Jezus-Shpëtim Selmani

in Letërsi/Tharm by

Fragment nga dorëshkrimi i një romani të pabotuar

Shpëtim Selmani

Sa më shumë që rritem humbas mes një tërësie veprimesh e detyrash. Nuk kam më asnjë qëllim. Përfundimisht. Nëse më herët kam pretenduar qëllime pikërisht duke i mohuar qëllimet, nëse më herët kam pretenduar ëndrra gjithnjë duke i tallur ëndrrat, tashmë vërtet nuk jam i gatshëm as për tallje e as për asgjë. Diçka po hakmerret ndaj meje. Ndaj të gjithëve. Epokat hakmerren. Fëmijët hakmerren. Dhe historia di ta bëjë më së miri atë që ka bërë gjithmonë, kryqëzimin. Po i mbush gati të katërdhjetat dhe ende nuk kam ndonjë përkufizim për asgjë. Nuk ia kam dalë të kuptoj diçka plotësisht. Të zotëroj diçka plotësisht. As konceptet filozofike. As pallavrat letrare. As zemrën njerëzore. Vazhdojmë të çajmë mes ideologjish të sëmura. Mes pamfletesh të helmuara. Mes frikës për të ardhmen. Dhe mes fashizmit të kohës. Gradualisht humbasim çdo gjë. Është e papërballueshme. Jeta. E papërballueshme vdekja. E papërballueshme puna. Dhe i gjithë sistemi. Nëse nuk jeni i çmendur. I lig. Fanatik. E keni humbur betejën. Ende mure para fytyrës sonë. Ende spektakël dhe propagandë. Letërsia e kërkon lavdinë e saj të humbur para shekujve. Mut dhe tulla. Dorëzim dhe vështrim. E shoh se si vjen dita. Fatkeqësia e vëtëvrasjes bëhet e dukshme kur përjashtohet si mundësi. Jezus, mos qaj nga lart. Mos na gjuaj me shi. Nuk mund të lash më asgjë. Jezus, mos qaj. Duam pará. Shumë pará. Duam pará, Jezus. Na hidh pará. Ta mbushim gushën. Ta mbushim barkun. Ta mbushim mendjen. Jezus, na hidh metelikët e çmuar qiellorë. T’i mbushim xhepat tonë të thellë si vdekja. Jezus, na ndihmo. Na bëj të pasur. Ja, urdhëro dashurinë, ja, merr çdo gjë nga ne. Por aman hidhe nga qielli të gjithë pasurinë materiale të Zotit. Koha të qetësohemi. Koha të ndalemi. Dhe ta shohim veten lakuriq mes ishujve të së nesërmes. Jezus. Të duam ashtu siç ishe në ditët e tua të mira. Bëj mrekulli përsëri dhe pastaj zhduku. Zhduku. Shporru. Dhe ngjitu në miliona qiej. Sall na bëj të pasur. Të gjithë këta 7 bilionë budallenj pak a shumë siç thotë Idrizi. Bëji të pasur. Të gjithë jemi kapitalistë të qelbur. Na bëj të pasur dhe pastaj theje qafën, Jezus.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

Gruas-Shpëtim Selmani

Gruas-Shpëtim Selmani Kam parë perëndeshat e Hamburgut të mbytura në pikëllim,grave greke
Go to Top