Nga “Miti i Sizifit” tek absurdi dhe revolta/Luan Rama

in Letërsi/Përkthim by

Luan Rama

Vitet 1938-1942 janë vitet më prodhimtare dhe vendimtare të gjithë veprës së Kamysë, pasi pikërisht në këto vite ai shkroi tre veprat e tij madhore: “I huaji”, “Miti i Sizifit” dhe dramën “Caligula”, ose siç thonë kritikët “Tre absurdët”. Ai në fakt kishte dëshirë të kalonte nga eséja filozofike, në romane apo drama, pra t’i gërshetonte këto gjini të ndryshme artistike. “Nëse do të jesh filozof shkruaj romane”, – thoshte ai. Duke iu referuar librit Neveria të Sartrit, ai shkruante:“Një roman s’është veçse një filozofi e shprehur në imazhe”.
Që në rini të tij, Kamy ishte një njeri i pasionuar ndaj filozofisë dhe ideja e absurdit u formua gradualisht tek ai, duke kaluar më pas në stadin e njeriut të revoltuar. “Sot nëna vdiq. Ndoshta dje, nuk e di…” – e fillon ai romanin e tij “I huaji”. Personazhi kryesor quhet Meursault dhe është një përzierje e fjalëve “det” dhe “diell”, (“mer” dhe “soleil”). Ёshtë historia e një njeriu, të cilit vdekja e nënës nuk i ngjall asnjë lloj emocioni. Pasi e varros, ai shkon në plazh dhe aty pikëtakohet me një vajzë me të cilën ka qejf të shkojë. Ajo i kërkon të martohen. Në fakt ai nuk e do atë, por nuk gjen asnjë arsye për ta refuzuar. Me këtë lloj shkujdesjeje, ai miqësohet me një qeraxhi, i cili keqtrajton motrën e një arabi. Dhe kur Mersault është në plazh, në rrethana absurde e arbitrare, ai e vret arabin. Ai është indiferent nga vdekja e arabit, por kur dënohet me vdekje, ai nuk do të vdesë… Gjatë procesit, kur e pyesin se përse e vrau arabin, ai u përgjigjet gjykatësve:“Për shkak të diellit!”
Duke iu referuar këtij romani, vite më vonë, Kamy do t’u pohonte kritikëve: “Romanin “I huaji” po e përmbledh brenda një fraze që e di se është paradoksale: Në shoqërinë tonë çdo njeri që nuk qan në varrimin e nënës së tij ka rrezik ta dënojnë me vdekje. Dua të them se heroi i librit është i dënuar, pasi ai nuk bën si të tjerët, nuk di të luajë. Në këtë kuptim ai është i huaj në shoqëri, endet kuturu në rrugicat e jetës së tij private, në shtigjet vetmitare dhe sensuale. Ja pse lexuesit tentojnë ta konsiderojnë atë si një anije e mbytur. Meursault nuk bën si të tjerët. Dhe përgjigjia është e thjeshtë; ai refuzon të gënjejë. Por ai është për mua një njeri i mjerë, i zhveshur, i dashuruar pas diellit, pa hije. Një pasion i thellë e gjallon atë; pasioni për absoluten dhe të vërtetën.»
Në tezën e tij me titull “Të vërtetat e Albert Kamysë, studiuesi shqiptar Ardian Marashi ka nënvizuar pikërisht këtë anë të kontributit të Kamysë: “Ndërgjegjia kundër kaosit”, kjo ishte ideja që të tjerët kishin për Kamynë, – shkruan ai.

