Lexuesi që është “lindur” për librin është ai që sheh atë që është shkruar me bojën e padukshme/Toni Morrison  

in Letërsi by

Boja e padukshme është ajo që qëndron nën, mes dhe jashtë rreshtave, e fshehur derisa lexuesi i duhur ta zbulojë. Me lexuesi “i duhur”, po sugjeroj që disa libra nuk janë për çdo lexues. Mund ta admirosh, por jo gjithkush mund të përfshihet emocionalisht ose intelektualisht kur lexon veprën e Proust-it. Edhe një lexues që e do librin mund të mos jetë dashuruesi më i mirë apo i duhuri.

 Toni Morrison

 Përkthyer nga Granit Zela posaçërisht për Defekt-Teknik

Një herë kam shkruar një artikull për një revistë që kishte një rubrikë të vogël të jo të përhershme “artesh”. Ata donin diçka të lavdëruese për vlerën ose mbase thjesht për kënaqësinë e leximit. Ky emri i fundit; “kënaqësi”, më bezdisi, sepse rëndom lidhet me emocionet; kënaqësinë që ngjall mbajtja pezull e lexuesit. Të lexuarit është thelbësor, ndërkohë që theksohet aspekti “argëtues.” Natyrisht, kuptohet, në ligjërimin popullor të paktën, pritet të jetë frymëzues, edukues dhe në rastin më të mire; nxitës i mendimeve të thella.

Për aktin e leximit kam nisur të mendoj që në fillimet e mia si shkrimtare/krijuese, por edhe si lexuese e devotshme. Fillova të lexoja kur isha tre vjeçe, por gjithmonë e kisha të vështirë. Nuk e kisha të vështirë për të lexuar, por e kisha të vështirë në kuptimin e kërkimit të kuptimit, jo vetëm tek fjalët por dhe përtej tyre. Fjalia e klasës së pare: “Vrapo, Xhip, vrapo”, më bënte të bëja pyetjet: “Pse po vrapon? A është ky urdhër? Nëse po, për ku? A po e ndjekin qenin? A po e ndjek dikush? Më vonë kur lexova përallën e vëllezërve Grim: “Hanseli dhe Greteli” në mendjen time vërshuan pyetje më serioze. Ashtu siç ndodhte edhe me vjershat dhe lojërat me fjalë në çerdheve: “ngrije, ule, ngrije, ule/xhepat plot me lule.” Kaloi ca kohë para se të kuptoja se rima, loja, ishte për vdekjen gjatë murtajës. Kështu që unë zgjodha për këtë revistë të përpiqesha të bëja dallimin midis leximit si aftësi dhe leximit si art. Zgjodha të bëja ftesë për lexim të Flannery O’Connor-it me fragmentin e mëposhtëm:

“Mister Hed u zgjua për të zbuluar se dhoma ishte plot dritë hëne. U ngrit dhe këqyri dërrasat e dyshemesë, ngjyrë argjendin, dhe mandej u ndie fësh – fëshi i nënkresës, ndoshta i mbulesës me lajle-lule, dhe një sekondë më pas, ai pikasi gjysmën e hënës pesë metra larg në pasqyrën e rrojes, e ndalur, a thua sikur po priste lejen për të hyrë. Ajo bëri përpara duke u rrotulluar, duke hedhur një dritë madhështore mbi gjithçka. Edhe karrigia e drejtë e mbështetur në mur ngjante më e madhe dhe elegante sikur të ishte në pritje të një porosie, ndërkohë që pantallonat e zotit Hed, varur në pjesën e prapme të saj, kishin një pamje gati fisnike, si veshja që një burrë emërmadh sapo kishte flakur drejt shërbëtorit të vetë.”

Në këto fjali hyrëse të O’Connor-it, ajo ka zgjedhur t’i drejtojë lexuesit tek fantazia e zotit Hed, tek shpresat që ai ka. Fësh-fëshi i nënkresës, mbulesa me lajle-lule, janë detaje të që e pasurojnë përshkrimin. Drita e hënës që bie në një dysheme druri bëhet e argjendtë dhe “hedh një dritë madhështore mbi gjithçka”. Karrigia e tij “ngjan më e madhe dhe elegante” dhe duket se pret një urdhër nga ai. Edhe pantallonat e tij të varura në karrige kishin “një pamje gati fisnike”, si veshja që një burrë emërmadh sapo e ka flakur drejt shëbëtorit të vetë. Kështu që, zoti Hed ka ëndrra të mëdha, mbase të pakontrollueshme madhështie, për të pasur shërbëtor nën urdhrat e një autoriteti të drejtë. Edhe hëna në pasqyrën e tij të rrojes ndalon “sikur të ishte duke pritur lejen e tij për të hyrë”. Ne nuk na duhet të presim (disa fjali të tjera) për të parë orën e alarmit të vendosur mbi një kovë të përmbysur apo të pyesim veten pse pasqyra e rrojes është pesë metra larg nga shtrati, për të ditur tashmë shumë gjëra – pretendimet, pasiguritë, dëshirat e tij patetike – dhe për të parashikuar sjelljen e tij ndërsa shpaloset historia.

