Rrugëtimi i një libri/Andrea Tarka

in Prit deri në pranverë, Bandini! by

Andrea Tarka

Si filloi e gjitha? Asnjëherë nuk nis me idenë përfundimtare në kokë, kristal të qartë.
E gjeta veten duke shkruar copëza që nuk i dija se ç’ishin, vetëm dija që ishin të miat. Kujtime nga ato, të cilat nuk duam kurrë t’i harrojmë, sepse flasin për atë që me të vërtetë jemi, më shumë sesa do të mund të flisnim vetë, edhe sikur të qëndronim me vite. Me një dëshirë të përzier për t’i ruajtur apo për t’i hedhur të gjitha në një kosh, vetëm e vetëm për të shpëtuar njëherë e mirë, në mënyrë që jeta të kishte mundësi të rifillonte nga e para. Por jo, nuk ndodh kështu, asgjë nuk zhduket përfare e as nuk mund të ruhet e pandryshuar. Jeta na i risjell kujtimet kohë pas kohe, por ato janë të ndryshme dhe i ngjajnë personit të ri që jemi bërë. Fati ndonjëherë është përcaktues, sidomos me refuzimet që aq na zhgënjejnë në ato çaste, pa e kuptuar se zhgënjimi është një portë e re e hapur.
I propozova dikujt që ndiqja në rrjetet sociale të merrte gjithçka që kisha ruajtur deri në ato çaste dhe do të isha i kënaqur vetëm të dija se ato do të shihnin dritën. Të bëheshin të dukshme edhe për të tjerë, mjaft që unë të qëndroja në errësirë. Kjo dëshirë e vogël dhe e pakuptueshme imja, për t’i parë ato që lexohen, por edhe të pëlqehen, pse jo, më shtyu të hap një llogari në rrjetet sociale dhe vazhdoja me “fiksimin” tim të të qenit anonim, pa e kuptuar pse. Kënaqësia që merrja nga lexuesit ishte e madhe, ishte e pashpjegueshme dhe e paprovuar dhe ajo që më pëlqente dhe njëkohësisht më habiste ishte këndvështrimi i ndryshëm mbi atë që unë kisha shprehur në poezitë e mia. Kjo më bënte ta kuptoja më mirë veten, të kuptoja atë që kisha shprehur në mënyrë të pandërgjegjshme. Ishte një rrugëtim i ri për të njohur veten, madje mund të them se ndonjëherë mund t’i kem mërzitur edhe lexuesit me pyetjet e mia, por ishte më e fortë se unë dhe nuk mundja ta kontrolloja. Me kalimin e kohës vetëbesimi mbi krijimet e mia filloi të rritej dhe e ndieja veten më të sigurt, megjithëse pyetjet e mia vazhdonin në çdo rast të ri që krijohej. Përsëri diçka tjetër që buronte nga brenda më “torturonte”. Doja të kuptoja nëse mund të shkruaja në prozë, sikur diçka tjetër kërkonte të dilte në dritë, ashtu siç kishte ndodhur më parë edhe me poezinë. I besoja këtij instikti, i cili më shtynte të provoja të merrja një rrugë të panjohur. Nga mund ta filloja? Cila mund të ishte tema, të cilën duhej ta njihja shumë mirë sepse njohuritë e mia në të shkruar ishin shumë të limituara dhe kështu duhej ta kompesoja me tjetër gjë. Cilat do të ishin armët e mia që do më ndihmonin ta kapërceja atë boshllëk? Nëse do të doja që subjekti të ishte i qëndrueshëm, për çfarë mund të shkruaja? Jam menduar gjatë, pa gjetur asgjë për të cilën të shkruaja me siguri dhe që të ishte me interes edhe për lexuesit. Çdo gjë është shkruar nga dikush dhe është bërë në mënyrë të përsosur, unë do të isha vetëm një kopje e shëmtuar. Në çastet kur njeriu e torturon veten me pyetje dhe dilema, përgjigjjia vjen pikërisht nga ngjarjet e jetuara toturuese. Kjo është pak ironike në fakt, që përgjigjet që ne kërkojmë fshihen tek gjërat që na kanë lënduar dhe që ne jemi përpjekur t’i largojmë.
