KËNGË NGA BRENDA-JULIA DE BURGOS

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

KËNGË NGA BRENDA-JULIA DE BURGOS

Nuk më kujtohesh! Më ndje!
Midis dashurisë tënde dhe shpirtit tim ka vetëm një cicërimë.

Lundrojnë të dy sytë e mi
në të njëjtën kaltërsi pa fund ku ti vallëzon.

Ylberi yt i ëndrrave tek unë është
përherë livadh i hapur midis maleve.

Një herë humbën ngashërimet e mia
dhe i gjeta të mbytura në lotët e tu.

Nuk më kujtohesh! Më ndje!
Një bilbil në grykën e tij na ka.

Lumenjtë që solla me vete shkrepave të mi,
derdhen vetëm nëpër plazhet e tua.

A ka një pështjellim fluturimesh në ajër?
Është era që na shpie te sandalet e tua!

Nuk më kujtohesh! Më ndje!
Sa më pak të mendosh për mua, aq më shumë më do.

Përktheu: Bajram Karabolli

* JULIA DE BURGOS Hulia de Burgos (1914 – 1953) – poete portorikane. Nga shumë kritikë është konsideruar si poetja më e madhe e lindur në Porto Riko. Ishte bijë e një familjeje të varfër, me shumë fëmijë, nga të cilët vetëm ajo mundi të kryejë shkollën e mesme e të shkojë edhe në Universitet, por, për shkak të kushteve të rënda ekonomike, nuk mundi ta kryejë plotësisht atë. Punoi si mësuese, por prirja e vërtetë e saj qe arti poetik. Më 1936 u bë pjesë e “Bija të lirisë”, degë e Partisë Nacionaliste të Porto Rikos, që luftoi për pavarësinë e ishullit.

Julia de Burgos u martua në Nju Jork me Jonathan Peralta Pabon, por dashuria e saj e madhe ishte historiani, mjeku dhe politikani domenikan Alex Isidro Jimenez Grullón. Kjo dashuri qe frymëzimi i shumë prej poezive të saj, por edhe shkaku i rënies në depresion dhe i dhënies pas alkoolit, gjë që e çoi në vdekje të parakohshme. Edhe pse jetoi pak, Julia de Burgos arriti të botojë tre vëllime me poezi, të cilat do ta pavdekësonin emrin e saj.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

Go to Top