Në epokën e Luftës dhe të hutimit menjëherë pas lufte, me veprën e tij të rëndësishme dhe qartësinë e fjalës, Kamyja u bë një pikë referimi për të gjithë ata që shikonin tek e vërteta armën më efikase dhe më të sigurt kundrejt kaosit dhe gjendjes së pashpresë.”
Edhe në librin tjetër të Kamysë, të shkruar paralelisht me romanin “I huaji”, pra “Miti i Sizifit”, në thelb është analiza e njeriut absurd, e gjendjes së tij të hedhur në një botë absurde. «Absurdi lind nga ky konfrontim midis thirrjes njerëzore dhe heshtjes së paarsyeshme të botës». Kamy nënvizon se është “divorci midis shpirtit që dëshiron dhe botës, që e zhgënjen”. Pra është gjendja e njeriut të dënuar si Sizifi, të cilit i duhet të ngrejë gurë të mëdhenj në majë të një mali dhe që bien përsëri; e njeriut që nuk gjen përgjigje për pyetjet e tij dhe që ndihet “I huaj në një botë pa të vërteta”. “Atëherë një problem filozofik shtrohet para nesh, thotë Kamy; vetvrasja! Por nëse duhet të jetojmë, ne duhet të dimë ta kapërcejmë absurdin dhe të imagjinojmë Sizifin e lumtur… Sizifi i lumtur i sfidon Perënditë”.
Më vonë, në figurën e Prometeut, ai do të shohë revoltën, si rrugëzgjidhje të një jete të denjë. Në fakt, tema e absurdit dhe e revoltës do ta përshkojë të gjithë veprën e Kamysë, veçanërisht në “Tre absurdët” e tij. Në romanin La Peste, (Murtaja), ngjarjet zhvillohen në Oran të Algjerisë. Në qytet ka rënë murtaja dhe minjtë ngordhin rrugëve. Murtaja i dënon njerëzit me ndarje, me vetmi dhe vdekje. Disa tentojnë të ikin, ndërsa të tjerë, siç janë Tarrau dhe Doktor Rieux, kronistë të këtyre ngjarjeve, qëndrojnë të bëjnë rezistencë. Por revolta e tyre është intime, jo shoqërore. Murtaja për Kamynë është një sëmundje, ashtu si dhe absurditeti, një sëmundje e shpirtit ndaj së cilës çdo fitore është provizore, pasi një ditë murtaja do të rishfaqet. Por murtaja është njëkohësisht dhe nazizmi, fashizmi, stalinizmi e çdo lloj totalitarizmi.
Drama “Caligula” (Kaligula), është padyshim një kryevepër e artit teatral. Caligula ishte një njeri i zakonshëm deri në vdekjen e motrës së tij Drusilla, e cila i zbuloi atij absurditetin e ekzistencës së shoqërisë njerëzore. Që nga ai çast, ai u bë një tiran i pamëshirshëm, duke pretenduar se mishëronte figurën e fatit, më qëllim që t’u tregonte njerëzve se ai do t’i çlironte nga nënshtrimi çnjerëzor.
Njeriu i revoltuar gjeti jehonë të madhe, por dhe ngjalli shumë debate ndër intelektualëte kohës, pasi Kamyja shtronte në të çështjen e dyfishtë të revoltave estetike dhe të atyre historike. Ai e kritikonte qëndrimin “romantik” të një revolte poetike, shfaqje e fundit e së cilës kishte qënë surrealizmi, i cili në fund të fundit përfundoi në konformizëm. Kurse lidhur me revoltën historike, Kamyja e dënonte optikën nihiliste në tentativën revolucionare, idenë e shkatërrimit që e shikonte lumturinë në kohërat e ardhme. Siç e thotë dhe kritiku francez Daniel Rondeau në librin e tij “Kamyja apo premtimet e jetës”, “Kamyja mishëron kohën e vet, modelin e intelektualit të angazhuar”, pasi ai zgjodhi revoltën dhe jo Revolucionin. Madje, që kur ia dërgoi dorëshkrimin e “Njeriut të revoltuar” një mikut të tij që ta lexonte, ai e kishte paralajmëruar: “Me këtë libër ti do të bësh shumë armiq”. Po, dhe në radhë të parë komunistët, pasi ai e kritikonte komunizmin stalinist, këtë gënjeshtër të prodhuar në Moskë. Ja pse atë filluan ta kritikonin ngado për pozicionet e tij humaniste, për moralin e tij të “Kryqit të kuq», pasi ai shprehej kundër të gjithë revolucioneve, meqë revolucionet do të thoshin në fund dhunë.
Padyshim që në historinë e letërsisë franceze, Kamy do të mbetet si krijuesi i koncepteve moderne në letërsi; njeriu i revoltuar, absurdi, revolta ndaj absurdit. “Unë nuk jam filozof, – shkruante ai, – dhe as nuk pretendoj të jem”. Në fletoret e tij kanë mbetur shënimet rreth koncepteve mbi absurdin, drejtësinë, dashurinë, dhunën, siç e shohim dhe në esénë e tij filozofike “Refleksione mbi gijotinën”, në kohën kur në vendlindjen e tij në Algjeri gijotina bënte kërdinë. “Tre absurdët”, pra “I Huaji” (roman), “Kaligula” (pjesë teatri) dhe “Miti i Sizifit” (esé), tregojnë për shqetësimin e tij për të folur rreth absurdit dhe absurditetit që mbretëron në shoqërinë njerëzore. “Je me revolte, donc nous sommes”! – thoshte Kamy. “Unë revoltohem, pra ne ekzistojmë»! Për të, «Vetëm nga revolta lind lumturia; lufta drejt majave mjafton për të mbushur një zemër njeriu… Revolta kundër absurditetit mund t’i shërbejë jetës. Pozicioni i vetëm filozofik dhe koherent është ai i revoltës; «un confrontement perpetuel de l’homme à sa propre absurdité».

