Antonela-Frederik Hetmann

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Frederik Hetmann

Klausi i pëlqen autoambulancat. Ato ecin si furtunë nëpër rrugë. Janë me ngjyrë akull të bardhë. Kanë të pikturuar një kryq të kuq vezullues. Sirena mund të dëgjohet deri larg. Mbi to llamburit një dritë blu.

Klausi i pëlqen autoambulancat. Pothuajse sa makinat e policisë. Gjynah që njeriu nuk shikon dot se kush ndodhet brenda në autoambulancë.

Sa do të dëshironte të ndalte një autoambulancë. Por kjo s’është e mundur, thotë mamaja e Klausit.

Nëse do mundej të shihte brenda, do të shikonte se në barelë shtrihet një vajzë. Vajza është dy vjeçe më e madhe se Klausi. I ka sytë të mbyllur. Në ballë ka një të çarë. Nga e çara kullon gjak.

Vajza quhet Antonela.

Ka ardhur me prindërit nga Italia në Republikën Federale, sepse babai nuk gjente dot punë në Itali.

Klausi ka qenë njëherë në Itali, gjatë pushimeve me prindërit. Ata bënë plazh. U lanë çdo ditë në det. Babai tha dikur: “Do shkojmë në Itali, sepse atje qielli është gjithnjë i kaltërt.”

Në Itali njerëzit flasin italisht.

Në Republikën Federale njerëzit flasin gjermanisht.

Italishtja është një gjuhë, që Klausi nuk e kupton. Gjermanishtja është një gjuhë, që Antonela mezi e kupton.

Antonela duhet ta mësojë gjuhën gjermane në shkollë në Gjermani.

Gjuha gjermane është një gjuhë e vështirë.

Në të vërtetë mësuesja qe gjithnjë e dashur me Antonelën, mirëpo një herë tha në orën e aritmetikës:

“Ç’duhet të bëjmë me ty xhanëm, kur nuk e kupton tekstin e detyrave?”

Në Itali, Antonela kishte nota të mira në aritmetikë.

Në Republikën Federale shpesh nuk dinte t’i zgjidhte detyrat e aritmetikës.

Në oborrin e shkollës, gjatë pushimit, nxënësit e tjerë nuk donin të luanin me Antonelën.

Një vajzë i tha asaj:

“Vetëm mos m’u afro shumë. Mamaja ime tha se ju itakasit[1] keni pleshta.”

Fëmijët e tjerë thirrën:

“Makaronaxhinj! Itakas!”

Antonela e kuptonte se këto ishin nofka fyese. Në barakë, ku banon familja e Antonelës, fëmijët janë gjithmonë vetëm mbasdite.

Ajo duhej të kujdesej për motrat dhe vëllezërit më të vegjël. Në mbrëmje babai dhe mamaja janë shumë të lodhur.

Në mëngjes Antonela shkonte ndonjëherë në shkollë pa detyrat e shtëpisë.

Për një kohë të gjatë mësuesja nuk e vuri re.

Mësuesja nuk e ngrinte më në mësim, sepse gjithnjë zgjaste shumë, derisa Antonela të nxirrte nga goja një përgjigje.

Nuk i përkiste më fare klasës.

Vetëm sa rrinte ulur.

Njëherë mësuesja pyeti në mëngjes:

“Kush nuk i ka bërë detyrat e shtëpisë? Ta ngrejë në çast dorën.”

Antonela nuk e kuptoi menjëherë çfarë nënkuptonte mësuesja.

Atëherë një nga vajzat gjermane drejtoi gishtin nga ajo dhe tha:

“Makaronaxheshka nuk i ka detyrat e shkollës!”

Të gjithë s’e mbajtën të qeshurën. Edhe mësuesja qeshi pakëz, kurse Antonela jo.

 Mësuesja i tha vajzës:

“Inge, ti s’duhet të spiunosh.”

Mirëpo pastaj kërkoi nga Antonela t’i nxjerrë detyrat e shtëpisë. E doli që Antonela nuk i bën detyrat e shtëpisë.

Në vjeshtë nxënësit e tjerë kaluan në klasën tjetër, kurse Antonela duhej ta përsëriste klasën e tretë.

Babai dhe mamaja i thanë:

“Ti duhet të jesh patjetër më e zellshme, Antonela. Në Gjermani të gjithë njerëzit janë të zellshëm.”

