atë që ti mendon se duhet të njohë nga arti i ri/Bisedë me violinistin Florian Vlashi

in Biseda/Muzikë by

Bisedë me violinistin Florian Vlashi, mbi muzikën dhe pasione të tjera të tij, si letërsia e piktura.

Ai jeton në Spanjë prej 27 vitesh, por di të ruajë një balancë të admirueshme midis dashurisë për Durrësin, qytetin e tij të lindjes, dhe La Coruña, Galicia, qytetin ku tashmë jeton.

“Ne muzikantët dimë “të deshifrojmë” duartrokitjen, thotë ai kur rrëfen dashamirësinë e publikut spanjoll. “Ajo ka gjuhën dhe kodet e saj”, ndërsa më tej, kur i duhet të përshkruajë lidhjen e tij të fortë me letërsinë, ai citon Dirigjentin Daniel Baremboim:“Fatkeqësia e instrumentistëve të orkestrave sot është se pjesa më e madhe nuk lexojnë, dhe se libri i vetëm që kanë në shtëpi është… numëratori telefonik.”

I pyetur mbi çështjen e nxehtë të ditës, shembjen e Teatrit Kombëtar, si dhe betonimin e qytetit të Durrësit, ai nuk i dredhon aspak pyetjes, por me kurajë intelektuale dhe i drejtpërdrejtë thotë se është kategorikisht kundra shembjes:

Gjërat nuk është e thënë të jenë të bukura për t’i dashuruar. Ato duhen sepse pa e kuptuar bëhen pjesë e jetës tënde. Për fat të keq ti e kupton këtë gjë vetëm atëherë kur i humb përgjithmonë. Qytetet kanë identitetin e tyre. Kanë fytyrën e tyre. Me atë fytyrë jemi dashuruar dhe kur dashurohesh nuk ndjen nevojën e asnjë operacioni plastik (në rastin e qyteteve do ta quaja “botox-polis”), aq më pak shndërrim të tipareve… Në rastin kur ti dashuron, ti veç do që tiparet e tij apo të saj të ruhen e të duken të bukura si përherë. Nëse ti dëshiron t’i ndërrosh ato, atëherë ti nuk e dashuron atë person.  Qytetet janë si njerëzit dhe dashuritë e tyre.

Bisedoi: Arlinda Guma

 Arlinda Guma: A do të mundeshit të më përshkruanit një çast prej turneve tuaja muzikore nëpër botë, kur keni ndjerë se malli për Shqipërinë ka qenë disi i papërballueshëm? Si reagoni në kësi situatash? Luani në violinë ndonjë pjesë shqiptare për ta mundur zbrazëtinë?

 Florian Vlashi: Nuk di të kem ndjerë ndonjëherë mall të papërballueshëm për Shqipërine. Mall po, natyrisht. Në koncertin tim në Odesa (Ukrahinë), në sallën ku unë kisha koncertin, pat luajtur Aleksander Moisiu, pikërisht në mbrëmjen kur e lajmëruan për vdekjen e babait. Afër sallës ishte dhe “Rruga e shqiptarëve”. Një ndjenjë e çuditshme në një vend pa shqiptarë, por ku ndihej prania e tyre.

Në koncertin e fundit në Deruta (Umbria), luajta një vepër nga kompozitorja kosovare Donika Rudi, me titull: “Kabatronic”. Eshtë një Lamento shqiptare për violinë dhe “tape”, ku vijnë zëra nga larg; është malli, fotografia e vjetër, telefonata e fundit, librat e fëmijërisë, zërat e atyre që s´janë më… Në atë heshtje nate ndjeva frymëmarrjen e asaj pjese të publikut që vinte nga vendi im.

Për të mundur zbrazëtirën më mjafton të lexoj një libër shqip, të shikoj pikturat apo të dëgjoj muzikën tonë. Në një ditë nga këto, dëgjova rastësisht këngën “Të ka lali xhan…” dhe ajo që më befasoi ishte se… më pëlqeu kenga. Madje e dëgjova dy herë. Malli është  i pabese. (qesh)

 Arlinda Guma: Ç’ngjyra e aroma nuk do të mundet kurrë t’ua zëvendësojë Spanja, vendi që ju mirëpriti, ku prej vitesh zhvilloni karrierën tuaj artistike?