Rënia


Në fillim të vitit 1956, Kamy vuante krizën e shkrimtarit, krizën e atij që i duket se s’ka shkruar asgjë me vlerë në këtë botë dhe se diçka e madhe e ka shterur frymëzimin e tij. Ai ndihet i dëshpëruar, i trishtë dhe orë të tëra i kalon duke menduar se krijimtaria e tij ka marrë fund. Nga ana tjetër, gjendja në familjen e tij ishte bërë tepër e rëndë për shkak të sëmundjes së Francine-s dhe anktheve të shpeshta të saj. E megjithatë ai e mbaroi dorëshkrimin që kishte nisur prej disa kohësh dhe që mendonte ta titullonte “Le Cri”, (“Klithja”). Këtë dorëshkrim ai ia dërgoi një mikeshe të tij të afërt, duke i shtuar: “Kam frikë se mos Francine do të lëndohet…” Nuk kalojnë shumë kohë dhe ai i shkruan përsëri asaj: “Tregimi do të botohet nën titullin “Le Cri”. Por tani jam shkëputur nga ai tregim dhe kam dëshirë të shkruaj diçka tjetër, madje jam në ethe, ashtu si të burgosurit që duan të kapin vitet e tyre të humbura”.

Pra, pas botimit të esésë “Njeriu i Revoltuar”, në vitin 1951, pesë vjet më vonë, Kamy botoi “Le Cri”, apo siç e titulloi përfundimisht ai “La Chute”, (Rënia), e cila do të vihej në skenë dhe në teatër. Ishte si të thuash historia e tij, historia e një njeriu të brejtur nga faji pse nuk kishte shpëtuar një grua që kishte vdekur nga dëshpërimi. Një vështrim filozofik për njeriun dhe kohën, por dhe refleks i jetës personale të tij dhe gruas Francine. “Po kaloja mbi urë anash bordurës së përkulur të atij parmaku që dukej sikur shikonte nga lumi. Shumë pranë pikasa figurën e hollë të një vajze të veshur me të zeza. Midis flokëve të errët dhe jakës së palltos së saj, shquhej vetëm zverku i njomë e i qullët, pas të cilit diçka ndjeva. Por pas një hezitimi, vazhdova rrugën. Kisha ecur tashmë nja pesëdhjetë metra kur dëgjova një zhurmë, që megjithëse errësirë, m’u duk diçka e hatashme në heshtjen e asaj nate, zhurmën e një trupi që binte mbi ujë. Ndalova menjëherë. Pothuajse në të njëjtën kohë dëgjova një klithmë që u përsërit disa herë dhe që binte edhe ajo mbi lumë, duke u shuar pastaj menjëherë…”
Kur tregimi u botua ai u prit me shumë sukses, edhe pse të gjithë e kuptojnë se është një tregim autobiografik, madje e para ishte Francine. Heroi i tregimit është një avokat me emrin Jean-Baptiste Clamence, por të gjithë shohin tek kjo figurë vetë Kamynë, intelektualin e së majtës franceze të asaj kohe, ose një përzierje Kamy-Sartre, një njeri që ka shumë armiq dhe që ngado e kritikojnë, e shajnë dhe e godasin. Ai shëmbëllen me të, me krizën e tij. Në simbolikën e gruas që kërkon të hidhet në Senë nga ura “Pont des Arts”, kritikët shohin vetë Francine-n që kishte tentuar të vriste veten në vitin 1953, si në Algjeri ashtu dhe në Paris. “Klithma e gruas që Clamence nuk arrin ta shpëtojë, është klithma e gruas së tij”, – shkruan biografi i Kamysë, Olivier Todd.
Dhe pikërisht pas këtij romani që i ngjan më tepër një monologu dramatik dhe që është një rrëfim dostojevskian, në Paris erdhi lajmi se Albert Kamy ishte shpallur nobelisti i vitit për letërsinë, si një autor që “me veprën e tij ka nxjerrë në pah problemet që shtron sot koha në ndërgjegjen e njerëzve”.

