Republika e gomerëve-Granit Zela

in Letërsi by

Granit Zela                       

Në republikën e Zullumhanes ndodhi diçka e rrallë: një gomar u fut në parlament duke zëvendësuar në listë përfaqësuesin përkatës të popullit. Pas këtij veprimi të pandodhur ndonjëherë, shumica e anëtarëve të parlamentit qeshën, madje disa edhe u tallën ngaqë atë ditë ishte 1 Prilli, dita e gënjeshtrave dhe kjo ishte një shaka kolegësh, mirëpo kryetari i grupit parlamentar të shumicës qeverisëse e tha se ky ishte një kusht i Bashkimit Evropian në kuadrin e promovimit të të drejtave të kafshëve dhe shakaja kaq ishte, deputetët e opozitës mbyllën gojën dhe nisën të mendojnë për lëvizjen e radhës në shahun e ndërlikuar politik me plot të tatëpjeta dhe të përpjeta të demokracisë.

Të nesërmen, në parlament u paraqitën njëzet gomerë të opozitës, por kësaj radhe me mbulesa të shtrenja xixëlluese dhe jele, si dhe me samarë të sjellë enkas për gjithë natën nga vende të largëta, sipas portaleve nga India, dhe kolegët e shumicës qeverisëse u nervozuan sepse ata ishin imituar keqazi në sytë e publikut duke fituar pikë përballë popullit pa meritë. Po atë ditë, në sallën e parlamentit u futën shumë gomerë nga partia kryesore në pushtet dhe aletatët e saj, por dhe nga partitë që rëndom quhet “të vogla”.  Fut gomerë e majta, fut gomerë e djathta, fut gomerë të qendrës, konservatorët, reformatorët, progresistët, nacionalistët, socialistët, demokratët, liberalët, parlamenti i Zullumhanes u mbush plot me gomerë, ndaj dhe kryetari i kuvendit kërkoi rishikimin e kushtetutës dhe propozoi disa amandamente kushtetuese, ku roli i kësaj kafshe deri dje të përçmuar në republikë, të merrte dinjitetin që i takonte.

Me votat e 140 gomerëve pro dhe të asnjë gomari kundër, u vendos që edhe kabineti qeveritar prej asaj dite të quhej “Kabineti i gomerëve” dhe kryetari i qeverisë, Kryegomari i Qeverisë, kryetari i parlamentit të cilësohej Kryegomari i Parlamentit, dhe po kështu edhe për kryetarët e bashkive, komunave dhe me radhë. Në zyrat shtetërore u miratua që të vihej fotografia e një Kryegomari President, post i cili megjithëse tani në demokracinë e re të Zullumhanes nuk kishte as peshë honorifike, luante rolin e një azili pleqsh të braktisur në rrugë të madhe, sidoqoftë duhej të ekzistonte qoftë edhe formalisht, pasi kështu do të dukej sikur ekzistonin të gjitha pushtetet.

Duhet thënë se edhe nga populli i Zullumhanes pati një pritje të jashtëzakonshme të këtij shndërrimi epokal në historinë e tyre. Njerëzit e entuziazmuar mbushën sheshet duke brohoritur:

Qeveri me gomerë, jemi gati kurdoherë!

Qeveri me gomerë, jemi gati kurdoherë!

E ndodhur para një entuziazmi kaq të madh popullor, që vërshoi nëpër rrugët e sheshet e Zullumhanes, qeveria u detyrua të ndreqë një tribunë në sheshin kryesor në Zullumdreq, kryeqytetin e republikës pas ndërhyrjes së Gomarit (Ministrit) të Ministrisë së Mirëqenies Hajn Hajvani. Pas ngritjes në kohë rekord të tribunës gjigande në shesh, të shoqëruar nga oshëtima e brohorimave dhe thirrjeve të zjarrta, në tribunë u ngjitën Gomari i Kulturës Bidat Budalla, Gomari i Punëve të Jashtme Debiljan Kopili, Gomari i Transporteve Analfabet Rrota, Gomari i Bujqësisë Kastrim Veci, Gomari i Integrimit në Bashkimin Evropian, Jashar Halli, Gomarica e Propagandës Liza Poturja, Gomari i Unitetit QeveriPopull Taip Leshi. Populli shpërtheu në duartrokitje dhe këngë kur në tribunë u ngjit Shkelqesia e tij Kryegomari i Qeverisë, i cili nuk mund të mos përshëndeteste me duar e këmbë popullin duke i buzëqeshur pa pushim. Ai madje edhe këndoi bashkë me ta vargje nga himni i Republikës së Gomerëve të sanksionuar edhe në Kushtetutë:

 Gardh më gardh e hu më hu

Jemi zullu, jemi zullu!