 Florian Vlashi: Unë kam në Spanjë po aq vite sa ç`kam kaluar në Shqipëri; 27-27. Por numrat e pjesës së parë kanë shumë më tepër peshë tek unë, sepse aty është esenca e formimit. Kështu ngjyrat dhe aromat e “pjesës se parë” janë të pafundme e të pazëvendësueshme. Por unë, si muzikant, jam më i ndjeshëm me atë që dëgjoj. Shqipëria ka “zhurmat” e saj, që nga murmurimi i shqipes në rrugë, shiu, bubullimat, heshtja e natës, muzika e bareve, e deri tek zhurma e detit. Ka në këtë të fundit një butësi përkëdhelëse si muzika e Debussy-së apo përrallat e fëmijërisë. Por më mungojnë zogjtë. Diku kam lexuar se janë gjetur zogj të vrarë, sepse gjatë kthimit, në pranverë, në parkun e përhershëm, janë përplasur në kristalet e ndërtesave të sapongritura.

Qyteteve tona u mungon muzika e natyrës. Atë e mbyt zhurma e makinave, e borive, e punimeve apo e muzikës idiote të bareve… Kjo është ndotje akustike.

 Arlinda Guma: Si është publiku i huaj ndaj një violinisti shqiptar? I ftohtë? Dashamirës? Mosbesues? Mbështetës? Cinik? Po ai spanjoll në veçanti?

 Florian Vlashi: Po të heqim fjalën “cinik” dhe të ndryshojmë renditjen e fjalëve të tjera, përgjigjia është brenda pyetjes: publiku në fillim është i ftohtë, mosbesues, pastaj dashamirës, mbështetës në duartrokitje dhe, kur takohesh pas koncertit me të, të duket se e ke njohur gjithë jetën. Sepse muzika ështe komunikim. Publiku spanjoll nuk është shumë më ndryshe, por në rastin tim bien dy fazat e para; i ftohtë e mosbesues. Ndoshta do të shtoja edhe fjalën mirënjohës, sepse ai publik vlerëson shumë faktin që një muzikant shqiptar ka luajtur premirë absolute mbi 100 vepra spanjolle. Dhe kjo ndihet në zhurmën e duartrokitjeve. Ne muzikantët dimë “të deshifrojmë” duartrokitjen. Ajo ka gjuhën dhe kodet e saj.

 Arlinda Guma: Cili ka qene çasti më emocionues i gjithë karrierës suaj? Një nga ata çastet kur nuk ju kanë mbajtur më këmbët dhe që ju ka bërë t’i thoni vetes: “Më mirë të kisha zgjedhur një profesion që nuk ka lidhje me skenën.”

Florian Vlashi: Çastet më të vështira janë pa dyshim konkurset. Nuk ka gjë më të keqe se konkurset, një skenë sterile ku asnjë muzikant s´dëshiron të jetë. Aty e ndjen veten thjesht një numër, si në një garë kuajsh siç thoshte Bartok, ndoshta janë shumë të nevojshëm, por nga ana tjetër s´kanë të bëjnë aspak me artin. Verdi nuk e fitoi konkursin për në Konservatorin e Milanos, ndërsa tani ai konservator mban emrin e tij.  Fitimi i konkursit në Stuttgart të Gjermanisë, në vitin 1992, e ndau jeten time në dy pjesë. Natyrisht kjo është ana e nevojshme. Por çastet që kalon aty janë tepër të rënda. Në ato 4-5 minuta varet e ardhmja jote. A mund të mendohet se ato të famshmet 10000 orë pune që i ke dedikuar instrumentit që fëmijë, të varen në vetëm  pak sekonda?

Para pak ditësh isha pjesë e jurisë së konkursit për Bursat e Muzikës, dhënë nga  krahina e La Coruña-s për të studiuar në Universitetet më të mira të botës.  Jane 180 000 Euro. Sinqerisht, e kalova keq. Një nivel shumë i lartë. Fituesit me humbësit në numrin e pikëve  i ndante vetëm… një presje. Një presje! Për at’ Zot, a mund të përcaktojë kjo presje fatin e një artisti? Me një lëvizje lapsi milimetrik eliminohet një ëndërr. Ajo presje e bukur dhe elegante, që në një fjali është aq e dashur dhe i jep kuptim frazës, në këtë rast më dukej një gjemb i helmuar. Më erdhi ndërmend një foto që më nisi im bir nga Lyon para konkursit, ku tastiera e violinës ishte me gjak. U thashë organizatorëve të konkursit  mos t´më thërrasin  më.

