Roberto Bolaño huazon spontanitetin, humorin dhe refuzimin lozonjar të narrativës së bitnikëve në romanin e tij të përkthyer, të botuar pas vdekjes: “Fryma e Fantashkencës”.
Valerie Miles
Kanë kaluar pesëmbëdhjetë vjet që nga vdekja e Roberto Bolaño-s, në Barcelonë, në moshën pesëdhjetë vjeçare, por tani kemi edhe një dorëshkrim tjetër pas vdekjes në përkthimin në anglisht – një bildungsroman (roman formimi) rinor dhe, ndonjëherë, delirant, i titulluar: “Fryma e Fantashkencës”.
Ashtu si pjesa më e madhe e punës së Bolaño-s, libri vjen nga arkivi i tij: ai u shkrua me dorë në tri fletore të veçanta – një e verdhë, një portokalli dhe një tjetër e kuqe – dhe dorëshkrimi ndan faqe me poezi, shkarravina, harta, llogaritje dhe shënime ushtarake nga Lufta Civile Spanjolle dhe betejat e Normandisë, Stalingradit dhe Waterloo-së.
Megjithëse Bolaño i daton ato fletore në vitin 1984, disa letra dërguar mikut të tij Antoni G. Porta (me të cilin ai shkroi romanin e tij të parë të botuar, “Këshilla nga një dishepull i Morrisonit për një fanatik të Joyce-t”, në vitin 1984) tregojnë se ai donte ta ndryshonte atë edhe më.
Romani im duhet të mbarojë në vitin 86, – shkruante ai. “Shën Philip K. Dick, ki mëshirë për mua!” Por nuk kishte asnjë version të ri përveç atij aktual, i cili u përfundua gjatë sezonit turistik në Blanes të Spanjës, ku Bolaño kaloi verën duke shitur xhingla në një dyqan në pronësi të nënës së tij.
Bolaño nuk kishte kompjuter në atë kohë dhe ai ka të ngjarë të ishte i angazhuar në disa projekte të tjera, duke përfshirë dy romane të pabotuar: “Diorama” dhe “DF, La Paloma, Tobruk“. Pavarësisht kësaj, “Fryma e Fantashkencës” perceptohet si një vepër plotësisht e realizuar. Është gjithashtu një plan magjepsës i poetikës së Bolaños dhe i masës në të cilën ai përthithi nga letërsia bitnike e William S. Burroughs-it dhe e Jack Kerouac-ut.
Ngjarjet te “Fryma e Fantashkencës” janë vendosur kryesisht në Mexico City, në vitet shtatëdhjetë. Ai është më shumë se një roman fantastiko-shkencor, një roman i Luftës së Ftohtë: spiunazhit, mashtrimeve të superfuqive dhe kërcënimi i luftës bërthamore duket i madh.
Ne ndjekim një njëzet e një vjeçar të quajtur Remo (një alter ego për Bolaño-n që e ndeshim te “The Skating Rink” dhe në vepra të tjera të pabotuara), i cili, duke ikur nga paraburgimi në Kilin e Augusto Pinochet-it, arrin në Meksikë me shokun e tij, Jan Schrella, shtatëmbëdhjetë vjeç. Jan, shkrimtar aspirues i fantashkencës, kënaqet duke shkruar letra të ethshme për romancierët amerikanë të fantashkencës, duke kërkuar ndihmën e tyre për të tërhequr vëmendjen ndaj efekteve shkatërruese të luftërave me prokurë amerikane dhe sovjetike në Amerikën Latine.
