Pse nuk është detyrë e grave që t’i shpëtojnë burrat/Alice Oliveri

in Feminizëm by

Kanye West do të kishte nevojë për udhëheqjen shpirtërore të Mama Michelle Obama-s për të gjetur rrugën e arsyes dhe për të hequr atë kapelë prej një idioti trumpian nga koka. Ai do të kishte nevojë për një “mama te bukur, të madhe, të mire”, që ta siguronte duke e mbajtur në gjoksin e saj dhe duke i pëshpëritur se ishte vetëm një ëndërr e keqe, dhe se tani gjërat do të jenë mirë. 

    Alice Oliveri

  Përktheu: Arlinda Guma

Mendoj se u ka ndodhur pothuajse të gjitha grave, të paktën një herë në jetë, t’u duhet të interpretojnë rolin e shpëtimtares në çift. Është kjo bindja e çuditshme, e trashëguar prej shekujsh nënshtrimi dhe përjashtimi të dinamikave “serioze” të jetës, për të cilën vajzat nga natyra janë të mençura, të kujdesshme, të përkushtuara, mirëpritëse, të përgjegjshme, ëngjëllushet e famshme të vatrës së ngrohtë familiare, që ndërkohë kur gjahtarët jetojnë botën jashtë, ato përgatisin një pjatë të ngrohtë për ta.

Dhe nuk është e nevojshme të shkojmë shumë larg për të kërkuar shembuj konkretë të këtij mentaliteti. Në një klasë të shkollës së mesme, ka shumë mundësi që nxënëset më të ndjeshme të jenë vajzat ato që nuk harrojnë kurrë të bëjnë detyrat, dhe ato prej të cilave të tjerët kopjojnë detyrat-ndërkohë që zakonisht nxënësi brilant, por i torturuar, ai i zgjuari që nuk impenjohet, do të jetë sigurisht një djalë. Edhe në marrëdhënie shpesh vendoset kjo dinamikë, në të cilën pjesa femërore luan rolin pozitiv dhe konstruktiv, sa herë kemi dëgjuar shprehje si: – Po vajzat piqen më shpejt! Djemtë janë të gjithë kalamaj, dihet…

Nga njëra anë tentohet të justifikohet papjekuria e një gjinie me një lloj reduktimi që legjitimon tendencën personale për t’ia mbathur nga impenjimet dhe përgjegjshmëria, nga ana tjetër glorifikohet feminiteti për sa i përket mbartjes së parimeve të shëndosha dhe vlerave mëmësore. Të dyja vlerësimet, nuk më duket e pavlerë ta them, janë frute steriotipesh që i hasim kudo, dhe të dyja janë të mbarsura me seksizëm; si grua, në ka gjë që më bezdis më shumë është ky përfaqësim në stilin “E Bekuara Virgjëresha Mari”, që inkuadron gjininë femërore brenda një paragjykimi në të cilin ne jemi ato të mirat dhe të drejtat. Një mënyrë të menduari përveç të tjerash tipike mashkullore, derivat i tipit të argumentit: “Por gratë janë superiore, gratë kanë një marsh me shumë, gratë, ato po që janë më përpara!” Thua se të qenit grua më garanton një biletë prioriteti për në parajsë, sepse personaliteti im është përcaktuar tashmë prej aparatit riprodhues që natyra më ka lejuar që të kem, duke minimizuar kështu jo vetëm fitoret e mia dhe meritat që kam marrë pavarësisht gjinisë sime dhe duke ia atribuar vetëm faktit të të qenit grua të gjitha cilësitë e mia, por gjithashtu duke nënkuptuar që në këtë përkatësi të llojit femëror unë duhet të kem patjetër pjekurinë dhe superioritetin e një shpirti suprem. Edhe sepse kjo ide e bollëkut shpirtëror dhe e të ashtuquajturit superioritet nuk është gjë tjetër veçse një mënyrë hipokrite dhe e pandershme për të nënvizuar varësinë e gruas ndaj burrit, dhe nuk ka gjë më irrituese se një mburravec që ekzalton miken e tij duke e mbytur me komplimente, i vetëdijshëm që është ai që komandon.

Nuk është kështu: gratë janë të këqija, të shtirura, përfituese, të pandershme, hajdutë, vrasëse, po aq sa mund të jenë edhe burrat.

