M’u duk vetja si personazh migjenian që nuk shpërndan qymyr por libra-Me shkrimtarin dhe përkthyesin Granit Zela

in Letërsi/Prit deri në pranverë, Bandini! by

Duke pritur për ditë më të mira, ato nuk erdhën kurrë dhe një ditë mora të gjitha kopjet e mbetura të librave të mi, i stivosa në një lëndinë afër shtëpisë time dhe u vura zjarrin. I vetmi trazim që pata në qenien time ishte ai çasti kur flakët përpinë librin tim të ëndrrave rinore me titull “Apokalips”, ku gazetari Albert Vataj kishte shkruar një profeci që nuk u përmbush. Më erdhi keq që do të digjeshin fjalitë: “Granit Zela, vjen në letërsinë shqipe me një libër me poezi. Por jo vetëm kaq, Granit Zela, vjen për të mbetur.” Ndërsa flakët përpinin librat e mi mbaj mend se belbëzoja nervoz fjalinë e ndryshuar të Bertit. “Granit Zela vjen në letërsinë shqipe. Por jo vetëm kaq. Granit Zela vjen për t’u djegur!”- Granit Zela

Arlinda Guma: Cilat janë vështirësitë që hasin shkrimtarët shqiptarë gjatë dy dhjetëvjeçarëve të fundit?

Granit Zela: Po ju sjell përvojën time vetjake dhe gjykoni vetë.

Librin e parë me poezi e kam botuar kur isha në vitin e fundit të studimeve universitare në vitin 2001. Për botimin e tij kam paguar gjashtëdhjetë mijë lekë të reja, të cilat m’i dërgoi vëllai im emigrant në Greqi. Asokohe botimi me pagesë ka qenë standard i kohës. Pas botimit kuptova që e kisha menduar gabim që shtëpia botuese e shpërndan librin. Duhej ta shpërndaja vetë. I ngazëllyer që kisha botuar librin tim të parë me të cilin mendoja asokohe do të hyja në antologjinë e letërsisë shqipe, i futa 500 kopjet e tij në bagazhin e një taksie (normalisht me pagesë) dhe e e dërgova në shtëpi. Një ditë mora ca libra dhe thashë t’i shpërndaj në libraritë e Tiranës. Të them të drejtën u zhgënjeva kur mora vesh se nuk pranonin libra me poezi. Një kioskë librash përballë Kuvendit m’i mori tre kopje sepse kisha vite që blija libra aty por dy librari nuk m’i pranuan. U shkurajova shumë. Nuk vijova më tej. Për më tepër më erdhi turp nga vetja që kisha dalë të shpërndaja librat e mi. M’u duk vetja si personazh migjenian që nuk shpërndan qymyr por libra. Ndaj dhe shumë kopje ua shpërndava shkrimtarëve të njohur që shihja ndokund rrugës dhe ua falja.

Edhe kështu nuk vazhdoi gjatë se një shkrimtar nuk ma mori librin. Isha diku afër sheshit Skënderbej, dhe iu afrova. -Përshëndetje, – i thashë. Kam një libër për ju si dhur… atë, – kur ai u largua si i trembur ndërsa nxora nga çanta librin me titullin “Apokalips”. – Jo, jo, jo libër, nuk dua!” – reagoi ai menjëherë sikur të kisha nxjerrë një kobure. E mirëkuptova por mbeta i habitur. Ndjeva mirënjohje për ata shkrimtarë që ishin treguar dashamirës duk e pranuar librin tim. Mund ta kishin lexuar por edhe nëse e kishin hedhur tek kazani më i afërt i plehrave, ata treguan solidaritet ndaj meje si poet i ri duke mos u trembur aspak nga libri im.

Për mua letërsia ishte investim jete ndaj dhe kam botuar me paratë e mia edhe në vitin 2001 një libër me tregime, në 2003 një libër me poezi, në 2006 një roman, në 2008 një libër me ese dhe në 2013 dy libra me ese. Këto libra i kam botuar me paratë e mia dhe mendoj se u kam paguar shtëpive botuese (le të quajmë “shtëpia botuese” shtrypshkronjat që kanë logon e shtëpisë botuese) besoj diku afër katër ose pesë milonë lekë të vjetra në një hark kohor 2001-2013.