E strukturova shkrimin në kapituj, që s’ishin gjë tjetër vetëm çastet që kishin lënë një gjurmë aq të fortë tek unë. Mendova ta nis kështu. Do të zgjidhja në fillim vendin se ku do të shkoja dhe në atë vend do të qëndroja për orë të tëra e në çastet kur nuk do të kisha asnjë mendim do të lexoja libra për të krijuar edhe njëfarë shkëputjeje me shkrimin. Njëjtë si më ndodh edhe me poezitë, pasi i kam hedhur ashtu në mënyrë të rrufeshme në letër, sa ndonjëherë e kam të vështirë të kuptoj atë që kam shkruar, u lë krijimeve kohë në mënyrë që të marrin frymë. Kur u kthehem përsëri i shoh shumë më të qarta dhe sikur frymëzohem duke i rilexuar, aq sa nis të shkruaj sërish mbi to. Kjo punë vazhdoi diku dy deri në tre muaj dhe mendova se kaq ishte, mbaroi. E hodha në kompjuter dhe përveç se shihja gjithnjë e më shumë gabime, vazhdoja të shtoja nga vetja. Ajo që kisha shkruar në fillim kur mendoja se mbarova ishte diçka më pak se gjysma e asaj që tani e kam të përfunduar, edhe pse kam frikë ta rilexoj se mund të nxjerr gabime të reja dhe gjëra të reja për t’u shtuar. Mora një periudhë pushimi duke shkëputur marrëdhëniet me punëdhënësin dhe e kisha menduar se një muaj do më mjaftonte për të bërë të gjitha rregullimet e duhura si edhe ndonjë muaj do më duhej të gjeja një botues, që do të ishte i gatshëm ta merrte përsipër në mundësinë më të mirë, ose në të kundërt, do t’i merrja vetë përsipër shpenzimet. Nga eksperienca e di, se kur një punë e quan të mbyllur (pavarësisht kohëzgjatjes), duhet të paktën edhe një muaj tjetër për ta mbyllur plotësisht. Unë në mendjen time shtova dhe dy të tjerë duke marrë parasysh që ishte një fushë ku nuk dija pothuajse asgjë. Në total bëheshin katër muaj punë intensive, njësoj sikur të isha akoma në kushte pune (8 orë punë të plota). Vendi bazë do të duhej të ishte një bibliotekë dhe më pas edhe ndonjë kafe, si për të qetësuar trurin. Nisa të studioj libra të tjerë të ngjashëm dhe kështu filloi kjo aventurë. Zgjohesha çdo ditë me motivimin e njëjtë sikur të mos e kisha ndërprerë për asnjë çast marrëdhënien me punën. Periudha e shkrimit shkoi sipas parashikimit, brenda muajit kisha arritur të bëja gati draftin e parë. Mirëpo sa herë i futesha për ta redaktuar shihja vetëm gabime dhe gjëra për të rregulluar nga ana e strukturës. Shihja se kishte disa boshllëqe që duheshin mbushur patjetër dhe po ashtu nisa të shkruaja copëza me bazë nga krijimtaria ime artistike. Pak nga pak mori formë, edhe pse zgjati pak më shumë se një muaj, sërish ishte brenda parashikimit. Për sa kohë bëja një punë krijuese, për mua ishte e parëndësishme kohëzgjatja, por në çastin kur libri po i afrohej fundit dhe duhej të mendoja për botimin, aty nisën dhe vështirësitë e para.
Kam menduar gjithmonë se botuesi është një biznesmen dhe se kërkon fitimin përpara se të kërkojë diçka artistike, apo se duhet të mbështesë letërsinë vendase në raport me atë të huaj. Nuk dua t’u futem krahasimeve sesi qëndron letërsia shqiptarë në raport me letërsinë botërore, sepse nuk e kam aftësinë për ta bërë. E megjithatë letërsinë shqiptare e shoh si diçka të veçantë që nuk mund ta gjesh tek autorët e huaj që tashmë janë zbuluar nga të tjerë dhe këtë “risi” e kam parë si një armë për një shtëpi botuese kundrejt konkurrencës. Më shumë se kjo, e shoh si një arritje për të rritur brandin dhe duke bërë pjesë të vetes sa më shumë shkrimtarë të rinj e të vjetër shqiptarë. Thënë kjo nuk kam menduar se unë duhet medoemos të pritem sikur të jem një shkrimtar i afirmuar, por ajo që më ka çuditur është fakti se botuesi nuk kërkon ta njohë krijuesin shqiptar. Në një shtëpi botuese mungon një person që të lexojë librat e rinj që vijnë me email për t’u botuar. Jo vetëm kjo, por kontaktet e vëna siç është edhe email-i