COVID-19-Arlinda Guma

in A(rt)ktivizëm/Letërsi/Në kohërat e kolerës/Tharm by

COVID-19-Arlinda Guma

 

Në Athinë dezinfektojnë statujën e Perikliut.

Dhe nuk e kanë krejt gabim,

gjithë ato ide mbi lirinë dhe demokracinë,

bien ndesh me një epokë ku njerëzimi komunikon me gif-te.

 

Por as statuja e Dantes, përtej bregut, nuk duket t’i ketë punët mirë,

për dy orë të mira e humbi vetëdijen

prej shpullës së një ish-profesori të letërsisë së krahasuar, shkurtuar nga reformat,

tani punëtor krahu dhe dezinfektues statujash.

 

Në Tiranë, Partizanit të Panjohur i kanë vënë maskë të skaduar,

ka pak kollë të thatë dhe ethe të lehta, por urgjenca i kërkon gjeneralitetet përpara se të mbërrijë,

dhe ai nuk i di gjeneralitetet e tij,

është thjesht një Partizan i Panjohur…

 

Më mirë i shkoi statujës së Nënë Terezës në sheshin përpara Universitetit,

me pak imunitet të mbetur nga lebrozët,

dhe për më tepër,

në auditorët bosh nuk ka më asnjë gumëzhimë të hareshme

që ta infektojë.

 

Në Francë statujën e Zhan d‘Arkës duan ta kremojnë për herë të dytë.

Asgjë personale! – I drejtohet asaj presidenti.

Janë thjesht masa sigurie.

Flokët e gjatë historikisht kanë qenë bartës virusesh

në epokën kur të kremuam për herë të parë… dhe në këtë tjetrën…

Statuja e Volterit dëgjon dhe tund kokën e dorëzuar,

mendon të heqë dorë përfundimisht nga ideja e të luftuarit,

që Zhan d‘Arka të thotë fjalën e saj të lirë. (nga krematoriumi…)

 

Në Angli, statujës së Shekspirit iu komunikua të mësohet me idenë se “do të humbë njerëz të dashur”.

– Por a ka më të dashur se Zhuljeta, – mërmërit ajo gjithë pikëllim.

 

Në Gjermani statuja e Marksit është duke luajtur shah me mjekun e familjes,

– Tani për tani je asimptomatik, – i thotë ky i fundit, për ta shpërqendruar e për t’i ngrënë toren…

 

Ndërsa në Spanjë, statujës së Servantesit i shkoi edhe më keq.

Për ditë të tëra ra në vdekje klinike dhe kur u zgjua, si nëpër jerm, vendosi të rishkruajë Don Kishotin…

Kësaj radhe vetëm me emoji,

ashtu siç e kërkon epoka…

 

Emergjencë spektakli në gjithë planetin!

Diktatorët kanë nxjerrë tanket në shesh

për të luftuar kiminë molekulare…

Një tank për çdo molekulë…

 

Statuja e Perikliut i sheh dhe kap kokën me duar.

Ca zogj zëçjerrë janë duke i çukitur tëmthin,

mu andej nga i rrodhën idetë mbi lirinë dhe demokracinë…

 

©Arlinda Guma

5 Prill, 2020

Botuar në revistën greke “Teflon” dhe në revistën amerikane: “Words Without Borders”.

 

https://www.wordswithoutborders.org/article/coronavirus-voices-from-the-pandemic-covid-19-arlinda-guma-peter-constantin

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from A(rt)ktivizëm

Go to Top