Author

Admin - page 5

Admin has 1825 articles published.

Bëmë një vend në trishtimin tënd!-Arben Velo

in Letërsi/Tharm by

Bëmë një vend në trishtimin tënd!-Arben Velo
 

Bëmë një vend
në trishtimin tënd!
Qyteti i bie
daulles së mungesës tënde.
Muza ulet në gjunj
në fund të kopshtit,
të vrarë nga vjeshtrat.
Mos luaj me tupanët e lotit!
Mendja më thotë
nuk do të ketë më verë këtë vit.
Në një dramë dimri,
do të aktrojnë pyjet e prera,
varur në supet e mi.
 Shira të shkretë
do të japin shpirt në ujë.
Të ikurit, s’do të kthehen,
do ngelen të braktisur,
me biografi të mirë.
Unë?
Unë jam kujtesa jote!
Nën një sqep metafore,
mbaj në shpatulla,
daullet e mungesës tënde.
Dëshirat le t’i mbledhë nata.
Kujtimet i harroj si çadrat e shiut
në lokalin e lagjes.
Kam kohë
që nuk psherëtij për Ty!
Orët e zgjimit,
si kryqe, mbaj  ndër dhëmbë.
 
Bëmë një vend
në trishtimin tënd!

 2020

Fletë kalendari-Tasos Livadhitis

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Fletë kalendari-Tasos Livadhitis

Kush e di se ç’do të ngjajë nesër,
a kush e mori vesh se ç’ndodhi dje.
Vitet m’u tretën aty-këtu,
ndër dhoma, ndër trena, ndër ëndrra,
por nganjëherë zëri i një gruaje,
ndërsa bie nata,
ngjason me lamtumirën
e një moshe që po përfundon
dhe ditët që i ke mangët, o shkurt,
ndoshta do të na jepen në parajsë-
sjell në mendje hotelet e vogla
ku shpërdorova psherëtimat e rinisë sime,
aq sa në fund nuk largohet askush,
por edhe në shkoftë, ku të vejë?
Dhe dashuria është marria jonë
kundrejt të pamundurës,
që njëri të njohë tjetrin –
o Zot u ke bërë padrejtësi poetëve
duke u dhënë vetëm një botë
dhe kur të vdes do të doja t’më varrosnin
në një pirg fletësh kalendari
që ta merrja me vete edhe kohën.
Ndoshta, ç’të mbetet,
qëndroftë në një cep të udhës sonë
si një “mos më harroftë”.

Përktheu: Stefan Zhupa

Piktura: “Ngulmi i kohës”,

Salvador Dali

Për mua ka qenë një zbulim personal që shkrimi nuk është i mundshëm vetëm brenda tensionit/Bisedë me poeten Tinka Kurti

in Biseda by

Bisedë me Tinka Kurtin për librin e saj me poezi “Më quaj Izmir”. Ky është libri i parë i saj. Poezitë janë të prekshme, lindin nga realiteti i përditshëm; i Prishtinës dhe i Vjenës ku ajo jeton së fundmi, kanë sinqeritet, delikatesë, edhe në vendet ku mendimi peshon. Megjithatë një lexues i vëmendshëm do të lexonte nën vargje, por shumë nën to, edhe një lloj dorëzimi të pabujë ndaj gjërave që nuk shkojnë. Tekefundit nëse realiteti do të ishte i përsosur, nuk do të ekzistonin poetët.
Revista ju sugjeron ta lexoni këtë libër. Leximi i tij do të ishte një akt rebelimi dhe mospranimi ndaj poezisë banale që ndiqet nga numra të frikshëm K-ësh në rrjetet sociale, ndërkohë që poezia e mirë, arti i mirë, sa vjen dhe bëhet gjithmonë e më i padukshëm.



Bisedoi: Arlinda Guma

Arlinda Guma: A mund ta përshkruani atmosferën në të cilën janë shkruar këto poezi? Gjendjen shpirtërore; tuajën, të motit, të qytetit… të izmirëve…