 Demokracia vú e vú

Jemi zullu, jemi zullu!

Përballë turmës së papërmbajtur, Kryegomari i Guvernës e hapi fjalën e rastit me një oioooooooo të gjatë, e cila çliroi një eneergji të paparë në popull, njerëzit nisën të qeshin me të madhe si të fantaksur, hohohoooooo, hahahaaaaaa, pastaj shoqëronin Kryegomarin me oio të gjata derisa u dilnin lot nga gajasja.

Gjatë fjalimit historik u theksua se shndërrimi i Zullumhanës në republikë gomerësh do të jepte menjeherë efekte në aspektin ekonomik pasi mijëra turistë nga i gjithë globi do të vërshonin për ta vizituar këtë republikë, të pangjashme me asnjë në botë, ku gomarëria kishte marrë dhenë. Natyrisht, u mbetej skulptorëve të ngrinin statuja gomerësh që do të ngjallnin kërëshëri për turistët e huaj, kurse shkrimtarët duhej të frymëzoheshin dhe të shkruanin në vargje, tregime, romane për këtë epope të lavdishme budallallëku, apo “marrëzie hyjnore” siç mund ta quanin poetët e zullumhanes, për ta bërë pjesë të thesarit kulturor botëror. Ndër ata që duartrokisnin e brohorisnin më shumë në tribunë ishin gomerët e shoqërisë civile Ilas e Ide Pushteti, Damuze Gafa, Amir Kanabisti, Duldushk Kokoshka, Gjenkeq Floriri, Lirka Xhorka dhe Avokatja e Popullit Makiavele Pazarxhesha.

Prej asaj dite në Zullumhane gomerët e medias mbetën të papunë. Arsyeja ishte shumë e thjeshtë: tani çfarëdo që të ndodhte nuk përbënte kurrfarë lajmi pasi në një republikë gomerësh lejohej çdo lloj marrëzie, edhe më e pamendueshmja, ishtje kjo një liri që nuk e kishin as vendet e Bashkimit Evropian, ndaj zullumhanasit e ruanin me fanatizëm dhe për këtë ishin gati të jepnin edhe jetën. Nëse gomerët e portaleve shkruanin për shembull një lajm me titullin: “Kryetari i parlamentit i miraton vetëm me votën e tij ligjet” askush nuk çuditej madje talleshin ne gomarin gazetar pasi marrëzi të tilla priteshin.

Po kështu, gomerët e parlamentit ia shtronin me të ngrëna e të pira në parlament dhe kjo ishte mëse e zakonshme. Pavarësisht nga kjo, ata ishin të përpiktë në këndimin e himnit në fillim të çdo seance parlamentare në sallë duke e shoqëruar me “oio” të stërgjata. Kjo precedurë ndiqej edhe në kryeministri dhe presidencë ku “oio”-të e Kryegomarit të Guvernës dhe të atij të Presidencës jepeshin drejtpërdrejt në televizione.

Media përgjithësisht shkoi drejt falimentimit, mbijetuan vetëm disa prej tyre dhe disa portale ku shkruanin gomerët më të njohur të gazetarisë në vend, të cilët përqendroheshin tek jeta intime e gomerëve të politikës, por edhe tek ato të fushave të tjera. Mund të veçohet nga kronikat e kohës ai për vdekjen e tregimtarit KNK, lajm që u botua edhe në shtyllat elektrike, edhe në stacionin e autobusit në lagjen e tregimtarit. Aty njofotoheshin të afërmit, miqtë, shokët dhe dashamirët se me zemër të pikëlluar duhetj të lajmëroheshin se në moshën 76 vjeçare, bashkëshorti, babi dhe vëllai i tyre i dashur, Kot Nasi Koti, vendosi të shkruajë një tregim. Duke pasur titullin “Nëse një natë dimri, një gomar” tregimi u dergj në duart e Kotit derisa dha shpirt bashkë me të tek fjalia e tretë ku rrëfimtari pësoi një metamorfozë duke u kthyer vetë në gomarin që përmendet në titull. Mjeshtri Koti e aksidentoi për vdekje gjininë e tregimit, duke lënë në hdhërim të thellë lexuesit e tij imagjinarë. Ai do të prehej i paqetë në varrezat e librave të vdekur dhe familjarët e tij prisnin ngushëllime në adresën “Lidhja e Shkrimtarëve Mediokër” (LSHM), banesa pranë ish Magazinës së Grumbullimit të Subjekteve Njëleximshme.

