PËR KLASIKËT-Jorge Luis Borges

in Letërsi by

Lavdia e një poeti varet nga entuziazmi apo nga indiferenca e brezave të njerëzve anonimë që e vënë atë në provë, në vetminë e bibliotekave të tyre

Jorge Luis Borges

Të rralla janë lëndët që paraqesin më shumë interes se etimologjia: kjo merret me shndërrimet e paparashikuara të kuptimit primitiv të fjalëve, në rrjedhë të kohës. Duke qenë se janë shndërrime të tilla që mund të arrijnë në paradoks, origjina e një fjale nuk do na shërbejë aspak (a pothuajse aspak) për ftillimin e ndonjë koncepti. Fakti që fjala njehsim, në latinisht, do të thotë guralec e që pitagorianët e përdorën më parë në krijimin e numrave, nuk na lejon të zotërojmë të fshehtat e algjebrës. Fakti që fjala hipokrit nënkuptonte aktorin, dhe fjala person, maskën, nuk përbën ndonjë mjet me vlerë të madhe për studimin e etikës. Po ashtu, për të ngulitur atë që ne sot kuptojmë kur themi klasik, është e kotë që ky mbiemër rridhka prej classis të latinishtes, flotë, e që pastaj mori kuptimin e rendit (kujtojmë kalimthi formimin analog të ship-shape).
Ç’është, sot, një libër klasik? Kam në duar përkufizimet e Eliot-it, Arnold-it dhe Sainte-Beuve-it, pa dyshim të arsyeshëm e të përndritshëm, dhe do më pëlqente të pajtohesha me këta autorë të shquar, por nuk do t’ua kërkoj mendimin. I kam kaluar të gjashtëdhjetat dhe, në këtë moshë, përputhjet apo risitë kanë më pak rëndësi se ajo që beson si të vërtetë. Do kufizohem, pra, të them atë që kam menduar vetë për këtë çështje.
Nxitësja ime e parë ka qenë një Histori e letërsisë kineze, e Herbert Allen Giles-it. Në kapitullin e saj të dytë, kam lexuar se njëri prej pesë teksteve të botuar nga Konfuci është Libri i shndërrimeve ose Yi Jing, i përbërë nga gjashtëdhjetekatër hekzagramë që shterin kombinimet e mundshëm të gjashtë vargjeve të plotë apo të thyer. Njëra prej skemave, për shembull, ndërtohet nga dy vargje të plotë, një varg i thyer dhe tre vargje të plotë, të vendosur vertikalisht. Një perandor parahistorik do t’i ketë zbuluar mbi kafkullin e njërës prej breshkave të shenjta. Leibniz-i besoi se pa te hekzagramët një sistem dyjar numërimi; të tjerë panë një filozofi enigmatike; të tjerë, si Wilhelm-i, një instrument parashikimi të së ardhmes, sepse gjashtëdhjetekatër figurat përkojnë me gjashtëdhjetekatër fazat e kushedi ç’sipërmarrjeje apo procesi; të tjerë, fjalorin e ndonjë tribuje; të tjerë, një kalendar. Më kujtohet që Xul-Solar-i e kish zakon ta rindërtonte këtë tekst me kleçka dhëmbësh ose me fije shkrepseje. Për të huajt, Libri i shndërrimeve rrezikon të shfaqet si një kinezëri e thjeshtë. Por breza mijëvjeçarë njerëzish tejet të rafinuar e kanë lexuar e rilexuar me përkushtim dhe vazhdojnë ta lexojnë akoma. Konfuci u deklaronte dishepujve të vet se, nëse fati do t’i falte njëqind vite më tepër, gjysmat do t’ua kushtonte studimit të tij dhe komenteve.
Zgjodha qëllimisht një shembull skajor, një lexim që kërkon mirëbesim. Po vij tani në tezën time. Është klasik libri që një komb, ose një grup kombesh, ose shekujt kanë vendosur ta lexojnë sikur gjithçka në faqet e tij të ishte e qëllimtë, e pashmangshme, e thellë si kozmosi dhe e aftë për interpretime pa mbarim. Në mënyrë të parashikueshme, këto vendime ndryshojnë. Për gjermanët dhe austriakët, Fausti është një vepër gjeniale. Për të tjerë, një nga format më të famshme të mërzisë, si Parajsa e dytë e Milton-it apo vepra e Rabelais-së. Libra të tillë si ai i Job-itKomedia HyjnoreMakbethi (dhe, për mua, disa prej sagave të Veriut) premtojnë një pavdekësi të gjatë, por ne nuk dimë asgjë për të ardhmen, veç faktit që do jetë e ndryshme nga e tashmja. Një preferencë mund të jetë fort mirë veçse një bestytni.
Nuk kam prirje ikonoklasti. Rreth vitit 1930, nën ndikimin e Macedonio Fernández-it, besova se bukuria ishte privilegj vetëm i disa autorëve. Sot e di që ajo është e shpeshtë e që na pret në faqet rastësore të një mediokri, sikundër në një dialog rruge. Kështu, injoranca ime në lidhje me letërsinë maleze apo hungareze është e plotë, por nëse koha do më jepte rastin t’i studioja, jam i sigurt se do gjeja aty të gjitha ushqimet e domosdoshme shpirtërore.
Përveç pengesave gjuhësore, ndërhyjnë pengesat politike dhe gjeografike. Burns-i është një klasik në Skoci. Në jug të Tweed-it, ai nuk është aq i rëndësishëm sa Dunbar-i apo Stevenson-i. Lavdia e një poeti varet nga entuziazmi apo nga indiferenca e brezave të njerëzve anonimë që e vënë atë në provë, në vetminë e bibliotekave të tyre.
Emocionet që ngjall letërsia janë ndoshta të përjetshme, por mjetet duhet vazhdimisht të ndryshojnë, në një mënyrë shumë të butë, për të mos humbur virtytin e tyre. Këto mjete reshtin së vepruari në atë masë që lexuesi i njeh. Këtej rrjedh rreziku i pohimit se ekzistojnë vepra klasike dhe se të tilla do jenë përherë. Çdokush nuk i zë besë artit dhe artificeve të tij. Unë, që i jam dorëzuar dyshimit për pavdekësinë e pacak të Voltaire-it apo Shakespeare-it, besoj (këtë pasdite të një prej ditëve të fundit të 1965-s) te pavdekësia e Schopenhauer-it dhe Berkeley-it.
Nuk është klasik (e përsëris) një libër që ka medoemos këtë apo atë meritë; klasik është libri që brezat njerëzorë, të shtyrë nga arsye të ndryshme, e lexojnë me një zell paraprak dhe me një besnikëri të mistershme.

Përktheu: Alket Çani

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

Go to Top