Shkrimtari dhe filozofi që i urrente dekoratat dhe që kishte deklaruar se nuk do të pranonte ndere, madje as dhe antarësinë në Akademinë Franceze, mori rrugën drejt Stokholmit për të marrë titullin e madh, atë titull që disa vjet më vonë Sartri do ta refuzonte. “Ja një nga emrat e rrallë të zërave letrarë, që dolën nga kaosi i pasluftës në tonin harmonioz e të saktë të humanizmit”, – shkruante ato ditë “New York Times”.
Në fjalët e tij në ceremoninë e 10 Dhjetorit të vitit 1957, Kamy do t’i drejtohej botës: “Shkrimtari nuk mund të vihet në shërbim të atyre që bëjnë historinë, por të atyre që e pësojnë atë… Në të gjitha rrethanat e jetës së tij, në rrethana të errëta apo në momente fame, i hedhur në hekurat e tiranisë apo i lirë për një kohë kur mund të shprehet, shkrimtari mund ta rigjejë ndjesinë e komunitetit që do ta kuptojë atë, nëse ai përballon dy detyra të mëdha që ka ky profesion; shërbimin ndaj së vërtetës dhe ndaj lirisë… E vërteta është misterioze, që të shket dhe që duhet ta gjesh atë. Liria është e rrezikshme, e vështirë ta jetosh po aq sa është dhe ekzaltuese. Ne duhet të ecim drejt këtyre dy qëllimeve të mundimshme dhe duhet të ecim me vendosmëri.”
Por Kamy e dinte se për të, ashtu si për çdo artist, kjo udhë e së vërtetës dhe e lirisë ishte e vështirë dhe shpesh zhgënjyese. E megjithatë ai ecte, ngjitej nën siluetën e një Sizifi që mbante mbi vete shpresë, një shpresë të madhe. Megjithë suksesin e madh të tij, Kamy ishte një njeri thellësisht i dëshpëruar, jo vetëm pse vazhdimisht ishte i sëmurë rëndë nga tuberkulozi, por dhe sepse nuk po arrinte të shkruante vepra të tjera.

Teatri, ky pasion i pashuar


Albert Kamy ishte njeri i teatrit. Gjithë jeta e tij letrare kaloi nga skena e teatrit, bashkëjetoi me të, me shfaqjet teatrale dhe pasionin e skenës. Ishte pasioni i hershëm i tij. Që në vitin 1936, ai kishte themeluar “Teatrin e Punës”, një teatër për publikun e thjeshtë e të varfër, duke vënë në skenë tema sociale dhe historike, duke iu drejtuar autorëve të tij të preferuar si Eskili, (me Prometeun), Dostojevski, (Vëllezërit Karamazov), Gorki, (Basifondet), Malraux, (Koha e përbuzjes), Gide, (Kthimi i djalit gjeni), etj. Madje ai eksperimentoi dhe krijimin e dramës kolektive, siç ishte vënia në skenë e pjesës “Revolta e Asturias”. Edhe pas luftës, ai iu rikthye përsëri teatrit, duke shkruar drama të njëpasnjëshme apo romane që adaptoheshin si pjesë teatrale. “Shtet-rrethimi”, “Të Drejtët”, “Murtaja”, “Kaligula”…

