Bisedë me Tinka Kurtin për librin e saj me poezi “Më quaj Izmir”. Ky është libri i parë i saj. Poezitë janë të prekshme, lindin nga realiteti i përditshëm; i Prishtinës dhe i Vjenës ku ajo jeton së fundmi, kanë sinqeritet, delikatesë, edhe në vendet ku mendimi peshon. Megjithatë një lexues i vëmendshëm do të lexonte nën vargje, por shumë nën to, edhe një lloj dorëzimi të pabujë ndaj gjërave që nuk shkojnë. Tekefundit nëse realiteti do të ishte i përsosur, nuk do të ekzistonin poetët.
Revista ju sugjeron ta lexoni këtë libër. Leximi i tij do të ishte një akt rebelimi dhe mospranimi ndaj poezisë banale që ndiqet nga numra të frikshëm K-ësh në rrjetet sociale, ndërkohë që poezia e mirë, arti i mirë, sa vjen dhe bëhet gjithmonë e më i padukshëm.
Bisedoi: Arlinda Guma
Arlinda Guma: A mund ta përshkruani atmosferën në të cilën janë shkruar këto poezi? Gjendjen shpirtërore; tuajën, të motit, të qytetit… të izmirëve…
Tinka Kurti: Poezitë në libër janë shkruar në kohë të ndryshme. Disa mbi një dekadë dhe disa muajve të fundit. Disa janë prej të njëjtës gjendjeje por e cila është në ndryshim të vazhdueshëm. Madje aq e ndryshme sa më duket se kjo është e dallueshme edhe gjatë leximit të poezisë. Këto gjendje nuk janë të shkaktuara për shkak të shkrimit vetë por më tepër shkrimi ekziston për hir të tyre, janë shkak i rastit, tregues i jetës. Në njëfarë forme, e përbashkëta e të gjithave si përjetim është një shfrytëzim i vetes, i jetës sime, mendimeve, njerëzve të mi, historive që di, që dëgjoj, që gërmoj, që nuk i harroj dhe që i stërholloj nëpër kujtime dhe imagjinatë. Dhe sigurisht, nuk janë ngjarjet por imtësirat ato që e përbëjnë shkrimin e këtyre poezive. Këto janë jo vetë jeta por ndoshta ajo pjesë e jetës e përjetuar letrarisht.
Megjiathatë, ka dy ndarje të mëdha që më ka përcjellë përgjatë shkrimit; ajo e paqetësisë dhe e betejave aktive dhe një gjendje tjetër që afrohet shumë me qetësinë, si një lloj ngadhnjimi i brendshëm. Mund të jetë i kohës, mund të jetë i moshës, mund të jetë i dorëzimit të pjesshëm nga ngjarjet e mëdha. Por për mua ka qenë një zbulim personal që shkrimi nuk është i mundshëm vetëm brenda tensionit. Me gjendjen e kundërt mund të shkruhet dhe të bartet emocion gjithashtu, veçse vetë emocionet janë më të qeta. Ta zëmë poezia “Ne” dhe “Afterparty” janë të dyja në vetën e parë shumës përbrenda gjendjeve shumë të ndryshme. Njëjtë e mendoj edhe me izmirët si subjektet lirike. Gjendje të ndryshme, me të cilat mua më lidh një raport kërkimi.
Ka edhe një gjendje, ajo që përmendni ju, e qytetit. Mendoj se jam munduar ta mbroj librin nga ajri i dëmshëm që mund të ofrohet në Prishtinë nga përditshmëria publike. Gjithashtu një pjesë e konsiderueshme janë shkruar në Vjenë.
Arlinda Guma: Letërsia e angazhuar jo gjithmonë është art. Autori duhet të jetë shumë i talentuar për t’ia dalë në të dyja. Them se në rastin tuaj sinqeriteti ju ka ndihmuar për të sjellë poezi të mirë. Dhe gjithashtu mendim. Bini dakord me mua?
