Kleopatra-MARIO BENEDETTI

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

MARIO BENEDETTI 
(Montevideo, 1920 – 2009)

Duke qenë e vetmja femër midis gjashtë vëllezërve, më mbanin si ujët e paktë në familje. Vëllezërit më kishin (ende më kanë) të shtrenjtë, veç më bezdisnin shumë me ato shakatë e tyre të rënda mbi veçoritë e gjendjes sime femërore. Shkëmbenin qyfyre me njëri-tjetrin duke më shpotitur mua, por, menjëherë pendoheshin, sidomos kur unë, e pafuqishme, ia plasja të qarit; kësisoj, pastaj më përkëdhelnin e më puthnin dhe më thoshin: – Moj, Mersedes, nuk e kupton që ne bëjmë shaka?
Vëllezërit e mi kishin plot shokë, midis të cilëve ishin edhe Dionisi me Huanhon, që më dukeshin shumë simpatikë dhe më trajtonin me dashuri, sikur të qenkësha motra e tyre e vogël. Ishte edhe Renatoja, i cili më bezdiste sa herë që mundte, por që kurrë nuk arrinte të pendohej si vëllezërit e mi. Unë e urreja, pa e falur kurrë, dhe kisha përshtypjen se kjo urrejtje ishte reciproke.
Kur u bëra një vajzë në kohë të vet, prindërit më lejuan të shkoja në festa dhe vallëzime, por gjithmonë e shoqëruar nga vëllezërit. Këta kryenin rolin e një Cerberi zemërgjerë, pasi, shpesh, edhe ata edhe unë, të kredhur në zemër të poteres festive, secili dëfrehej për llogari të vet, dhe kujtoheshim vetëm kur vinin e na kërkonin për t’u kthyer në shtëpi.
Nganjëherë vinin me ne edhe shokët e tyre bashkë me vajza, me të cilat ata, në një farë mënyre, qenë pleksur. Në ato mbrëmje të nxehta edhe unë kisha miqtë e mi që më vinin rrotull, ama ç’është e vërteta, do të kisha preferuar Dionisin e sidomos Huanhon, i cili më dukej më i bukuri. Ata më merrnin për të vallëzuar e nganjëherë më bënin ndonjë “propozim të pahijshëm”. Gjithsesi, për ata unë, gjithmonë, vazhdoja të isha ende vajza e vogël edhe pse gjokset e mi po bënin përpjetë, edhe pse beli im, që ndoshta nuk ishte tamam ai i një arrëze, ishte si beli i bletës mbretëreshë. Renatoja vinte më rrallë në këto mbrëmje ahengu, por edhe kur vinte, ne nuk e shikonim. Mëria vazhdonte të ishte reciproke.
Në karnavalet e 1958-s të gjithë u maskuam me kujdes, falë ndihmës së papritur të mamasë e mbi të gjitha të teze Ramonës, e cila ishte modiste. Kësisoj, vëllezërit e mi u pajisën me maska e, me radhë sipas moshës, u bënë; një moskëtier, një pirat, një famullitar, një marsian dhe një skremist. Unë u bëra Kloepatra dhe, që askush të mos e merrte vesh se kush isha, vura edhe një gjarpër plastik rreth qafës. E dija mirë se historia flet për një nepërkëz, por në mungesë të asaj nepërkëze, gjarpri plastik ishte një zëvendësues i mirë. Mamaja u skandalizua pak, ngaqë më dukej kërthiza, por një nga vëllezërit e mi e qetësoi: “Mos u shqetëso mama, askush nuk ka për t’u tunduar nga kjo kërthizë si e një të sapolinduri.” Unë gati sa nuk ia plasa të qarit me atë shaka dhe ia dhashë me një grusht mu në stomak tim vëllai, grusht që e la për një çast pa frymë. Pastaj, duke kujtuar dialogët e vjetër, i thashë: “Më fal, vëllaçko, por nuk qe kushedi çfarë. Mos i merr seriozisht goditjet e mia të karatesë.”