Tinka Kurti: Poezitë në libër janë shkruar në kohë të ndryshme. Disa mbi një dekadë dhe disa muajve të fundit. Disa janë prej të njëjtës gjendjeje por e cila është në ndryshim të vazhdueshëm. Madje aq e ndryshme sa më duket se kjo është e dallueshme edhe gjatë leximit të poezisë. Këto gjendje nuk janë të shkaktuara për shkak të shkrimit vetë por më tepër shkrimi ekziston për hir të tyre, janë shkak i rastit, tregues i jetës. Në njëfarë forme, e përbashkëta e të gjithave si përjetim është një shfrytëzim i vetes, i jetës sime, mendimeve, njerëzve të mi, historive që di, që dëgjoj, që gërmoj, që nuk i harroj dhe që i stërholloj nëpër kujtime dhe imagjinatë. Dhe sigurisht, nuk janë ngjarjet por imtësirat ato që e përbëjnë shkrimin e këtyre poezive. Këto janë jo vetë jeta por ndoshta ajo pjesë e jetës e përjetuar letrarisht.
Megjiathatë, ka dy ndarje të mëdha që më ka përcjellë përgjatë shkrimit; ajo e paqetësisë dhe e betejave aktive dhe një gjendje tjetër që afrohet shumë me qetësinë, si një lloj ngadhnjimi i brendshëm. Mund të jetë i kohës, mund të jetë i moshës, mund të jetë i dorëzimit të pjesshëm nga ngjarjet e mëdha. Por për mua ka qenë një zbulim personal që shkrimi nuk është i mundshëm vetëm brenda tensionit. Me gjendjen e kundërt mund të shkruhet dhe të bartet emocion gjithashtu, veçse vetë emocionet janë më të qeta. Ta zëmë poezia “Ne” dhe “Afterparty” janë të dyja në vetën e parë shumës përbrenda gjendjeve shumë të ndryshme. Njëjtë e mendoj edhe me izmirët si subjektet lirike. Gjendje të ndryshme, me të cilat mua më lidh një raport kërkimi.
Ka edhe një gjendje, ajo që përmendni ju, e qytetit. Mendoj se jam munduar ta mbroj librin nga ajri i dëmshëm që mund të ofrohet në Prishtinë nga përditshmëria publike. Gjithashtu një pjesë e konsiderueshme janë shkruar në Vjenë.

Arlinda Guma: Letërsia e angazhuar jo gjithmonë është art. Autori duhet të jetë shumë i talentuar për t’ia dalë në të dyja. Them se në rastin tuaj sinqeriteti ju ka ndihmuar për të sjellë poezi të mirë. Dhe gjithashtu mendim. Bini dakord me mua?

Tinka Kurti: Ushtrimi i të drejtës së shprehjes kërkon shumë sakrificë, madje edhe punë. E pas gjithë këtyre ndërmarrjeve, a ia vlen të mbledhësh guximin e nevojshëm për kalimin nga privatja të publikja, pra, për botim, që të mos shprehësh asgjë thellësisht të vërtetë? Meqë janë poezi është vështirë të ndërtosh strategji dhe ta tjerrësh idenë më përpara. Mbase edhe kjo ka sjellë sinqeritet, siç e quani ju, për çka më vjen mirë sepse forma të tjera dhe të kundërta me këtë dominojnë në narrativën publike në Prishtinë. Megjithatë unë nuk i quaj as i kategorizoj si të tilla. Thjesht më duket si mënyra e vetme e mundshme për t’i shkruar këto poezi, me përjashtim të dy – tri që mund t’i kishin disa versione. Sidoqoftë është një element edhe spontan por jo krejt, është i qëllimshëm në një pjesë gjithashtu. Është përdorimi i fjalëve të thjeshta. Më ka ndodhur ndonjëherë që të shkruaj e mbërthyer pas ndonjë fjale. Por në shumicën absolute të këtyre poezive jo. Për shembull, në dilemën nëse duhet ta titulloj “Flutur” apo “Metamorfozë” unë zgjedh të parën. Një fjalë e njohur prej fëmijërisë së hershme më duket se flet më shumë për ndryshimin sesa një fjalë e mësuar në moshë më të madhe. Përfshin më shumë. Ky ishte një rast kur qëllimshëm thjeshtova diçka por në tërë procesin e shkrimit ka ardhur në formë natyrale, ikja nga fjalët “e rënda”.

Arlinda Guma: Në një prej poezive tuaja ju shkruani se Prishtina nuk ju pengoi që të merrnit udhën e mërgimit. Përse? (Përgjigjia mund të jetë e drejtpërdrejtë, metaforike, e nënkuptuar, surreale. Revista i mirëpret të gjitha llojet e tyre.)

Tinka Kurti: Prishtina pothuajse nuk kursen askënd që ka pasur një lidhje me të. Jo vetëm që të lë të lirë por edhe të shtyn në ikje. Veçse mandej të ndjek pas. E kam parë tek shumë të tjerë para meje. Prishtinën si poezi mund ta shkruaja në disa versione. Ky qytet nuk është i njëjtë. Unë mendoj se Prishtina i ka të dyja, afrimin dhe përjashtimin. Disa e përjetojnë njëjtë por me renditje të kundërt; përjashtimi dhe dikur vjen mikpritja. Sa më pak ta ngacmosh aq më e sigurt je që ka një vend për ty. Por Prishtina po ndryshon aq shpejt në klimën e saj saqë është e vështirë të flasësh për të pa e demantuar lehtë.

