SPIRALJA E LLAVËS-Klara Koli
Spiralja e llavës rrethon
dy rrathët e syve të mi
në qendër të llambës së mbushur me det.
S’di ç’t’i bësh asaj që ndien,
që asfaltin e ndan përgjysmë si çokollatë,
timonin e kthen nga retë,
rrugës për te krijesat me fije qelqi në trup.
Dhe kokën ke për të zhytur në rërën e plazhit
si zogjtë e farave,
sa herë të thyhet qoftë edhe njëra prej tyre.
Asnjë dallgë nuk do të duash të kapërcesh
kur të shikosh njerëz që u kanë ngjitur
dy kokrra rrushi në vend të syve.
Vizato ndonjë vetëtimë qiellore në sytë e tyre,
asgjë më tepër.
Do kuptosh se mirë është të rrish larg
faraonëve që shpresojnë vetëm siguri materiale.
Do të duhet të bësh gjithçka,
që t’u japësh jetë syve të tyre,
në kushedi sa brigje do kërkosh
parfumin e tyre të trupit…
Shtrihu në mes të plazhit,
çadrat rreth teje do të duken nga sipër si kërmij të frikësuar.
Mos e nis sikur të ishe punëtor hamall,
duke ngarkuar e shkarkuar mbeturina akulli
në strehën e tyre, as me ilaçe s’do t’i lumturosh.
Ndiz një zjarr dhe dëgjo tingujt e sonatës së zemrës, fli afër tyre në dhomën e detit,
do kuptosh se ç’është në të vërtetë ajo gjë që të çmendi.
Lutja/Klara Koli
Lutja/Klara Koli Në këtë kohë të athëtirtëmë ndih o qiell,merr peshqirin që than më mirë ujërat