Sa bukur do të ishte sikur çdo njeri para se të flinte të lexonte një poezi/Me poeten Zhuljana Jorganxhi

in Letërsi/Muzikë by

Atë që të jep leximi i një poezie, romani, tregimi apo novele, nuk mund të ta japë askush, sepse ato të ndihmojnë të ëndërrosh-Zhuljana Jorganxhi

Arlinda Guma: Ju jeni një poete, që keni shkruar edhe shumë tekste këngësh, që janë shfaqur së shumti në festivalet e fundvitit. Madje përmendja e emrit tuaj ishte njëfarë garancie se kënga do të ishte e mirë. Por mua më duket se ju jeni edhe ndër tê parat, që u keni imponuar muzikantëve dhe organizatorëve të festivaleve poezinë e mirëfilltë. Dua të them, jo ato tekstet e thjeshtuara të kushtëzuara nga rima, por keni ofruar poezi të vërtetë si tekst kënge. Sa i vështirë ka qenë për ju ky “imponim”? Ka patur raste kur keni debatuar për ndonjë lëmim apo thjeshtim në poezinë tuaj, në mënyrë që kënga të rridhte më mirë?

Zhuljana Jorganxhi: Në radhë të parë më lejoni t’ju falenderoj për këtë “bashkëbisëdim” me ju dhe për pyetjet që më kini bërë. Unë mendoj se një poet, ashtu si dhe një kompozitor, duhet të njohë të gjitha llojet e arteve, t’i dashurojë ato. Si p.sh., muzika sinfonike, opera, këngët, artet figurative si piktura, skulptura, teatri, kinematografia, etj. Jeta ka treguar, se kompozitorët më të mëdhenj kanë qënë të lidhur më një miqësi të madhe me poetët, shkrimtarët, piktorët, skluptorët, kineastët, artistët e skenës; me një miqësi të madhe dhe të sinqertë dhe kjo i ka ndihmuar ata në realizimin e veprave të tyre. Diskutimi i një vepre mes dy miqsh artistë, gjithmonë e ndihmon autorin e veprës. Ndaj them se miqësia mes artistëve është shumë e domosdoshme për një krijues. Çdo lloj arti ndihmohet dhe frymëzohet nga arti tjetër. Kështu ndodh dhe me këngën. Poetë si Zhak Prever, etj., kanë qenë poetë të vërtetë dhe kanë bashkëpunuar me kompozitorë të vendeve të tyre për këngë, që nuk i vjetëron koha. Kështu ka ndodhur dhe tek ne. Poetë si Dritëro Agolli, Fatos Arapi, Xhevahir Spahiu, Agim Shehu, Sadik Bejko, Natasha Lako, Betim Muço, Lirim Deda, Pandeli Koçi, Koçi Petriti, Vullnet Mato, Sulejman Mato, Viktor Qurku, kanë shkruar jo thjesht tekste këngësh, por poezi për këngë. Unë kam ecur krah tyre. Kështu dhe poetët e këngës si Gjokë Beci, Arben Duka, Jorgo Papingji dhe Agim Doçi. Si redaktore letrare nëpër festivale ose në koncertet e ndryshme me këngë në Rtvsh, gjithmonë jam munduar t’i drejtoj kompozitorët drejt poezive të botuara. Ka ndodhur që, kur poezia nuk shkonte plotësisht me muzikën, atëhere ulesha me kompozitorin dhe e përshtatja poezinë me muzikën e tij, duke e nxjerrë këngën mbi motivet e asaj poezie, por që kishte brenda tharmin e poezisë se krijuar nga poeti. Kam bërë një punë të madhe në këtë drejtim si redaktore letrare dhe nuk ishte e lehtë. Duke qenë redaktore letrare nuk merresha thjesht e vetëm me krijimin e teksteve të mia, redaktimin e teksteve të tjera, por edhe me skenarin e festivalit, të koncertit, deri tek programet ku shtypeshin në shtypshkronjën “Mihal Duri”, duke parë e korrigjuar bocat e programeve…

