Si kafja turke shkatërroi një perandori

in Në kohërat e kolerës by

Kafeja apo (kahve në turqisht) ishte një pije e preferuar e klasës sunduese të Perandorisë Osmane. Po ata nuk e dinin se një ditë ajo, do ta përshpejtonte shkatërrimin e saj.

‘Njihet si kafe greke për grekët dhe qipriotët, kafe boshnjake për boshnjakët, kafe armene mes armenëve, kafe arabe për arabët dhe si kafe turke për turqit, kroatët, shqiptarët dhe serbët. Po në mesin e shekullit të 16-të, njihej thjesht si kahve – kafe.’ Në atë kohë, të gjithë këta popuj sundoheshin nga Perandoria Osmane, e cila kishte ‘dashnorë’ kahveje, që nga Evropa jug-lindore e deri në Persi. Gjithsesi në vitet e para të shekullit të 19-të, kjo perandori e madhe kishte filluar të krisej dhe edhe kafeja luajti një rol të rëndësishëm, edhe pse aspak të njohur nga ne, në shkatërrimin e saj.

Kafeja erdhi në Turqi përgjatë mbretërimit të Sulejmanit të Madhërishëm. Njeriu që ai dërgoi të qeverisë Jemenin hasi në këtë pije energjike të njohur si ‘kahwah’ dhe e solli atë në oborrin Osman në Kostandinopojë, ku u bë menjëherë një hit. Një usta kahveçi i pallatit, apo një mjeshtër kafeje, kishte dhjetëra çirakë/asistentë që e ndihmonin, t’i piqte e ti bluante farat arabike, në një pluhur ekstra të hollë të ngjashëm në strukturë me ekspresin e sotëm. Ky pluhur më pas zihej në një enë bakri që quhej çezve (xhezve) dhe pija që prodhohej ishte e zezë, e hidhur, po sipër kish një shtresë të hollë si prej gëzofi, e cila krijohej kur e zieje shpejt. Lëngu që përftohej shërbehej në gota prej porcelani të vogla të quajtura filxhan.

Legjenda thotë se për të balancuar hidhërimin e saj, gruaja e Sulejmanit, Hyrrem Sulltania, e pinte atë me një gotë ujë dhe një llokume në formë katrore – ashtu siç shërbehet edhe sot në Turqi.

Sidoqoftë, jo të gjithë ishin entuziastë të pinin këtë pije të re stimuluese, madje disa ngritën dyshime nëse Kurani i lejonte muslimanët ta pinini atë. Edhe pse shkrimet islamike nuk e përmendin në mënyrë specifike kafenë, një klerik fanatik e çoi çështjen në gjykatën e Sulejmanit me qëllim që të nxirrej një fetva (rregull) për ndalimin e pirjes së kafesë, me arsyetimin se konsumimi i çdo gjëje të djegur ishte i ndaluar në Kuran. Por kjo nuk ndodhi.

Shtëpia e parë publike e kafesë, ose Kahvehane, u hap në Stamboll në 1555 nga dy tregtarë sirianë. Shumë shpejt, gati një në gjashtë dyqane në qytet shërbente kafe – duke filluar që nga kafenetë e vogla të lagjeve e deri në qendrat e mëdha të komunitetit. Gradualisht, kahvja depërtoi deri në kufijtë e largët të perandorisë.

Shtëpitë e kafesë u dhanë një mundësi të re burrave për t’u mbledhur, jo vetëm në shtëpi, xhami apo tregje, po edhe në këtë vend të ri ku ata jo vetëm do të shoqëroheshin, do argëtoheshin e do shkëmbenin informacione, po edhe do të edukoheshin e arsimoheshin. Anëtarët e lëçitur të shoqërisë së kafesë, i lexonin lajmet e ditës me zë të lartë; jeniçerët – anëtarët elitarë të trupave osmane, i planifikuan aty aktet e protestës kundër Sulltanit; zyrtarët i diskutonin aty intrigat e zyrave e gjykatave; tregtarët i shkëmbenin aty thashethemet rreth luftës e plaçkave. Dhe shumica analfabete aty dëgjonte ç’ndodhte në qytet dhe më gjerë në pearandori. Në kafene njerëzit u njohën me ide të cilat krijuan telashe për shtetin osman: rebelim, vetë-vendosje dhe gabimet e bëra nga fuqia e madhe.

Nuk kaloi shumë kohë kur autoritetet e kuptuan dhe filluan ta konsiderojnë Kahvehanen si një kërcënim. Disa sulltanë dërguan spiunë në kafene për të marrë vesh opinionin publik; të tjerë, si p.sh., Muradi i IV-t, në fillim të shekullit të 18-të, u përpoqën t’i mbyllin ato plotësisht. Po, kjo ishte e pamundur pasi ato ishin shumë fitimprurëse.

Kur lëvizjet e zjarrta nacionaliste filluan të zjejnë në të gjithë tokat otomane në shekullin XIX, popullariteti i kafeneve u rrit. Grupet etnike në rajonet evropiane të perandorisë, me shumicë të krishtere ortodokse, filluan të propagandojnë e agjitojnë për pavarësi. Drejtuesit nacionalistë planifikuan taktikat dhe i çimentuan aleancat e tyre në kafenetë e Selanikut, Sofjes dhe Beogradit. Përpjekjet e tyre të nxitura nëpër kafene, patën sukses duke rezultuar në krijimin e një Greqie të pavarur në 1821, Serbisë në 1835 dhe Bullgarisë në 1878. Këtu mbaroi edhe mbretërimi i kafesë në perandorinë e madhe otomane.

Kombet e ndryshme të krijuara i shtuan kafesë edhe ‘nënshkrimet’ e tyre: grekët p.sh., e bëjnë atë me mastikë; kroatët me fara karafili; arabët e zjejnë bashkë me kardamom dhe e shërbejnë në gota të vogla pa doreza të quajtura po ashtu finxhans. Por edhe kur pihet sade, pa asgjë, profili i aromës varet nga pjekja.

Po edhe pse ka disa varietete, kafeja turke dallohet për pjekjen e kokrës, pasi piqet mesatarisht, vetëm pak më shumë sa fillon e errësohet e kafenjta, duke i dhënë asaj një shije tokësore me aromë tymi dhe densitet lëngu disi të trashë. Po ta kullosh filxhanin ku shërbehet kafja turke, do të shihni që llumi i përbërë nga pluhuri i imët i kafesë vesh pjesën e brendshme të filxhanit, gjë që nuk ndodh me asnjë lloj kafeje tjetër.

Efektet e kafeneve duket që janë të mëdha e të shpejta, prandaj perandorë të botës, bëni kujdes.

Përktheu: Meli Ajazi 

Marrē nga: The Economist 

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Në kohërat e kolerës

Go to Top