Arlinda Guma: Në poezinë tuaj me titull “Më quaj Izmir,” të cilën nuk di pse nëndërgjegjia ime e lexon “Më quajnë Izmir”, ju keni një varg shumë të fuqishëm, një sarkazmë tronditëse do ta quaja: “nëna ime humbi shumë kohë në redaktimin e letrës së vetëvrasjes”… e cila e thekson më shumë ndjeshmërinë e autores ndaj personazhit në fjalë. Duke qenë se kjo mënyrë të shkruari më përket, por që me trishtim konstatoj se ajo (ironia) është e vështirë për t’u perceptuar nga lexuesi shqiptar në një poezi (dhe në letërsi në përgjithësi), dua t”ju pyes për shkaqet sipas jush. Izolimi? Mungesa e gjatë e kontaktit me letërsinë dhe mendimin bashkohor? (Do të doja të mos ishit diplomatike në përgjigje.)

Tinka Kurti: Ironia si element jashtëzakonisht i rëndësishëm i mendimit mendoj se përthithet edhe nga lexuesi shqiptar por mbase si krijim është më e rrallë. Arsyeja e parë është shfajësuese dhe merren parasysh rrethanat historike e politike. Nën diktaturë dhe nën okupim është e mundshme sepse krijimi gjen gjithmonë mënyra kreativiteti por sigurisht është shumë më e vështirë të përdoret. Rrethanat historike sociale e përcaktojnë gjithashtu, andaj në një letërsi ku është e shpeshtë fjala “uri”, “mjerim”, “pushtim”, është zor të ketë edhe ironinë përkrah. Jo vetëm për ketë por edhe për këtë arsye, një Céline dhe një Houellebecq mund të dalin nga shoqëria franceze më lehtë sesa nga një tjetër.
Kurse aryeja e dytë është akuzuese. Zotërimi i ironisë dhe komunikimi nëpërmjet saj, qoftë në letërsi apo në përgjithësi në jetën publike, flet për nevojën e një kulture të gjerë dhe ndoshta të hershme. Edhe kjo mund të jetë shfajësuese derisa nuk ka prirje me u përdor në një formë të dobët që është korruptim i këtij elementi të mendimit pra. Mungesa e kësaj aftësie ka bërë që ata që duan të jenë ironikë, të bëjnë një kapërcim banal duke mos qenë as cinikë por bullizues me kreativitet bazik. Mjerisht, është lehtësisht e dallueshme që të njëjtit kanë qenë të bullizuar vetë fillimisht. Në Kosovë gjenden lehtë, mjafton ta kesh një telekomandë. Aty është edhe burimi i shumë temave të tjera që ose e mbysin letërsinë ose mund ta zgjojnë në formën më ironike të saj.

Arlinda Guma: Po te poezia “Më quaj Izmir”, disa vargje që gjithashtu më bënë përshtypje:

jam një poezi e mjegullt
rivale e festivaleve
me gjasë jam analfabet
por di që poezia është një vdekje e vogël.

Dua të ndalem te vargu i fundit. Sa herë e keni prekur këtë vdekje të vogël ndërsa i shkruanit këto poezi?

Tinka Kurti: I njëjti varg është përmenduar edhe gjatë promovimit. Për të vazhduar me metaforën, të cilën po ma mundësoni me pyetjen tuaj, vdekja e vogël mbyll një jetë të vogël, të shkurtër. Megjithatë, me të gjitha ciklet. Këto poezi u shkruajnë disa jetëve, disa realiteteve, në të cilat vihet deri te ajo pika e fundit që vjen pas rrëfimit të një historie kur janë kryer të gjitha me sukses, procesi i jetimit, ngjarjet e reja, harrimi i padëshirueshëm, kujtimi, harrimi i dëshirueshëm, ripërjetimi, pranimi, falja e tjetrit, apo e vetes, rikuptimësimi dhe në fund shkrimi. Aty mbyllet. Sigurisht ky është vetëm një kuptim i kësaj vdekjeje të vogël, për të cilën sa më shumë që flas ndiej se e zvogëloj më shumë. E kam krejt të qartë e të freskët edhe një kuptim tjetër pse e kam përdorur por po shkoj drejt shpjegimit të poezisë, gjë që është diçka që në fakt dua t’i shmangem, pasi prej të gjitha zhanreve, ndoshta ka më së paku nevojë për ndërmjetësim në lexim.