Jan është një tjetër nga alter egot e Bolaño-s – ai dikur nënshkruan si “Jan Schrella, alias Roberto Bolaño” – dhe letrat e tij variojnë në tone nga komike në serioze. Duke i shkruar Ursula Le Guin-it, ai shpjegon se letrat e tij janë si anijet NAFAL. (Pothuajse aq të shpejta sa drita) në ciklin e saj të romaneve Hainish, të cilët bëjnë të mundur që qytetërimet e largëta të krijojnë marrëdhënie diplomatike. Ai i thotë autorit James Tiptree, Jr., se nëse apelet e tij për shkrimtarët e fantashkencës dështojnë, ai mund t’u kërkojë pensionistëve të Amerikës së Veriut që “të dërgojnë letra në Shtëpinë e Bardhë duke kërkuar që t’i jepet fund politikës së agresionit ndaj Amerikës Latine”. Dhe, për shkak se ai beson se luftërat mund të përfundojnë vetëm me fenë ose me seksin, Jan i thotë shkrimtarit të fantashkencës Philip José Farmer se ata mund t’i bashkërendojnë “orgjitë në të cilat qytetarët e ardhshëm të Amerikës Latine dhe të SHBA-së mund të marrin pjesë, nëse marrim masa tani.”
Këto letra janë të shpërndara në dy pjesët e para të romanit, të cilat përfshijnë dy histori të ndërthurura. E para sheh Remon dhe Jan-in duke qëndruar nën një çati të shkatërruar, duke takuar një poet dhe motoçiklist të shkëlqyer të quajtur José Arco dhe duke eksploruar rritjen e dyshimtë të qytetit në revistat me poezi. Në skenën e dytë, e cila zhvillohet në një koktej të zhurmshëm, një shkrimtar i fikshënit shkencor latino-amerikan (ndoshta Jan-i në të ardhmen) rrëfen subjektin e një romani historik alternativ që ai ka shkruar, në të cilin një kundërofensivë ndaj forcave të Pinochet-it po niset nga një vend i quajtur Universiteti i Panjohur.
Seksioni i tretë dhe i fundit, i titulluar “Manifesti Meksikan”, u botua në këtë revistë dhe ndjek Remon dhe të dashurën e tij teksa eksplorojnë banjat e qytetit. Në përputhje me praktikën e Bolaño-s për riciklimin e materialit, i njëjti tekst mbyll pjesën e dytë të përmbledhjes së tij poetike pas vdekjes, “Universiteti i Panjohur”.
Kjo duket e kuptueshme; Bolaño-s i pëlqente t’i shtynte kufijtë midis poezisë dhe prozës dhe “Antwerp“, një roman që ai botoi vonë në jetë, u përfshi në të njëjtin koleksion. Nga viti 2008 deri në vutin 2014, gjatë shfaqjes së ngutshme të Bolaño-s në përkthim, unë punova në prapaskenë me pasurinë e shkrimtarit, duke lexuar rreth katërmbëdhjetë mijë e gjashtëqind letra në arkivin e tij dhe duke ndihmuar në përgatitjen e veprës së tij pas vdekjes.
Bolaño, duhet thënë, shpëtoi gjithçka. Arkivi i tij përfshin fletore, ditarë, letra, revista, lojëra luftarake, kartolina, foto, shkrime daktilografike, copëza gazetash dhe një bibliotekë të gjerë. (“Kam gjetur edhe një nga ato pecetat e letrës nga një bar në Meksikë,” tha e veja e tij, Carolina López, në një konferencë për shtyp.)
Pasuria e materialit e bën të lehtë gjetjen e fiksimeve të Bolaño-s në një kohë të caktuar dhe shumë nga përpjekjet e mia përfshinin krijimin e një kronologjie se kur u shkrua vepra e tij – një kronologji që u bë pjesë qendrore e ekspozitës së parë kushtuar letrave të tij, të cilat unë i kurova së bashku me Centre de Cultura Contemporània de Barcelona, në vitin 2013. Kjo kronologji hodhi dritë gjithashtu mbi faktin sesa “Fryma e Fantashkencës” u frymëzua nga poezia dhe veçanërisht nga leximi i beatnikëve nga Bolaño. Në vitin 1978, rreth kohës kur Bolaño fillimisht nisi të shkruante me zell letërsi, ai shkroi në ditarin e tij: “Unë shkruaj vargje, ëndërroj një roman”.
Gjatë asaj kohe, ai lexonte çdo ditë William S. Burroughs-in dhe shpesh komentonte punën e shkrimtarit. (Burroughs-i ishte “copëza e akullit që nuk do të shkrihej kurrë”, shkruan ai në përmbledhjen e tij me esé “Midis kllapave”, “syri që nuk mbyllet kurrë.”)
