Radikalizimi i selfie-t/ India Ennenga

in Feminizëm by

Ndoshta ne nuk e dimë kë duam për audiencë. Ndoshta selfie-t tregojnë atë që ndodh atëherë kur një shoqëri dërgon një mesazh dhe nuk ka aty asnjë që ta dëgjojë. Ashtu si transmetimi ndëryjor i radios “Një përgjigje e thjeshtë ndaj një mesazhi thelbësor”, i cili dërgon frikën njerëzore për shkatërrimin e mjedisit të Tokës në Univers ndaj jetës së mundshme jashtëtokësore, autoportretizimi sot nuk komunikon të vërtetat unike, aq sa reflekton ankthin kolektiv.

   India Ennenga

Përktheu: Arlinda Guma

 Marrë nga “The Paris Review”

 Jemi në fund të një epoke që karakterizohet nga autoportreti. Ky pohim nuk është provokativ-kemi jetuar si personazhe për një kohë dhe e kemi ndjerë të gjithën të vijë. Pra, më lejoni ta rifrazoj: Jetojmë në fund të një epoke që karakterizohet nga ankthi i pamëshirshëm ndaj vetes si produkt; që do të thotë; kush e zotëron atë, sa kushton, sa është vlera e saj. Fjala “celebrity” tregon se kjo vlerë mund të sasijohet dhe, në përgjithësi, qëndron si një term gjithëpërfshirës për çrregullimet kolektive (dëshira e paturp, ankthi i objektizuar, “schadenfreude”=“gezimi”si katarsis) që përforcon një kult të vetes. Ashtu si dy nga “fanarët” kryesorë në egomaninë mashkullore; Elon Musk dhe Kanye West, hyjnë në fazat ekliptike të vetë-ekzekutimit dixhital; vëmë re se një krizë e gjatë është duke mbërritur në kulm të trajtimit të vetes si personazh. Ngjashmëria e krisjes së tyre është e çuditshme dhe pa dyshim përfaqësuese e një krize më të gjerë të autoritetit karizmatik të mbarë vendit. Si fëmijë të dështuar të etapes së pasqyrës Lacaniane, reflektimi i tyre, auto-imazhi i thjeshtëzuar, precipiton në shkatërrim, në vend që të precipitojë në zhvillim.

Edhe pse kjo epokë u paralajmërua vite më herët, në vitin 2007, kur Britney Spears rruajti kokën dhe publiku i hutuar mund ta përtypte këtë veçse si një gjest histerik – më të mjerin e karakterizimeve. Sot ndihet si gjest avantgard; ajo vrau personazhin e saj. Në të vërtetë, ajo e pretendonte veten si diçka më shumë se vetëm si një markë apo si një mall. Duke sulmuar pamjen e saj (flokët- rrënjën e feminitetit aq estetik) ajo tërhoqi vëmendjen tek mënyra me të cilën shoqëria jonë percepton identitetin te një grua. Në vitin 2018, ambivalenca ndaj mënyrës se si trajtohet vetja dixhitale, si të krijosh “personazhin” e dikujt, është një nyje veçanërisht e koklavitur për gratë. Rënia e hapësirës kritike midis personalitetit të individit dhe personalitetit online të tij, e fshin dallimin midis vetëshprehisë dhe vetëpromovimit. Çdo postim tani duket se bie në një kurth të rrezikshëm.

Aktualisht ne perballemi me pyetje që, deri kohët e fundit dukeshin pas në kohë. A është afirmimim i pohimit të dashurisë për veten dhe feminizëm, apo po luhet me reduktimet e lashta mizigjene të grave si objekte fetishi? Kur trendet e hashtagëve si:“U zgjova si kjo” dhe “Të famshëm pa grim” përshtaten mjaftueshëm? A i pranojnë ato presionet me të cilat gratë përballen në një shoqëri gjinore, apo thjesht mjegullojnë qëllimin e produkteve të bukurisë? Për të thyer këtë mbulesë ne duhet të pyesim: – Ku është puna? Dua të them, me të vërtetë, kush duket se punon ende? Gjithçka që shohim janë gratë me pushime-cooly “jashtë pune” gjatë ditës, dhe me fustane të mrekullueshme gjatë natës. Studiot dhe zyrat shërbejnë si sfonde për shërbime fotografike mode, shembull kuptimplotë i joproduktivitetit. Të gjitha këto gra “Woke up like this-U zgjuan kështu”– duke kapur dhe diçituruar veten, që nga çasti kur agimi filloi të zbardhë.