duket se nuk funksionojnë sepse më ka ndodhur të dërgoj email me librin tim dhe kërkesën për një bashkëpunim dhe nuk kam marrë asnjë përgjigje. Përveç zhgënjimit si krijues, zhgënjimi më i madh vjen si pasojë e trajtimit në rradhë të parë që i bëhet njeriut. Përse duhet të shërbejnë tjetër kontaktet e vëna përveçse për autorët e rinj dhe të panjohur? Nëse do isha një shkrimtar me emër apo nëse do të kisha ndonjë “mik” që mund të më referonte, mendoj se kontaktet do të bëheshin të panevojshme. Kam menduar se të lexuarit e një libri nëpërmjet kompjuterit është i bezdisshëm, as unë vetë nuk do ta preferoja një gjë të tillë edhe sikur libri në vetvete të ishte shumë tërheqës. Shtypa disa kopje në një studio design që merret me çdo gjë, nga kartvizitat deri tek libri. Këto kopje i shpërndava tek ato shtëpi botuese që mendoja dhe lashë një numër kontakti. Asnjë përgjigje, sikur edhe një fjalë e mirë për dhurimin e diçkaje pa pagesë. Nga ky çast mendimi im ishte për të gjithë ata që njësoj si unë udhëhiqen nga një dëshirë e madhe për të shkruar. Mirëpo kjo nuk mjafton dhe një krijues duhet të sakrifikojë, por pyetja është deri kur. Deri në ç’pikë mund të sakrifikojë një krijues, i cili ndërpret marrëdhënien me punën ose jo, por që duhet të marrë kohë nga gjumi, qëndrimi me njerëzit e dashur, etj. I duhet të mbështesë financiarisht botimin e librit dhe përveç kësaj i duhet të bëjë edhe shpërndarësin, sepse shtëpia botuese nuk e bën, ose në rastin kur e bën, kundrejt një përqindjeje më të lartë, bën vetëm shpërndarjen pa asnjë marketing për ta ndihmuar shitjen e tij. Pra, botuesi është ai që ka në dorë shtëpinë botuese pa qenë biznesmen, sepse biznesi kërkon edhe një investim, një risk i marrë për një fitim akoma më të madh. Në këtë rast biznesmeni i vërtetë është vetë krijuesi. Atij i duhet të ketë idenë fillestare siç është libri, më pas duhet të punojë shumë; punë me orë të stërzgjatura, të vëjë kapital, të bëjë marketing, të kujdeset që shpërndarja të bëhet në mënyrën e duhur dhe kjo me mjetet e tij personale. A ia vlen e gjithë kjo nëse shpërblimi nuk është i kënaqshëm, edhe sikur gjithçka të shkojë mirë? Përse duhet që dikush t’i futet kësaj rruge kur nuk mundet të mbështesë as veten e tij dhe jo më të jetojë me të? Nga ana tjetër, shtëpitë botuese kanë fitime marramendëse dhe ato realisht nuk krijojnë asgjë, por nuk dua të flas për to tani. Edhe pse i kisha vënë dy muaj rezervë afatit tim për t’u marrë me këtë projekt të “çmendur”, më duhej të merrja një kohë shtesë mbi shtesën, e cila do të vazhdojë edhe për tre muaj të tjerë.
Ky është rrugëtimi i një libri, që ka lindur prej dikujt, njësoj siç lind edhe një fëmijë. Çështja është cili do të jetë fati i kësaj fëmije, nëse do të përfundojë e braktisur, me një prind që s’mundet t’i ofrojë asgjë për të ardhmen, apo nëse do të adoptohet nga dikush që mund ta marrë nën kujdesje dhe t’i ofrojë atë që çdo fëmijë meriton të ketë? E megjithatë të lindësh një krijesë është dhurata më e madhe që i është bërë njeriut dhe njeriu pavarësisht kushteve, gjithmonë do të sakrifikojë për krijesën e tij.
Unë do ta botoj vetë këtë libër dhe më pas do t’i kthehem jetës së mëparshme me një ëndërr që do të mbesë e tillë.
Libri është me të vërtetë një udhëtim shumë i bukur, ku njeriu mundet të njohë vetëm vendin prej nga u nis, pa e ditur se ç’rrugë duhet të marrë apo nëse do të mbërrijë apo jo në destinacion.

Ps: Mos harro, libri je ti.

Fund.

 

Tags:

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.