Në një version të hershëm të “Fryma e Fantashkencës”, Burroughs-i ishte personi i kontaktit për të rinjtë kilianë. Bolaño u ndikua gjithashtu nga qasja e Burroughs-it ndaj strukturës; ai ishte magjepsur nga “Naked Lunch” dhe nga eksperimentimi i ngjashëm me kolazhin e “Nova Express“. Ai madje huazoi disa nga metodat e Burroughs-it, duke përdorur teknikën e “prerjes” së Burroughs-it në vargun e tij.
Burroughs-i nuk ishte fokusi i vetëm i Bolaño-s. Interesi i tij për bitnikët mund të gjurmohet në fillim të viteve shtatëdhjetë, kur ai filloi të përkthente disa fragmente nga poema e gjatë e librit të Jack Kerouac-ut “Mexico City Blues”. Zgjedhja e fragmenteve u ndikua, shkroi ai, nga “butësia që ndjeva kur lexova këto poezi”.
Ai iu kthye këtyre përkthimeve në vitin 1977, kur ishte roje nate njëzet e pesë vjeçar në kampin Estrella de Mar, në Castelldefels, jashtë Barcelonës. (Aty ai takoi një djalë çekosllovak të quajtur Jan, i cili kaloi disa ditë në kamp dhe i dërgoi letra Bolano-s gjatë verës.)
Në vitin 1978, Bolaño shkroi një hyrje për përkthimet e tij, të cilën e titulloi “Jack Kerouac dhe Magjepsjet e Meksikës”. Në të, ai e përshkruan Kerouac-un si një poet që “hap trupin e tij ndaj magjive të ëmbla të Meksikës D.F, dhe papritmas qyteti (çmenduria meksikane) fillon të rrjedhë nëpër të”. Nuk është e vështirë të shohësh diçka të ngjashme te “Fryma e Fantashkencës”. Në fillim, Mexico City u reziston refugjatëve tanë të rinj kilianë, por më në fund zbutet, duke i zhytur ata në jetën e tij të brendshme.
Ka paralele të tjera, më literale. Në vitin 1955, Kerouac-u jetonte, ashtu siç Remo dhe Jan, në një apartament të rrënuar në Mexico City me një mik të vjetër të Burroughs-it, hajdutin dhe të varurin nga morfina William Garver. Ndërkohë që ishte atje, Kerouac-u kompozoi shumicën e “Mexico City Blues”. Në hyrjen e tij, Bolaño shkruan për “nevojën e Kerouac-ut për të trazuar hapësirat neutrale të jetës së përditshme, duke i transformuar ato”. Kjo ishte pjesë e qasjes së famshme të bitnikëve ndaj improvizimit – mënyra sesi Kerouac-u dhe bashkëkohësit e tij e shndërruan të përditshmen.
Bolaño ishte i magjepsur nga mënyra sesi Kerouac-u e injektoi vargun e tij me regjistrin dhe muzikalitetin e qytetit që e rrethonte dhe ai donte që “Fryma e Fantashkencës” të arrinte një efekt të ngjashëm. (Kur e shkroi romanin, në Spanjë, ai ishte shumë nostalgjik për Meksikën.) Bolaño nuk përdori metodën e “shkrimit automatik” të bitnikëve, por përdori shumë teknika spontane. Ai improvizonte poezi të gjata në shënimet e tij dhe dëgjonte xhaz ndërkohë që shkruante, duke e lënë gjuhën të fryhej në psikikën e tij dhe nëpër faqe. Më pas ai nxirrte rreshtat ose metaforat që i pëlqenin dhe i rishikonte ato me kujdes.
Ai gjithashtu shtoi, në ripërpunimin e tij të metodave bitnike, një dimension politik ku ai ndiente se i mungonte. Në hyrjen e tij, Bolaño tregon se Kerouac-u, me gjithë virtuozitetin e tij, ishte “djaloshi apolitik i Amerikës së Veriut që kombinonte muzikantët e zinj të xhazit, perënditë indiane dhe përvojat meksikane si të tjerët që mbledhin pulla. Kerouac-u zhvilloi ligjërimin e zbrazëtisë për të mbushur hapësirat e shkatërruara nga dashuria.
