Karvani anakronik, apo Liri dhe Demokraci-Bertolt Brecht
Në Gjermani erdh pranvera.
Mbi rrënoja seç fryn era
Dhe mështeknat çelin fletë
Sytha t’gjelbër lajmërojnë jetë
Që prej luginave në jug
Shumë votues dalin në rrugë
Bashkohen në hap solemn me shokë
Dy pankarta përmbi kokë
Prej dërrasash vjetëruar
Dalëboje parrulla e shkruar
Me mesazhin plot lavdi
Liri dhe Demokraci.
Në çdo kishë këmbanat ranë duke qarë.
Vejusha ushtarësh, gra pilotësh të vrarë
Jetimë, të plagosur, gjymtuar, dhunuar
Shihnin gojëhapur kush qe duke marshuar.
Shurdhët qorrave u tregonin
Cilët qenë që po marshonin
Pas slloganit si ai
Liri dhe Demokraci.
Në krye të marshit një idiot
Brohoriste me zë të plotë
“Allons, enfants, God save the King
Dhe dollarin, tring tring tring”
Në rresht të dytë, goxha punë
Qenë dy murgj, mbështjellë me zhgun
Por poshtë rrobave në sy bie
Një shkëlqim çizmesh ushtrie.
Kryq më të gjerë kanë në flamur
Se svastika që ish dikur
Kryqi i thyer u vjetërua
U la pas e u harrua.
Nën flamur marshon një frat
Ardhë prej Romës ky i ngratë
Ku kish lënë të Shenjtin Atë
Me sy nga Lindja, plot inat.
Pas tij vjen një turmë me burra
Brohorasin urra-urra
Për Natën e Thikave t’Gjata
Rroftë liria, rroftë nata.
Pas tyre ecin drejtorë trustesh
Pa fytyrë, por padronë lufte
Luten për armë e për industri
Liri dhe Demokraci.
Si një gjel por puplarrjepur
Pangjermani marshon paepur
Dhe kërkon e s’i vjen plasje
Liri Fjale (Fjala është “Vrasje”).
Vazhdon marshimi me mësuesit
Servilët, trukorruptuesit
Duan të drejtën për të edukuar
Kasapë të rinj për të luftuar.
Pastaj ecin mjekë e doktorë
Rob të Hitlerit, çnjerëzorë
Që kërkojnë të lejohet
I kuqi të viviseksionohet.
Tre shkencëtarë hijerëndë pro-nazi
Të famshëm se shpikën dhoma gazi
Kërkojnë që të ketë dhe për kimi
Nga pak Liri e Demokraci.
Vijnë ekspertët e urryer
Dikur miq të kryqit të thyer
Prej këtyre pleshtave Shteti i Ri
Drejtohet në hierarki.
Më pastaj vijnë ish-redaktorët
E ish-gazetës Sturmer të gjorët
Që të gjithë protesojnë
Liri Shtypi po kërkojnë.
Taksapaguesit e ndershëm marshojnë butë-butë
Dikur qenë të famshëm se thernin çifutë
Por sot protestojnë, kërkojnë garanci
Pa kushte për çdo minoritet të ri.
Deputetët radhën kanë
Që në kohë të Hitlerit, ishin Arjanë
E tani shiten si juristë
E meriton lirinë ky talent i pistë!
Kur njeriu i tregut të zi
U pyet ç’do në marsh ai
U përgjigj pa mendjevrarje:
“Dua liri për sipërmarrje”.
Dhe gjyqtari (ja dhe tjetra)
Se ku i gjen ca ligje të vjetra
I hitlerizuar fund e majë
Njerëzit si vetja i shpall pa faj.
Poetë, piktorë, muzikantë plot etje
Kërkojnë fonde, pozita e mbështetje
Këta shpirtra fisnikë sot betohen
Se për Fuhrerin më as që kujtohen.
Nëpër rrugë ndihet një lehje e zgjatur
Esesi i djeshëm sot paguhet për të rrahur
Liria ka nevojë dhe për njerëz si ai
Pra Liri dhe Demokraci.
Edhe gratë naziste që marshojnë në krah
Me fundet e shkurtra, ngritur në hava
Sot me cica e shalë dhe këto qyqare
Marrin prej aleatëve kafe e cigare.
Gra prej Kraft durch Freude, spiunë e racistë
Hetues të Gestapos e të policisë
Spekullantë financiaristë
Çlirimtarë irredentistë
Aleatë zgjedhjesh e fushatash
Gjak e baltë, mbi lagje e fshatra
Gromësimë qelbur në raki
Liri dhe Demokraci!
Gjersa krejt të kutërbuar
Në Mynih marshimin e kanë përfunduar
Qyteti që nazizmin polli
Aty Gjermania vdekjen e vet ndolli.
E mjeruar, e çoroditur
Rri borgjezia e habitur
Mbi gërmadha që dikur qenë shtëpi
Sot pa ushqim e pa qartësi.
Parada erëkeqe ndalet
Te Braunhausi që të falet
Mes rrënojash, mes gërdie
Në heshtje dalin nja gjashtë hije
Të gjithë pushojnë çdo pipëtimë
Të nderojnë këtë takim
Dhe gjashtë hije në gjashtë qerre
I bashkohen paradës tmerre.
Në gjashtë qerre këta gjashtë anëtarë
Të partisë që qe më parë
Marshojnë e turma brohoret
Kjo është Liri e Demokraci e vërtetë.
Një kamzhik në dorën eshtake
E para është SHTYPJA dredharake
Mbi një autoblind të ri
Dhuruar nga jona industri.
Mbi një tank të vjetëruar
Marshon MURTAJA e mallkuar.
Që të mbulojë frymën erërëndë
Mbulon gojën me pëllëmbë.
Mbas saj ecën vetë MASHTRIMI
Me birrë në dorë, për hir të marshimit
Mbush gratis çdo gotë me pije
Por me kusht, t’ia falësh fëmijët.
Pas tij vjen ajo plaka e rrudhët
Që nuk lodhet, prapë merr udhët
IDIOTËSIA vjen në skenë
Dhe MASHTRIMIN me sy gjen.
Me ngadalë si në një dramë
Qaset VDEKJA pa rropamë
Me zë të lehtë nanuris
Ëndrra t’ëmbla të lirisë.
Dridhur prej krizës së fundit
HAJDUTËRIA zgjohet gjumit
Prej feldmarshalli kapën e kokës
Nën krah mban një glob të Tokës.
Të gjashtë këta hijerëndë
Kryelartë, gishtin në këmbëz
Medoemos kërkojnë tani
Të ketë Liri e Demokraci.
Një qivur i madh nga pas iu shkon
Gjashtë shtazëve që marshojnë
Në të cilin kush e di
Se ç’milet mbyllur po rri.
Era fryn për ta muzikë
Muzikë morti, plot me frikë
Në marsh vijnë dhe qeraxhinjtë
E dikurshëm, por dhe minjtë
Lënë rrënojat e masivisht
I bashkohen paradës në bisht
Duke ikur thërrasin “Liri!”
“Liri dhe Demokraci!”
Përktheu: Arbër Zaimi
Të kuptuarit-Bertolt Brecht
Të kuptuarit-Bertolt Brecht Mund të të dëgjoj tek thua: Ky flet për Amerikën Ky nuk