Për sa i përket botimit jam betuar shumë herë se nuk do të botoja, se nuk kishte kuptim, por tani që e mendoj them se djalli i letërsisë më kishte pushtuar dhe e kam bërë një çmenduri të tillë. Për sa i përket shpërndarjes, suksesin më të madh e kam pasur me romanin “Dodona”, shumicën e të cilit e fala pas promovimit tek Lidhja e Shkrimtarëve. Nuk diskutohet që në fund kisha përgatitur edhe një tryezë modeste me pije jo alkoololike, si tip koktejli, me paratë e mia. Por për sallën nuk pagova.  Dy libra, një me ese dhe një me poezi i kam botuar në 2011 nga 40 kopje, me çmim shumë të lirë.  Asokohe ngushëllohesha që edhe Uollt Uitmani me 40 kopje e ka botuar librin “Fije bari” prandaj…

Megjithatë, jam krenar që nga viti 2013 ia kam dalë të mos botoj libra. Duke punuar në mënyrë sistematike me veten kam arritur ta vë nën kontroll atë dëshirën e marrë që atë që kam shkruar ta shoh në një libër. Në këtë vit, në vitin 2013, bëra një bilanc të jetës time si shkrimtar nga provinca ardhur me banim në Tiranën e elitës së kombit, dhe kuptova se si shkrimtar  kisha shumë defekte në aftësitë e shpërndarjes së  librit dhe nuk kishte më hapësirë në shtëpi se ku të vendosja librat e mia të botuar gjatë një dekade. Duke pritur për ditë më të mira, ato nuk erdhën kurrë dhe një ditë mora të gjitha kopjet e mbetura të librave të tim, i stivosa në një lëndinë afër shtëpisë time dhe u vura zjarrin. Mbaj mend se asaj kohe isha i shqetësuar mos tymi i zi që nxirrnin librat e mi shqetësonin komshiun që kishte shtëpinë trekatëshe afër lëndinës. Nuk kisha çfarë të bëja. Kishin kaluar dhjetë vjet në pritje të lexuesit që nuk ishte shfaqur kurrë. Kisha dështuar si shkrimtar dhe nuk kisha ndonjë peng që po digjja librat e mi. I vetmi trazim që pata në qenien time ishte ai çasti kur flakët përpinë librin tim të ëndrrave rinore me titull “Apokalips”, ku gazetari Albert Vataj kishte shkruar një profeci që nuk u përmbush. Më erdhi keq që do të digjeshin fjalitë: “Granit Zela, vjen në letërsinë shqipe me një libër me poezi. Por jo vetëm kaq, Granit Zela, vjen për të mbetur.” Ndërsa flakët përpinin librat e mi mbaj mend se belbëzoja nervoz fjalinë e ndryshuar të Bertit. “Granit Zela vjen në letërsinë shqipe. Por jo vetëm kaq. Granit Zela vjen për t’u djegur!”

Arlinda Guma: A ndihet i përfaqësuari shkrimtari shqiptar në jetën kulturore?

Granit Zela: Mund të them a jam ndjerë i vlerësuar në jetën letrare në dhjetëvjetëshin e fundit. Në vitet kur botoja libra, kam pritur se mos më përmendej emri në konkurset e Ministrisë së Kulturës. Duke pritur vit pas viti ndonjë lajm se mos emri im përmendej ndonjëherë u ktheva në kronikan të shkrimeve që bënin shkrimtarët e Shqipërisë për çmimet skandaloze që janë dhënë nga kjo Ministri, për letërsinë. Në një shkrim me titull “Çmimet Kombëtare të Letërsisë dhe hauret e avgjisë” kam cituar 13 shkrimtarë të njohur, 5 prej të cilëve fitues të çmimeve të dhëna nga Ministria e Kulturës, të cilët e denoncojnë si çmim tarafesh dhe klanesh.