Në esé përpiqesha të identifikoja karakteristikat e shkrimit të patëmetë, që mundëson leximin e letërsisë sërish dhe sërish, për të hyrë në botën e saj i sigurt se vëmendja ndaj tekstit do të shkaktojé gjithmonë habi. Si ta bësh veprën të funksionojé ndërsa ushtron të njëjtin efekt edhe tek unë? Mendova se ilustrimi im ishte i mirë për atë që synoja, por ajo që nuk mundja të nyjëtoja qartë ishte mënyra me të cilën një lexues merr pjesë në tekst, jo si e interpreton, por si e ndihmon për ta shkruar tekstin. (Shumë ngjashëm me të kënduarit; janëtekstet, muzika, dhe më pas realizmi skenik, kontributi i individit tek kjo e tërë.)

Boja e padukshme është ajo që qëndron nën, mes dhe jashtë rreshtave, e fshehur derisa lexuesi i duhur ta zbulojë. Me lexuesi “i duhur”, po sugjeroj që disa libra nuk janë për çdo lexues. Mund ta admirosh, por jo gjithkush mund të përfshihet emocionalisht ose intelektualisht kur lexon veprën e Proust-it. Edhe një lexues që e do librin mund të mos jetë dashuruesi më i mirë apo i duhuri. Lexuesi që është “lindur” për librin është ai që sheh atë që është shkruar me bojën e padukshme…

Dyshja e zakonshme në kritikën letrare është teksti i qëndrueshëm përkundrejt lexuesit të aktualizuar. Lexuesi dhe leximet mund të ndryshojnë, por teksti jo. Ai është i ngulitur. Ndërsa teksti nuk mund të ndryshojë, atëherë një marrëdhënie e suksesshme midis tekstit dhe lexuesit mund të lindë vetëm nëpërmjet ndryshimeve në projeksionet e lexuesit. Mua më duket se bëhet pyetja nëse ato projeksione të përgjumura janë produkt i lexuesit apo shkrimtarit. Ajo që dua të sugjeroj është se mund të mos jetë gjithmonë kështu. Ndërsa përgjegjësia e interpretimit kuptohet që kalon tek lexuesi, teksti nuk është gjithmonë pacient i qetë që lexuesi e sjell në jetë. Dua të paraqes një element të tretë në ekuacion autorin.

Disa shkrimtarë i projektojnë tekstet për të shqetësuar – jo thjesht me subjekte që të mbajnë pezull, tema provokuese, personazhe interesantë, apo edhe të mangët. Ata i projektojnë shkrimet letrare për të shqetësuar, tronditur dhe për ta përfshirë plotësisht gjendjen e përvojës së leximit. Braktisja e metaforës dhe krahasimit është po aq e rëndësishme sa përdorimi i tyre. Fjalitë e rëndësishme mund të shkruhen që të përmbajnë informacione të fshehura përgjithmonë, që e plotësojnë, e zotërojnë ose e manipulojnë leximin. E pashkruara është po aq e rëndësishme sa e shkruara. Dhe zbrazëtitë që janë të qëllimshme dhe qëllimisht ngashënjyese, kur plotësohen nga lexuesi “i duhur”, e japin tekstin në tërësinë e tij dhe dëshmojnë për jetën e tij të gjallë.