Duke qënë vetë poete, natyrisht kërkoja që poezinë që mbaja brenda ta hidhja mbi pentagramin e kompozitorit notë për notë. Në përgjithësi kompozitorët me të cilët kam bashkëpunuar dhe janë plejada të tëra, që nga më veteranët e muzikës, deri te ata më të rinjtë sot, për të mos prishur një figurë ose një varg të bukur timin, i kanë ndryshuar disa nota këngës së tyre, por jo të gjithë. Më zor e kanë sot të rinjtë. Ata të brezave të mëparshëm, për hir të poezisë pranonin të ndryshonin melodinë e disa notave. Duhet që fjalët të shkojnë, si të thuash, sinkron me muzikën, me emocionin që shpreh ajo. Shpesh më ka ndodhur, që kompozitorët vinin tek unë pa ndonjë ide. Kam qënë unë, e frymëzuar nga melodia e tyre, që kam zgjedhur edhe temën.  Gjithmonë kam punuar mbi melodinë e këngës. Aq shumë kam punuar kështu, sa erdhi një çast dhe nuk krijoja dot poezi pa dëgjuar një melodi.

Arlinda Guma: Keni ndonjëfarë pendese se kohën që jeni marrë duke shkruar tekste këngësh mund t’ia kishit kushtuar eksperimentimit të formave të reja të shkrimit të poezisë?

Zhuljana Jorganxhi: Po e kam një pendesë dhe e kam thënë dhe tjetër herë, që duke u marrë kaq shumë me poezinë e këngës, tekstin siç thoni ju, them që kjo më ka penguar për t’iu kushtuar eksperimentimit të formavë të reja të të shkruarit poezi. Natyrisht, në periudhën para viteve ’90 as që mund të mendohej për eksperimente, modernizma të poezisë, të rrymave, që bota i ka zhvilluar prej para shumë kohësh. Megjithatë, them se, pavarësisht kësaj “keqardhjeje” për poezinë time, ishte poezia e këngës që më bëri më të njohur tek artdashësit tanë. Kënga është dhe pak modë. Kështu çdo brez, siç ka modën e veshjes ka dhe këngët e tij të preferuara. Vjen një moshë dhe do t’i dëgjojë ato, ndoshta dhe për nostalgji, për një dashuri për kohët kur kënga është krijuar, për një kujtim të dashur, për një dhimbje që ka jetuar dikur…

Arlinda Guma: Ju keni qenë e përkorë në të gjithë tekstet që keni shkruar, por mua më kanë tërhequr më shumë tekstet që keni shkruar pas viteve 90ˊ, sepse ju atëherë patët më shumë liri dhe prekët tema të forta sociale si emigracioni, droga, etj. Dhe ato i shkruat pa inferioritetin e adhurimit pakusht të botës përtej kufijve të Shqipërisë, por me këmbët ngulitur fort në tokën tuaj. Tema që unë nuk i gjej kurrkund në tekstet e sotme…

Zhuljana Jorganxhi: Është e vërtetë kjo që thoni ju. Ndryshimin që po vinte, më shpejt se brezi im e ndjeu rinia e atyre viteve. Kështu ka ndodhur me këngën “Ne, bijtë e rinisë”, ku për herë të parë përmendet fjala “demokraci” dhe ishte kjo këngë, me të cilën hapeshin dhe mbylleshin mitingjet e rinisë studentore në sheshin sot “Demokracia”. Ishte marsi i vitit 1990, kur nipi im, kantautori Gjergj Leka (student në atë kohë tek ILA, sot Akademia e Arteve) erdhi në shtëpi dhe më tha: “Kam bërë një këngë për rininë nëpër botë, që kërkon liri dhe demokraci.” Ishin vitet kur ndodhën ngjarjet në Kosovë, shtypja e revoltës në Sheshin Tienamen, etj. Tek ne kishin ndodhur ngjarjet e Kavajës… Dhe tekstin unë e ndërtova në këtë atmosferë. Mes vargjeve, që shkrova ishin:

Sytë e bukur kudo ka rinia,

po ja dikush kërkon t’ia verbojë.