Normalisht, në fillim, fakti që gomerët e gjykatave dëmshpërblenin kriminelët dhe fusnin në burg të pafajshmit, ngjalli habi, por edhe kjo u bë kaq e zakonshme sa kot ta përmendje. Hajdutët që kapeshin duke vjedhur merrnin edhe medaljen e mirënjohjes nga gomerët e këshillit bashkiak, kurse atij që vidhej i jepej edhe një dru i mirë ngaqë ishte treguar qullac. Shteti e shpalli publikisht bashkëpunimin e ngushtë me mafjen si prioritet kryesor dhe tani kishte një organizim sipas ligjeve në fuqi të organizatave kriminale, të cilat paguanin dhe taksa. U legalizua hashashi, kurvërimi, vjedhja, vrasja për motive të forta dhe të dobta pas miratimit nga bashkia, mashtrimi i përligjur, besimi tek gomari si kafshë e shenjtë politike, dëbimi i prindërve me arsye, shkelja e kurorës bashkëshortore me dijeninë e të gjitha palëve, dëshmitë e rreme, përvetësimi pa hesap i pronës së tjetrit.

Duhet theksuar se shitblerja e baballarëve nuk eci mirë në fillim karahasuar me shitjet në radhët e nënave dhe motrave. Ato kërkoheshin më shumë në treg dhe gjithmonë kishin një çmim më të leverdisshëm. Pati edhe risi, siç qe marrja e paradhënieve për foshnjat që nuk kishin lindur akoma, por edhe shumë ngatërresa, sepse nëna që pritej të lindte foshnjën e shitur pa lindur, ndërkohë ishte shitur diku dhe pastaj diku tjetër, dhe blerësi kishte vështirësi në gjetjen e adresave. Natyrisht, shteti ndërhyri për rregullimin e tregut me masat e veta, duke marrë edhe ai taksën përkatëse. Në këtë gjendje, nuk dihej se kush ishte pronari i kujt, sepse edhe njerëzit edhe sendet ndërronin pronar me shpejtësi.

Pasi gomerët e Guvernës miratuan vrasjen me motive të forta dhe të dobëta me arsye, pati shpërndarje armësh pa hesap nga garnizonet ushtarake me qetësi të plotë dhe me rregull. Secili merrte armët që pëlqente, ku më të parapëlqyerit ishin granathedhësit, të cilët më vonë krijuan një spektakël të vërtetë në qiell pasi një pjesë e shtëpive të zullumhanasve nisën të futurojnë përpjetë nën shoqërinë e pareshtur të granatave. Nga ana tjetër, jo pak zullumhanas parapëlqenin tankun, por duhet thënë se kallashi e fitonte davanë pasi ai pëlqehej dhe përdorej nga të gjitha moshat. Fëmijët e vegjël e përdornin kallashin duke vënë edhe maska të zeza dhe ashtu u dukej vetja si nëpër filma. Përgjithësisht qëllohej kudo, nga dritaret, dyqanet, shkollat, stadiumet, qendrat tregtare, institucionet shtetërore që tani i shkalafiste dhe përdorte sipas qejfit publiku i gjerë duke i vënë në shërbim të komunitetit.

Gomerët e Guvernës siguruan nëpër shtëpitë e tyre Thesarin e Shtetit, me qëllim sigurimin e një të ardhmeje të lumtur për republikën, pasi aty ai ishte shumë i sigurt ndërsa rrallimi i popullsisë nga vrasja pa hesap e qytetarëve mes tyre nuk shihej si dçcka shqetësuese, sepse bëhej në liri të plotë, sic duhej të ndodhte në një vend demokratik. Natyrisht qeveria e gomerëve do të merrte masa për largimin e kufomave nga vendet publike dhe gomerët e ministrisë së shëndetësisë do të siguronin mjedise publike të pastra dhe në kushte të plota higjenike. Rritja e rrogave të punonjësve të funeraleve do të ndodhte natyrshëm, pasi populli ishte i vetëdijshëm për vështirësitë e punës së tyre, ku kërkesa dhe oferta ishte në favor të funeralasve, të cilët sakrifikonin duke punuar ditë e natë.

Ndërkohë, dëmtimi, plagosja dhe larg qoftë vrasja e gomerëve të politikës ishte e ndaluar edhe në Kushtetutë dhe qytetarët ishin të vetëdijshëm për këtë. Ata mund të vriteshin mes tyre, por gomerët e administratës shtetërore dhe gomerët në të gjitha nivelet e pushtetit lokal dhe vendor nuk duhej të prekeshin pasi mbroheshin nga shtetit. Sigurisht, gomerët e parlamentit i mbronte Garda e Republikës dhe gomerët e qeverisë ishin në ruajtjen e vazhdueshme të policisë.  Gomerët e guvernës kishin bërë të ligjshme një pagesë simbolike për këdo që ofronte informacion në rastet kur rrezikohej jeta e tyre dhe zullumhanasit sakaq zbuluan se e kishin në gjak spiunimin dhe vazhdimisht denonconin në polici njerëzit e tyre të afërt duke marrë edhe pagesën përkatëse.

