Vizitë konvaleshentit-Roberto Bolaño
Është viti 1976 dhe Revolucioni është mposhtur
por ne ende nuk e kemi marrë vesh.
Jemi 22, 23 vjeç.
Mario Santiago dhe unë ecim nëpër një rrugë bardhezi.
Në fund të rrugës, në një lagje që duket si e dalë nga një film i viteve pesëdhjetë, ndodhet shtëpia e prindërve të Darío Galicia-s.
Është viti 1976 dhe mjekët i kanë shpuar kafkën Darío Galicia-s.
Ai është gjallë, Revolucioni është mposhtur,
është një ditë e bukur
pavarësisht reve të stuhisë që përparojnë ngadalë nga veriu, duke pushtuar luginën.
Darío na pret i shtrirë në një divan. Por fillimisht flasim me prindërit e tij, dy të moshuar, Zoti dhe Zonja Ketri, të cilët, nga një degë e gjelbër, mbetur pezullt në ëndrra, vështrojnë sesi po u digjet pylli.
Dhe e ëma na shikon por nuk na sheh, ose sheh tek ne gjëra që as vetë ne nuk i dimë.
Është viti 1976 dhe ndonëse të gjitha dyert duken të hapura,
në të vërtetë, nëse bëjmë kujdes, do të dëgjojmë sesi një e nga një ato po mbyllen.
Dyert: pllaka metalike, skara hekuri të blinduara, një e nga një vazhdojnë të mbyllen në filmin e pafundësisë.
Por ne jemi 22 ose 23 vjeç dhe pafundësia nuk na tremb.
Mjekët i shpuan kafkën Darío Galicia-s.
Dy herë!
Dhe një nga aneurizmat plasi në mes të Ëndrrës.
Shokët e tij thonë se ai ka humbur kujtesën.
Dhe kështu, Mario dhe unë hapim rrugën mes filmave meksikanë të viteve dyzetë
dhe mbërrijmë te duart e holla që prehen mbi gjunjët e tij, në një gjest pritjeje të patrazuar.
Është viti 1976 dhe jemi në Meksikë,
dhe shokët e tij thonë se Darío ka harruar gjithçka,
përfshirë edhe homoseksualitetin e tij.
Dhe i ati i Darío-s thotë se çdo e keqe vjen për një të mirë.
Dhe jashtë po bie rrebesh:
në oborrin e përbashkët, shiu fshin shkallët.Përktheu: Arlinda Guma
KARIERA IME LETRARE-Roberto Bolaño
KARIERA IME LETRARE-Roberto Bolaño Refuzime nga Anagrama, Grijalbo, Planeta,sigurisht edhe nga Alfaguara, Mondadori.Një “jo” nga Muchnik,