Arlinda Guma:

Zonja u bëmë kur mësuam se edhe ne mund të humbnim
njerëzit
në varrime
dhe dasma.

Ka ca mendime ekzistencialiste këtu… sidomos në vargun e fundit.

Tinka Kurti: Është një homazh për humbjen, qëndresën përballë saj. Por humbjen përballë pasigurisë. Është për atë që zakonisht quhet forcë për të cilën subjekti është i pavetëdijshëm që e posedon deri në momente të sfidës reale. Është për humbjet e para në jetë, atëherë kur ende jetën, njerëzit në të dhe çdo lloj burimi gëzimi, i ke gati të mirëqena. Është lajm për të papriturën dhe është një lavd i forcës njerëzore. Është për atë dobësi dinjitoze kur e pranon humbjen, vdekjen, me përmasat që vjen dhe ke prekur fundin ndoshta pa qarë. Është për atë vuajtje që e rrit shpirtin, të cilën unë e kam parë të ndodhë dhe kjo nuk është një histori personale. Personal është përjetimi im si dëshmitare rreth kësaj rritjeje dhe gjurmët që besoj lënë te njerëzit historitë e ngjashme.

(Arlinda Guma: Ato vargje i kam veçuar jo për t’ju pyetur për personalen por sepse shprehin universalen, më pëlqyen në veçanti edhe sepse shprehin aq sa do të shprehnin vëllime të tëra filozofie.)

Tinka Kurti: Ju falënderoj për këtë vlerësim. Sigurisht që personalja është vetëm ajo nisje për t’i shkruar diçkaje të madhe që vlen universalisht, ndryshe do të kishte ditarë dhe jo libra. Humbja por edhe pasiguria prej aksidenteve jetësore nuk janë përjashtuese për asnjë njeri. 

Arlinda Guma: Në poezinë tuaj “Letërsia e burrave” ju shkruani “se gratë i lexuan burrat por jo burrat gratë.” Përtej metaforave dhe kuptimeve të shumëfishta, edhe unë konstatoj që shkrimtarët burra i lexojnë më pak shkrimtaret gra. Sipas meje ka të bëjë me mendësinë se letërsia është “punë burrash”. E mendoni kështu?

Tinka Kurti: Kjo është më e lehtë për t’u përgjigjur pa vazhdimin e metaforave. Gruaja në radhë të parë është lexuese më shumë sesa burri. Ka edhe statistika dhe analiza ndërkombëtare për këtë punë. Në Kosovë dhe Shqipëri, nuk e di me saktësi, por për ta mbështetur tezën po përmend një artikull të vogël e të moçëm për bibliotekën e Ferizajt, ku edhe aty kishte më shumë lexuese vajza. Për referencë kemi edhe rezultatet e PISA-s, ku nxënëset kanë më shumë pikë në rezultatet e leximit sesa nxënësit. Mendoj se askush nuk befasohet me këtë. Dallimi në statistika edhe në analiza globale thellohet sidomos për letërsinë. Dhe në fund, kë lexojnë këto lexuese? Cilët janë librat që më së shumti kemi lexuar? Të autorëve burra. Prej të gjitha llojeve, klasikë, fitues nobelash, bashkëkohorë, vendorë… Por gratë i lexojnë edhe autoret gra. Këtu është përparësia e dyfishtë e grave. Në statistika të përgjithshme lexojnë më shumë dhe pavarësisht gjinive. Kurse lexueshmëria totale e burrave flet për shifra më të vogla dhe më selektivë në gjini. Mendësia si “punë burrash” është në të gjitha sferat publike. Por fakti që libri është më shumë në dorën e grave është shumë domëthënës pasi leximi është një veprim aktiv.
Sigurisht gratë janë duke lexuar çdo ditë e më shumë gra, madje gratë po lexohen edhe prej burrave më shumë sesa më parë por diferenca mbetet ende. Këtu e shoh unë përparësinë e grave. E njohin mendimin dhe krijimtarinë e burrave dhe të grave.

Arlinda Guma: Ç’ndjesi provuat në çastin kur e morët në duar librin tuaj të parë me poezi?

Tinka Kurti: Ditën e parë që doli ishte dita e promovimit. Natën më doli gjumi dhe instiktivisht mendova se është tek anësorja e krevatit. Kisha nevojë me lexu prej tij. Mund ta pohoj se nuk e kam besuar asnjëherë krahasimin që u bëhet librave me lindjen e një fëmije. Dhe duke mos e besuar as nuk më ka pëlqyer. Por në atë moment zgjimi ishte një fije e vogël, e krahasueshme me ndjesinë kur sjell një bebe në shtëpi apo netët në spital pas lindjes. Përsëris, jo e njëjtë por një fijëz e vogël e krahasueshme me të.