 Arlinda Guma: Nëse nuk do të ishit bërë violinist, ç‘rrugë mendoni se mund të kishit ndjekur? Unë dalloj një lidhje të veçante tuajën me letërsinë. E keni menduar ndonjëherë se mund të ishit bërë shkrimtar?

 Florian Vlashi: Nëse nuk do të isha bërë violinist, besoj se do të isha marrë me një profesion tjetër, gjithmonë  brenda artit. Lidhja ime me letërsinë vjen nga familja. Unë jam rritur në një shtëpi që kishte bibliotekën më të pasur të qytetit. Kujdesi i prindërve të mi për lidhjen me librin ka qenë nje bekim në formimin tim. Kam njohur persona që janë bërë instrumentistë me dhunë, me abuzime gjatë fëmijërisë së tyre të mbyllur në një injorancë të frikshme. Natyrisht ata një ditë mundën të luanin mirë në instrument, por kurrë nuk do të jenë njerëz të lumtur apo të lirë. Fëmijëria e dhunuar ka një peshë mbytëse në personalitetin e njeriut dhe për pasojë përcakton edhe fatin e tij.

Dirigjenti i madh Daniel Baremboim thotë në një intervistë se fatkeqësia e instrumentistëve të orkestrave sot është se pjesa më e madhe nuk lexojnë, dhe se libri i vetëm që kanë në shtëpi është… numëratori telefonik.

 Arlinda Guma: Cili është ai kompozitor, që kur ia luani pjesët ju bën t‘i thoni vetes: Kjo të kalon në tjetër dimension! E nëse do të ishit së bashku me këtë kompozitor, me një gotë verë përpara, çfarë pyetjesh do t’i bënit?

 Florian Vlashi: Gjeniu i gjenive për mua është padyshim Si bemol, La, Do, Si. Këto nota korrespondojnë me inicialet BACH. Në muajin Maj luajta veprën e tij madhore “Arti i Fugës”, tek Aquarium i La Coruña, që është nën ujë, pra brenda në oqean. Emri Bach përkthehet “Përrua”, dhe Beethoven ka thënë “Bach” nuk ështe përrua, por oqean. Madhësia e oqeanit, thellësia, drita, errësira, tërë misteri i tij, i jepte atë mbëmje muzikës  përmasa joreale.

Bashkë me Bach-un në tryezë? Me siguri duke pirë një gotë verë Bourgogne, është ajo që Mjeshtri pëlqente. Dhe s´e kishte fare gabim, sepse nga Bourgogne është vera më e mirë dhe e shtrenjtë e planetit, Romanée Conti, me çmimet që shkojnë sot nga 13 000 deri ne 90 000 euro për shishe. Pyetje? Asnjë. Vetëm do dëgjoja me frikën se mos zgjohesha nga ëndrra.

Në librin e fundit që ka dale mbi Bach-un, André Tubeuf shkruan se muzika e tij është më urgjente se kurrë, sepse sot shpirti i artit është deformuar nga moskomunikimi, përjashtimi, keqkuptimi dhe arti i tij na orienton e na bën qytetarë më të mirë. Në muzikën e tij dominon rregulli, optimizmi dhe Drita.

 Arlinda Guma: Keni krijuar “Grupo Instrumental Siglo XX”, të cilin e drejtoni që prej 21 vitesh. Që i përkthyer në shqip do të ishte: “Grupi Instrumental Shekulli  XX”.  A kanë qenë të vështira fillesat e tij?

 Florian Vlashi: Fillesat nuk kanë qenë të vështira. E vështirë është të mbahet 21 vite një grup që i dedikohet muzikës moderne dhe bashkëkohore. Ka shumë ansamble që krijohen e mbyllen pas pak, ka nga ato që zgjasin aq sa zgjat një koncert. Jetëgjatësia e një grupi është domethënëse për një ansambël profesionist të klasit të lartë. Dhe GISXX është i tillë. Me mbi 250 koncerte deri tani, po aq vepra në repertor dhe 145 premiera absolute, është një grup referencë në panoramën muzikore spanjolle sipas kritikës së specializuar. Veç të tjerave, duhet të jetë dhe ansambli joshqiptar që ka më shumë autorë shqiptarë në repertor. Dhe kjo më bën krenar.