U veshëm dhe vendosëm maskat. Unë kisha një maskë të praruar që shkonte me gjoksoren e artë të Kleopatrës. Kur u futëm brenda (ishte një klub në Malvin), u dëgjuan murmurima habie, madje pati edhe duartrokitje. Dukeshim si një sfilatë modelesh. Si gjithmonë u shpërndamë dhe unë, për t’u zbavitur sa më shumë, u futa thellë. Vallëzova me një arlekin, me një zbutës kafshësh, me një shërbëtor, me një palaço dhe me një markez. Ndërsa isha në kulmin e zdërhalljes, duke vallëzuar me një shimpanze, papritur, një mbretuc kuqalash, me një figurë të mirë, më hoqi nga krahët leshtorë të primatit, dhe nuk më lëshoi më, gjithë natën. Vallëzuam tango, më shumë rumbë, bolero, milonga, dhe u shkundëm e u bëmë telef nga tërmeti i rock-and-roll-it të sapodalë. Partneri im mbante një maskë të llangosur me bojë që i shkonte nofkës së tij Fytyrë Vijëzuari.
Nga maska e tij dilte një zë i zorshëm që dukej sheshit se nuk qe zëri i tij i vërtetë. Megjithatë, qysh në çastet e para isha e sigurt se ai ishte Huanhoja (midis treguesve të tjerë, më fliste në emrin tim të vërtetë) dhe zemra nisi të rrahë me forcë. Në atë klub kurrë nuk merrnin orkestër, ama kishin një ekip të mrekullueshëm buçitës që i ndryshonte llojet e muzikës, me qëllim (ashtu e kishin udhëzuar) që t’i kënaqte të gjithë. Ndërsa isha duke pritur, çdo pjesë e re pritej me duartrokitje dhe britma ovacioni, por për atë që vazhdoi ndodhi krejt ndryshe; në fillim ulërimat e gëzimit, pastaj duartrokitjet. Kur mbërriti radha e boleros, mbretuci më tha: – Kjo është kot fare! Dhe, papritur, më mori për dore e më çoi jashtë, në kopsht, që në ato çaste ishte dënga me çifte, secili në një qoshe të errët. Besoj se erdhi koha që të takohemi kështu, Mersedes, sepse tani je bërë një femër e vërtetë, më tha. Pa më pyetur fare, më puthi, gjë që mua m’u duk një mrekulli. Iu përgjigja puthjes me puthje, me një uri të madhe. Ai më mbërtheu për beli dhe unë iu kalavara për qafe me krahët e mi prej Kleopatre. Mbaj mend se po më bezdiste gjarpri prej plastike, prandaj e hoqa dhe e flaka mbi udhëzën prej gurishte, me shpresë se dikë do të trembte.
U puthëm e u puthëm, ndërkohë që ai më murmuriste gjëra të bukura te veshi. Po ashtu, herë pas here, më ledhatonte kërthizën e Kleopatrës, për të cilën them me siguri se nuk iu duk si kërthiza e një të sapolinduri. Të dy ishim mjaft të eksituar, ndërkohë që dëgjova zërin e njërit prej vëllezërve; kishte ardhur koha për t’u kthyer në shtëpi. Do të kishte qenë më mirë sikur të ishe maskuar si Hirushja, më tha Fytyrë Vijëzuari, pothuaj me inat. Kleopatra nuk kthehet kaq herët në shtëpi, vazhdoi ai. Këto fjalë i tha me zërin e tij të vërtetë, ndërkohë që hoqi edhe maskën.
Atë çast do ta mbaj mend si çastin më fatzi të rinisë sime. Tashmë edhe ju do t’i keni rënë në të; nuk ishte Huanhoja, por Renatoja. Renatoja që, tashmë kishte hequr maskën e tij prej mbretuci dhe kishte vënë maskën tjetër, atë të fytyrës së tij të vërtetë, atë fytyrë që unë gjithmonë e kisha urryer dhe që vazhdova edhe për shumë kohë ta urrej. Edhe sot, tridhjetë vjet pas asaj nate karnavalesh, ndiej se mbijeton brenda meje, një fije e hollë e asaj urrejtjeje, gati e pakapshme. Pra, ende edhe sot, edhe pse Renatoja është burri im.

Përktheu: Bajram Karabolli

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

Një orë- Erich Fried

Një orë- Erich Fried M’u desh një orëpër të korrigjuarnjë poezi që

Harta-Wislawa Szymborska

Harta-Wislawa Szymborska E sheshtë si tavolina ajo është vendosur mbi të. Asgjë
Go to Top