Konsumimi i këtyre imazheve është budallepsës. Të jesh një femër dixhitale do të thotë të lahesh ankthshëm në imazhet e të tjerëve dhe të përgjigjesh në mënyrë impotente, të pëlqesh një foto apo të përgëzosh të tjerët për bukurinë e tyre. Më budallepsës është fakti se kjo bëhet pavarësisht njohjes apo përpjekjeve për t’u afruar në brendinë e tjetrit. Selfie është një mbulesë që fsheh dy kuptimet e produktit të saj, dhe veten e vërtetë.

Selfie-t bëhen edhe më të vështira për t’u kuptuar në çastin kur dikush pyet për kë bëhen. Sigurisht jo për fotoshkrepësit e vetes, prej të cilëve ato kërkojnë punë të lodhshme, vetëmohuese, nuk jane as për shikuesin e përgjithshëm dhe përgjigjet e tyre të vakëta. Ndoshta ato bëhen për miqtë e ardhshëm, miqtë rivalë, sferën e përgjithshme të spektatorit femëror? Ose ndoshta për askënd, ndoshta ne nuk e dimë kë duam për audiencë. Ndoshta selfie-t tregojnë atë që ndodh atëherë kur një shoqëri dërgon një mesazh dhe nuk ka aty asnjë që ta dëgjojë. Ashtu si transmetimi ndëryjor i radios “Një përgjigje e thjeshtë ndaj një mesazhi thelbësor”, i cili dërgon frikën njerëzore për shkatërrimin e mjedisit të Tokës në Univers ndaj jetës së mundshme jashtëtokësore, autoportretizimi sot nuk komunikon të vërtetat unike aq sa reflekton ankthin kolektiv. Por nuk e kam fjalën këtu qe të vajtojme për mediat sociale (e mërzitshme, ç’është bërë s’mund të zhbëhet, të gjithë janë të shqetësuar, por askush nuk do të ndryshojë). Ne të vërtetë dua ta përdor këtë labirint për t’u përpjekur të gjej një kthim pas, në një tip krejtësisht të ndryshëm të autoportretizimit, një që ofron një ndërlidhje alternative (dhe më pozitive) midis karakterit, punës dhe subjektit femëror.

E di që një portret i tillë ekziston, sepse e kam parë. E kam hasur në një galeri të vogël në Buckingham Palace, në ekspozitën “Portreti i Artistit” vitin e shkuar. Cilësia dhe dimensionaliteti i kësaj pikture e dallon menjëherë atë nga pjesa tjetër e punëve të ekspozuara. Instinkti im ishte ta prekja. Ajo e cila në fillim u duk u duk si një pikturë me bojëra, ngadalë e zbuloi veten se ishte një thurje. Ky autoportret është qepur trashë, me pëlhura të pastelta, përsosmërisht të parregullta, aq sa të ngjajnë  si penele, që do ta shtypnin shpejt  individualitetin e krijuesit në kanavacë (apo në një copë). Ato duar, duart e nje artizaneje, kanë treguar aq kujdes me qepjen, një fije e kuqe lakohet lirshëm mbi gishtin e unazës (e martuar me punën e saj?). Ajo që me të vërtetë më preku megjithatë, ajo që gjeta të pashmangshme, ishte shprehja e gruas. Ajo buzëqesh, sytë e saj janë të shndritshëm dhe të qetë. Ajo ka një karizëm që shpesh i reziston gjetjes artistike dhe fytyra e saj shpreh një jetë të brendshme, në kundërshti me një personazh sipërfaqësor. Kjo është një grua që e kuptoi fuqinë e punës dhe natyrën radikale të paraqitjes së saj duke e realizuar atë. Besimi në shikimin e saj, e zhytur në llojin e vet të magjisë, duke krijuar një ndjesi prej artisteje për veten, ndërsa ajo në mënyrë aktive ndërton auto-imazhin e saj. Mishërimi në atë auto-imazh, qendror për të, është puna. Puna si njësi dhe puna brenda në njesi, janë të padallueshme.