Mendoj se nuk ka mënyrë më shkatërruese për një çmim letrar se sa demaskimi nga vetë fituesit e tij. Por lista nuk ishte shterruese. Aty nuk kam përfshirë shkrimet e gazetarëve të kulturës. As nuk kam cituar ish anëtaren e jurisë së këtij çmimi; Mirela Kumbaro, e cila pasi u bë ministre tha se: “skemat e ndryshme të çmimeve që fryheshin a tkurreshin, përveç vullneteve të mira për të kënaqur sa më shumë autorë, botues a studiues, përveç sikleteve për të bërë qoka, përveç hatërngeljeve të vogla dhe inateve të mëdha, përveç dëshirës që edhe cilësia letrare të mos mbetej pa u treguar, përveç ndërhyrjeve politike që veç punë kanë prishur, tregonin se sa e vështirë është të japësh çmime në funksion të një kritike profesioniste”. Kumbaro nuk është e vetmja ish-anëtare e një prej jurive të ministrisë që e ka pranuar këtë. Nuk kam cituar as Moikom Zeqon që është shprehur se “Në juri kanë qenë emra të kulturës mesatare, që iu kanë dhënë çmime shkrimtarëve mesatar. Kjo përbën krim estetik dhe dëmton letërsinë e vërtetë.”. Por aty nuk sjell në vëmendje një reagim të siqnertë të Akademik Ali Aliut, i cili u shpreh i revoltuar në një gazetë kombëtare për përvojën e tij të hidhur si anëtar i kësaj jurie (2012). Sipas tij kishte qenë e papranueshme që anëtar jurie ishte edhe një nëpunës i Ministrisë. Mbledhja e jurisë ishte bërë në një nga lokalet e ministrisë, e shoqja e fituesit të çmimit kombëtar ishte në kabinetin e ministrit. Në mënyrë indirekte i vinin porosi prej njërit dhe tjetrit, nga të ministrisë apo të jurisë, duke krijuar një atmosferë skandaloze. Aliu u shpreh se ishte i shqetësuar, madje “i nginjur, aq i mbushur..” sepse vendimet e jurisë viteve të fundit nuk bindinin kurrkënd, sidmos me çmimin e madh. “Mua nuk më habit nëse kjo ndodh në Kumanovë apo në një provincë, por që të ndodh në qendër, që të ndodhin deformime të kësaj natyre që të fitojnë grupe tarafe… U zhgënjeva. Për mua është një çrregullim shumë i madh, kaos vlerash, por më së shumti këto janë çrregullime morale,” – u shpreh Akademiku Aliu duke bojkotuar ceremoninë e ndarjes së çmimeve ku kishte qenë anëtar jurie.

Personalisht nuk kam patur fat me çmimet letrare. Nuk kam fituar asnjëherë çmimin letrar të Ministrisë së Kulturës në Shqipërisë, çmimin letrar të Ministrisë së Kuluturës në Kosovë, çmimin letrar të Shoqatës së Botuesve të Shqipërisë  në Panairin e  Librit në Tiranë, çmimin letrar të Shoqatës së Botuesve të Kosovës dhe Panairit të Librit në Prishtinë, çmimin Netët korçare të poezisë, çmimin në Festivali i Poezisë Mbarëkombëtare “Muza Poetike Budiane”, çmimin “Ora e Madhe letrare “Flaka e Janarit” në Gjilan, Çmimin “Kadare” në UET,  çmimin në aktivitetet “Takimet Poetike të Karadakut”, në Kumanovë të Maqedonisë, çmimin letrare të PEN Albania, çmimin “Ora e Muzës-Lissus” në Lezhë, çmimin “Ora Letrare e Tahir Deskut” nën patronazhin e kryetarit të komunës së Klinës, çmimin letrar të Revista letrare “Obelisk”, çmimin e manifestimi letrar “Peja Poetike”, Kosovë, çmimin “Esad Mekuli” LSHA të Kosovës,  çmimin letrar të festivalit poetik “Promenadë mërgimtare”  Prishtinë. Nuk ka fituar asnjëherë çmim në Festivalin Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit,”Tetovë, çmimin “Rexhai Surroi”, çmim të Akademisë “Kult”, çmim të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Kosovës, çmimin letrar të takimit ndërkombëtar letrar “Azem Shkreli”, Pejë, çmimin letrar të mitingjeve të poezisë në Gjakovë, (54 mitingje deri tani), çmimin letrar të Lidhjes së  Poetёve, Shkrimtarёve dhe Artistёve “Pegasi” Kosova, çmimin në manifestimin letrat ndërkombëtar “Takimet letrare strugane.