Albert Kamy shkëlqente si në esétë filozofike, në romane e tregime, (“Dasma”), ashtu dhe në teatër. Madje në vitet 50’ ai adaptoi për teatrin francez dhe një sërë autorësh të dashur të tij si Dostojevskin, Buzatin, Folknerin, Kalderonin, etj.
Në shumë letra të tij, apo shënime ditari, ai tregonte vuajtjen e madhe të tij. Madje dhe aktorja Casares, me dashurinë e saj nuk arriti ta bëjë të gëzuar. Për këtë qëllim, me paratë e çmimit “Nobel”, Kamy bleu një shtëpi në jug të Francës, në Lourmorin, në Vaucluse, diku midis vreshtave, që të mund të shkruante larg Parisit. Por shpejt ai e kuptoi se nuk mund të bënte pa kryeqytetin e tij. Kjo gjendje e tij ishte rënduar në fakt dhe nga depresioni i gruas së tij Francine, e cila tentoi të vriste veten. Madje dhe ai, shpesh herë kishte patur idenë e vetvrasjes, e ndjesisë së absurdit dhe të jetës në një tunel të errët e të pafund. I ndodhur përballë kritikash letrare, veçanërisht ndaj librit “L’Homme revolté”, (“Njeriu i revoltuar”), si dhe filozofisë së tij të absurdit dhe revoltës, ai përjetoi një kalvar të vërtetë.
Megjithatë në vitin 1959 ideja e një romani të ri kishte lindur tek ai; ishte “Njeriu i Parë”, (“Le Premier Homme”), roman që siç thoshte ai do të ishte një lloj afresku për nga përmasat dhe kohën që do të trajtonte. Madje kur e pyesnin ato kohë, ai u thoshte miqve të tij duke qeshur se, “Po shkruante Luftën dhe Paqen e tij”, duke iu kujtuar analogjinë me romanin e Tolstoit, të cilin ai e adhuronte si shkrimtar. Po, ishte një roman për jetën e tij, kushtuar nënës së tij, të cilën e donte më shumë se çdo gjë tjetër në botë, atë nënë analfabete në ato shtëpi të varfëra në Rue de Lyon në lagjet popullore të Algjerit, atë nënë të pafjalë e gjithë mirësi që e shihte veçse në mbrëmje pas pune, atë grua që kishte përballuar dhimbjet dhe vuajtjet e jetës dhe që ashtu heshturazi i kishte dhënë aq shumë dashuri. Ja pse dhe këtë libër ai ia kushtonte nënës, “A toi qui ne pourras jamais lire ce livre”(“Ty që kurrë nuk do ta lexosh këtë libër”.)
Kamy nuk e kishte njohur kurrë të atin e tij, Lusien Kamy (Lucien Camus), që gjatë Luftës së Parë Botërore, bashkë me batalionin e tij të “zuave” kishte shkuar në frontin francez, atin që kishte vdekur në një spital nga plagët që kishte marrë. Kur Kamy kishte shkuar për herë të parë pranë varrit të tij (në roman është personazhi Jacques Cormery në rolin e tij), ai kishte pikasur se ai njeri që ishte ati i tij, kishte vdekur më i ri se sa ç’ishte Kamy në atë çast dhe kjo gjë e kishte tronditur. Ky ishte “Le Premier Homme”, i pambaruar, kjo «klithmë e jetimit të pangushëlluar», siç do të shkruante kritiku George de Brulon, në një kohë që, siç thoshte Kamy: «Unë nuk kam shkruar veçse një të tretën e veprës sime».

