Gilles Kepel
Rebelët, të udhëhequr nga islamistë radikalë, shpallën të dielën në televizionin publik sirian rënien e presidentit Bachar el-Assad dhe “çlirimin” e kryeqytetit Damask, pas një ofensive të rrufeshme. Kjo tronditje kërcënon tashmë Iranin tejet të dobësuar nga rënia e Sirisë dhe kap në befasi edhe Izraelin, për të cilin prania e një grupi islamist në kufirin e Golanit është problematike. Aq më tepër kur emri luftarak i udhëheqësit të grupit që përmbysi pushtetin alauito-baasist sirian, al-Joulani, në gjuhën arabe do të thotë “me origjinë nga Golani”, zonë nga e cila prindërit e tij, sunitë të devotshëm, ishin arratisur prej regjimit të Hafez el-Assadit, të atit të Bacharit, për t’u strehuar në Arabinë Saudite, ku lindi djali i tyre, i edukuar me një bindje salafiste strikte. Por është sigurisht edhe një goditje e fortë për Rusinë, që rrezikon të humbasë dy bazat e saj ushtarake në Mesdhe, bazën detare në Tartus – gjashtë anijet e së cilës kanë marrë tashmë detin me ngut për të mos u kontrolluar… dhe bazën ajrore në Hmeimim… nën kanosjen e dronëve të rebelëve. Në çastin kur Zelenski po takonte zotin e ri të botës, Donald Trump, nën kujdesin e Emmanuel Macron-it, me rastin e përurimit të restaurimit të katedrales Notre-Dame, kjo duhet t’i ketë dhënë karta të mira në dorë Ukrainës. Është mbresëlënës fakti që Z. al-Joulani u intervistua në 6 dhjetor nga CNN, në Alepin që trupat e tij e kishin marrë, i veshur me një tee-shirt ngjyrë kaki, aq shumë të ngjashme me veshjet e presidentit ukrainas.
Pasojat për rajonin do të jenë fillimisht shembja e “harkut shiit”, i njohur ndryshe si “boshti i rezistencës antisioniste”, i drejtuar nga Teherani. Ai ka humbur, njëri pas tjetrit, Hamasin, Hezbollahun dhe Sirinë. Është humbje shumë e madhe. Regjimi do të duhet të paktën të pësonte ndryshime të rëndësishme, të brendshme, nëse dëshiron të shpëtojë një formë vazhdimësie. Grabitqarët fqinjë duhet ta shikojnë me lakmi Iranin, këtë shtet të “pragut bërthamor” me pasuritë e tij, klasën e mesme shumë të zhvilluar… Kontaktet që kam në Amerikë më kanë konfirmuar se takimi midis Elon Musk-ut dhe ambasadorit iranian pranë Kombeve të Bashkuara ishte zhvilluar më 11 nëntor në New York. Mund ta marrim me mend se sa do ta joshte Donald Trumpin “ujdia” me një Iran post-islamist. Hollë-hollë, Irani i shahut ishte aleati i pathyeshëm i Izraelit. Dhe çrregullimi i botës hap dritaret e të gjitha mundësive! Presidenti i zgjedhur shkroi dje në platformën X, rrjeti i mikut të tij Musk, se Amerika i rrinte larg konfliktit në Siri, një “regjim i keq”. Por kjo nuk është krejt e saktë. Ka baza dhe ushtarë amerikanë në pjesën e Sirisë që kontrollohet nga kurdët, në Veri-Perëndim. Forcat demokratike siriane (FDS), që janë kurde, pas shpartallimit të trupave të Assadit e kanë shtrirë autoritetin në Abu Kamal dhe Deir ez-Zor, në kufi me Irakun – aty ku kalonte rruga e furnizimeve iraniane për Hezbollahun dhe regjimin e Assadit. FDS nuk kanë lëvizur dot pa dakordësinë e amerikanëve.