Arlinda Guma: Si e parashikoni të ardhmen e këtij libri?

Tinka Kurti: Ëndërroj që ndokush të dijë përmendësh poezi nga libri.

Shpikja e “Leximit në Plazh”/ Katy Waldman

in Esé by

Katy Waldman

Leximet verore – kaq shumë pritje, ankth dhe gjykim është ngjeshur brenda këtyre dy fjalëve! Qershori mezi ta jep mundësinë të veshësh bikini dhe të dalësh në tarracë përpara se emisionet e mëngjesit, revistat dhe faqet e internetit të mësyjnë me “Leximet në Plazh”, “Listat e Leximeve të Verës” dhe “Dhjetë Llojet më të Mira të Fiction-it të Verës”.
Libraritë ngrenë vitrina me librat më të fundit me kapakë të zjarrtë, ngjyrat e të cilëve janë aq të ngopura saqë pulsojnë nën qepallat e tua si njolla dielli. Kur hap email-in, ka një atmosferë thuajse maniake me ëndjen letrare të pritshme – rreshtat e subjekteve bërtasin me zë të lartë “leximi i përsosur i verës”, “TRILLERI VEROR” dhe “librat më të mirë për në plazh!”
E megjithatë, nuk ka konsensus kulturor nëse leximi i verës është “një gjë e zakonshme”. “Termi është aq i kudogjendur sa përkufizimet e tij janë një pikë mosmarrëveshjeje”, shkroi Michelle Dean në the Guardian, në vitin 2016. Autorët jo domosdoshmërisht e duan këtë kategori.
Për çdo shkrimtare që i përmbahet këtij termi, shkroi Allison Duncan në Vulture, “ka një tjetër që është e kujdesshme ndaj një zhanri që konsiderohet sipërfaqësor, shpesh në terma shumë gjinorë”. Taffy Brodesser-Akner, autorja e romanit “Fleishman Is in Trouble”, shprehu së fundmi në Twitter habinë që libri i saj po përshkruhej si një “lexim në plazh”. “Jam konfuze pse shija jonë për atë që na pëlqen do të ndryshonte në varësi të vendit ku e lexojmë, apo të stinës”, shkruante ajo.
“Libra për Orë Boshe”, një libër i ri historik nga akademikja Donna Harrington-Lueker, zbulon si konceptin e “leximit veror” ashtu edhe tërheqjen e tij gravitacionale. Rreth fillimit të shekullit të nëntëmbëdhjetë, urbanizimi dhe industrializimi i dhanë verës një shkëlqim të ri – ajo ofroi një shans për t’i shpëtuar qytetit të djersitur dhe të mbipopulluar e për t’u rilidhur me natyrën.
Avullorja dhe hekurudha i bënë pushimet më të arritshme. Periodikët dhe gazetat filluan të botonin artikuj mbi qytetet turistike dhe të reklamonin aktivitete dhe mallra verore: udhëtime me anije, pajisje kampingu, burime minerale. Në faqet e Harper’s, artisti Winslow Homer botonte ilustrime elegante të grave në modë, të mahnitura nga dielli, që shikonin gara me kuaj apo që shëtisnin përgjatë oqeanit. E thënë shkurt, mbështetur nga kultura e shtypit të asaj epoke, u shfaq një treg i ri amerikanësh që kërkonin kënaqësi.
Për t’i akomoduar ata, industria botuese filloi punën për të ndërtuar një diskurs përkatësisht joshës rreth leximit veror. Disa viktorianë ishin të shqetësuar për joshjet vulgare të letërsisë, veçanërisht për historitë sensacionale që shumëfishoheshin ndërsa kostot e prodhimit binin.
Por industria e librit shfrytëzoi rastin për t’i riemërtuar romanet e verës si “një kënaqësi e pranueshme për klasën e mesme”, shkruan Harrington-Lueker. Një mjeshtëri e tillë e marrëdhënieve me publikun dështoi t’i bindte të gjithë. (“Unë vërtet besoj”, shkroi Reverendi T. De Witt Talmage në vitin 1876, “se ka më shumë plehra të dëmshme që lexohen midis klasave inteligjente në korrik dhe gusht sesa në gjithë dhjetë muajt e tjerë të vitit.”)
Por ishte mjaft bindëse. Botimet tregtare hartuan lista të librave më të mirë për verën; shtëpitë botuese zhvilluan seri leximi për pushime dhe shitën botime “verore” të titujve të njohur të listës së librave të vjetër. Vetë letërsia filloi të reflektonte, me një vetëdije tërheqëse, imazhin e lexueses fisnike që fshihej pas kapakut të librit.
(Personazhet në romanet e verës shfletojnë pafundësisht romanet e verës. Në “Surf: A Summer Pilgrimage” nga Saul Wright dhe F. T. Wilson, e dashura humbet disa orë përballë “Mirage”-it të Julia Constance Fletcher, një tjetër rrëfim i famshëm për udhëtimet dhe romancën.) Leximi, i cili kishte qenë prej kohësh aspiratë, si një mjet për përmirësimin intelektual; tashmë tregonte edhe ritualet e një elite të pasur
Autori Henry James e përshkroi leximin e verës si një performancë femërore sensuale. “Zor se ka pamje më të bukura se një grua e veshur me hijeshi, e vendosur me hir në një vend me hije, me një qëndismë apo me një libër”, shkroi ai.
Kini parasysh një kopertinë të revistës Life të 26 korrikut 1883: pjesa qendrore, me mbishkrimin “gjëja më e bukur në hamakë”, tregon “një vajzë të re të zhytur në një roman të titulluar ‘Dashuria e një hajduti’, e vetme, e magjepsur dhe me një qese me karamele përbri – një konsumatore e pafajshme; si e fjalëve ashtu edhe e ëmbëlsirave”, shkruan Harrington-Lueker.