Ajo vetëm me dy gishta ngjitur lart

me atë heshtjen, që gjëmon

në botë kërkon demokraci!

 

Liri – zjarr i zemërs,

Liri – gjuhë e nënës!

O liri krah’ i ëndrrës

Në çdo gjuhë të kuptojmë!

 …                              

Jemi ne, o moj botë

Bijtë e bukur të lirisë,

ndaj dhe s’duam, që të shohim

nëpër botë dhunë dhe lotë!

 

Liberta!

Liberté

Libëti,

Frajhajt!

O, liri!

Në fillim teksti gati nuk u pranua nga Sektori i Shtypit në KQPPSH. M’u desh të ndryshoja fjalën “dikush” me “diku” dhe diçka tjetër, për të shpëtuar këngën. Kënga u këndua në mënyrën më të shkëlqyer nga i madhi Frederik Ndoci, në mars të vitit 1990, në Koncertin “Kur vjen pranvera” 1990, por vlerën e vërtetë asaj ia dhanë studentët… Po atë vit, në dhjetor, në festivalin e fundvitit shkrova për këngën e Ilir Dangëllisë tekstin “Nuk je ëndërr”, që bën fjalë për demokracinë. Kishin ndodhur demostratat e studentëve dhe unë kam qenë dëshmitare e atyre ditëve. Kënga u këndua nga këngëtarja e mirënjohur Ermira Babaliu (studente në atë kohë, me studentin Anton Joro) dhe kompleksin. Po atë vit shkrova tekstin “Jemi emri i vetë jetës” për grupin “Tingulli i zjarrtë”, kompozuar nga kantautori tashmë i mirënjohur Elton Deda (atëhere nxënës në Liceun Artistik “ Jordan Misja”). Në këtë grup bënte pjesë dhe nipi im Hektor Leka (nxënës në Liceun Artistik “Jordan Misja”). Me këtë këngë grupi mori çmim e parë si grupi më i mirë në festival.

Në vitin 1991, kantautori i mirënjohur Ardit Gjerbrea erdhi nga Italia dhe kërkoi t’i krijoja tekstin e këngës “Jon”. Në sytë e mi kishin mbetur si sot e kësaj dite ato anije mbushur me njerëz, që linin brigjet tanë drejt një jete, ku jeta të ishte jetë! Ndaj kam shkruar mes të tjerave dhe vargjet:

“Dhe sytë i kish aty gjithë Shqipëria

Ajo dinte si duronte!

Po i shkuleshin filizat…

Deti iu bë mal me njerëz

dhe toka – det me lot!”…

Po këtë vit punova me grupin “Tingulli i zjarrtë”, me autor të muzikës Alban Emirin, kënduar nga Elton Deda, tekstin “Na lini të jetojmë!”, këngë që suksesin e pati më vonë dhe këndohet edhe sot.

Arlinda Guma: Dhe meqë ra fjala: Si i shihni tekstet e këngëve të sotme?

Zhuljana Jorganxhi: Unë nuk paragjykoj askënd. Ka sot autorë të rinj, që shkruajnë bukur. Mua p.sh., më kanë pëlqyer tekstet e Rozana Radit, Roni Zykës, Olti Currit, etj. Po tashmë kam vënë re se, përveç kantautorëve me shumicë, kanë dalë dhe shumë autorë tekstesh. Kështu këngëtari është edhe autor i muzikës, edhe i tekstit. Kjo nuk më duket kaq normale. Mund të jetë një autor i muzikës, që edhe ka bërë tekstin – edhe e këndon këngën, por jo më shumë. Mendoni tani në kohën time, që i ndrituri Avni Mula të krijonte edhe tekstin e këngëve të tij, gjë që ai nuk e ka bërë kurrë. Kështu dhe kompozitorë të tjerë. Atëherë, gati të gjithë ata që krijonin muzikë ishin autorë, që kishin mbaruar Institutin e Lartë të Arteve ose shkollat jashtë shtetit. Ishin të diplomuar. Kënga vinte e shkruar në pentagram. Orkestrohej shpesh nga orkestrues të shkëlqyer si Gjon Simoni, Alqi Kareco, Robert Radoja, etj. Luhej në piano nga autori kur e tregonte këngën. Kishte një arkivë në Radio, ku arkivoheshin jo vetëm veprat e kompozitorëve, por edhe të gjitha këngët. Kështu veprohej dhe me tekstet e këngëve. Ato çoheshin nga unë në tri kopje, në dosje të veçanta, me gjithë programet e tri netëve të festivalit, në fonotekën e Rtvsh-së. Fatkeqësisht, pas vitit 1992, këto tekste u eliminuan. Nuk e di ç’është bërë me Arkivin e veprave dhe këngëve në Radio. Ajo që ishte eksperiencë e mirë e shumë-shumë viteve duhej të vazhdonte e jo të mohohej. Duket sikur nuk kemi patur histori të festivaleve në Rtvsh dhe gjithçka filloi pas viteve ’90.