Në fillim, Abou Mohammed al-Joulani – nofka e tij xhihadiste – ishte dërguar në Siri nga “kalifi” i ISIS-it, Baghdadi, për “t’u dhënë mbështetje” rebelëve sirianë të pranverës arabe dhe për të islamizuar kryengritjen. Në dhjetor 2013, para 11 vjetësh, ai, me veshje xhihadiste, jepte një intervistë në al-Jazeera për t’u lëvduar për këtë gjë. Dy vjet më vonë, në maj 2015, ai dha një intervistë të re në kanalin katarian, në profil dhe i paarmatosur, për të shpallur bashkimin e tij me al-Qaida-n dhe për të denoncuar ISIS-in. Pastaj, u bë padroni i “zonës së shtensionimit” të Idlebit, nga ku nisi ofensiva e rrufeshme që rrëzoi për dy javë një regjim të vendosur në Damask që nga viti 1970.
Që prej inkursionit pogromist të Hamasit më 7 tetor 2023, Izraeli ka zhvilluar dy ofensiva të njëkohshme. Vëmendja e botës u përqendrua mbi të parën, represionin në Gaza, që ka shkaktuar deri sot më shumë se 45 000 të vdekur dhe ka ushqyer akuza për “genocid”. Por ofensiva e dytë, me një pikësynim më afatgjatë, kishte për qëllim minimin e “boshtit të rezistencës” së drejtuar nga Teherani dhe nisi me hallkën e tij më të dobët, Sirinë e Assadit, shumë të varur nga pasdaranët (“gardianët e revolucionit”) iranianë dhe nga milicitë e ndryshme shiite, sidomos ato të Hezbollahut libanez, në tokë – si dhe nga mbulimi ajror rus. Regjimentet e ushtrisë siriane besnike të regjimit, të përbëra sidomos nga pakica etnike, në radhë të parë nga alauitët – të cilëve u përket familja drejtuese – ishin shumë të pakta dhe të rraskapitura prej vitesh të tërë luftimi. Pjesa më e madhe e rebelëve sunitë dhe islamistë ishin transferuar në vitin 2016 drejt “zonës së dekonfliktimit” të Idlebit, në Veri-Perëndim, pranë kufirit turk, në makina të vëna nën mbrojtjen e oficerëve rusë të besimit sunnit dhe me origjinë nga Kaukazi. Kjo bërthamë islamiste e enklavës së Idlebit i bëri të mundur Hayat Tahrir al-Chamit (HTC – “Organizata për Çlirimin e Levantit”) – degë vendore e al-Qaida-s – të zhvillohej e të riorganizohej, me dashamirësinë e Turqisë së Erdogan-it, nga ku kalojnë ndihmat dhe furnizimet civile dhe ushtarake. Për aq kohë sa rusët, pasdaranët dhe milicët e Hezbollahut ishin të pranishëm luftarakisht në Siri, këta islamistë ishin të pashqetësuar.
Më pas, ishte fillimisht aviacioni i Moskës që u riaktivizua në Ukrainë, pastaj gjeneralët e pasdaranëve që u likuiduan nga goditjet izraelite deri edhe në konsullatën iraniane në Damask – Teheranit iu desh madje të reagonte me një sulm raketor mbi shtetin hebre në 1 prill, pa shumë sukses. Më në fund, në shtator, sulmi mbi biperat dhe talkies-walkies-t që neutralizoi mijëra oficerë të Hezbollahut në Liban, pastaj vrasja e shtabit të organizatës nëpërmjet bombardimeve që i kushtuan jetën Nasrallahut më 27 shtator i detyruan luftëtarët e pozicionuar në Siri të riatdhesoheshin me ngut, duke braktisur pozicionet. HTC-ja përfitoi menjëherë, pasi qe përgatitur gjatë këtyre viteve të fundit. Pjesa më e madhe e luftëtarëve të saj vijnë nga rajonet sunite të Veri-Perëndimit, që ata i njohin mirë, dhe u kthyen pa vështirësi në shtëpitë e tyre duke qenë se kanë marrëdhënie të shumta vendore dhe duke qenë se çka kish mbetur nga ushtria e regjimit kishte rënë në mjerim dhe ishte minuar nga korrupsioni endemik.
