Balthus-i që ende nxit të bukurën/Lucia Brandoli

in A(rt)ktivizëm/Pikturë by

U kemi veshur brekë statujave, tani duam të vendosim pullën e kuqe edhe në piktura, dhe ndoshta në ditët e sotme aksionet nuk bëhen edhe aq strikte, por censura di të zvarritet hollë nëpër refuzimet editoriale. Nuk mund ta shkurtosh shpirtin njerëzor me një sëpatë, nuk mund të ndalohet një artist që të përfaqësojë universin e tij krijues. Një vepër arti nuk mund të reduktohet thjesht si një prove e një aktakuze.

       Lucia Brendoli

Peticioni i fundit i Mia Merrill-it dhe Anna Zuccaro-s për të hequr prej ekspozimit të përhershëm në Muzeun Metropolitan të Artit në Nju Jork një pikturë të Balthus-it, të akuzuar për “promovim pedofilie”, Thérèse rêvant  (që nuk dihet pse gazetat italiane vazhdojnë të përmendin në përkthimin anglisht si: Thérèse Dreaming – Tereza duke ëndërruar), u refuzua. Kjo na bën të mbajmë ende një copëz shprese për fatin e njerëzimit, edhe pse fakti që trutë e dy individëve mundën ta pjellin atë në ditët e sotme nuk është shenjë e mirë; fakti që peticioni u nënshkrua më pas nga më shumë se 11.000 mbështetës është pothuajse katastrofik dhe duhet të na bëjë të rivlerësojmë konceptin e demokracisë së drejtpërdrejtë.

“Mbeta e tronditur kur pashë një pikturë që paraqeste një vajzë në poza seksualisht eksplicite,” shkruan në fillim të peticionit Mia Merrill-i, duke theksuar se “nuk kërkojmë të censurohet, të shkatërrohet apo të fshihet përgjithmonë piktura” – Zoti na ruajt, edhe kjo na duhej – por “të merren në konsideratë ndërlikimet që sjell ekspozimi i veprave të veçanta artistike, dhe të jenë më të vëmendshëm në kontekstualizimin e këtyre veprave tek masat”.

“Masa” është një fjalë kyçe, të cilën unë nuk e kam lexuar më që nga esétë që shkruheshin në vitet shtatëdhjetë. A është arti i Balthus-it për masat? Ndoshta jo. Pra, nuk mund ta ekspozojmë më? A mund ta shesim vetëm në ankand, ta shijojë një rreth i vogël të pasurish të rinj? Mia Merrill-i hipën në piedestal dhe i mëson Muzeut si të trajtoje popullin, si ta mbrojë atë nga veset, nga errësira e natyrës njerëzore, si ta udhëzojë. Po nëse populli është ajo? Kaq e shqetësuar nga një pikture, deri aty sa të ndihet e sulmuar dhe e fyer? Ashtu si indianët që mendonin se fotografitë të vjedhin shpirtin, ashtu si dhe unë kur isha dymbëdhjetë vjeç (moshë në të cilën Balthus-i kishte portretizuar Theresën), pas leximit, e fsheha në pjesën e poshtme të bibliotekës Murin e Sartrit, aq shumë më kishte tronditur.

Arti në përgjithësi është për masat? E vetmja gjë e sigurt është se jo të gjithë i kanë mjetet – jo vetëm intelektuale, por para së gjithash “humane” – për të dalluar mesazhin delikat të një vepre, e cila kurrë nuk është njëzëshe. Dhe këtu do të hapej një kapitull që do të tentonte pafundësinë. Sa artistë janë kundërshtuar në emër të moralit të përbashkët, të keqkuptuar, të mërguar, të margjinalizuar prej cungimeve të shoqërisë? Lista është e gjatë. Kush jemi ne të gjykojmë? Një mësues i vjetër imi, gazetar, më ka mësuar që kurrë të mos e përdor fjalën “masë”: “Populli” dhe “masa” nuk ekzistojnë, ka vetëm individë”. Vendosa ta besoja.

