Element- Reiner Kunze

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Reiner Kunze

Në raftin e vet të librave në konviktin e nxënësve, Mikaeli vendosi në këmbë Biblën. Jo sepse ishte besimtar, por ngaqë më në fund donte ta lexonte njëherë. Megjithatë kujdestari i konviktit i tërhoqi vëmendjen se Bibla nuk kishte ç’të kërkonte në raftin e librave në një konvikt socialist. Refuzoi ta hiqte Biblën nga rafti. Cili konvikt nxënësish s’na qenka socialist, pyeti ai, e meqë në një shtet socialist çdo konvikt nxënësish është socialist, e meqë nuk hyn në detyrat e kishës të arsimojë specialistë me shkollë të mesme për industrinë kimike, konkludoi ai, qyshkur kujdestari na paska të drejtën që, në një vend socialist askush që ngul këmbë se në konvikt mund ta vendosë Biblën në raftin e vet s’mund të bëhet specialist me shkollë të mesme për industrinë kimike? Kjo logjikë, e recituar nga prapa tabelës me medaljen e Lesingut, që Mikaelit ia kishin dorëzuar në fund të klasës së dhjetë (nota mesatare dhjetë), e çoi të qëndronte kokulur para drejtorit: Bibla u zhduk dhe Mikaeli vazhdoi të mendonte logjikisht. Mirëpo mësuesja e lëndës së edukatës qytetare filloi ta klasifikonte si njërin nga ata elementë, të paparashikuar në sistemin periodik të Mendelejevit, e që i vlerësojmë me përcaktorin “nuk ka siguri”.

2

Një mbrëmje Mikaeli u thirr tek roja e ndërmarrjes. Një zotëri me rroba civile i vuri para një tekst, në të cilin Uni zotohej të mos shkelte në kryeqytet (Berlini Lindor) gjatë Festivalit Botëror të Rinisë dhe Studentëve dhe i kërkoi ta nënshkruante. – Përse? – Pyeti Mikaeli. Zotëria e vështroi sikur s’e kishte dëgjuar pyetjen. – Gjatë Festivalit Botëror do të jem me pushime, – tha Mikaeli, e poshtë krevatit janë këpucët alpine fringo të reja, të cilat sigurisht nuk janë blerë me qëllimin për t’iu ngjitur kullës së televizionit në Alexanderplatz. Gjatë Festivalit Botëror nuk do jem fare në Gjermaninë Lindore. – Pra atëherë mund ta nënshkruash, – tha zotëria, u zgjat mbi tavolinë dhe e vuri stilolapsin që ndodhej pranë fletës, në mes të saj. – Po pse? –  Pyeti Mikaeli. Teksti tingëllon si pranim i një faji. Ishte i ndërgjegjshëm që s’kishte bërë asnjë faj. Më e shumta qe njëherë që gati udhëtoi me autostop në një veturë VW me targa të Berlinit Perëndimor. Në atë kohë organet e sigurimit të shtetit u informuan për të në shkollë. – Por kjo nuk është arsye që të nënshkruaj se nuk do të shkoj në Berlinin Lindor gjatë Festivalit Botëror. – Se cila është apo nuk është arsye, kjo nuk është për t’u debatuar këtu, – tha zotëria. – Po debatojmë për nënshkrimin tënd. – Por sidoqoftë duhet ta argumentojnë, – tha Mikaeli. – Se kush duhet të argumentojë dhe çfarë duhet të argumentojë këtu, – tha zotëria, – këtë e vendos vetëm fakti që, në këtë shtet pushtetin e ushtrojnë punëtorët dhe fshatarët. Pra rekomandohet të mos bësh naze. Mikaeli filloi të ketë frikë se mund të mos e lejonin të shkonte me autostop në Hohe Tatra[1], e mbajti për vete vërejtjen se i ndjente si kërcënim fjalët e fundit dhe nënshkroi.

Dy ditë para fillimit të pushimeve ia morën letërnjoftimin dhe i dorëzuan një kartë identiteti provizore, që nuk i jepte të drejtën të largohej nga RDGJ-ja e në të cilën ishte shkruar me germa të padukshme: Element që nuk jep siguri.