Arlinda Guma: Në tekstet para viteve ’90, ka patur shumë ideologji, por pavarësisht kësaj nuk kishte tekste të rëndomta, sot nuk ka ideologji, por ka një lloj banaliteti dhe rëndomtësie që është e vështirë ta përshkruash me fjalë. Mendoni se ky është një fenomen botëror, apo ndodh vetëm tek ne si rezultat i zvetënimit të rolit të arsimit dhe raportit të largët që ka individi me librin?

Zhuljana Jorganxhi: Unë nuk jam në dijeni të gjithë asaj muzike që është shkruar e kënduar pas viteve ’90 tek ne, por që ka këngë me tekste banale kjo më ka shqetësuar. Ato këngë i dëgjojnë fëmijët dhe kjo i çedukon. Por, them se kjo është fazë kalimtare për mendimin tim. Është kultura, arti, që çon përpara një shoqëri.  Fëmijët duhet të kenë këngët e tyre. Akoma atyre iu këndohen këngët e para viteve ’90 si “Qingji i vogël” i Lekajt , këngët e Avni Mulës si “ Nënës”, “Gjyshes”, etj. Është poezia ajo që ushqen kompozitorin për një këngë dhe anasjelltas. Vërtet leximi i librit ka rënë në të gjithë botën, por unë them se atë që të jep leximi i një poezie, romani, tregimi apo novele, nuk mund të ta japë askush, sepse ato të ndihmojnë të ëndërrosh, të përfytyrosh, të zhvillojnë fantazinë, të ushqejnë të bukurën në shpirt. Sa bukur do ishte sikur çdo njeri para se të flinte të lexonte një poezi të bukur! Dikur, për fëmijët zhvillohej konkursi “Miku i librit” dhe kjo nxiste fëmijët të lexonin. Unë jam rritur më librat si “Zemra” e E. De Amiçis, me “Djemtë e rrugës Pal”   të F. Molinarit, “Pinokun” e Goldonit, me përrallat nga gjithë popujt e botës, me romanet e Dikensit si “David Koperfild”, poezitë e Naimit, Migjenit, Pushkinit, Ljermontovit, Njekrasovit, më vonë të Uitmanit, Ricosit, etj. Ishte fillimi i viteve ’60, kur pati një bum mund të thuash të përkthimeve nga autorë të huaj si Dikensi, Remarku, etj., që na ushqyen bukur me literaturë. Ishin përkthyer nga njerëz të mëdhenj si Lasgushi, Vedat Kokona, Robert Shvarci, Sofokli Papkristo, Alqi Kristo, etj. Sot fëmijët kanë mundësi shumë më të mëdha se ne. Kanë gjithë librat më të bukura të botës. Duhet vetëm t’i edukojmë brezat me dashurinë për letërsinë, artin, muzikën.

Arlinda Guma: Si lind tek ju një poezi? Me çfarë procesi do ta krahasonit? Si ju bën të ndiheni shkrimi i një poezie?

Zhuljana Jorganxhi: Varet si të vjen frymëzimi. Ai mund të të vijë duke ecur, duke dëgjuar një muzikë të bukur, nga një ngjarje që përjeton me gëzim ose dhimbje. Nuk ka receta në krijimtari, ashtu si në dashuri.