Mia Merrill-i bën thirrje që të kontekstualizohet më mirë vepra: duke mos dhënë detaje mbi historinë personale dhe artistike të Balthus-it, por duke ndërvendosur një linjë të dënimit të prirjeve të artistit ndaj vajzave të vogla, ashtu siç padyshim duhet ta ketë lexuar në ndonjë libër të historisë së artit. Një lloj denoncimi retroaktiv dhe anakronik për ngacmimin seksual. Balthus; novela Weinstein. Dhe kështu kjo histori, gjithnjë e më shumë po i ngjan një farse. Në fakt, ajo që propozon Merrill-i do të ishte e krahasueshme me heqjen prej tregut të të gjithë filmave të prodhuar nga Weinstein-i ku aktron të paktën një grua, në vend të ndjekjes penale të vetë Weinstein-it. Askush nuk e ndëshkoi Balthus-in kur ishte gjallë? Atëherë le t’i ndëshkojmë tani veprat e tij. Nga ana tjetër, gabimet e baballarëve bien mbi fëmijët e tyre. Jemi që jemi, mund të parandalojmë dhe Adelph-in, të bëhen rishikime të reja të Lolita-s, një tjetër vepër e debatuar gjerësisht. A besojmë me të vërtetë se ky është një tregues “qytetërimi”? Nuk e di për ju, por mua më vjen ndër mend vetëm djegia e librave të Fahrenheit 451. Nuk ka rëndësi nëse peticioni, siç është theksuar, nuk synon t‘i zhdukë veprat – dhe unë e përsëris, Zoti na ruajt, edhe ajo na duhet – por matrica dhe mendimi nga i cili lind ky gjest është i njëjtë me censurat e regjimeve.

Të debatosh rreth këtyre gjërave pastaj, e bën të pashmangshme që Balthus-i të përfundojë duke u krahasuar artistikisht me Weinstein-in. Por gjëja më qesharake e gjithë kësaj është fakti se autorja e kësaj farse, në të vërtetë do ta përfshijë ankesën e saj në kazanin e #metoo, për t’i dhënë zë Thérèse Blanchard, modeles, e bija e një kameriereje pariziene, portretizuar nga Balthus-i midis moshës 11 dhe 13 vjeç. Por ka një aspekt edhe më paradoksal: falë peticionit të Mia Merrill-it, tani piktura në fjalë është publikuar gjithandej dhe të gjithë mund ta shohin, madje edhe ata që në Muze nuk kanë qenë dhe nuk do të shkojnë kurrë dhe as që ia kanë idenë se cili është Balthus-i, i cili ishte mbrojtësi i Rilke-s, përveç të qenit biri i piktores Baladine Klossowska.

Unë nuk do të flas as për faktin se portretizimi i një modeleje të re, sipas asaj që dimë mbi historinë, nuk është një krim. Askush nuk na tregon, ose mund të provojë, se Balthus-i e ka ngacmuar seksualisht. Ndoshta ai e pagoi, ose i dha dhurata familjes – në vitin 1938 jeta e klasës punëtore pariziene nuk ishte dhe aq idilike. Pikërisht, njëlloj si pedofili në veprën teatrale Hamelin, të dramaturgut spanjoll Juan Mayorga, e cila, ashtu si të gjitha veprat artistike të arrira, nuk ka as edhe një mesazh të vetëm, nuk ka as edhe një përgjigje të vetme, të saktë, të qartë, direkte, për pyetjen që shtron. Sepse natyra njerëzore nuk është shkence ekzakte, nuk është e qartë, e lëre pastaj të jetë lineare, dhe një nga detyrat e artit – nëse dëshirojmë të flasim për detyrat, sesa për profesionet – është pikërisht ajo e eksplorimit dhe e ndriçimit të asaj zone të mjegullt. U kemi veshur brekë statujave, tani duam të vendosim pullën e kuqe edhe në piktura, dhe ndoshta në ditët e sotme aksionet nuk bëhen edhe aq strikte, por censura di të zvarritet hollë nëpër refuzimet editoriale. Nuk mund ta shkurtosh shpirtin njerëzor me një sëpatë, nuk mund të ndalohet një artist që të përfaqësojë universin e tij krijues. Një vepër arti nuk mund të reduktohet thjesht si një prove e një aktakuze.

Morali i dyshimtë i artit është një çështje gjithmonë e diskutuar – madje edhe nga njerëz që nuk kuptojnë asgjë prej artit, por që ndihen gjithmonë të detyruar të shprehin mendimin e tyre në shesh, duke u bërë garantues (kur askush nuk ua ka kërkuar) të parimeve dhe vlerave. Është një punë e pistë, por dikush do të duhet ta bëjë. Teksa dëgjoj të flitet për këto gjëra, më bën përherë njëfarë përshtypjeje, sepse çështja është ezauruar plotësisht nga Wilde në vitin 1890. Tek “Portreti i Dorian Gray-t” – që zakonisht na e japin ta lexojmë në shkollë, lexojmë: “Nuk ka libra të moralshëm apo libra imoralë. Ka libra të shkruar mirë, ose të shkruar keq. Kjo është e gjitha”; që e përkthyer, me hijeshinë që karakterizon shkrimtarin, është ekuivalente me: – Ç’kemi popull i vockël! Këto probleme të parëndësishme janë të tuat, jo të miat, këto nuk janë problemet e artit, sepse arti është i lirë. Arti nuk shikon në fytyrë askënd. Arti nuk është subjekt i ligjit. Arti nuk kujdeset për gjykimin e vëzhguesit. Dhe kjo, për ta sqaruar, është e vlefshme për çdo formë që ai merr.

