TAKIM ME ARMIKUN-JORGE LUIS BORGES

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Jorge Luis Borges

Kaq vjet duke u shmangur dhe duke shpresuar…, kur ja, më në fund, armiku u duk te shtëpia ime. E pashë nga dritarja duke u ngjitur me vështirësi përgjatë rrugës së mundimshme të kodrinës. Ecte duke u mbështetur në një bastun, në një palo bastun, i cili në duart e tij të plakura kurrsesi nuk mund të ishte një armë veçse një shkop. Nuk e pata të lehtë të dëgjoja atë që prisja: trokitjen e lehtë në derë. Pa nostalgji, hodha një sy mbi dorëshkrimet e mia, skicat me projekte gjysmë të përfunduara dhe studimin “Artemidori mbi ëndrrat”, një libër ky ca i paqartë, ngaqë nuk di greqisht. «Një herë tjetër», thashë me vete, si i çakërdisur, dhe desha ta mbyll edhe më derën, por u tremba se ai jashtë mund të rrëzohej, ngaqë bëri disa hapa të ndërlikuara. E hodhi bastunin, të cilin nuk ia pashë më, dhe, i dërrmuar, ra mbi shtratin tim. E kisha imagjinuar shumë herë, por, tërë shqetësim, vetëm në ato çaste pashë se i ngjante portretit të fundit të Linkolnit, sikur të qenkëshin vëllezër. Duhet të ishte ora katër e pasdites.
U përkula mbi të që të më dëgjonte.
– Dikush mendon se vitet ikin vetëm për tjetrin, – i thashë, – por ata ikin për të gjithë. Ja ku u takuam, më në fund, dhe çfarë ka ndodhur më përpara nuk ka kuptim.
Ndërsa unë flisja, vura re se kishte zbërthyer pardesynë. Dorën e djathtë e kishte futur në xhepin e xhaketës. Më bëri njëfarë shenje dhe atëherë pashë se atje kishte një revolver.
Dhe me një zë të prerë më tha:
– Kam hyrë gjithë keqardhje në shtëpinë tënde. Edhe pse nuk jam i mëshirshëm, tani më ka pushtuar dhembshuria.
U mundova të gjej disa fjalë. Nuk jam njeri i fortë dhe mendova se vetëm fjalët mund të më shpëtonin. Më në fund, munda t’i them:
– Është e vërtetë se ka ca kohë që kam keqtrajtuar një fëmijë, por ju tashmë nuk jeni më ai fëmijë e as unë nuk jam më ai i pamendi. Veç kësaj, hakmarrja nuk është më pak fodulle dhe qesharake se falja.
– Pikërisht ngaqë tashmë nuk jam më ai fëmija, – ma ktheu, – më duhet t’ju vras. Nuk bëhet fjalë për ndonjë hakmarrje, por për një veprim drejtësie. Argumentet tuaja, Borhes, janë thjesht dredhi luftarake të tmerrit tuaj, sepse do t’ju vras. Ju tashmë nuk mund të bëni dot asgjë.
– Mund të bëj një gjë, – iu përgjigja.
– Çfarë? – më pyeti.
– Të zgjohem.
Dhe ashtu bëra.

Përktheu: Erion Karabolli

____________

Shënim: Autori në këtë tregim trajton temën e pleqërisë dhe të vdekjes dhe nuk është e vështirë të kuptohet se të dy personazhet këtu janë, njëherazi, një njeri, vetë autori, edhe pse kemi një dialog intensiv midis dy personave, autorit dhe armikut të tij, domethënë pleqërisë, vdekjes.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

Një orë- Erich Fried

Një orë- Erich Fried M’u desh një orëpër të korrigjuarnjë poezi që

Harta-Wislawa Szymborska

Harta-Wislawa Szymborska E sheshtë si tavolina ajo është vendosur mbi të. Asgjë
Go to Top