Sonata e dritës së hënës-Janis Ricos
(Fragment)
Dhe hëna, një vrimë në kafkën e botës – mos shiko ç’ka brenda,
është një forcë tërheqëse që të gllabëron – mos shiko, mos shikoni,
mbamëni vesh ç’ju them – do të bini brenda. Ky marramemdth
i bukur, i lehtë – do biesh –
një pus i mermertë hëna,
hije fëshfërijnë dhe flatra memece, zëra gjithë mister – nuk i dëgjoni?
E thellë e thellë rënia,
e thellë e thellë ngjitja,
statuja e ajërt ngjeshur mes flatrave të shtrira,
e thellë e thellë bamirësia e heshtjes, –
rrëzëllitje fërgëlluese të bregut tjetër, sikundër kalamendesh dallgës
sē vetvetes,
frymë oqeani. I bukur, i lehtë,
ky marramendth, – kujdes, se mos bie. Mos shiko mua,
fati im është kalamendja – marramendthi i shkëlqyer. Çdo mbrëmje
kam ca dhimbje koke, ca marrje mendsh.
Shpesh hidhem gjer te farmacia përballë për ndonjē aspirinë,
ndonjëherë përtoj dhe rri e duroj dhimbjet,
dëgjon nëpër mure zhurmën e zgavërt që bëjnë tubat e ujit
ose bëj kafe dhe, gjithnjë e përhumbur,
harrohem dhe bëj dy – e kush do ta pijë tjetrën?-
gjë qesharake, vërtet, e lë mbi parvaz të ftohet
a ndonjëherë e pi edhe të dytën, duke soditur nga dritarja poçin
e gjelbër të farmacisë
porsi drita e gjelbër e një treni të pazhurmë që vjen të më marrë
tok me shamitë, me këpucët e shtrembra, me çantën e zezë, me
vjershat e mia,
pa valixhe fare – e ç’t’i duash?
Lërmë të vij me ty.
Ah po ikën. Natën e mirë. Jo, nuk do të vij. Natën e mirë.
Kam për të dalë paspak. Faleminderit. Sepse, në fund, duhet të dal nga kjo shtëpi e rrënuar.
Duhet të shoh pakëz këtë qytet – jo, jo hënën –
qytetin me duart gjithë kallo, qytetin e mëditjes,
qytetin që betohet për bukën dhe për grushtin e tij
qytetin që na mban të gjithëve në shpinë
me gjithë vogëlsitë tona, ligësitë, hasmëritë,
me lakmitë, me dëlirësinë tonë dhe pleqërinë, –
t’i dëgjoj qytetit hapat e mëdha,
të mos dëgjoj më hapat e tu
as hapat e Zotit, as hapat e mi. Natën e mirë.
Përktheu: Romeo Çollaku

Asnjë teori estetike nuk ka për të na mësuar sesi krijohet poezia-Janis Ricos
Janis Ricos Ndërsa gjuha e shkencës është analitike, gjuha e poezisë është sintetike, shprehëse. Në këtë