Poezia nuk lind në zhurmë, në turma apo në autobus
Përktheu: Arlinda Guma
Tri javë më parë, poetja Wislawa Szymborska la apartamentin e saj modest dy-dhomësh në qytetin jugor polak të Krakov-it, për t’i shpëtuar zhurmës dhe konfuzionit të rimodelimit. Ajo u largua për në këtë vendpushim të virgjër malor, i preferuar nga artistët dhe shkrimtarët polakë, dhe mori një dhomë të vogël – pa banjë dhe pa telefon – në katin e dytë të një klubi të rezervuar për autorë.
Szymborska, grua në pension, me flokë të thinjur, që e shijon vetminë e saj, i kalonte ditët në heshtje, duke punuar për poezinë e saj të fundit. Gjithçka po shkonte sipas planit, thotë ajo, deri në datën 3 Tetor, kur bota “u përplas tek unë”. Ishte atë ditë kur Akademia Suedeze në Stokholm njoftoi se relativisht e panjohura Szymborska, kishte fituar Çmimin Nobel për Letërsi të vitit 1996.
Çmimi erdhi si një surprizë për Szymborska-n – dhe për shumicën e të gjithë të tjerëve në Poloni – jo sepse ajo konsiderohej e padenjë, por sepse poezia e saj flet kryesisht për tema universale se për temat politike parokiale që kanë dalluar vargjet e Evropës Lindore që nga Lufta e Dytë Botërore .
Ndryshe nga poeti i fundit polak që e fitoi çmimin – Czeslaw Milosz, në vitin 1980 – Szymborska nuk ishte një disidente e guximshme e epokës komuniste; as koha e nderimit nuk përkoi me ndonjë ngjarje thelbësore në historinë polake – 1980 ishte viti i kryengritjes së kantierit detar të Gdansk-it. Dhe ndryshe nga kandidati kryesor i polakëve për çmimin e këtij viti, poeti Zbigniew Herbert, vargu i Szymborksa-s admirohet më shumë për “diksionin e saj të gdhendur imët”, siç vuri në dukje Akademia Suedeze, jo për metaforat e saj të rënda politike.
Kjo nuk do të thotë që Szymborska, 73 vjeç, ka shpëtuar nga kapja e politikës gjatë karrierës së saj 50-vjeçare. Në fakt, politika i dha një sfond të palëvizshëm punës së saj që nga fillimi. Disa nga poezitë e saj të hershme glorifikuan komunizmin – një periudhë e errët që ajo tani e refuzon – dhe ajo e kaloi pjesën më të madhe të karrierës së saj të mëvonshme duke punuar për botime që e rreshtuan fort në kampin anti-komunist të mendimtarëve liberalë. Nën ligjin ushtarak në fillim të viteve 1980, ajo botoi poezi me pseudonim në botimet polake dhe në ato të mërgimit. Por që nga prishja me stalinizmin në fillim të viteve 1950, Szymborska i ka rezistuar me vendosmëri vargut të dirigjuar nga ideologjia, në vend të kësaj ka përdorur fuqitë e veta të vëzhgimit për t’i trajtuar temat një e nga një.
E ve, pa fëmijë, Szymborska përçmon turmat dhe paraqitjet publike, dhe nuk pranon t’i lexojë poezitë e saj para audiencës. Kontakti i saj kryesor me botën e jashtme është përmes një kolone në gazetë;: “Lexim jo i detyrueshëm”. Por, javën e shkuar, në shenjtërinë e kësaj tërheqjeje të preferuar krijuese, ajo foli hapur dhe me dashuri për punën e jetës së saj dhe barrën e famës së çastit
Pse është privatësia kaq e rëndësishme për ju?
Wislawa Szymborska: Përndryshe, nuk mund të shkruaja. Nuk mund të imagjinoj ndonjë shkrimtar që të mos luftojë për paqen dhe qetësinë e tij. Fatkeqësisht, poezia nuk lind në zhurmë, në turma apo në autobus. Duhet të ketë katër muret dhe sigurinë që telefoni nuk do të bjerë. Ja çdo të thotë të shkruash.
Disa nga poezitë tuaja janë introspektive, të tjerat paraqesin manifeste të gjera politike. A shkruani me një mision?
