Kanë thënë për poeten Wislawa Szymborska

in Letërsi by

Poeti Adam Zagajewski:

“Në vitet ’70, unë kam marrë pjesë në mbrëmjet e saj. Bisedat tona nuk ishin kurrë “letrare”. Ne diskutonim pak për poezinë. Megjithëse Wisława mund të deklaronte papritur: Nuk e di për ju, por unë jam lodhur me Dostojevskin. Apo: Kritikët e poezisë nuk lexojnë kurrë libra të shkencës popullore apo botanike, si mund të arrijnë ta kuptojnë ata poezinë bashkëkohore? Unë mendoj se një nga armiqtë e saj më të mëdhenj – përveç atyre më të rëndësishmëve, që ishin ideologjia totalitare dhe krimet politike – ishte mërzia. Mërzia dhe banaliteti. Ajo nuk kishte asgjë prej bohemeje; nuk i lyente flokët të gjelbërt, por ajo nuk mund ta duronte dot banalitetin. Ajo nuk shkruante poezi banale dhe në jetë, gjithnjë vlerësonte zgjuarsinë, inteligjencën; ajo dëshironte që njerëzit që takoheshin në shtëpinë e saj mbrëmjeve, të flisnin për gjëra të rëndësishme”.

Gazetaret Anna Bikont dhe Joanna Szczęsna:

“Menjëherë pasi mori Çmimin Nobel, në vitin 1996, ajo iu kthye zakoneve të saj të vjetra. Me ritëm më të ngadaltë, i cili i lejonte shumë hapësirë ​​për heshtje dhe për të qenë vetëm. Për të takuar miq rreth vodkës dhe për të luajtur llotarinë e modës së vjetër, me të cilën mund të fitoje të gjitha llojet e dhuratave simpatike, jopraktike. Për udhëtime të shkurtra në Jug (Lubomierz në verë dhe Zakopane në dimër). Për lojëra që konsistonin në kompozimin e poezive absurde, të pakuptimta. Për bërjen e kolazheve dhe dërgimin e tyre miqve, në vend të kartolinave. Për shkrimin e pak poezive në vit, jo më shumë.”

Intelektuali, eseisti dhe historiani Adam Michnik:

“Ajo zotëronte një intuitë të jashtëzakonshme, të fshehur, e cila e lejoi, pa ndonjë pathos të rremë, të pajtohej me epokën e saj të keqe. Mbi të gjitha – si vajzë e re – ajo humbi rrugën, së bashku me bashkëkohësit e saj, dhe së bashku me bashkëkohësit e saj, ajo u përpoq të gjente rrugën e saj të kthimit. Ajo shkroi poezi të bukura erotike dhe poezi të pikëlluara për makthet e shekullit të 20-të. Ajo shkroi për Holokaustin dhe antisemitizmin, për krimet staliniste dhe terrorizmin modern, për një djalkë të ëmbël, të ri, që u bë Adolf Hitler.”

Profesoresha Teresa Walas, për PAP (Agjencia Polake e Lajmeve):

“[Për Szymborska-n], humori ishte një mënyrë për të krijuar një distancë, ndaj vetes dhe botës, që nuk do të thoshte mungesë serioziteti. Ajo nuk ishte komediene. Ishte mënyra e saj për t’u shkëputur nga serioziteti që gjithmonë ka aspekte më shqetësuese – d.m.th. “Buzë të mbledhura dhe shikime fanatike”. – një lloj mbrojtjeje ekzistencialiste. Ajo e manifestoi veten me shaka. Ajo vlerësonte dhe rrethohej me njerëz që ishin të mprehtë dhe që e kishin humorin të koduar në gjenet e tyre.”

Profesoreshë Gražyna Borkowska:

Szymborska e sheh botën si një bashkëveprim të aksidenteve magjepsëse. Ajo i shtrin rregullat e kësaj loje përtej elementit njerëzor. Ajo supozon se i njëjti parim – i mishërimeve të shpejta, aksidentale – vlen si për bimët, kafshët apo retë. Ato shfaqen pastaj zhduken. Sidoqoftë, kundër logjikës së natyrës, njeriu dëshiron të përcaktojë dhe ta përjetësojë identitetin e tij. Situata e tij është paradoksale – i bërë nga të njëjtët elemente, si pemët dhe toka, ai dëshiron të jetë vetja, njëjës dhe unik.”

Shkrimtarja Julia Hartwig:

“Duke lexuar poezinë e Wisława Szymborka-s, nuk mund të mos vërejmë se sa gjëra supozojmë të jenë të dukshme, ndërsa në fakt ato nuk janë aspak të dukshme. [Szymborska] nuk jep mësime në relativizëm, por përkundrazi në finesë, e cila vjen nga shikimi i një gjëje nga të gjitha këndet, pavarësisht nëse ka të bëjë me një peizazh, një re, shpirtin tonë apo Platonin. ”

Poetja, shkrimtarja dhe kritikja Małgorzata Baranowska:

“Gjithçka fillon me pyetjen: kush jam unë? Pasiguria e ekzistencës së dikujt, pasiguria e vendit të tij në përjetësi, aksidenti – e gjithë kjo na bën të vëmë në dyshim identitetin tonë. Poetja e trajton biografinë e saj sikur ekzistenca e saj të ishte e kushtëzuar. Ndjenja se vetë jeta e saj është aksidentale nuk i ndahet kurrë.

Shkrimtari dhe ndihmësi prej shumë kohësh i Szymborska-s, Michał Rusinek:

“‘Dorëshkrimet e saj janë vërtet fletë të lira; që nga koha e Polonisë komuniste, ajo kurrë nuk hodhi gjë, por përdori anët e pasme të fletëve. Ajo gjithashtu kishte një fletore të vogël, në të cilën, që nga vitet ’60 ose ndoshta ’70, ajo shkroi fjali, metafora dhe ide. Gjithmonë ishte e vetmja fletore, e mbushur me shkrim dore të vockël. Ajo mbante shënime me shkarravina të palexueshme; vetëm ajo e dinte se çfarë kishte në to. Ajo la shënime për poezitë e reja [që do të dilnin pas vdekjes], por as edhe një kriptolog nuk mundte t’i deshifronte”.

Kritiku dhe miku letrar Jan Pieszczachowicz:

“Ajo jetoi dhe shkroi me të tërë veten e saj. Ajo nuk u kujdes që të shkruante shumë poezi. E gjithë vepra e saj përbëhet nga 350 poezi, që nuk është shumë, për punën e një jete, dhe ishte rezultat i asaj që i mori një kohë shumë të gjatë për secilën poezi. Një herë, ajo më tregoi një sirtar dhe në të kishte dhjetëra fletë letre të bëra shuk. Unë e pyeta: “Çfarë është kjo?” Dhe ajo më tha: ‘Kjo është një poezi e re që ne nuk e dimë akoma nëse do të bëhet poezi.” Kishte dhjetëra versione të së njëjtës punë.

Shkrimtari dhe gazetari Jerzy Pilch:

“Është e vështirë të përmendësh traditën së cilës ajo i përkiste. Ajo që, për shumicën prej nesh, është e vetë-shpjegueshme – lëvizja e një karrigeje apo ngrënia e supës me lugë – për të nuk ishte kështu. Është i pabesueshëm fakti që ajo shkroi për këto në një mënyrë që ishte magjepsëse dhe befasuese. Ky ishte sekreti i saj krijues.”

Përktheu: Arlinda Guma

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

Harta-Wislawa Szymborska

Harta-Wislawa Szymborska E sheshtë si tavolina ajo është vendosur mbi të. Asgjë
Go to Top