Arlinda Guma: Në faqen tuaj në median sociale, një ditë kishit bërë një përshkrim mbreslënës rreth një vizite tuajën në “Spitalin e Kukullave”; një spital i cili ekziston vërtet në Napoli, qysh prej fundit të vitit 1800. Kur e lexova, me mendje hoqa një paralele me Shqipërinë, këtu ku as spitalet për njerëzit nuk janë të denjë dhe ku po debatohet nxehtë shembja e Teatrit Kombëtar. (Disa e lidhin me ekonominë e varfër të vendit këtë mungesë ndjeshmërie ndaj së kaluarës, por unë mendoj se duhet kërkuar më thellë shkaku.) Keni ndonjë mendim mbi këtë të fundit apo kurseheni të bëni krahasime të tilla?

 Florian Vlashi: Jam absolutisht kundra prishjes së Teatrit dhe absolutisht pro ndërtimit të një teatri të ri. Nuk ka pse lindja e të dytit duhet të presupozojë vdekjen e  të parit (?!) Një teatër i ri e modern është më i nevojshëm se kurrë në Shqipëri. Por janë urbanistët ata që duhet të mendojnë për një vend të përshtatshëm. Teatri i vjetër është pjesë e historisë së artit shqiptar, të ruhet, të rinovohet, edhe nëse nuk do të funksionojë më si teatër mund të kthehet në muze apo në arshivë. Në Buenos Aires kam vizituar një Teatër të kthyer në librari me emrin Ateneo, sipas gazetës The Guardian është një nga dy libraritë më të bukura në botë.

Kam qenë edhe kundër shndërrimit të sheshit të Durrësit dhe heqjes së shatërvanit, projektuar nga arkitekt Sotiri. Atëherë shkruajta se “gjërat nuk është e thënë të jenë të bukura për t’i dashuruar. Ato duhen sepse pa e kuptuar bëhen pjesë e jetës tënde. Për fat të keq ti e kupton këtë gjë vetëm atëherë kur i humb përgjithmonë.” Qytetet kanë identitetin e tyre. Kanë fytyrën e vet. Me atë fytyrë jemi dashuruar dhe kur dashurohesh nuk ndjen nevojën e asnjë operacioni plastik (në rastin e qyteteve do ta quaja “botox-polis”), aq më pak shndërrim të tipareve… Në rastin kur ti dashuron, ti veç do që tiparet e tij apo të saj të ruhen e të duken të bukura si përherë. Nëse ti dëshiron t’i ndërrosh ato, atëherë ti nuk e dashuron atë person.  Qytetet janë si njerëzit dhe dashuritë e tyre.

 Arlinda Guma: Shumë njerëz suksesin e lidhin me famën (për mua ai është subjektiv dhe them se lidhet më së shumti me gjendjen e brendshme të individit se sa me marrëdhënien e tij me botën.) Po për ju si eshte ky koncept? Çfarë quani ju sukses?

Florian Vlashi: Mund të jesh i suksesshëm, por jo i famshëm, dhe mund të jesh i famshëm, por jo i suksesshëm. Madje kërkimi i famës me çdo kusht mund të krijojë një përbindësh brenda teje dhe nje mëngjes e shikon veten të shndërruar në një kandërr si Gregorio Samsa tek “Metamorfoza” e Kafkës. Filozofi gjerman Byung-Chul Han thotë se sot jetohet me ankthin se nëse nuk triumfojmë është faji jonë, pra një lloj sindrome e shfrytëzimit abuziv të vetvetes. Për mua suksesi është një koncept më i gjerë, është ekuilibri i gjërave në jetë dhe renditja e tyre sipas prioriteteve. Nëse ky ekuilibër arrihet, atëherë ia ke dalë mbanë në jetë. Pra nuk duhet të obsesionohem të krijoj veprën perfekte të artit, por jeta ime duhet të jetë një vepër arti e bukur. Për këtë ekuilibër kam një shembull – babain.