Mendoni për “Benito Cereno” në këtë aspekt, ku autori zgjedh këndvështrimin e rrëfimtarit për të manipuluar me qëllim përvojën e leximit. Ekzistojnë hamendësime të caktuara në lidhje me kategori që përdoren rregullisht për të krijuar këtë shqetësim. Do të doja të shihja të shkruar një libër ku gjinia e rrëfimtarit është e papërcaktuar, e papërmendur. Gjinia, ashtu si raca, mbart me vete shumë pasiguri të gjitha të përdorura nga shkrimtari për të formësuar përgjigje të caktuara dhe, ndoshta, për të kundërshtuar të tjera. Raca, siç tregojnë shembujt e O’Connor, Coetzee dhe Melville, përmban dhe ngjall shumë siguri. Kam shkruar diku tjetër për përdorimet metaforike të kodeve racore ndonjëherë për të sqaruar, ndonjëherë për të forcuar hamendësimet që lexuesit mund të bëjnë. Virginia Woolf me zbrazëtitë e saj, Faulkner-i me vonesat në zbulimin e ngjarjes, të dyja teknikat e kontrollojnë lexuesin dhe bëjnë që ai të funksionojë brenda tekstit. Por a është e vërtetë që teksti nuk formulon pritshmëri ose ndryshimin e tyre? Apo ky formulim është e drejtë e lexuesit, duke bërë të mundur që teksti të përkthehet dhe përcillet në mendjen e tij?

E pranoj këtë përdorim të qëllimshëm në pothuajse të gjithë librat e mi, me kërkesën e qartë, që lexuesi jo vetëm të marrë pjesë në rrëfim, por të ndihmojë në shkrimin e tij. Ndonjëherë kjo bëhet me një pyetje: Kush vdes në fund te “Kënga e Solomonit” dhe a ka rëndësi kjo? Ndonjëherë me mospërmendjen e qëllimshme të gjinisë së personazhit. Kush është rrëfimtari në fillim të romanit: “Dashuri?”A është grua apo burrë rrëfimtari që thotë: “Gratë i hapin këmbët për qejf të tyre dhe unë lëvrij? Apo tek romani: “Xhaz” është burrë apo grua personazhi që deklaron: “E dua këtë qytet”? Për lexuesin jo të duhur, strategji të tilla janë të bezdisshme, si të mos i hedhësh gjalpin një buke me gjalpë. Për të tjerët është portë gjsymë e hapur që të fton të hysh.

Nuk jam autorja e vetme që ka shkruar për racën me rrëfimtar të pashenjuar. John Coetzee e ka bërë këtë me mjaft mejshtëri tek: “Jeta dhe koha e Majkëll K.”. Në këtë libër, ne si lexues hamendësojmë menjëherë, mbështetur në faktet, se vendi është Afrika e Jugut, personazhi është një punëtor i shkretë dhe nganjëherë endacak, që njerëzit priren të largohen prej tij. Por ai ka një vragë mëse të dukshme në buzë dhe ky mund të jetë shkaku i fatit tij të keq. Askund në libër nuk përmendet raca e Majkëllit. Si lexues, ne mund të hamendësojmë ose jo. Po çfarë ndodh nëse lexojmë bojën e padukshme në libër dhe zbulojmë se është krejt e kundërta – ta lexonim si rravgimet e një të dobëti të bardhë të Afrikës së Jugut (sepse ka dhjetëra të tillë)?

Është e qartë që fjalia hapëse e romanit tim: “Parajsa” është një shembull i drejtpërdrejt i bojës së padukshme. “Ata qëlluan së pari vajzën e bardhë dhe vijuan me ngé me pjesën tjetër.” Për sa kohë do të përfytyrojë lexuesi se kush ishte vajza e bardhë? Kur do ta besojë lexuesi që e ka identifikuar? Kur do të jetë e qartë se ndërsa pasja e këtij informacioni është jetik për dëshmitarët e qytezës, a ka vërtet rëndësi për lexuesit? Kësisoj, ciladoqoftë zgjedhja e bërë, është lexuesi ai që unë detyroj të më ndihmojë në shkrimin e librit; është lexuesi ai që thërras të përdorë bojën e padukshme, për ta çekuilibruar tekstin dhe riorientuar lexuesin. Kjo ndodh që nga nga fjalia e parë: “Ke frikë”, tek romani: “Mëshira”, e cila e qetëson lexuesin, duke u betuar që të mos ta lëndojë, deri tek fjalia në kreun e parafundit: “Ke frikë? Duhet të kesh”.

Shkrimi dhe leximi përfshijnë ngashnjimin – ngashnjimin e lexuesin përtej faqeve të libritm, duke e përjashtuar nocionin e tekstit të ngulitur, sepse ai varet prej lexuesit aktiv dhe ndërveprues, që e shkruan leximin – me bojë të padukshme. Më lejoni ta mbyll me dy fjali nga romani im: “Shtëpia”, që besoj se përbën një shembull tjetër:

“Ato ngritën krye si burrat. I pamë. Dhe po si burrat bënë qëndresë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

Go to Top