Këto imazhe po mbushnin periodikët e intelektualëve të asaj kohe, pjesërisht sepse anëtarë të shquar të botës letrare dhe botues po e përqafonin vetë idenë e pushimeve, nga James T. Fields, redaktori i The Atlantic, te Horace Scudder-i, kryeredaktori i Houghton Mifflin, e deri te Louisa May Alcott. Koha e lirë ishte ana tjetër e etikës ndëshkuese të punës viktoriane, një shpërblim tokësor për sakrificën e mundimshme. (Siç i shkruante William Dean Howells, atëherë ndihmës redaktor në The Atlantic, një miku: “Do të shkojmë në Brattleboro javën tjetër… dhe sigurisht, më është dashur të luftoj për ta arritur këtë mundësi përmes një mori dorëshkrimesh të xhindosura.”)
Në vitin 1888, Arlo Bates, i cili në atë kohë ishte redaktor i Boston Sunday Courier, shkroi një traktat të shkurtër të quajtur “Romane Verore”. Bates-i, vetë romancier, vërejti se, ndërsa temperaturat rriteshin, zonjushat e reja fillonin të mendonin për “veshje të reja dhe fiction të këndshëm, të lehta si shkumë”. Ai shkroi se “një shkumë e përsosur romanesh të lehta ngrihet kur lulet fillojnë të çelin, dhe këto ruajnë një ndikim mjaft të përgjithshëm derisa ngricat i ndërpresin festat verore dhe i mbyllin hotelet buzë detit dhe malit”.
Por rrëfimi i çuditshëm i Bates-it më pas u bë kritik; librat janë prodhuar për t’u diskutuar, kundërshtoi ai, në vend që të lexohen, dhe ata nxisin “ndjenja konvencionale”. Eseja e Bates-it, e cila parapriu debatet bashkëkohore rreth leximit veror, është një mësim praktik se sa lehtë “shkuma” letrare – ndoshta aq e hollë dhe e parëndësishme sa gratë që e lexojnë atë – mund të shkaktojë jo vetëm argëtim, por edhe përbuzje.
“Libra për Orë Boshe” është veçanërisht interesant për shkak të shfaqjes së një lloji të ri të zbavitjes tekstuale: romanit amerikan të verës. Ai zhvillohet në një mjedis turistik. Struktura e tij episodike dhe e orientuar nga komploti e bën të lehtë ta heqësh nga dora dhe ta rifillosh përsëri mes ndërprerjeve festive – barbekyve, udhëtimeve në liqen.
Romani amerikan i verës vë në qendër të vëmendjes të rinjtë e pamartuar, veçanërisht gratë beqare; ai i këndon njohjes dhe dashurisë. Shembuj si “Udhëtimi i tyre i dasmës” dhe “Qiradhënësi te Koka e Luanit” nga William Dean Howells; “Flirtimet e një bukurie; ose Romanca e një vere në Newport” nga Laura Jean Libbey (heroina e të cilës rrëmbehet nga piratët); dhe “Një verë” nga poetja Blanche Willis Howard. Siç vëren Harrington-Lueker, shumë nga këto histori kanë një energji të çmendur, një aureolë mëkati të përmbajtur.
Deri në fundin e tij, i cili zakonisht i vendos mirë e bukur personazhet në shtator ose tetor, rregullat shoqërore janë rikthyer në fuqi, me rolin kryesor mashkullor të rikthyer shëndetplotë dhe produktiv, pas kohës së tij të lirë, dhe me heroinën e lidhur në një martesë të ndershme. Rrëfimet janë tinëzisht vetëreferuese, plot me tipa elegantë që kënaqen me leximin e lehtë të verës.
Ato i vënë në provë kufijtë e shoqërisë, madje kritikojnë me hollësi ceremonitë e kota të argëtimit të elitës. Por, si një komedi shekspiriane apo si një lojë e zhurmshme kroketi në lëndinën e resortit, librat e rrethojnë çmendurinë e tyre dhe në thelbin e tyre mbështesin konvencionet. “Duke i shkolluar lexuesit në performancën e kohës së lirë të re – çfarë të shohin, çfarë të veshin, çfarë të bëjnë”, thekson Harrington-Lueker, romanet e verës “luajtën një rol të rëndësishëm në formësimin e atij identiteti të klasës së mesme”.
“Libra për Orë Boshe” u kushton vëmendje rasteve të jashtëzakonshme dhe përjashtimeve. Ai shqyrton lëvizjen Chautauqua, një program edukativ që nuk shihte asnjë kontradiktë midis verës dhe zhytjes thellë në tekste të vështira. Ai vëren se familjet e pasura afrikano-amerikane gjithashtu përfituan nga koha e re e lirë verore – destinacionet popullore përfshinin Saratoga Springs dhe Harper’s Ferry – por që narrativa kryesore verore i linte shumicën e personazheve me ngjyrë në pozicione shërbimi apo të klasës punëtore.
Dhe i merr këta libra – dhe kulturën që i formësoi ata, dhe kulturën që ata formësuan – seriozisht, edhe pse pranon se sa kalimtarë ishin: pak nga tregimet turistike të shekullit të nëntëmbëdhjetë njihen sot. Mbiemrat që sillen rreth këtyre titujve shpesh janë thjesht përshkrues të verës: i lehtë, i gjallë, i kripur, me diell, me erë. Librat nuk ishin letërsi e madhe, në kuptimin tradicional. Ne e masim vlerën e një romani nga qëndrueshmëria e tij, nga vazhdimësia e tij. Por ka edhe një vlerë në gjuhë që tretet si një pasdite korriku, rrezet e fundit që kullojnë në degë ndërsa mbyll librin dhe hyn brenda.