Tinka Kurti: Ushtrimi i të drejtës së shprehjes kërkon shumë sakrificë, madje edhe punë. E pas gjithë këtyre ndërmarrjeve, a ia vlen të mbledhësh guximin e nevojshëm për kalimin nga privatja të publikja, pra, për botim, që të mos shprehësh asgjë thellësisht të vërtetë? Meqë janë poezi është vështirë të ndërtosh strategji dhe ta tjerrësh idenë më përpara. Mbase edhe kjo ka sjellë sinqeritet, siç e quani ju, për çka më vjen mirë sepse forma të tjera dhe të kundërta me këtë dominojnë në narrativën publike në Prishtinë. Megjithatë unë nuk i quaj as i kategorizoj si të tilla. Thjesht më duket si mënyra e vetme e mundshme për t’i shkruar këto poezi, me përjashtim të dy – tri që mund t’i kishin disa versione. Sidoqoftë është një element edhe spontan por jo krejt, është i qëllimshëm në një pjesë gjithashtu. Është përdorimi i fjalëve të thjeshta. Më ka ndodhur ndonjëherë që të shkruaj e mbërthyer pas ndonjë fjale. Por në shumicën absolute të këtyre poezive jo. Për shembull, në dilemën nëse duhet ta titulloj “Flutur” apo “Metamorfozë” unë zgjedh të parën. Një fjalë e njohur prej fëmijërisë së hershme më duket se flet më shumë për ndryshimin sesa një fjalë e mësuar në moshë më të madhe. Përfshin më shumë. Ky ishte një rast kur qëllimshëm thjeshtova diçka por në tërë procesin e shkrimit ka ardhur në formë natyrale, ikja nga fjalët “e rënda”.
Arlinda Guma: Në një prej poezive tuaja ju shkruani se Prishtina nuk ju pengoi që të merrnit udhën e mërgimit. Përse? (Përgjigjia mund të jetë e drejtpërdrejtë, metaforike, e nënkuptuar, surreale. Revista i mirëpret të gjitha llojet e tyre.)
Tinka Kurti: Prishtina pothuajse nuk kursen askënd që ka pasur një lidhje me të. Jo vetëm që të lë të lirë por edhe të shtyn në ikje. Veçse mandej të ndjek pas. E kam parë tek shumë të tjerë para meje. Prishtinën si poezi mund ta shkruaja në disa versione. Ky qytet nuk është i njëjtë. Unë mendoj se Prishtina i ka të dyja, afrimin dhe përjashtimin. Disa e përjetojnë njëjtë por me renditje të kundërt; përjashtimi dhe dikur vjen mikpritja. Sa më pak ta ngacmosh aq më e sigurt je që ka një vend për ty. Por Prishtina po ndryshon aq shpejt në klimën e saj saqë është e vështirë të flasësh për të pa e demantuar lehtë.
Arlinda Guma: Në poezinë tuaj me titull “Më quaj Izmir,” të cilën nuk di pse nëndërgjegjia ime e lexon “Më quajnë Izmir”, ju keni një varg shumë të fuqishëm, një sarkazmë tronditëse do ta quaja: “nëna ime humbi shumë kohë në redaktimin e letrës së vetëvrasjes”… e cila e thekson më shumë ndjeshmërinë e autores ndaj personazhit në fjalë. Duke qenë se kjo mënyrë të shkruari më përket, por që me trishtim konstatoj se ajo (ironia) është e vështirë për t’u perceptuar nga lexuesi shqiptar në një poezi (dhe në letërsi në përgjithësi), dua t”ju pyes për shkaqet sipas jush. Izolimi? Mungesa e gjatë e kontaktit me letërsinë dhe mendimin bashkohor? (Do të doja të mos ishit diplomatike në përgjigje.)