T’i vizatosh si mbartëse të shëndetshme të ëmbëlsisë dhe mirëkuptimit është njësoj sikur të konfirmosh edhe një herë kafazin në të cilin janë vërtititur prej shekujsh, atë të gjinisë delikate nëse do të përdorja një shprehje nderuese, apo të gjinisë së dobët, për të përdorur në të vërtetë përkthimin që të gjithë kanë në mendje. Një grua nuk është grua aq sa është nënë, dhe as një kujdestare sentimentale për burrat e shthurur. Mëmësia dhe i ashtuquajturi shpirt i Kryqit të Kuq-duke e nënkuptuar në kuptimin e saj negativ, është ajo që i shtyn disa gra të kërkojnë marrëdhënie toksike me gjininë tjetër, në mënyrë që të plotësojnë këtë nevojë për t’u kujdesur për dikë- janë dy elementet që mund të bëjnë pjesë të një personi, ashtu siç nuk mund ta përcaktojnë a priori.

Diferencat e llojit femëror në krahasim me ato mashkullore, ekzistojnë, por ashtu siç nuk mund t’i konsiderojmë as dobësi e as defekt, ato as nuk mund të shihen si një virtyt që në mënyrë të pashmangshme trashëgohet nga momenti që gratë vijnë në këtë botë

Në marrëdhëniet heteroseksuale shpesh mund të ndodhe që kjo ide të marrë formën e një misioni për të shpëtuar- gruaja si superiore ka për detyrë t‘u gjejë rrugën e drejtë deleve të humbura – është disi edhe efekt anësor i asaj që në anglisht përcaktohet si Efekti Nightingale.

Përvoja ime prej gruaje në këtë fushë është mjaft e thjeshtëzuar: kujtoj një herë në një pagëzim; unë dhe i dashuri im ishim në humor për të bërë gjëra të këndshme dhe shkuam të bënim “komunionen” para të gjithë të ftuarve në ceremoni. As ai dhe as unë nuk kishim të drejtën ta bënim atë gjest blasfemues, duke patur parasysh faktin që unë as nuk jam pagëzuar dhe për këtë komentet jashtë kishës ishin të gjithë shumë të ngjashme; të afërmit e tij kishin kujtuar se unë e kisha bindur për të gjetur Perëndinë dhe besimin. Ekuacioni “Gratë baraz me ëngjëjt” ishte aktivizuar automatikisht në mendjet e pothuajse të gjithëve, të vetmit që i ikën kësaj kishin qenë ata më dinakët, të cilët e dinin mirë se gjesti mund të më kualifikonte më tepër si një të marrë të parespektueshme, se sa si një Nënë Tereza e Kalkutës.

E njëjta dinamikë investon sidomos marrëdhëniet publike, ato që lindin pikërisht nën syrin e publikut kureshtar, gjithmonë i gatshëm për të vënë gojën e tij – veçanërisht pasi filluan të ekzistojnë rrjetet sociale – mbi marrëdheniet e yjeve të artit, me argumentin e zakonshëm se në qoftë se keni zgjedhur ta bëni të dukshme jetën tuaj për të gjithë, atëherë është e lejueshme që të gjithë të komentojnë mbi të ashtu siç preferojnë.

Kohët e fundit, një rast ishte veçanërisht emblematik, ai i Ariana Grande-s dhe Mac Miller-it. Të dy artistët amerikanë kanë qenë së bashku nga viti 2016 deri në pranverën e vitit 2018, duke bashkëpunuar me njëri-tjetrin në disa raste edhe si këngëtarë. Në Shtator 2018, Mac Miller u gjet i vdekur për shkak të një përzierjeje vdekjeprurëse droge, por fundi i tij tragjik, edhe pse tronditës për botën e muzikës, nuk mbërriti nëpërmjet lajmeve në mënyrë krejtësisht të papritur, duke ditur që varësia dhe shqetësimet e tij ndaj drogës tashmë ishin manifestuar në mënyrë të përsëritur nga reperi. Reagimi i shumë fansave për vdekjen e Mac Miller-it, megjithatë, ishte ndër më të këqijët që mund të pritej; shumë prej tyre në fakt e kanë akuzuar Ariana Grande-n se ishte ajo shkaku i këtij fundi dramatik, si e dashura egoiste që kishte lënë burrin e saj për t’u lidhur me një tjetër.