Përktheu: Arlinda Guma

Marrë nga The New Yorker

Palestina-Mahmoud Darwish

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Palestina-Mahmoud Darwish

Kjo tokë na jep gjithçka
për të cilën jeta ia vlen të jetohet:
mbërritjen e përskuqur të prillit,
aromën e bukës në ag,
zemërimin e një gruaje me burrat,
poezinë e Eskilit,
fillimet e ndrojtura të dashurisë,
myshkun në një gur,
kërcimin e nënave pas tingujve të një flauti
dhe frikën e pushtuesve prej kujtimeve.

Kjo tokë na jep gjithçka
për të cilën jeta ia vlen të jetohet:
shushurimën e fundshtatorit,
një grua me kajsitë e saj që po i kalon të dyzetë vitet,
racionin e një ore rreze dielli në burg,
retë që reflektojnë turma insektesh, duartrokitjet e popullit për ata që qeshin me zhdukjen e tyre,
dhe frikën e tiranit prej këngëve.

Kjo tokë na jep gjithçka
për të cilën jeta ia vlen të jetohet:
Zonja Tokë, nëna e të gjitha fillimeve dhe mbarimeve,
Ajo quhej Palestinë
dhe ende quhet kështu.
Zonja ime, sepse ti je Zonja ime, unë e meritoj jetën.

Përktheu: Arlinda Guma

GDHENDJE NË ULLI-Nuri plaku

in Letërsi/Tharm by

GDHENDJE NË ULLI-Nuri plaku
 

Druri ku u gdhend ikona jote, u ronit dalngadalë
Dalta që përdori mjeshtri, u vesh me ndryshk
Edhe mjeshtri që e punoi atë, tashmë u plak.
 
Vetëm ti mbete ende e freskët,
E denjë për të qenë një tjetër meritë
Midis një druri, një dalte dhe një mjeshtri të ri.
 
Ndërsa unë… që ruaj pengun tënd të fshehtë,
I lutem Zotit
Të më kthejë në ulli.
 