Wislawa Szymborska: Nuk besoj se kam ndonjë mision. Ndonjëherë unë me të vërtetë kam një nevojë shpirtërore për të thënë diçka më të përgjithshme për botën, dhe ndonjëherë për të thënë diçka personale. Unë zakonisht shkruaj për lexuesin individual – megjithëse do të doja të kisha shumë lexues të tillë. Ka disa poetë që shkruajnë për njerëzit e mbledhur në dhoma të mëdha, kështu që ata mund të jetojnë përmes diçkaje kolektivisht. Unë preferoj që lexuesi im ta marrë poezinë time dhe të kem një marrëdhënie vetëm për vetëm me të.
A është poezia juaj një shprehje e kotësisë?
Wislawa Szymborska: Nëse e keni fjalën, a është një formë e ekzibicionizmit, ndoshta është. Asnjëherë nuk e kam menduar me të vërtetë seriozisht, por tregimi i ndjenjave tek njerëzit e panjohur është pak si shitja e shpirtit. Nga ana tjetër, sjell lumturi të madhe. Të gjithë kemi ngjarje të trishtueshme që na ndodhin gjatë jetës. Pavarësisht nga gjithçka, kur ato gjëra tmerrësisht të tmerrshme i ndodhin një poeti, ai ose ajo, të paktën mund t’i përshkruajë. Ka njerëz të tjerë që, në njëfarë mënyre, janë të dënuar të jetojnë nëpër përvoja të tilla në heshtje.
Disa kritikë e përshkruajnë poezinë tuaj si të shkëputur dhe të larguar, megjithatë ju e konsideroni atë private dhe personale. A mund të jenë të dyja?
Wislawa Szymborska: Secili prej nesh ka një natyrë shumë të pasur dhe mund t’i shikojë gjërat në mënyrë objektive, nga një distancë, dhe në të njëjtën kohë mund të ketë diçka më personale për të thënë rreth tyre. Përpiqem ta shikoj botën dhe veten time nga shumë këndvështrime të ndryshme. Mendoj se shumë poetë e kanë këtë dualitet.
A ka diçka unike polake në lidhje me punën tuaj? A do të ishte poezia juaj e njëjtë nëse do të vinit nga një vend tjetër?
Wislawa Szymborska: Nuk ia kam idenë. Por do të më pëlqente vërtet nëse do të mund të jetoja jetën e shumë njerëzve të tjerë dhe pastaj t’i krahasoja ato.
Cila nga poezitë tuaja ju pëlqen më shumë?
Wislawa Szymborska: E preferuara ime është ajo që po planifikoj në çastin kur më pyesni. Duhet të më pëlqejë ajo poezi që edhe të filloj ta shkruaj. Kur të shkojë në botë, dhe të jetë ndërkohë në një libër, atëherë unë e lë poezinë ta menazhojë vetë veten.
Pse nisët të shkruanitpoezi?
Wislawa Szymborska: Ashtu ndodhi. Ndoshta ishte atmosfera në shtëpinë time. Ishte një shtëpi intelektuale, ku flisnim shumë për librat. Ne lexojmë shumë. Sidomos babai im. Kam filluar të shkruaj poezi kur isha pesë vjeç. Nëse unë shkruaja një poezi – ishte poezi për fëmijë – që babait tim i pëlqente, atëherë ai fuste dorën në xhep dhe më jepte [ca para]. Nuk mund ta kujtoj saktësisht sesa, por ishin shumë për mua.
Në vitet tuaja të para keni shkruar në stilin social-realist, duke lavdëruar komunizmin. Pse?
Wislawa Szymborska: Është shumë e vështirë të shpjegohet. Tani njerëzit nuk e kuptojnë situatën e atëhershme. Unë me të vërtetë doja të shpëtoja njerëzimin, por zgjodha mënyrën më të keqe të mundshme. E bëra nga dashuria për njerëzimin. Atëherë kuptova që nuk duhet ta duash njerëzimin, por të pëlqesh njerëzit. T’i pëlqesh, por jo t’i duash. Unë nuk e dua njerëzimin; Më pëlqejnë individët. Mundohem t’i kuptoj njerëzit, por nuk mund t’u ofroj shpëtim. Ky ishte një mësim shumë i vështirë për mua. Ishte një gabim i rinisë sime. Është bërë në mirëbesim dhe, për fat të keq, shumë poetë kanë bërë të njëjtën gjë. Më vonë ata do të futeshin në burg për ndryshimin e ideologjisë së tyre. Për fat të mirë unë u kurseva nga ai fat sepse kurrë nuk kisha natyrën e një aktivisteje të vërtetë politike.