Më duhet ta pranoj, data më habiti, viti 1779 në Britaninë e Madhe – ende jo në UK – ishte një kohë thatësire, ​​Revolucioni Amerikan, vdekja e Kapitenit Cook dhe të drejtat e kufizuara për gratë. Megjithatë, një qendër kulturore e sapoçelur po hidhte shtat në qendrat urbane dhe Mbretëresha Charlotte po tregonte një interes të veçantë për artistet gra. Pikerisht gjatë kësaj kohe Mary Morris Knowles shkoi në Birmingham dhe filloi të bënte emër. Mary Morris Knowles: Quaker “kuokërse”, (Quaker-Lidhje Kristiane), abolicioniste, poete, mentore, avokate e të drejtave të grave dhe edukimit të tyre. E vetësigurt, me një sens humori disi të thatë, ajo ishte shumë më përpara kohës së saj. Pas vdekjes së fëmijës së saj të sapolindur, ajo shkroi vargje epike që tregonin përvojën e një gruaje gjatë punës. Pas një debati mbi të drejtat e grave me Samuel Johnson-in (i cili e quajti atë një “zuskë e vogël”, ndërsa ajo me vendosmëri argumentoi se “shpirtrat nuk kanë seks”), ajo pati anën e saj të historisë të printuar në revistën Gentleman’s. Kur i kërkuan një poemë për ta gdhendur brenda një kutie duhani, ajo bëri të dukshme koston njerëzore të pirjes së duhanit, duke shkruar “sikur duart që e rritën këtë favorizim të së keqes / të humbasin në mëshirë dhe skllavi të lirohet!” Kur u tha që gratë nuk kishin nevojë të studiojnë shkencën, ajo shkroi një satirë mbi përfitimet e kimisë në përpjekjet e një amvise në pjekjen e gatimeve. Knowles kuptoi se si të bënte ndryshimin nga brenda, puna e saj ekzistonte në hapësirën mes argëtimit dhe provokimit, bukurisë dhe rebelimit. Ajo e pa vendin e saj në kontekstin kulturor në mënyrë të qartë, dhe kulturën që ajo prodhonte e bashkërendoi, duke e vënë në shërbim të qëllimit të saj.

Kjo më sjell përsëri në autoportretin e saj. Në vitin 1771 Mbretëresha i kishte kërkuar Knowles-ës të kopjonte një portret të Xhorxhit të III-të duke përdorur teknikën e saj unike të “pikturës së gjilpërës”. Kur Knowles prodhoi një interpretim të bukur të pikturës, Mbretëresha e pagoi shtrenjtë punën e saj të dorës dhe i kërkoi të bënte një imazh tjetër sipas zgjedhjes së saj. Knowles zgjodhi të bënte një autoportret, një përgjigje e mençur për komisionin e Mbretëreshës. Ajo na tregon Knowles-ën në punë, në kopjen origjinale, imazhin e Xhorxhit të III-të, duke zgjeruar pamjen jashtë kornizës origjinale. Ka të gjithë humorin e zymtë që zakonisht shoqëron pjesën metatkstuale. Por kjo është gjithashtu një formë prove, një këmbëngulje ndaj gruas që qëndron pas punës. Imazhi që ajo është duke qepur është i rëndësishem, por burri që përshkruhet nuk është Xhorxhi-sovrani (një njeri me kapital) është vetëm një koleksion i turbullt temash, të mbajtura së bashku nga kjo “piktore e gjilpërës”, nga kjo grua që refuzoi feminitetin pasiv. Në këtë kuptim, Knowles është gjithashtu një vrasëse e personazhit – ajo shkatërron konceptin e kulturës së saj të “personazhit” femëror, me qëllim që të zbulojë individualitetin e saj, personazhin e saj të brendshëm.