3

Me përfytyrimin topografik të Hohe Tatrës në kokë dhe këpucët alpine në këmbë, u nis drejt detit Balltik. Meqë nuk do të kishte qenë e leverdisshme të udhëtonte me autostop nga Z-ja, mori trenin der në K. Në platformën e stacionit të trenit në K., ku shkeli me kitarën në sup, një patrullë policie i kërkoi letërnjoftimin. “Aha”, tha polici i stacionit të trenit kur vuri re kartën provizore dhe i kërkoi të shkonte me të. E dorëzoi tek dy policë, të cilët e shpunë në rajonin e policisë popullore. “Nxirri të gjitha!” I nxori. “Futi brenda!” I futi. “Nënshkruaj!” E nënshkroi për herë të dytë tekstin, ku Uni zotohej të mos shkelte në kryeqytet gjatë Festivalit Botëror. Rrotull orës njëzetekatër e lanë të lirë. Mëngjesin tjetër – Mikaeli sapo kishte qëndruar në anë të rrugës për të ndaluar ndonjë makinë – një makinë e patrullës së policisë ndaloi pranë tij pa ia kërkuar këtë. “Dokumentin ju lutem!” Pak kohë më vonë, u gjend prapë në rajonin e policisë. “Nxirri të gjitha!” I nxori. “Futi brenda!” I futi. Këtë herë e çuan në një qeli bashkë me të tjerë. Takim i vogël i kitarave që u ishte ndaluar festivali: I kishin kapur me një këngë të Biermannit[2] apo me mbishkrimin: MOS PRIT KOHË MË TË MIRA. Ia thirrën emrin. “Për ku?” – “Një grup muzikor zviceran ka nevojë për një kitarist”, tha me ironi kapteri. Ai e riktheu në Z. Koncerti që u zhvillua në rajonin e policisë popullore. “Pra ju donit të shkonit në Berlin.” . “Doja të shkoja në detin Balltik.” . Polici i foli në vesh. “Nëse do gënjeni edhe një herë, do t’jua fus mirë në kokë se ç’do të thotë pushtet i punëtorëve dhe i fshatarëve!” E fotografuan (me shirit në ballë, pa shirit në ballë) dhe e lëshuan. Që të mos vijonte dyshimi se donte të shkonte në Berlin, vendosi të udhëtonte me autostop, fillimisht për në Lindje, e pastaj përpjetë lumit Oder, drejt bregdetit. Në F. një kamionist u tregua i gatshëm ta merrte me vete ditën tjetër qartësisht larg nga gjerësia gjeografike e Berlinit. “Në orën shtatë e gjysmë para stacionit të trenit.” Në orën shtatë e gjysmë sheshi para stacionit të trenit ishte ngjyrosur blu nga këmishat dhe flamujt: Të rinjtë po grumbulloheshin për t’u nisur drejt Berlinit për Festivalin Botëror. Një ruajtës rendi me shirit në krah e pyeti Mikaelin a ishte edhe ai pjesë e një grupi prej pesëdhjetë vetash. – “Kështu të dukem?” – Ruajtësi i rendit u rikthye me dy policë të stacionit të trenit. “Dokumentin!” Mikaeli refuzoi të shkonte me ta. U shpjegoi. Iu lut. Ata e mbërthyen pēr krahu. Qelia e stacionit të trenit. Marrje në pyetje. Policët e këshilluan të blinte një biletë treni ekspres e të rikthehej. Protestoi. Kam të drejtë t’i kaloj pushimet kudo ku lejohet me kartën provizore. S’kishte nevojë të kthehej patjetër deri në Z., i thanë policët, por vetëm deri në D. Sidoqoftë, në rast se u krijonte vështirësi, do i detyronte të lajmëronin rajonin e policisë e atëherë nuk do shpëtonte pa u lagur. Dy roje me qen e shoqëruan tek sporteli i biletave dhe deri tek treni. “Nëse do zbrisni para se të mbërrini në D., atëherë do të përfundoni në paraburgim. Në të gjitha stacionet ndërmjetëse kishte roje me qen. Në D. e pritën dy policë e i kërkuan të blejë pa vonesë një biletë për në Z. e të lëvizte për të kapur trenin tranzit. U dorëzua. Në platformën e stacionit në Z. priti derisa policët erdhën tek ai. Pasi krahasuan fotografinë e kartës me fytyrën, ia kthyen kartën. “Mund të shkoni.” – “Ku?”, pyeti Mikaeli.

Përktheu nga Gjermanishtja: Gaqo Karakashi

______

[1] Rajon malor midis Sllovakisë dhe Polonisë.

[2] Wolf Biermann, muzikant gjerman, në 1976 iu ndalua kthimi në RDGJ e iu hoq nënshtetësia e RDGJ-së.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

DËSHTIM-Janis Ricos

DËSHTIM-Janis Ricos Gazeta të vjetra të hedhura në oborr. Përherë të njëjtat.

Një orë- Erich Fried

Një orë- Erich Fried M’u desh një orëpër të korrigjuarnjë poezi që

Harta-Wislawa Szymborska

Harta-Wislawa Szymborska E sheshtë si tavolina ajo është vendosur mbi të. Asgjë
Go to Top