Fronti i ri është, pra, rrjedhim i tërthortë i dy fronteve të tjerë: atij të luftës në Ukrainë e sidomos atij që i kundërvë Izraelin Hezbollahut libanez, një pasojë e drejtpërdrejtë e rrënimit sistematik që Izraeli i ka bërë “boshtit të rezistencës” iraniane dhe i akaparimit të forcave ruse nga lufta në Ukrainë. Ky është një problem i madh për Putinin, sepse tregon se aftësia e tij për projektim të jashtëm dhe për të mbrojtur aleatët është shumë e dobësuar – teksa janë duke u përgatitur manovrat e mëdha rreth një “ujdie” me Donald Trump-in për t’i dhënë fund gjendjes së luftës në Ukrainë. Moska nuk do mund t’u qaset negociatave në pozicion force.
Teherani është në një situatë tejet të dobësuar, sepse e gjithë strategjia e tij që konsistonte në armatimin e mandatarëve në Levant për të kërcënuar Izraelin tashmë është kthyer kundër nxitësve të saj. Hamasi është tashmë veçse një forcë reziduale, burimi i fundit i së cilës është shantazhi me pengjet izraelitë. Hezbollahu mbijeton vetëm si guerrilje në jug të Libanit dhe nuk ka më aftësi projektimi rajonal. Regjimi sirian vdiq të shtunën në aksin alauit midis Damaskut dhe bregut mesdhetar, aty ku ishte luajtur faza e parë e luftës civile në vitin 2012 – Assadi ishte shpëtuar nga ndërhyrja masive e Hezbollahut. Javën e kaluar, familjet alauite dhe të krishtera të Homsit – në dy të tretat sunite – morën arratinë drejt bregut dhe Homsi ra, duke hapur udhën dhe qytetin e Damaskut natën e së shtunës duke u gdhirë e diela.
Po roli i turqve në këtë ofensivë xhihadiste të rrufeshme? Kjo s’do kish mundur të ndodhte pa çekun e tyre të bardhë. Nga njëra anë, milicitë e paguara nga Ankaraja, Ushtria Kombëtare Siriane, përfituan për të dëbuar kurdët e Veri-Perëndimit dhe për t’i detyruar të strehohen në Veri-Lindje, në Rojava, nën kontrollin e forcave kurde të mbrojtura nga bazat amerikane. Nga ana tjetër, dobësimi i polit pers në Levant e në Xhezira, mbi Eufrat, ka qenë historikisht i kundërpeshuar nga një presion otoman – strategji në të cilën vendoset sulltani modern, Erdogani. Veç këtyre, ai ka në dorë kartat më të mira nga të gjitha anët: mund të lehtësojë Moskën duke i ndaluar “bashibozukët” e tij të sulmojnë bazat detare dhe ajrore ruse të Tartusit dhe Hmeimimit dhe të marrë çdo lloj gjëje nga Putini si shpërblim. Edhe Izraeli, ashtu si Irani, duhet të merren vesh me të. Ai vihet kështu në pozicion force për negociatën e madhe të “ujdisë” që shpall Trump-i. Jemi në zemër të manovrave të mëdha të “tronditjes së botës”.
Nga ana e tij, ISIS-i kërkon pjesën e gjahut, duke zhvilluar një ofensivë në shkretëtirë në drejtim të Palmirës. Por ai nuk duket sot në pozicion force në raport me HTC-në – me të cilën e kanë kundërvënë përplasje të përgjakshme. Abou Mohammed al-Joulani, që parakaloi në 4 dhjetor mbi kështjellën mijëvjeçare të Alepit, ka dhënë intervista në të cilat këmbente uniformën ushtarake me kostumin, për të siguruar perëndimorët. Nuk duket se ka pasur vjedhje e shpërdorime ndaj të krishterëve të këtij qyteti, të krahasueshme me ato që kishin pësuar nga ISIS-i bashkëfetarët e tyre të Mosulit, në Irak, por këto informacione mbeten për t’u verifikuar dhe të krishterët janë me të drejtë të shqetësuar përderisa gjenden mes dy zjarreve. Në këtë stad, burgjet e regjimit u hapën ngado pa kufizime dhe mijëra të burgosur mundën të rifitojnë lirinë. Por le të presim për të parë vazhdimin, ku gjithçka është e mundur.
__________
Gilles Kepel është profesor universiteti, specialist i Lindjes së Mesme.
Përktheu: Alket Çani
PËRBALLË DËBORËS-Du Fu
PËRBALLË DËBORËS-Du Fu 712-770) Për luftën kanë zënë të qahen Të vdekurit e vonë në