Arlinda Guma: “Nëse është art, nuk është për të gjithë; nëse është për të gjithë nuk ështe art”, kam lexuar në një intervistë tuajën. Vetëm se këtu në Shqipëri kemi një keqkuptim të madh mbi vlerat e artit të vërtetë, shumë njerëz këtu, midis tyre edhe shumë artistë, vlerat e një vepre arti i ndërlidhin me faktin se sa e shitshme është ajo në treg. Mund të me flisni pak për këtë koncept?

Florian Vlashi: Thënia është e Schoenberg-ut. Në rastin tim flet zgjedhja që kam bërë. Unë merrem me muzikën e re, me muzikën bashkëkohore që nuk është tamam-tamam më e shitshmja në treg. Kurrë s´ka qenë. Por jam i bindur se është një mision, një shërbim, rezultat i një zgjedhjeje të ndershme. Nuk i përshtatesh ti shijes së publikut, por i ofron publikut atë që ti mendon se duhet të njohë nga arti i ri. Ajo që ju quani një keqkuptim të madh, nuk është vetëm një fenomen shqiptar, por i përbotshëm. Ekonomia e tregut është kuçedra që ka zënë burimin tek përrallat. Dikush duhet të luftojë kundër saj. Në mos banaliteti, injoranca dhe kitsch-i do na idiotizojnë shpejt.

Arlinda Guma: Çfarë ju gëzon dhe çfarë ju nervozon kur vizitoni Shqipërinë? Në veçanti, Durrësin (me rrënojat e tij antike të tij që përditë po mbyten prej betonit…)

 Florian Vlashi: Gëzohem shumë kur takoj miq e shokë, me të cilët kam aq shumë për të folur e për të kujtuar. Më gëzon çdo lajm që lexoj për hapjen e një muzeu si ai i Marubit apo Gjon Milit, për shpëtimin e një kishe apo afresku, për ruajtjen e rimëkëmbjen e një rruge si Bulevardi apo Muzeu Arkeologjik i Durrësit apo Pazari i Korçës, për restaurimin e Teatrit Migjeni apo të atij të Operas në Tiranë, etj., etj. Të gjitha këto ma bëjnë zemrën mal. Por nga ana tjetër më mbulon trishtimi kur ndërtohet pa kontroll, kur betoni mbulon një plazh, një park apo pasuritë arkeologjike; kur mbyllet një librari apo kur kushtet e teatrit janë më poshtë se kafeteria më e humbur e qytetit; kur biblioteka e Durresit është në një gjendje të tmerrshme. Kam dëgjuar se, veç ujit që hyn nga çdo anë, në bibliotekë ka dhe… gjarpërinj. Po po, gjarpërinj! Si ata që ka edhe atje ku po punon tani Teatri i Operas. Por, a mund të bëhet art e letërsi mes gjarpërinjve?! Ndoshta është helmi i dikurshëm i kthyer tani në gjarpërinj të vërtetë. Nga këtu duhet të fillojë pastrimi i arteve, katarsisi i ndërgjegjes.

Arlinda Guma: Keni dhënë koncert në Vjenë, në Muzikverein, në vendin ku bëhet edhe koncerti i famshëm i Vitit të Ri, keni luajtur atje me “Sinfonica de Galicia”. Mund të m’i përshkruani përshtypjet dhe atmosferën gjatë këtij koncerti?

 Florian Vlashi: E ndiqja koncertin e Vienës më datë 1 Janar, që i vogël. Ishte kthyer në një “koncert familjar” dhe vazhdojmë edhe sot ta ndjekim njësoj: zgjohemi vonë, pranë zjarrit, me pizhame dhe një kafe me qumësht, dëgjojmë gjysmë në ëndërr e gjysmë zgjuar atë muzikë të bukur që na vjen si një bekim për Vitin e Ri.

Pastaj Viena ka qenë gjithmonë e pranishme në koncertet e mia, që nga Mozart e deri tek Shkolla e Dytë e Vienës. Në njërin prej koncerteve, me veprat e Strauss të punuara nga Berg, Webern e Schoenberg, projektuam pikturat nga Klimt dhe inskenuam vetëvrasjen e Richard Gerstl. Ky i fundit, i dashuri i gruas së Schoenberg-ut; kur Matilda kthehet në shtëpi, djeg të gjitha pikturat e tij dhe var veten lakuriq përpara një pasqyre gjigande. Pra, për mua Viena nuk është vetëm valse të lumtura me “verë, gra dhe këngë”, por edhe me dramën e saj ku vetëvrasja ishte kthyer në një veper arti.