Njeriu që i donte aq shumë gratë


Kur Kamy redaktonte librin e tij të fundit “Le Premier Homme”, i cili mbeti i papërfunduar, në fletoret e tij ai kishte shkruar: “J’aime quatres femmes à la fois et mène donc une vie vide”, («Kam dashur katër gra njëherësh dhe kam bërë një jetë boshe»)… Katër gra kishin lënë gjurmë tek ai edhe pse ai kishte njohur dhe dashuruar në kohë të shkurtra dhe shumë gra të tjera; Francine, Maria Casares, apo «Unikalja», siç e quante ai, aktorja Caterine Sellers, që e zgjodhi për rolin e pjesës teatrale “Requiem pour une none” në vitin 1956 dhe Mi, danezja e re të cilën e takoi në fund të jetës, në vitin 1957. Ai nuk e përmend gruan e tij të parë, Simone Hié, një femër estravagante që pëlqente morfinën dhe heroinën dhe që e pinte cigaren si një Garbo. Dashuria e tyre ishte e shkurtër edhe pse u martuan në një ditë qershori të vitit 1934, atëherë kur ai vuante nga turbekulozi dhe donte të gëzonte jetën, duke menduar se do të vdiste i ri. Madje asaj i dedikoi dhe një libër, “Libri i Melusine-s”, por ajo e tradhëtoi me një mjek dhe kështu ata u ndanë. Dhe ai do të pikëtakonte në udhën e tij plot gra të tjera, siç ishte Christiane Galindo, të cilën e dashuroi në vitin 1937, një brune e bukur që kishte dëshirë të shtypte në makinën e shkrimit dorëshkrimet e tij. Olivier Todd, biografi i tij, shkruante se «Ai kishte një mënyrë që i zhvishte gratë përmes shikimit». Një kritik tjetër, ka shkruar se «Ai ishte besnik në ide dhe i pabesë me gratë».

Tek Miti i Sizifit, duke shkruar për Don Zhuanin, ai shkruan gjithashtu se «Çdo njeri i shëndetshëm kërkon të shumëfishohet. Po kështu dhe Don Zhuani. Ai i do gratë me të njëjtin vrull, duke iu përkushtuar atyre”. Francine ishte nëna e dy binjakëve të tij dhe familja e tij, e cila mbetej thellësisht e dashuruar pas tij; “F. a le gout de l’absolu” (Francine ka shijen e absolutes”), shkruante ai. Ajo ia njeh aventurat, dashuritë me gratë e tjera. Në deliret e saj kur e çojnë në një spital psikiatrik, ajo përmëndte shpesh emrin e Maria Casares, rivales së saj. Të gjitha të dashurat e tij kanë një individualitet të fortë dhe një talent. Francine ishte një pianiste e shkëlqyer dhe matematiciene. Ajo ishte virtuoze në pjesët e Bahut. Casares ishte ylli i teatrit francez. Dhe Sellers shkëlqeu në skenën e teatrit parisian. Mi vizatonte me një talent të jashtëzakonshëm… E megjithatë, Kamy ishte me to gjithnjë i sinqertë, i hapët. Dhe kur Maria Casares-it do t’i shkruante të vërtetën në mënyrën e tij:“Të kam tradhëtuar, asnjëherë nuk të kam tradhëtuar”… Po, ai dashuronte disa njëkohësisht dhe nuk i tradhëtonte shpirtërisht. E çuditshme por e vërtetë.
Madje dhe ditët e fundit të jetës së tij ai jetonte me dashuritë e tij, me imazhet e të dashurave të tij të gjithëkohëshme, me letrat që u dërgonte apo takimet e fshehta. Më 29 Dhjetor ai i shkruante të dashurës së tij në Danimarkë, Mi, e cila pas pak ditësh do të marrë avionin për në Paris: «Kjo ndarje e tmerrshme na bëri të paktën të kuptojmë nevojën e përhershme për njëri-tjetrin… Të pres e dashura ime, e zjarrta ime, vogëlushja ime e shtrenjtë». Një ditë më vonë ai i shkruante fjalë të ëmbla Catherine Sellers dhe po atë ditë, pasdite, i shkruante të dashurës së tij të vjetër Maria Casares: «Të dërgoj një mal me urime të dashura, që jeta të bulëzojë tek ty, duke të dhënë atë imazh që e dua prej kaq shumë vitesh. Të dërgoj gjithë diejtë e zemrës. Të puth dhe të shtrëngoj pas vetes gjer të martën e ardhshme kur do të takohemi, për të rifilluar përsëri»… Por më 31 Dhjetor, përsëri i shkruan të dashurës tjetër Sellers: «Kjo është letra ime e fundit e dashur…» Vallë do të ishte e fundit? A do t’i takonte më ai të dashurat e tij. A do të përgjërohej më ajo zemër, që gjithë jetën ishte drithëruar nga emocioni i takimit femëror, nga një dehje e pazakontë që e bënte të jetonte, që i jepte ndjesinë e lumturisë?