Një pjesë prej tyre nuk e pranonte pagesën dhe dilte nga komisariati ku kishte bërë denoncimin duke kënduar vargjet e himnit të Zullumhanes, këngë e cila ndërpritej kohë pas kohe nga sirenat e policisë të cilat kishin mbërritur ndërkohë tek familja e personit të denoncuar dhe e kishin nisur menjëherë në internim. Por edhe ata që internoheshin nuk është se kishin ndjenjur duarkryq. Edhe ata kishin dërguar me postë denoncimin për personin që sapo i kishte denoncuar, duke përshkruar me detaje veprimtarine e tij të rrezikshme kundër Guvernës dhe ndërkohë që ata ishin rrugës, posta soste në polici, denoncuesi duhej ta ndërpriste këngën, sepse edhe ai rrasej në një makinë policie dhe nisej për diku, për të vuajtur i lumtur dënimin ose ekzekutimin me vdekje në ndonjë kodër a luginë nën shoqërinë e sorrave.

Ashtu sikur ishte parashikuar pati vërshim turistësh nga e gjithë bota. Ata shpreheshin të bindur se marrëzitë që shihnin në këtë republikë nuk i kishin parë askund në planet, ndaj do të rrinin për të qenë dëshmitarë të kësaj marrëzie historike. Secili popull ka gomerët e vet, shpreheshin ata, por republikë gomerësh nuk ka njohur historia njerëzore ndaj ne nuk do të lëvizim prej këtu.

Të gëzuar, zullumhanasit e shtuan dozën e tyre të marrëzisë individuale dhe publike. Prioritet morën marrëzitë e kryera para kamerave si për shembull: bllokimi i rrugëve, shkatërrimi i të gjitha ndërtesave publike, kthimi i shkollave në biznese private të kumarit, të folurit me zë të lartë duke thënë fjalë pa kuptim, gajasja ndërsa u dilte shkumë nga goja, dalja lakuriq nëpër rrugë etj, etj.

Ndërkombëtarët mbanin shënime dhe një delegacion i BE-së mbërriti për të takuar gomerët qeverisës, duke nisur nga Kryegomari i Guvernës, duke vijuar me Gomarin President dhe gomerët e Shoqërisë Civile dhe ato të medias. Në fund të takimeve ata mbajtën një konferencë për shtyp ku sqaruan se Bashkimi Evropian nuk kishte kërkuar kurrë kthimin e Zullumhanes në republikë gomerësh dhe se ky ishte një keqkuptim i madh. Absolutisht nuk është kriter që të bëheni pjesë e Unionit, deklaruan ata.

Kjo deklaratë la pa gojë dhe habiti sa s’ka të gjithë shtetarët dhe banorët e Zullumhanes. Ky ishte komplot. Në Kuvend u krye menjëherë një proces hetimor për të zbuluar se kush e futi dhe bëri popullore këtë ide të çuditshme dhe u arrestua ai deputeti që futi për herë të parë në Kuvend një gomar, duke hequr emrin e vetë nga lista dhe duke ia deleguar të drejtat gomarit. Më pas u arrestua e gjithë opozita, por BE-ja e bëri të qartë se kjo gjë nuk kishte mbështetjen e saj.

Një tribunë tjetër u ndreq me atë rast në Zullumdreq, ku qeveria dhe kryeministri mbajti fjalimin ku shpjegonte se kishte qenë komplot botëror ndaj republikës. Shpalli se ishin përkthyer gabim kushtet që duhej të plotësonte Republika e Zullumhanes për integrim në BE dhe për t’i dhënë fund këtij keqkuptimi, mu para popullit do të bëhej varja e përkthyesit.

Zullumhanasit u entuziazmuan nga zbulimi i komplotit dhe sakaq harruan gjithçka. Ndodhi që secili prej tyre e mori gomarin që kishte harbuar rrugëve dhe e futi brenda vetes dhe tani sillej sikur ai të mos ishte aty. Për sa kohë do të duronte të mos e nxirrte përsëri jashtë vetes gomarin e fshehur nën lëkurë, kjo nuk dihej, as nuk mund të parashikohej kurrë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

Go to Top