Në të vërtetë, edhe përpara se reperi të vdiste, legjionet e fansave, të verbuar nga ideja se çdo gjë që ndodh në botën e argëtimit është subjekt i mundshëm i Fanfiction-it, e kishin kritikuar këngëtaren se kishte lënë vetëm një njeri që vuante. Përgjigjia e Ariana Grande-s ka qenë gjithmonë shumë e qartë, sidomos pas vdekjes së ish-partnerit: “Unë nuk jam një kujdestare fëmijësh, dhe as nëna e tij.”Marrëdhënia që jetuan të dy ishte e thënë të ishte e ndotur nga një situate toksike e rrezikshme dhe zgjedhja e saj për ta lënë ishte një akt force. Vendimi për të ndihmuar një person me të cilin je i dashuruar dhe që gjendet në vështirësi, duhet të jetë një mision i cili vjen prej rolit që shoqëria të ka dhënë – në këtë rast, infermierja e gatshme për të shpëtuar botën me një buzëqeshje dhe “pak sheqer “- por mbi të gjitha, nuk mund të ketë si pasojë shkatërrimin e dy jetëve. Ariana Grande do të ketë pasur arsyet e saj për të lënë Mac Miller-in, dhe se si ishin gjërat, këtë e dinë vetëm atë dy të prekurit nga kjo. Por reagimet masive japin zë në ndjesinë e përbashkësise, dhe publiku, për të dy yjet amerikanë tepër të suksesshëm, duhet të marrë përsipër detyrën që të mos hidhet në vlerësime të gabuara. Sepse ato njëqind mijë twitter-a mbi këtë temë, shumica përmbajnë brenda tyre embrionin e një mendimi të vjetër, radikal dhe të gabuar.

Nuk është një episod shumë i ndryshëm nga historia e famshme e Kurt Cobain-it dhe Courtney Love, e cila prej kohësh është akuzuar se është përgjegjëse për vetëvrasjen e burrit të saj. Në atë rast ishte vetë Courtney Love, e cila ishte në një gjendje të dramës ekzistenciale dhe të varësisë nga droga po aq sa dhe Cobain: pse atëherë do të pritej lëvizja e saj shpëtuese në shpirtin e humbur të këngëtarit? Po ashtu, por me role të kundërta, Yoko Ono, për dekada me radhë është identifikuar si rrënimi i John Lennon-it. Në praktikë nëse je grua dhe nëse je në kontakt me një njeri problematik, reflektimi automatik i mendimit të përbashkët është se ti nuk je gjë tjetër përveç elementit që përcakton suksesin apo humbjen e atij personi – për të mos përmendur akuzat kundër Asia Argento-s pas vdekjes së shokut të saj Anthony Bourdain. Ose je grua e famshme e madhe që qëndron prapa një njeriu të madh, ose je magjistare që i ngatërron shqisat e tij dhe e tërheq vogëlushin në ferrin e humbjes. Kjo sepse, edhe pse gjërat po ndryshojnë dhe marrëdhëniet mes dy gjinive po mbërrijnë gjithnjë e më shumë drejt barazisë, femërorja interpretohet si një lloj vartëseje, bashkëprotagoniste e narrativës kryesore, që është ajo mashkullore.

Pra, siç na tregon Donald Glover në videon  “Ndihet sikur është verë”, Kanye West do të kishte nevojë për udhëheqjen shpirtërore të Mama Michelle Obama-s për të gjetur rrugën e arsyes dhe për të hequr atë kapelë prej një idioti trumpian nga koka. Ai do të kishte nevojë për një “mama te bukur, të madhe, të mire”, që ta siguronte duke e mbajtur në gjoksin e saj dhe duke i pëshpëritur se ishte vetëm një ëndërr e keqe, dhe se tani gjërat do të jenë mirë.

Nëse flitet për historitë e të famshëmve ose ato të jetës sonë si qenie njerëzore pa miliona followers-a, pika mbetet e pandrysheshme. Stereotipet gjinore janë të këqija, sepse, si të gjitha stereotipet, ata i mbërthejnë nëpër kafaze njerëzit dhe i kthejnë në karikatura. Nëse ata janë gra, burra apo trans, duke pritur që një individ të reagojë në përputhje me një model të paramenduar, bën që kjo të anulojë lirinë e shprehjes së secilit prej nesh dhe të na dhurojë një rol të parapaketuar. Gratë nuk janë të gjitha të krijesa te përsosura, të mira, të kujdesshme dhe të gatshme për të shpëtuar çdo qenie njerëzore nga mundimet dhe vuajtjet e shpirtit. Ashtu si nuk janë vetëm burrat që nuk kryejnë detyrat e shtëpisë ose rrezikojnë të korruptojnë pastërtinë e vajzave tuaja. Do të jetë më mirë nëse të gjithë ta fusim në kokë këtë, kështu që ndoshta – si meshkujt, si femrat, edhe pse në rastin e fundit është qartësisht më e zakonshme të ndodhë – mund të shmanget të drejtuarit në atë lloj qarku emocional të shkurtër të tipit “por ai ka nevojë për mua, unë po e shpëtoj”, dhe pastaj të gjithë përfundojnë në dhomën e urgjencës, me infermiere dhe infermierë të vërtetë, e jo me ata që thjesht luajnë rolin e tyre.

Marrë nga The Vision

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Feminizëm

Go to Top