Një udhëtim i ndërprerë

 

Njëherë, kur kishte çuar të dashurën e tij në Auvers-sur-Oise për të parë dhomën e piktorit Van Gogh në Auvers-sur-Oise kur ai banonte atje para se të vriste veten, duke shkuar me makinë, Casares i kishte thënë që të ecnin ca më shpejt se si shumë ngadalë e kishte marrë. Por Kamy i ishte përgjigjur: “S’ka gjë më idiote sesa të vdesësh nga një aksident automobilistik”. Dhe kjo që nuk pritej do t’i ndodhte disa vjet më vonë, rrugës kur ai po kthehej në Paris bashkë me mikun e tij Michel Gallimard dhe gruan e botuesit.
Ata ishin 22 km larg Parisit, kur një plasje gome e makinës i përplasi ata tek një pemë. Kamy që ishte përpara mbeti i vdekur. Ora e tij kishte ndalur në momentin e përplasjes fatale:13.55’. Disa dhjetra metra më tutje, u gjet çanta e përbaltur e Kamysë, ku kishte dorëshkrimin e romanit të papërfunduar “Njeriui Parë”. Madje në çantë i gjetën dhe një horoskop, ku ai kishte shënuar: “Vepra kryesore që të bën të pavdekshëm do të jetë midis viteve 1960-1965”. Dukej se gjithçka ishte parathënë nga vetë ai.

“Aksidenti dukej se ndodhi për shkak të bllokimit të një rrote ose thyerjes së një aksi, por edhe ekspertet nuk dinin si ta shpjegonin atë aksident katastrofik mbi një rrap, me një rrugë të gjerë 9 metra dhe pa trafik”, ka shkruar biografi i tij, Herbert R. Lotman në librin “Kamy”. Disa analistë kanë parë tek ky aksident dorën e KGB-së sovjetike, të kryer me urdhër direkt të Ministrit të Brendshëm Rus të asaj kohe, Dmitri Trofimovic Shepilov, të cilin Kamyja e kishte sulmuar drejtpërdrejtë për pushtimin e Hungarisë, në një artikull të gazetës “Franc tireur”, në Mars të vitit 1957. Këtë gjë e pohonte poeti dhe përkthyesi çek, Jan Zabrana, në një faqe të ditarit të tij Cely Zivot, (“E gjithë jeta”), i publikuar pas vdekjes së tij në vitin 2004. Por kjo padyshim mbetet veçse një hipotezë, edhe pse është pohuar nga një njeri konkret.
Nobelisti më i ri në moshë, ikte në moshën 46 vjeçare. Ikte shpejt drejt udhës së përjetësisë së tij, pa mundur të linte pas kryevepra të tjera. Dhimbja në botën letrare ishte e madhe. Në një nga artikujt më prekës që përshëndesnin largimin e Kamysë, ishte dhe artikulli i Sartrit, i botuar në “France-Observateur”, ku ai shkruante: “Ne ishim hidhëruar me njëri tjetrin, por kjo nuk ishte asgjë para asaj që do të na duhej të jetonim, që të mos shiheshim më kurrë dhe të mos gjenim një tjetër mënyrë për të jetuar së bashku»… Po në këtë artikull, ai do të shtonte:“Në këtë shekull, ai përfaqësonte trashëgimtarin aktual të një liste të gjatë moralistësh, veprat e të cilit përbëjnë ndoshta atë që është më origjinale në letërsinë e sotme franceze. Humanizmi i tij këmbëngulës e i pastërt, i ashpër dhe sensual, i bënte një luftë të madhe fenomeneve të kohës sonë. Por epokës sonë ai i riafirmoi luftën kundërmakiavelistëve”.
Autori i “Njeriut të Revoltuar” na la pas mesazhin e revoltës. Jo thjesht si një lexim enciklopedik apo thjesht për të mbushur kohën, por për të kuptuar dimensionin dhe rolin e ekzistencës dhe jetës sonë, për të pyetur veten se cilët jemi, nga vijmë dhe ku shkojmë? Ёshtë për të vajtuar po të vazhdojmë të qeshim me absurdin dhe të mos revoltohemi!

Luan Rama – nga “Parisi Letrar”

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

Go to Top