Pjesa më e madhe e “The Spirit of Science Fiction” mund të lexohet si një përgjigje ndaj kësaj zbrazëtie. Romani është i ngjashëm me novelën e Kerouac-ut “Tristessa“, i cili detajon takimin e Kerouac-ut me varësinë nga droga dhe me një prostitutë të rrënuar në Mexico City.
Por aty ku Kerouac-u mbërrin nga veriu, personazhet e Bolaño-s mbërrijnë nga jugu, duke kërkuar jo për jetën e shpejtë, por për një strehë nga paraburgimi dhe torturat në Kili. Ata gjithashtu fillojnë të integrohen në kundërkulturën boheme të qytetit – por si një mjet për të afirmuar jetën dhe jo si një përqafim i vetëshkatërrimit. Përgjatë librit, ata bëjnë përpjekje të dëshpëruara, madje edhe gazmore, për t’i bërë amerikanët të shohin sesi politikat e tyre po e shkatërrojnë Amerikën Latine.
Me pak fjalë, Bolaño nuk është shkrimtari apolitik që zbret në jug për t’u argëtuar pak. Në vitin 1984, kur ai shkroi “Fryma e Fantashkencës”, Muri i Berlinit ishte ende në këmbë dhe gara e armatimeve ishte në fuqi të plotë. Në Amerikën Latine kishte pasur disa jehona agresionesh jashtë vendit.
Dy vjet pas Masakrës së Tlatelolco-s së vitit 1968, në Mexico City, kur policia qëlloi mbi studentët dhe civilët, Garda Kombëtare hapi zjarr ndaj protestuesve studentë amerikanë në Universitetin Shtetëror Kent, në Ohajo dhe në Universitetin Shtetëror Jackson, në Misisipi. Një vit më vonë, në Masakrën e Corpus Christi, forcat elitare meksikane vranë mbi njëqind studentë protestues, një ngjarje e përshkruar nga regjisori Alfonso Cuarón në filmin e tij të fundit “Roma“. “Arizona ishte njësoj si Sonora, New Mexico, Chihuahua, është e gjitha njësoj,” shkroi Bolaño në romanin e tij “2666“.
Në “Palingenesis“, një poezi te “Universiteti i Panjohur”, Bolaño bisedon me poetin Archibald MacLeish për tapasat në Barcelonë. Ai shkruan: “Për dy poetë, ndonëse nga gjuhë të ndryshme, ende nga e njëjta botë e paepur/e re”. Kjo është tema në qendër të “Fryma e Fantashkencës” – nocioni se Amerikat janë të bashkuara, të bashkuara në luftë
Për ta bërë këtë, Bolaño huazoi disa nga estetikat përcaktuese të kundërkulturës amerikane, duke përdorur spontanitetin, humorin dhe refuzimin e gjallë të narrativës së bitnikëve për të studiuar shkatërrimet e shtetit. Libri nuk është i përsosur: herë pas here budallepset dhe shpesh ka fjali të tepruara apo rrëmujë.
Është një roman i hershëm dhe autori nuk është më aty për ta përmirësuar. Por ai gjithashtu ka pasazhe të bukura që dhembin dhe mësimet e tij rreth shtrirjes së politikës amerikane rezonojnë edhe sot e kësaj dite. Një i ri jashtëzakonisht i talentuar e shkroi atë, në vitin 1984, duke besuar se e vërteta e arritur përmes artit ishte mjeti i vetëm për revolucion. Në këtë kuptim, lexohet si një dërgesë nga përtej varrit. “Shpirti i autorit të vdekur” është i pranishëm në roman, shkroi Bolaño, “së bashku me fantazmat e tjera”.
_________
Valerie Miles është shkrimtare, redaktore, përkthyese dhe bashkëthemeluese e Granta-s në spanjisht. Ajo jeton në Barcelonë, Spanjë.
Përktheu: Arlinda Guma
Marrë nga: The New Yorker