Në këtë oqean shqiptar çmimesh letrare, anëtarët e jurisë janë poetë, studiues, mësues letërsie, doktorë shkencash, gazetarë të kulturës, nëpunës ministrie, kritikë, deputetë, drejtorë shtëpish botuese, punënonjës të arsimit dhe kulturës, ministra, bukinistë, bibliotekarë, kritikë arti, përkthyes, drejtorë të Trashëgimisë Kulturore, prozatorë, publicistë, redaktorë librash, botues, pedagogë të letërsisë, kryetarë klubesh shkrimtarësh, anëtarë akademish fantazëm online, drejtues bashkish.

Jam dakord me mendimin e Akademik Ali Aliut që çmimet letrare që jepen në periferi janë ku e ku më të sinqerta, dhe të besueshme se ato që jepen në qendër. Ka shumë poshtërsi dhe intrigë në çmimet që jepen në Tiranë. Unë përveçse fitues i një çmimi të një organizate të vdekur shkrimtarësh, jam edhe fitues i një çmimi letrar të dhënë nga një drejtori e aktiviteteve kulturore të Ministrisë së Mbrojtjes. Ruaj një kujtim të bukur gjatë ceremonies, pasi lexova në shoqërimin e orkestrës një fragment nga novela në dorëshkrim. Edhe kjo drejtori nuk ekziston më.

I vetmi motor nxitës për të ecur përpara ka qenë botimi në gazetën letrare “Fjala” të Agron Tufës dhe pastaj në periodikët e tjerë kulturorë që shfaqeshin, jetonin disa vite dhe zhdukeshin. Agroni më ka shkruar parathënien e librit tim të dytë me poezi dhe më ka botuar shumë ese si editoriale në faqe të parë, dhe kjo më ka dhënë krahë për disa vite. Më pas jam angazhuar në këtë mënyrë me përkthime dhe shkrime origjinale tek revista “Mehr Licht”. Botimi tek periodikët letrarë më ka bërë të ndihem shkrimtar që botohet dhe lexohet. Fatkeqësisht pjesa më e madhe e gazetave dhe revistave kulturore gjatë dhjetë viteve të fundit e kanë pasur jetën e e shkurtër dhe kanë qenë fryt i sakrificave individuale që kanë bërë botuesit e tyre.

Arlinda Guma: Çfarë bën botuesi shqiptar për ta nxjerrë në pah punë e shkrimtarit?

Granit Zela: Në botën shqiptare ka afërsisht 100 shtëpi botuese. Numërohen me gishta dhe meritojnë respekt dhe nder një grusht shtëpish botuese që e meritojnë një emër të tillë. Pjesa më e madhe e tyre janë Dhoma Tregtie, organizime familjarësh që botojnë me pagesë me qindra libra në vit, më së shumti pa redaktorë, etj, etj. Janë plaçkitës të shkrimtarëve. Jo se u botojnë librat kundrejt pagesës por edhe kur ua botojnë nuk janë të ndershëm në marrëdhënien që ndërtojnë me ta. Nuk lidhin kontrata botimi, nuk dihet kurrë sa kopje të librit botojnë, sa shesin. Marrëdhënia e shkrimtarit me botuesin është ajo e skllavit me padronin. Shkrimtari duhet t’i jetë mirënjohës ngaqë po e boton, të mos ndihet i lënduar nëse botuesi thekson që ai nuk shitet, nëse kërkon të marrë le të themi vlerën materiale të një shpërblimi letrar, etj. Por sërish, ato pak shtëpi botuese që nuk notojnë në këtë moçal, më së pari moral, meritojnë lëvdatat që bëjnë detyrën që u takon. Për fat të mirë, një pjesë e tyre janë bërë të fuqishme dhe gjithë “muskuj” dhe për fat të keq shkrimtarët përballë tyre janë “të ligur” “skeletikë.” Në përgjithësi, maksimumi që bën pjesa më e madhe e 100 Shtëpive Botuese është një takim promovues në Panairin e Librit. Përjashtime ka sigurisht. Shumica këtë bën.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

Go to Top