EASTERN («WESTERN») – FILM GJERMAN ME REGJI TЁ VALESKA GRISEBACH/Kinoditar

in Kinema by

Nga “Kinoditar”

Nëse Shqipëria do kish qenë vend anëtar i Bashkimit Europian, regjisorja gjermane fare mirë do mund ta kish zgjedhur atë si vendin ku zhvillohen ngjarjet e filmit të saj në vend të Bullgarisë. Dhe sot do të ishim të gëzuar që “Western”  i vendos ngjarjet në Shqipëri.

Historia e filmit:
Një grup punëtorësh gjermanë, ne kuadrin e të famshmes “Posted Workers Directive 1996” (direktivë që i lejon punëtorëve të një vendi të BE-së te punojnë në një tjetër vend, po ashtu anëtar të Bashkimit Europian), shkojnë për të punuar në një kantier në jug të Bullgarisë, në fshatin Petrelik, ngjitur me kufirin jugor grek.

Shumica e punëtorëve gjermanë evitojnë kontaktin me banorët e fshatit bullgar, jo vetëm sepse nuk e kuptojnë gjuhën e tyre, por edhe sepse janë koshientë te dallimeve kulturore me ta. Por pak e nga pak, fillon dhe kontakti…

*

Nga filmat e famshëm amerikanë western, filmi gjerman respekton jo pak kode: së pari, bëhet fjalë për një territor gjeografik pak a shumë të egër (në rastin konkret, bëhet fjalë për një fshat të humbur bullgar, i cili, nën peshën e diellit përvelues të verës, kthehet në teatër të përplasjes mes dy komuniteteve); po ashtu, sikurse tek filmat western, disa vende gjeografike jane konceptuar si kufiri ose si pikëpjekja e një pëplasjeje midis komuniteteve (lumi i fshatit, kafja e fshatit). Nga ana tjetër, armët (në rastin konkret: një çifte dhe një thike dore) ndihmojnë për instalimin e një atmosfere kërcënuese (njësoj si tek western amerikanë). Si dhe kuajt. Si dhe disa femra, (shume pak amà), shpesh si objekt i përplasjes.
Pra një western i vërtetë. Por në 2017-n. Në Europën Lindore.
Thëne ndryshe: një eastern.
Ose: një western modern, në zemër të maleve bullgarë.

*

Por me gjithë peshën e “kodeve” të western-ave amerikanë, tek “Western”-i bullgar i Valeska Grisebach, që në minutat e para ndihet një frymë lirie autentike, gjë që i jep filmit një notë krejt të lehtë “parodie”, sidomos po të kemi prasysh vështirësinë e dy grupeve për t‘u marrë vesh mes tyre; as punëtoret gjermanë nuk kuptojnë bullgarisht, as fshatarët bullgarë nuk kuptojnë gjermanisht. E megjithatë, në mënyrën më subtile dhe elegante që mund të ekzistojë, kamera, pak e nga pak, përqendrohet tek njeri prej punëtoreve, tek Meinhard, rolin e të cilit e luan një aktor amator.

Duhet thënë diçka për të meqë ra fjala;  unë nuk besoj tek mrekullitë por nëse ato ekzistojnë, duhet pranuar që, me siguri, regjisores së këtij filmi i ka ndodhur një mrekulli: ndodh 1 herë në 1000 që një regjisor të arrijë të qëllojë kaq mirë në shenjë, pas një seleksionimi, në zgjedhjen e një aktori kryesor amator, si rasti në fjalë. Meinhard Neumann nuk luan rolin e Meinhardit (në film ai ruan të njëjtin emër si dhe në jetë). Ai është Meinhardi!

Thënë këtë, vazhdojmë me filmin. Pra po thoshim se kamera, pak e nga pak (duke filluar nga çereku i filmit) fillon e fokusohet tek njëri prej punëtorëve, tek Meinhardi, siluetë e gjatë e një trupi muskuloz e të rreshkët, sytë bojëqiell që i japin dritë një fytyre aq të ashpër e aq të shenjuar nga puna fizike.

Kjo figurë kaq e veçante, kaq jotipike, fillon e veçohet prej grupit të punëtorëve, dhe pak e nga pak fillon të krijojë ura të vogla (dhe pothuajse të padukshme) lidhjeje të punëtorëve gjermanë me fshatarët bullgarë (në fillim, kjo ndodh nëpërmjet miqësisë për kuajt), për të kaluar më pas në momente shumë e shumë më njerëzore, ose më saktë të asaj që mund të guxojmë të quajmë vëllazëri njerëzore (human fraternity).
Bukuri e brishtë, vazhdimisht e kërcënuar nga grupi (qoftë nga ai i punëtorëve, qoftë nga ai i fshatarëve), filmi arrin, pa as edhe më të voglin konçesion, të imponojë triumfin e njerëzores. “Western” është film magnifique që arrin të përshfaqë pa paragjykuar kompleksitetin e frikshëm të qenies njerëzore, domethënë pasurinë e tij të pashtershme (shpirtërore, fizike, mendore…)

Film-Botë, nga ata që vijnë një herë në vit.
Domethënë: FILMI I VITIT

Nota : 10 (me yje të pafundme)!

p.s: producente e këtij filmi është Maren Ade, regjisorja e «Toni Erdmann», filmi im i preferuar i 2016-ës. Nëse para një viti filmi i saj ishte analiza më preçize dhe satira më brilante e Europës së shekullit të XXI, jo më shumë se një vit më pas, Valeska Grisebach nuk e lë topin të bjere në tokë: master-piece répété!

TRAILERI:

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.