Algoritëm shpresash-Sueton Zhugri

in Letërsi/Tharm by

Algoritëm shpresash-Sueton Zhugri

Kur sheh detin në furtunë
çdo gjymtyre e tij
bie përsipër
një tjetre ngjitur.

Grushte gjigante shkume
shpërthejnë mbi shkëmbinj e në tërheqje tregojnë rrëfenja
mbi bardhësinë e shpirtrave nën taban.

Iluzione dallgësh
përcillen bregut
numerikë në pafund.
Ne njerëzorët
e fillojme dhe mbarojmë
këtë numërim
gjithmonë diku në mes,
rrugëtim në xhepa çmendurie,
me shpresën
që do të na çojnë edhe më larg
se gurët

Hënë.

2015

SHAH-Jorge Luis Borges

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

SHAH-Jorge Luis Borges


Në këndin e tyre lojtarët fillikatë
Gurët e ngadaltë lëvizin. Skakiera,
Ku dy ngjyra urrehen si kurrë ndonjëherë,
Nën ligjin e saj i mban zgjuar gjithë natën.

Format rrezatojnë rreptësi magjike:
Oficer i kithët, kalë këmbëlehtë,
Mbretëreshë e ngrehur dhe i fundmi mbret,
Ushtarë agresorë, kala homerike.

Edhe kur lojtarët të jenë larguar,
Edhe nëse koha do t’i ketë vjetruar,
Riti sigurisht nuk do njohë pushim.

Këtë luftë trashëgim na e la Orienti,
Sot arenë e saj është i gjithë planeti.
Ashtu si dhe tjetra, kjo lojë s’ka mbarim.

Përktheu: Alket Çani

Artisti shet veprën e padukshme për 15 mijë euro. Ai përgjigjet: “Pse skandalizoheni?”

in Pikturë by

Bëri bujë disa ditë më parë shitja e një vepre arti të bërë… nga hiçi… Shkurt, një vepër e padukshme. Dhe për shumën prej 15,000 eurosh.
Autori i saj, Salvatore Garau (Santa Giusta, 1953), e nxori në ankand veprën “Io sono”, e cila është thjesht një boshllëk, një hiç, një ajër — me pak fjalë, vepra nuk mund të shihet.
“Io sono” u shit në ankand, në shtëpinë artistike Art-Rite në Milano, me një vlerësim fillestar prej 6-9,000 eurosh.
Blerësit i shkon thjesht një certifikatë autenticiteti dhe një fletë udhëzimesh (pikërisht si ato për bananen shumë të famshme të Maurizio Cattelan-it). Udhëzimet përcaktojnë që vepra duhet të ekspozohet në një mjedis privat prej rreth 1.5 x 1.5 metrash, ku nuk ka pengesa.
Kjo nuk është vepra e parë e këtij lloji për Garau-n, i cili këtë javë ekspozoi një tjetër skulpturë të padukshme, të titulluar Afërdita qan, përpara Bursës së New York-ut, operacioni, i mbështetur nga Instituti Italian i Kulturës i New York-ut përfshinte vendosjen e një rrethi me shirit të bardhë në hapësirën e hapur përpara ndërtesës së Bursës së New York-ut.
Vepra e padukshme qëndron mbi rrethin bosh.
Natyrisht, lajmi, i cili u përhap edhe në botimet e artit, shkaktoi shumë zemërim nga shumë njerëz, të cilët pyesnin veten se si është e mundur të shpenzohen 15,000 euro për një skulpturë që nuk është aty. Megjithatë, vetë mungesa e skulpturave është prania që shqetëson publikun, shpjegoi Garau.
E thënë përmbledhtas, arti relacional i artistit sardian është shtyrë në ekstremet e tij logjike.

Përktheu: Arlinda Guma

PASIONI-KRISTINA PERI ROSSI

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

PASIONI -KRISTINA PERI ROSSI

Dolëm prej dashurisë
si nga një katastrofë ajrore
Kishim humbur rrobat
letrat
mua më mungonte një dhëmb
ty kuptimi i kohës
A thua qenkësh një vit i gjatë sa një shekull
apo një shekull i shkurtër sa një ditë?
Prej mobileve
prej shtëpisë
vetëm gjëra të bëra copë:
gota foto libra të shfletuara…
Ishim të mbijetuarit
e një vithisjeje
e një vullkani
e ujërave të tërbuara
dhe ndahemi me ndjenjën e mugët
të të mbijetuarit
megjithëse nuk e dimë pse.

Përktheu: Bajram Karabolli

1 3 4 5 6 7 183
Go to Top