Të gjitha këto përjetova kur luajta me OSG në Sallën e Artë (Musikverein). Shikoja dyshemenë e vjetër të skenes, plot shenja e gërvishtje, si një partiturë e një ditari intim. Sepse skenat kanë memorien e tyre.

Arlinda Guma: Si lindi tek ju pasioni për koleksionimin e pikturave? Po ai mbi koleksionimin e verërave? Duket se keni siguruar atmosferën ideale e cila i duhet një artisti; violinën, librat, verën, pikturat…

Florian Vlashi: Koleksionin e pikturave e filloi babai  që në vitet 50-të. Pastaj e vazhdova unë pas 90-ës.  Janë mbi 150 vepra të autorëve shqiptarë, nga Ibrahim Kodra e deri tek më të rinjtë. Ndërsa verërat nuk janë koleksion. Ato konsumohen rregullisht dhe kantina ripërtërihet përherë. Ёshtë e vërtetë, ndërmjet muzikës, librave, pikturave dhe verës, krijohet një atmosferë ideale nën mbretërinë e Apollos-Zoti i djellit, muzikës, poezise dhe Dionisit-Zoti i verës. Arti është i lidhur me këto dy perëndi dhe këtë nuk e thotë vetëm Nietzsche tek “Lindja e tragjedisë”, por edhe Freud, Jung, Baudelaire, Mann, etj. Pra diçka të vërtetë duhet të kete aty… (qesh).

Arlinda Guma: Mund të më jepni një detaj piktoresk të Durresit, dhe një të La Coruña, Galicia, vendi në breg të oqeanit, në veri të Spanjës ku jetoni?

 Florian Vlashi: Si Durrësi dhe La Coruña kanë të përbashkët shumë gjëra, por kryesorja është se janë dy qytete bregdetare. Madje, duke shtuar dhe Nicën, them se jeta ime dita-ditës kalon nën praninë e detit. Si unë dhe ime shoqe Rediana, duke qenë nga Durrësi, jemi rritur me imazhin e Vilës së Zogut tek kodra. Edhe shtëpinë në Spanjë e kemi thuajse në të njëjtin pozicion, pra në kodër, mes blerimit dhe shikojmë oqeanin. Ndoshta në mënyrë të pavetëdijshme kemi realizuar një ëndërr të hershme, një imazh që kish mbetur diku brenda nesh. Nga të dy kodrat shikohet perëndimi i diellit në det, por me një ndryshim; perëndimet në Durrës ishin ëndërrues, në La Coruña janë nostalgjikë…

Të dy qytetet kanë farin e tyre. Në bregun e oqeanit është fari 2000 vjeçar, i ruajtur mirë, me të cilin krenohen dhe tani është kthyer në Trashëgimi e Kultures nga Unesco. Ndërsa fari i Durrësit, më modest, por jo më pak i rëndësishëm, duket se ka një fat tjetër. Herën e fundit që u ngjita për ta vizituar, një plak me emër profeti që kalonte atje afër më këshilloi të mos shkoja “te fneri”, sepse shtëpitë që ishin ndërtuar aty kishin zënë rrugët, dhe tek kalimi i vetëm kishin lidhur disa qen të egjër. Pata frikë dhe u ktheva mbrapsht. Qen të egjër!!!… Pata ndjesinë se dikush më kish rrëmbyer diçka që më takonte… atë nga unë vij… ku unë kthehem… Nuk e di ta përcaktoj mirë, por është diçka pa të cilën jam askushi.

Arlinda Guma: Ju falënderoj për bisedën!

Florian Vlashi: Edhe unë ju falënderoj për ftesën!

Foto © Fran Martinez

____

Shënim: Shkrimet e defekt-teknik.com nuk janë për gazetaret  pa ide të Gazetës “Mapo”. Edhe pse përpiqemi ta mirëkuptojmë me sa mundim koeficientin e tyre të ulët të inteligjencës, si dhe koeficientin e tyre të lartë të mediokritetit, u bëjmë me dije t’i mbajnë duart larg kësaj faqeje!

 

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Biseda

Go to Top