Gjëja më pozitive është se arti, ai i vërteti, ende krijon debat. Gjëja me interesante është që diskutohet më shumë një punë e viteve ’30, sesa një e artit bashkëkohor. Balthus-i ka bërë një pikturë, e cila tetëdhjetë vjet më vonë është ende subversive, e rrezikshme, ndoshta sot më shumë se atëherë. Ka krijuar një vepër që jeton, një vepër të pavdekshme, që kërcënon, të gjithë ata që nuk janë në gjendje të merren me artin – dhe me jetën – dhe që duan ta vendosin në fund të depozitës së një muzeu, duke shpresuar se do të harrohet, si Arka e humbur e Indiana Jones ose slita e Charles Foster Kane, në Fuqinë e Katërt, ku arti bëhet jetë dhe sillet rreth pyetjes “Kush jam unë?”. Por, a duam vërtet të dimë se kush jemi? Veprat e qenieve të tjera njerëzore, artistët, na ndihmojnë t’i përgjigjemi kësaj pyetjeje, por jo gjithkush është gati të dëgjojë, jo gjithkush është gati të observohet prej veprës.

Mia Merrill-i duket se ka një ide viktoriane të funksionit edukues të artit, ndërkohë që – nëse vërtet duhet të ketë një të tillë – funksioni i artit është pikërisht ai i përmbysjes së sistemit, rrëzimit të tij, funksioni i tij është të tregojë një krisje përmes pasqyrës. Pse të mos tërheqim prej tregut edhe Lizën në Botën e Çudirave? Carrol-i kishte një reputacion mjaft të dyshimtë për sa i përket vajzave, por imazhi që na mbërriti nga ai, u pastrua nga çdo lloj ligësie. Po, Lewis Carrol-it i pëlqenin vajzat e vogla, por u recitonte atyre vetëm vjersha bukura, ai kurrë nuk i preku ato as me gisht, apo jo? Pra, çfarë do të bëjmë? Do projektojme një #metoo edhe për Alice Liddell-in tani? Ruajmë kartonat e Disney-t dhe dënojmë pikturën Balthus-it? Çështja është se arti nuk mund, dhe nuk duhet të gjykohet moralisht.

Çështja në këtë moment – për fat të mirë – u likujdua nga Muzeu, ashtu si dhe nga kritikët. Duket se Mia Merrel-i duhet të shpikë diçka tjetër, në mënyrë që të flasë për veten e saj pa ngjarë si fanatike, në vend të ngjajë si një studente e Historisë së Artit të Universitetit të Nju Jorkut. Le të mos harrojmë, megjithatë, se veprimi i saj dhe ndjekësit që pati, janë simptoma të një ndjenje më të madhe dhe më të përgjithshme.

Ginia Bellafante, në “The New York Times”, shprehu habinë për qëndrimin e muzeut dhe atë të kritikëve:”Kjo është në kundërshtim me etikën e një epoke, në të cilën gjithnjë kemi kërkuar të kuptojmë strukturën morale që i përket, pothuajse të çdo gjëje që konsumojmë. Kafja duhet të prodhohet dhe etiketohet sipas parimeve të tregtisë së lirë, dyshemetë prej druri duhet të vijnë nga burime të qëndrueshme, pula duhet të rritet dhe të vritet në mënyrë njerëzore. Fillimet teknologjike kanë nevojë për histori që janë të rrënjosura në virtyt. Megjithatë, kur produkti është arti, dhe materiali burimor është një trup i plotë në të gjithë efektet, raportet e këtij lloji janë me sa duket të sistemuara.”

Por çështja është se pikërisht njerëzit si Merill-i, Zuccaro, Bellafante, dhe të gjithë ata që nënshkruan peticionin, ngatërrojnë zonat, përballen me një vepër si Thérèse rêvant sikur të ishte një “produkt”. Arti është gjithçka, me përjashtim të të qenit i tillë, edhe pse për njëfarë kohe ne e përkufizojmë kokëfortësisht kështu, deri sa arrijmë ta besojmë. Është thelbësore ta kujtojmë këtë.

Përktheu: Arlinda Guma

Marrë nga The Vision

 

 

 

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from A(rt)ktivizëm

Go to Top