Tinka Kurti: Ironia si element jashtëzakonisht i rëndësishëm i mendimit mendoj se përthithet edhe nga lexuesi shqiptar por mbase si krijim është më e rrallë. Arsyeja e parë është shfajësuese dhe merren parasysh rrethanat historike e politike. Nën diktaturë dhe nën okupim është e mundshme sepse krijimi gjen gjithmonë mënyra kreativiteti por sigurisht është shumë më e vështirë të përdoret. Rrethanat historike sociale e përcaktojnë gjithashtu, andaj në një letërsi ku është e shpeshtë fjala “uri”, “mjerim”, “pushtim”, është zor të ketë edhe ironinë përkrah. Jo vetëm për ketë por edhe për këtë arsye, një Céline dhe një Houellebecq mund të dalin nga shoqëria franceze më lehtë sesa nga një tjetër.
Kurse aryeja e dytë është akuzuese. Zotërimi i ironisë dhe komunikimi nëpërmjet saj, qoftë në letërsi apo në përgjithësi në jetën publike, flet për nevojën e një kulture të gjerë dhe ndoshta të hershme. Edhe kjo mund të jetë shfajësuese derisa nuk ka prirje me u përdor në një formë të dobët që është korruptim i këtij elementi të mendimit pra. Mungesa e kësaj aftësie ka bërë që ata që duan të jenë ironikë, të bëjnë një kapërcim banal duke mos qenë as cinikë por bullizues me kreativitet bazik. Mjerisht, është lehtësisht e dallueshme që të njëjtit kanë qenë të bullizuar vetë fillimisht. Në Kosovë gjenden lehtë, mjafton ta kesh një telekomandë. Aty është edhe burimi i shumë temave të tjera që ose e mbysin letërsinë ose mund ta zgjojnë në formën më ironike të saj.
Arlinda Guma: Po te poezia “Më quaj Izmir”, disa vargje që gjithashtu më bënë përshtypje:
jam një poezi e mjegullt
rivale e festivaleve
me gjasë jam analfabet
por di që poezia është një vdekje e vogël.
Dua të ndalem te vargu i fundit. Sa herë e keni prekur këtë vdekje të vogël ndërsa i shkruanit këto poezi?
Tinka Kurti: I njëjti varg është përmenduar edhe gjatë promovimit. Për të vazhduar me metaforën, të cilën po ma mundësoni me pyetjen tuaj, vdekja e vogël mbyll një jetë të vogël, të shkurtër. Megjithatë, me të gjitha ciklet. Këto poezi u shkruajnë disa jetëve, disa realiteteve, në të cilat vihet deri te ajo pika e fundit që vjen pas rrëfimit të një historie kur janë kryer të gjitha me sukses, procesi i jetimit, ngjarjet e reja, harrimi i padëshirueshëm, kujtimi, harrimi i dëshirueshëm, ripërjetimi, pranimi, falja e tjetrit, apo e vetes, rikuptimësimi dhe në fund shkrimi. Aty mbyllet. Sigurisht ky është vetëm një kuptim i kësaj vdekjeje të vogël, për të cilën sa më shumë që flas ndiej se e zvogëloj më shumë. E kam krejt të qartë e të freskët edhe një kuptim tjetër pse e kam përdorur por po shkoj drejt shpjegimit të poezisë, gjë që është diçka që në fakt dua t’i shmangem, pasi prej të gjitha zhanreve, ndoshta ka më së paku nevojë për ndërmjetësim në lexim.
Arlinda Guma:
Zonja u bëmë kur mësuam se edhe ne mund të humbnim
njerëzit
në varrime
dhe dasma.
Ka ca mendime ekzistencialiste këtu… sidomos në vargun e fundit.
Tinka Kurti: Është një homazh për humbjen, qëndresën përballë saj. Por humbjen përballë pasigurisë. Është për atë që zakonisht quhet forcë për të cilën subjekti është i pavetëdijshëm që e posedon deri në momente të sfidës reale. Është për humbjet e para në jetë, atëherë kur ende jetën, njerëzit në të dhe çdo lloj burimi gëzimi, i ke gati të mirëqena. Është lajm për të papriturën dhe është një lavd i forcës njerëzore. Është për atë dobësi dinjitoze kur e pranon humbjen, vdekjen, me përmasat që vjen dhe ke prekur fundin ndoshta pa qarë. Është për atë vuajtje që e rrit shpirtin, të cilën unë e kam parë të ndodhë dhe kjo nuk është një histori personale. Personal është përjetimi im si dëshmitare rreth kësaj rritjeje dhe gjurmët që besoj lënë te njerëzit historitë e ngjashme.