Mbarimi i një poezie mua më jep një çlirim shpirtëror. Atë që kam pasur brenda në shpirt e kam dhënë në vargje. Është një lloj çlirimi i brendshm për mua.

Arlinda Guma: Cilët janë poetët që ju kanë frymëzuar në fillimet tuaja apo edhe më pas? Nëse do të bënit një udhëtim në kohë dhe do t’i kishit përballë, çfarë pyetjesh do t’u bënit?

Zhuljana Jorganxhi: Brezi im, flas për atë të viteve pas Luftës së Dytë Botërore, u ushqye me poezi të poetëve të Rilindjes, si Naim Frashëri, Lasgush Poradeci, Mitrush Kuteli, autorëve rusë, si Pushkini, Ljermontovi, Esenini, Majakovski, me poetët dhe shkrimtarët tanë të pasluftës, si Fatmir Gjata, Dhimitër Shuteriqi, Llazar Siliqi, etj. më vonë Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Dhori Qiriazi, etj. Nga vitet 1956 dhe ’60, me Uollt Uitmanin, Janis Ricosin, etj. Fatkeqësisht autorët e huaj të kohës sonë nuk mund t’i lexonim se ishin të ndaluar. Por, edhe kur i lexonim, i lexonim fshehurazi dhe pa patur mundësi të diskutonim me njëri-tjetrin. Po nuk diskutove, edhe të grindesh me dikë për artin, mendimi atrofizohet.  Jetonte me ne autocensura, se dhe për një fjalë nuk e dije ku përfundoje…

Ishin të ndaluar. Ne ishim një brez, që u indokrinua që në çerdhe e kopësht. I kemi kënduar Stalinit, Partisë, Komandantit, qysh të vegjël. Vetëm se dua të theksoj një gjë. Në Abetaren, librin e Këndimit, nuk kishte indokrinim. Librat e Këndimit, deri në klasën e katërt ishin të konceptuar sipas mësimeve të Rilindasve tanë, me një lloj fryme iluminizmi. Me një lloj fryme njerëzore, që e mësonte fëmijën të donte dhe të respektonte prindërit, më të moshuarit, me dashurinë për atdheun, etj. Ndjenja njerëzorë dhe të bukura. Më vonë në Abetaren që iu dha nipërve të mi, pashë se, që nga faqja e parë fillonte me klasikët e Marksizëm/Leninizmit. Gjithçka ishte e thatë dhe me ca poezi, që nuk e di nga i kishin gjetur, si psh: “Xha Dani qethi deshtë/u bë një mal i leshtë/ky mal në kombinat/ u bë një fill i gjat’?”/ Tani unë qesh, por i shkreti nipi im i vogël, Hektor Leka, djali i motrës, ç’ka hequr për ta mësuar këtë palo vjershë. Kështu dhe me librin e Këndimit. Tregime me një skematizëm të papranueshëm, veçanërisht pas vitit 1967, me të ashtuquajturin “Revolucionarizimin e shkollës sonë”. U hoqën përallat e bukura, u hoq “Pinoku”, etj. Se “duhej krijuar përralla e re” etj., etj., që për mendimin tim dëmtoi shumë shkollën tonë dhe edukimin e brezave me më të bukurën.

E çfarë mund t’i thosha unë Uitmanit, Ricosit, Pushkinit, Majakovskit, Eseninit etj? Vetëm: – Si nuk shkruat dhe ca më shumë. Pushkinit do t’i thosha me shumë dhimbje : – Pse ia vlente të bëje duel për një grua? Dhe të vdisje në kulmin e krijimtarisë tënde?! Po kështu dhe Ljermontovit. Kurse Majakovskit do t’i thoshnja: – Të kam mësuar përmendësh poemën për Leninin në gjimnaz, por tani do doja të recitoja “Re me pantallona”. Po pse u vetëvrave, o i shtrenjti Vollodja?” Po këtë pyetje do ia bëja dhe Eseninit të bukur, me të cilin brezi im u dashurua shumë shpejt.