Si e ka ndryshuar poezinë tuaj Revolucioni i Solidaritetit?
Wislawa Szymborska: Nuk ka ndikuar në të shkruarin tim. Duke filluar nga viti 1954-55 [pas vdekjes së Joseph Stalin-it], unë tashmë fillova të mendoja ndryshe – në të njëjtën mënyrë që mendoj tani. Që atëherë, nuk e kam ndryshuar mënyrën e shikimit të botës. Pas gjithë atyre gabimeve, pas gjithë asaj që kam jetuar në fillim të viteve 50, mendimi im u ndryshua për mirë. Jeta ime si qytetare e këtij vendi ka ndryshuar në mënyrë dramatike që nga Solidariteti, por jeta ime si poete nuk ka ndryshuar.
Disa kritikë kanë vërejtur se totalitarizmi frymëzoi letërsi të madhe në Evropën Lindore, por demokracia jo. Ju keni botuar vetëm një libër që nga ndryshimet e vitit 1989. A ka ndonjë lidhje?
Wislawa Szymborska: Padyshim që jo. Unë thjesht botoj një koleksion çdo gjashtë ose shtatë vjet. Gjithmonë kam punuar në këtë mënyrë. Dhe ende shkruaj për të gjithë llojet e ndryshme të gjërave – njësoj siç ka qenë që nga vitet 1950.
Shokët tuaj thonë se keni një sens të shkëlqyeshëm humori, i cili shpesh reflektohet në poezinë tuaja. Sa i rëndësishëm është humori në punën tuaj?
Wislawa Szymborska: Nuk dua të mburrem këtu, por më duket, kam pak talent kur bëhet fjalë për miqësinë. Sigurisht, unë jam duke folur për të qenë miq me njerëz individualë. Unë nuk mund ta imagjinoj me të vërtetë një miqësi që është plotësisht cerebrale… Unë mendoj se miqësia, që nga fillimi, do të thotë që ju jo vetëm që do të shqetësoheni së bashku, por gjithashtu do të qeshni së bashku.
A përpiqeni ta injektoni këtë të qeshurën në poezinë tuaj?
Wislawa Szymborska: Thjesht vjen natyrshëm. Nuk e bëj qëllimisht. Megjithatë, ndonjëherë, unë shkruaj poezi vetëm për të bërë të tjerët të qeshin. Për shembull, unë shkruaj letra duke përdorur limerik të stilit anglez, të cilat më pëlqejnë shumë dhe korrespondentët e mi i shkruajnë përsëri me limerik.
Ju e vlerësoni humorin, por gjithashtu shkruani poezi shumë të trishta. Cili lloj ju përshtatet më shumë?
Wislawa Szymborska: Të dyja gjërat pajtohen lehtësisht. Ti nuk mund të kesh vetëm një ndjenjë ndaj botës. Duke kaluar nëpër këtë aventurë, të cilën unë e quaj jetë, herë e mendon me dëshpërim dhe herë me një ndjenjë magjepsjeje. Ndonjëherë motivimi për poezinë është të tmerrohesh nga gjërat. Si fëmijë nuk habitesha kurrë nga asgjë; tani befasohem nga gjithçka. Çdo gjë të vogël që shikoj, një gjethe apo një lule, them: “Pse kjo? Çfarë është kjo?” Ekziston edhe një motivim tjetër: Kurioziteti. Unë jam kurioze për njerëzit, ndjenjat e tyre, për atë që ata përjetojnë, fatin e tyre, çfarë do të thotë kjo jetë. Kështu që kjo mrekulli, ky kuriozitet dhe ky trishtim, të gjitha këto vijnë së bashku për mua.
Disa nga poezitë tuaja janë pesimiste për gjendjen e botës. Ju nuk keni fëmijë: A është e ardhmja shumë e zymtë për fëmijët?