(Arlinda Guma: Ato vargje i kam veçuar jo për t’ju pyetur për personalen por sepse shprehin universalen, më pëlqyen në veçanti edhe sepse shprehin aq sa do të shprehnin vëllime të tëra filozofie.)
Tinka Kurti: Ju falënderoj për këtë vlerësim. Sigurisht që personalja është vetëm ajo nisje për t’i shkruar diçkaje të madhe që vlen universalisht, ndryshe do të kishte ditarë dhe jo libra. Humbja por edhe pasiguria prej aksidenteve jetësore nuk janë përjashtuese për asnjë njeri.
Arlinda Guma: Në poezinë tuaj “Letërsia e burrave” ju shkruani “se gratë i lexuan burrat por jo burrat gratë.” Përtej metaforave dhe kuptimeve të shumëfishta, edhe unë konstatoj që shkrimtarët burra i lexojnë më pak shkrimtaret gra. Sipas meje ka të bëjë me mendësinë se letërsia është “punë burrash”. E mendoni kështu?
Tinka Kurti: Kjo është më e lehtë për t’u përgjigjur pa vazhdimin e metaforave. Gruaja në radhë të parë është lexuese më shumë sesa burri. Ka edhe statistika dhe analiza ndërkombëtare për këtë punë. Në Kosovë dhe Shqipëri, nuk e di me saktësi, por për ta mbështetur tezën po përmend një artikull të vogël e të moçëm për bibliotekën e Ferizajt, ku edhe aty kishte më shumë lexuese vajza. Për referencë kemi edhe rezultatet e PISA-s, ku nxënëset kanë më shumë pikë në rezultatet e leximit sesa nxënësit. Mendoj se askush nuk befasohet me këtë. Dallimi në statistika edhe në analiza globale thellohet sidomos për letërsinë. Dhe në fund, kë lexojnë këto lexuese? Cilët janë librat që më së shumti kemi lexuar? Të autorëve burra. Prej të gjitha llojeve, klasikë, fitues nobelash, bashkëkohorë, vendorë… Por gratë i lexojnë edhe autoret gra. Këtu është përparësia e dyfishtë e grave. Në statistika të përgjithshme lexojnë më shumë dhe pavarësisht gjinive. Kurse lexueshmëria totale e burrave flet për shifra më të vogla dhe më selektivë në gjini. Mendësia si “punë burrash” është në të gjitha sferat publike. Por fakti që libri është më shumë në dorën e grave është shumë domëthënës pasi leximi është një veprim aktiv.
Sigurisht gratë janë duke lexuar çdo ditë e më shumë gra, madje gratë po lexohen edhe prej burrave më shumë sesa më parë por diferenca mbetet ende. Këtu e shoh unë përparësinë e grave. E njohin mendimin dhe krijimtarinë e burrave dhe të grave.
Arlinda Guma: Ç’ndjesi provuat në çastin kur e morët në duar librin tuaj të parë me poezi?
Tinka Kurti: Ditën e parë që doli ishte dita e promovimit. Natën më doli gjumi dhe instiktivisht mendova se është tek anësorja e krevatit. Kisha nevojë me lexu prej tij. Mund ta pohoj se nuk e kam besuar asnjëherë krahasimin që u bëhet librave me lindjen e një fëmije. Dhe duke mos e besuar as nuk më ka pëlqyer. Por në atë moment zgjimi ishte një fije e vogël, e krahasueshme me ndjesinë kur sjell një bebe në shtëpi apo netët në spital pas lindjes. Përsëris, jo e njëjtë por një fijëz e vogël e krahasueshme me të.
Arlinda Guma: Si e parashikoni të ardhmen e këtij libri?
Tinka Kurti: Ëndërroj që ndokush të dijë përmendësh poezi nga libri.