Arlinda Guma: Vazhdoni të shkruani poezi? Po tekste këngësh? Nuk e gjej emrin tuaj në tekse këngësh të ditëve të sotme…

Zhuljana Jorganxhi: Unë kam shkruar poezi dhe i kam botuar në vitin 2008 në dy vëllime poetike “Dhimbje e ndaluar” dhe “Dhimbje e bukur”, kam botuar dhe vëllimin me tregime “Edhe ata pinin çaj”. Sa për tekste të këngëve, kam shkruar, në bashkëpunim me autorë si Enver Shëngjergji, Gjergj Leka, me më të rinj, si Voltan Prodani, Lambert Jorganxhi, etj. Dhe kam qënë prezent herë pas herë në festivalet e këngës të fundvitit. Kjo është varur më shumë sa më janë drejtuar mua autorët e këngëve. Duke qenë larg, natyrisht, edhe kjo ka ndikuar.

Arlinda Guma: Si e shihni poezinë që shkruhet në ditët e sotme? Mua më duket se ka me tepri ndjenjë, pak ose aspak mendim dhe fare-fare pak poezi që prekin tema sociale apo politike. (Mendoni se kjo e fundit vjen ngaqë ne shqiptarët, për gjysmë shekulli, shkruam poezi të ideologjizuara dhe tani jemi hedhur në një lëm boshësie që mbyll sytë para realitetit?)

Zhuljana Jorganxhi: Edhe kjo ka ndikuar. Por, them që bota ka nevojë për dashuri dhe mirësi, por nuk duhen lënë mënjanë temat sociale. Droga, prostitucioni, vrasjet ndaj gjinisë femërore, braktisja e prindërve, kjo pandemi që ka pushtuar gjithë globin, etj. Them se ka poetë që i kanë prekur këto tema tek ne, si Natasha Lako, Bardhyl Londo, Mimoza Ahmeti dhe disa poete të reja që unë i vlerësoj.

Arlinda Guma: Keni ndonjë kafene të preferuar në qytetin ku jetoni, ku uleni dhe shkruani? Keni në duar ndonjë libër të ri?

Zhuljana Jorganxhi:Kam një kafene afër shtëpisë ku banoj këtu në Trieste të Italisë, por e kam zakon të mos punoj kafeneve. Ndihem më komode në shtëpi. Tash për tash nuk kam ndonjë libër në dorë. Mendoj për një me tregime të shkurtra dhe poezi. Më duhet të punoj ngadalë për to, të mos të nxitohem për t’i botuar.

Arlinda Guma: Çfarë ju pëlqen dhe çfarë ju nervozon kur ktheheni në Tiranë? Po në qytetin italian ku jetoni?

Zhuljana Jorganxhi: Në Tiranë isha vetëm për 10 ditë gjatë muajit tetor, kur u promovua libri im me poezitë e muzikuara “Zëri i shpirtit tim” dhe të them të drejtën nuk pata dhe shumë kohë të arrija të nervozohesha aty. Por, ajo që më krijoi një si dhimbje në shpirt, ishte se kur kaloja rrugës, edhe pse ishte kohë me diell, unë kaloja në hije, sepse diellin ma zinin grataçialet, qiellgërryeset! Më dukej sikur më merrnin frymën…

Këtu në Trieste është tjetër gjë. Edhe sikur të të mbysë një çast tymi i makinave, përsëri shkon buzë detit dhe të hapet një hapësirë pa fund, plot ajër dhe erë deti! Qyteti i Triestes është qytet shumë i bukur dhe ka mbetur ai që ka qenë ndër vite. Nuk ka grataçiela që gërryejnë qiellin…

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

DËSHTIM-Janis Ricos

DËSHTIM-Janis Ricos Gazeta të vjetra të hedhura në oborr. Përherë të njëjtat.

Një orë- Erich Fried

Një orë- Erich Fried M’u desh një orëpër të korrigjuarnjë poezi që

Harta-Wislawa Szymborska

Harta-Wislawa Szymborska E sheshtë si tavolina ajo është vendosur mbi të. Asgjë
Go to Top