PËR VDEKJEN, PA E TEPRUAR- Wislawa Szymborska
Ajo s’ia thotë nga shakatë,
as nga yjet, as nga urat,
as nga thurja, minierat, lëvrimi i tokës,
ndërtimi i anijeve, as nga gatimi i ëmbëlsirave.
Në planet tona për të ardhmen,
ajo ka fjalën e fundit
gjithmonë jashtë teme.
Nuk di të qullosë as gjërat
që kanë të bëjnë me artin e saj:
të hapë një varr,
të bëjë një arkivol,
dhe të pastrojë mbetjet.
E dhënë e tëra mbas vrasjes,
bën kuturu ç’t’i dalë përpara,
pa metodë, me vrazhdësi.
Sikur çdo vrasje ta kish për herë të parë.
Sigurisht që ka edhe fitoret e veta,
por sa shumë humbje, ama,
sa goditje të dala huq,
sa synime për t’u përsëritur!
Ndonjëherë nuk arrin
as të rrëzojë një mizë në fluturim.
Dhe sa e sa larva
e kanë lënë në bisht.
Por edhe qepujkat, bishtajat,
antenat, gjethet e palmës, verzat,
puplajat martesore, gëzofët dimërorë,
dëshmojnë për vonesën
në punën e saj të flashkët.
Gjithë pabesia nuk do mjaftonte,
as ndihma jonë në luftëra e revolucione,
të paktën tani për tani.
Brenda vezëve ka zemra që rrahin.
Skeletet e foshnjave rriten.
Farat arrijnë të bëhen gjethe.
E ndonjëherë pemë të mëdha mbi horizont.
Gjithkush që pretendon se ajo është e gjithëfuqishme,
është prova e gjallë
që nuk është aspak kështu.
Nuk ka jetë
që të mos jetë e pavdekshme
qoftë edhe për një çast të vetëm.
Vdekja
arrin gjithnjë me vonesë tek ai çast.
Më kot lëviz ajo dorezën
e derës së padukshme.
Ç’kemi mundur të bëjmë
nuk mundet dot ta zhbëjë.
Përktheu: Alket Çani
FILLIM HISTORIE-Wislawa Szymborska
FILLIM HISTORIE-Wislawa Szymborska Bota nuk është kurrë gatipër lindjen e një fëmije. Anijet tona ende