Wislawa Szymborska: Në të vërtetë unë do të doja të dija sa njerëz kishte në botë kur linda unë, dhe sa ka tani. Unë dyshoj se numri është dyfishuar. Kjo është diçka shumë shqetësuese për mua. Një shembull i vogël. Unë kam lindur në një qytet të vogël afër Poznan-it dhe atje ishte një liqen i madh. Njerëzit shkonin për të peshkuar, ju mund të merrnit një anije dhe të lundronit. Tani ky liqen është i vogël. Barërat e këqija rriten në të. Do të thahet. Dhe nëse mendoni se sa liqene të tillë thahen në botë – dhe gjithnjë ka gjithmonë e më shumë njerëz – atëherë filloni të keni mendime që nuk janë shumë të këndshme. Ka njerëz që thonë: “Le të lindin më shumë njerëz, sepse toka mund t’i ndihmojë të gjithë”. Nuk jam dakord me këtë. Të gjithë e dimë sesa njerëz vdesin nga kequshqyerja dhe sëmundjet që duhet të zhduken. Nuk mund të flas për këto gjëra me një sens humori.
A do t’i theksoni shqetësime të tilla si një laureate e Nobelit?
Wislawa Szymborska: Ende nuk e di. Nuk kam pasur kohë të mendoj për atë që dua të them. Thjesht nuk kam pasur një çast kohe për të menduar. Më duhen rreth katër ditë paqe dhe qetësi absolute për të përmbledhur mendimet.
Ndoshta do të mbështeteni në një besim personal? A keni një filozofi të jetës?
Wislawa Szymborska: Jo. Unë mendoj se vjen instiktivisht. E di, pak a shumë, çfarë është e drejtë dhe çfarë është e gabuar. Unë kurrë nuk them se gjithçka që bëj është e drejtë, por e di kur bëj diçka të keqe. Unë jam e vetëdijshme për këtë. Kam një ndergjegje.
Ju keni një ndjenjë të jashtëzakonshme vëzhgimi. Nga vjen?
Wislawa Szymborska: Nuk mund të pyesja një piktor pse pikturon në këtë mënyrë dhe jo në një tjetër. Nuk mund të pyesja një kompozitor si muzika e tij merr jetë papritur. E di që ata nuk mund ta shpjegonin me të vërtetë. As unë nuk mundem. Ndoshta unë kam lindur me të. Por sigurisht, pastaj duhet ta punosh pak.
Si i shkruani poezitë tuaja? Në kompjuter?
Wislawa Szymborska: Asnjëherë në kompjuter. Duhet të kem një lidhje të drejtpërdrejtë midis kokës dhe dorës. Unë nuk jam një person modern. I ndërpres gjërat. Jam tejet e modës së vjetër – shkruaj me stilolaps.
Akademia Suedeze vuri në dukje se vëllimi juaj i punës është mjaft modest. Pse nuk shkruani me shume?
Wislawa Szymborska: Ndonjëherë lë diçka mënjanë dhe filloj me diçka të re. Ndonjëherë mendoj për disa poezi në të njëjtën kohë. Ata thonë se kam shkruar rreth 200 poezi. Unë në të vërtetë kam shkruar shumë më tepër se kaq. Unë shkruaj më shumë sesa botoj. E shihni, edhe unë kam këtë shportë mbeturinash. Nëse shkruaj diçka në mbrëmje, dhe e lexoj të nesërmen, ndonjëherë përfundon në shportën e mbeturinave. Dhe ndonjëherë jo.
A do ta inkurajonit një të ri sot të merret me të shkruart e poezisë?
Wislawa Szymborska: Gjithkush duhet ta ndërmarrë vetë këtë rrezik. Gjatë një pike të caktuar në jetën tënde, kur del nga fëmijëria, ti hyn në këtë botë të rrezikut dhe të përgjegjësisë personale dhe nuk ka asgjë që mund të bësh për ta shmangur këtë. Shkruaj poezi dhe do ta shohim. Duhet të kesh parasysh se ato mund të jenë poezi të këqija dhe njerëzit do t’i refuzojnë. Ose… ndoshta do të jenë të suksesshme…
Përkthimi: © Arlinda Guma