Mbi faturën e rrymës/Shpëtim Selmani (pjesë nga një roman në shkrim e sipër.)

in Letërsi by

Shpëtim Selmani


Ne i humbasim të afërmit në kuptimin fizik. Nganjëherë humbjet fizike i përforcojnë lidhjet shpirtërore. Apo ne përmes mungesës jemi të lidhur me ata që i humbim më shume sesa atëherë kur ata ishin të pranishëm. Pak a shumë kjo gjë më ka ndodhur me babain tim. Me vite e kam parë në ëndërr. I lumtur, duke jetuar një jetë tjetër familjare. I cili nuk pranonte të më takonte. Të më afrohej. Thjesht më shikonte nga një distancë. Krejt i humbur dhe i ftohtë akull. Sidoqoftë, ëndrrat na çojnë aty ku kundërshtojmë. Në disa raste. Në disa raste të tjera. Na çojnë aty ku ne pajtohemi, në heshtje. Ne mbajmë kujtimin për ata që i humbim edhe përmes gjërave të caktuara. Një këngë. Një fjalë. Një zë. Një objekt. Një hapësirë. Një pemë. Një kapelë. Një pako cigare. Një palë këpucë. Mund të na rrinë në muzeun familjar. Dhe mund t’i sodisim duke e ndier praninë e tyre.
Praninë e babait tim e ndiej përmes shtëpisë sime në fshat. Më saktësisht; përmes faturës së rrymës. Kur paguaj rrymën e shtëpisë në fshat. Kënaqem kur nëpunësi i postës thotë emrin e babait tim si konfirmim. Më duket se është diku dhe më ka porositur ta kryej këtë detyrë. Nëpunësi thotë emrin e tij dhe unë jam në gjendje të paguaj miliona. Nuk paguhet ai çast kur nëpunësi thotë emrin e tij dhe tek unë ndizet drita e një shtrembërimi real.
Po ai është gjallë ngase përmes emrit të tij diçka përfundon. Diçka është në lëvizje. Diçka e pohon praninë e tij fizike. Nëse nuk e pohon, të paktën nuk e mohon.
Paguaj dhe dal i lumtur. Fus faturën në xhep i lumtur. Jam gati ta marr edhe në telefon. Por ende nuk lëshohem deri në atë pikë. Me përshtypjen time se ai është ende gjallë, i fortë dhe i ndershëm, jam gati të paguaj çdo faturë jetese që më detyrohet. Nis të bjerë një shi i mirë. Futem në shtëpi dhe gjatë gjithë ditës dëgjoj grupin Pink Floyd. Gruaja ime, e përndritur, e lindur për të qenë artiste, e dhënë pas detajeve, e diplomuar në shkencën e argumentimit, e fiksuar pas së drejës së saj, fanatike e artit si propagandë, gruaja ime e cila paguan çmimin e dashurisë së saj për mua, punon më një ndjenjë të lartë përqëndrimi.
Laj enët dhe po. Le t’ia kujtojmë vetes se dikur ishim pionerë të mallëngjimit patetik. Wish you were here. Babi. Të krenoheshe. Apo të ishe thellësisht i dëshpëruar me mua. Vetëm të ishe këtu. Nuk do të kishin rëndësi fare gjendjet. Muret dhe paratë. Jam i vetëm. Ndihem i vetëm. Nuk përkas askund. Nuk më përket asgjë. Brenda shformësimit disi përpiqem, disi mbaj gjallë kapacitetet e mia njerëzore. Por ama kohë pas kohe shoh se e argëtoj edhe djallin.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

NË MAL-Du Fu

NË MAL-Du Fu (712-770) Në mes të pjerrinës së kaltër Pavijoni i
Go to Top