Album-Wislawa Szymborska-Nobel 1996
Askush në familje nuk vdiq nga dashuria.
Asgjë nga ajo e shkuar nuk mund të bëhej mit.
Romeo tuberkularë? Zhuljeta të sëmura me zemër?
Ka nga ata që u plakën dhe u mpakën.
Asnjë viktimë nga ndonjë përgjigje e pambërritur,
apo nga ndonjë letër e lagur prej lotëve!
Në fund shfaqej gjithmonë ndonjë fqinj
me “pince-nez” dhe trëndafilë në dorë.
Asnjë asfiksi brenda një dollapi elegant
nga kthimi i bashkëshortit të dashnores!
Këto korse, këto galá, mantillat,
nuk pengonin të hyje në foton e familjes.
Dhe asnjëherë në shpirtin alla Bosch skëterror!
Vdisnin me një topth në kafkë,
palosur nëpër barrela betejash.
Madje edhe kjo këtu me dekolte modeste
dhe me sytë e qarkuar si pas një soireè-je,
u derdh si një hemorragji e madhe,
jo drejt teje, o kavalier, dhe jo prej nostalgjisë.
Para fotografisë, ndoshta dikush,
por prej atyre që janë në album, me sa di unë, askush.
Dhimbjet ktheheshin në buzëqeshje, ditët fluturonin.
Dhe ata iknin të kënaqur nga një grip.
Përktheu: Arlinda Guma
______
“Pince-nez”-Syze pa skelet, përdorur në shekullin e 19-të
Bosch-Hieronymus Bosch, piktor hollandez
Mantilla-Veshje tradicionale spanjolle
Soireè-Mbrëmje, festë
Harta-Wislawa Szymborska
Harta-Wislawa Szymborska E sheshtë si tavolina ajo është vendosur mbi të. Asgjë nuk lëviz poshtë saj