Dhe kështu ekziston ndjeshmëria e gjithë gjësë, dija se çdo fije kishte kaluar nëpër gishtat e vërtetë të Knowles-ës, po aq sa dhe në pikturat e saj. Menjëherë pas martesës, Knowles shkruante se refuzonte të bëhej “një makinë e varfër pasive … thjesht një grua që buzëqesh”. Piktura e gjilpërës është antiteza e punës së makinës. Insistimi është në mjeshtërinë njerëzore kundrejt produktivitetit të makinës qepëse. Qepja ishte diçka që gratë duhej të bënin për të shpërqendruar veten, për të kaluar kohën. Nuk ishte serioze, dhe sigurisht nuk ishte një punë. Ashtu si selfie-t e sotme, qepja ishte menduar të ishte nje punë pa një fund. Sidoqoftë, Knowles, përmes vetëpërfaqësimit të saj, këmbënguli në sfidimin e vetë konceptit të “punës së grave.” Ashtu si thurjet e Anni Albers, që do të krijoheshin pothuajse dy shekuj më vonë, qëndisja e Knowles-ës pozicionon shëmbëlltyrën e zanatit të shtëpisë në sferën e artit të lartë. Përshkrimi i punës së saj në media e legjitimonte atë. Ajo krijoi një testament, si për mediat e saj, ashtu edhe për veten e saj si artiste. Dhe, si testamenti, imazhi rezultues lihet si një trashëgimi për gratë e këtij brezi shekuj më vonë. Ajo tregon rëndësinë e zotërimit të një imazhi dhe të shfaqjes së veprës së dikujt, të parashtrimit të pretendimit ndaj procesit, po aq sa ndaj rezultatit.

Ka diçka tjetër të lidhur me materialin e kësaj, fizikisht dhe ideologjikisht. Fijet e Knowles-ës gërshetohen së bashku në një imazh të një gruaje që po i tërheq. Siç do të argumentonte Clifford Geertz, njeriu është “një kafshë e mbetur në rrjetat e domethënies” në kulturat e krijimit tonë. Deformimi i përjetshëm i Melville-it dhe shthurja. Ka një mënyrë për të kuptuar individin si të lidhur me ata përreth tij, dhe të bllokuar në këtë gërshetim të madh kulturor. Nëse kultura dikton parametrat e mendimeve tona, bisedës dhe produktit artistik, atëherë ajo na lidh në një vend. Ajo që Knowles u përpoq të bënte, nuk ishte që të shënjestronte apo të priste ato parametra, por të shihte përtej tyre dhe, duke bërë kështu lirimin e disa prej lidhjeve të tyre.

Në momentin tonë të tanishëm, kur rrjeti është gjithnjë e më i pranishëm dhe gjithnjë e më i ngurtë, nyjet që jemi duke endur rreth vetes sonë marrin më shumë rëndësi. Nga ana tjetër, ato kërkojnë një shqyrtim më të kujdesshëm, në mënyrë që i gjithë modeli të bëhet më i dukshëm, më i gjurmueshëm. Në vend që të paketojmë veten tonë si mall, a mund të rimarrim kontrollin mbi produktin tonë të imazhit? A mund ta thyejmë monotoninë makinerike të këtyre fotografive, përmes së cilave ne jemi të prirur vetëm drejt krizës, dhe të ripërtërijmë ndjenjën e prekshmërisë, të një fijeje të punuar me dorë? Si mund ta përsërisim “punën e grave” si një deklaratë artistike edhe një herë? Edhe nëse një e vërtetë e përsosur është e pamundur të përfaqësohet, ekziston fuqia që të gjendet brenda autoportretizimit tonë. Vete Knowels, në fillim të autobiografisë së saj, në mënyrë satirike propozoi të ndërmerrte “një skicë të vogël për veten time, për t’u kursyer … [të tjerëve] telashe” duke argumentuar se “nëse unë jam biografi i vetes sime, kjo nuk është më shumë se ç’kanë qenë para meje disa heronj, filozofë, shtetarë dhe bardë… Ashtu siç ata mendonin mençurisht… kështu që… unë mendoj, se… është … shumë më e besueshme… që të kenë vizatuar auto-portretet e tyre.”

India Ennenga është aktore dhe regjisore në New York.

Autoportretin e Mary Morris Knowles e gjeni këtu:

https://www.rct.uk/collection/11912/needlework-picture

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Feminizëm

Go to Top