Pas pushimeve Antonelën e dërguan prapë në shkollë. Babai i tha se nëse dëgjon që mungon në shkollë, do ta dërgojë në Itali tek gjyshja.

Kur u ndanë vendet në klasë, Dora tha:

“Nuk dua të ulem pranë një makaronaxheshke.”

Mësuesja e qortoi Dorën e Dora u detyrua të ulet pranë Antonelës.

Kur mësuesja nuk po shikonte, njëherë, Dora dhe vajzat në bankën prapa Antonelës, spërdrodhën turinjtë dhe i tërhoqën flokët.

Ato edhe pëshpëritën: “Makaronaxhie”, e prapë: “Makaronaxhie.”

Sot në mëngjes Dora s’po e gjente stilografin. Ajo u tha shoqeve:

“Më iku përgjithmonë duarsh … e ka zgrapur makaronaxheshka.”

Antonela bërtiti jo, jo, por vajzat e tjera i dhanë të drejtë Dorës dhe thirrën: “Ajo e ka atë. Rast i qartë.”

Pastaj u përpoqën t’i merrnin çantën e shkollës për ta kontrolluar. Antonela e shtërngoi çantën fort pas vetes. Shpresonte se mësuesja do hynte. Vuri re, gjithmonë e më shumë fëmijë po e godisnin, po e tërhiqnin nga rrobat dhe po i shkulnin flokët. Atëherë e la papritur çantën të bjerë dhe u largua me vrap. Thjesht tutje.

Nuk e dinte ku. Përgjatë korridorit, tatëpjetë shkallëve, nëpër oborr, pa shikuar as djathtas e as majtas, në rrugë.

Antonela nuk e pa veturën që po vinte.

Shoferi s’mundi të frenonte në kohën e duhur.

Ajo u godit nga vetura.

Shoferi zbriti nga vetura dhe shau:

“Ti çamarroke budallaqe! Qorre je! Nuk i hap dot sytë!”

Njerëzit ndaluan e i thanë shoferit se nuk është fajtor.

“Po është e qartë”, pati mendimin një burrë, “andej nga vjen kjo, nuk ka vetura. Vetëm gomarë dhe mushka.”

Erdhi autoambulanca. Sanitarët e shtrinë Antonelën në barelë. Ajo lëvizi buzët dhe murmuriti diçka, por sytë ishin mbyllur.

Një sanitar i tha tjetrit: “Çfarë po tregon kjo këtu?”

“Nga ta di!” u përgjigj tjetri.

“Beson se unë di italisht? O burra, eja, jepi!”

Tani autoambulanca duhet të niset shpejt. Burri tek timoni ndez dritën blu dhe i jep gazit.

Sirena ulërin deri në kupë të qiellit. Autoambulanca kthehet si furtunë tek cepi.

Autoambulancat janë akull të bardha dhe kanë të pikturuar një kryq të kuq vezullues. Klausi i pëlqente autoambulancat. Pothuajse sa makinat e policisë. Ai pyeti mamanë e vet:

“Si do i vejë filli Antonelës kur të shërohet e të dalë nga spitali?”

Mamaja nuk e kuptoi se ku e kishte fjalën Klausi.

 

Përktheu: Gaqo Karakashi

(Kushtuar punëtoreve emigrantë dhe fëmijëve të tyre)

_______

Frederik Hetmann

1934, Breslau – 2006, Limburg.

Studioi: Ekonomi Politike, Shkenca Politike, Gjuhësi. Ishte redaktor në shtëpi botuese dhe shkrimtar në profesion të lirë.

Botoi: Tregime, poezi, romane, reportazhe.

Mori në 1965 dhe 1973 çmimin gjerman për librat për rininë.

– Antonela. Nga: F.H., Bitte nicht spucken. Reclinghausen: Paulus-Verlag 1972. Faqja 7-10.

[1] Shën. i Përk. Itakas = Italianë, shumë përçmuese.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

DËSHTIM-Janis Ricos

DËSHTIM-Janis Ricos Gazeta të vjetra të hedhura në oborr. Përherë të njëjtat.

Një orë- Erich Fried

Një orë- Erich Fried M’u desh një orëpër të korrigjuarnjë poezi që

Harta-Wislawa Szymborska

Harta-Wislawa Szymborska E sheshtë si tavolina ajo është vendosur mbi të. Asgjë
Go to Top