A është vërtet filmi “Hije që mbeten pas”, “mbjellës i përçarjes familjare?/Arlinda Guma

in Kinema by

Nuk kemi në këtë film dikë që do dënohet për arsye politike, por për vjedhje, dhe vjedhja është e dënueshme në çdo sistem. Dikush që ka vjedhur në sistemin komunist dhe është dënuar, quhet thjesht “hajdut”, në çdo sistem, nuk mund ta bëjmë sot dëshmor, thjesht se “ka guxuar të vjedhë në një sistem të përgjakshëm diktatorial”. Nuk mund ta quajmë disident, e shumta mund ta quajme “hajdut disident”, meqënëse ka vjedhur në kushte më të vështira se kushtet e sotme komode.

Arlinda Guma

Lexova përpara disa ditësh një shkrim në lidhje me një studim për filmat e periudhës para viteve 90-të, dhe më bëri përshtypje një frazê “mbjellës i përçarjes familjare”. Midis një serie me filma që i kishin rreshtuar në këtë kategori, ishte edhe filmi “Hije që mbeten pas”. Dhe unë u përpoqa të gjeja se ku “konsistonte” kjo përçarje.
Nuk e gjeta.
Të gjithë e njohim subjektin e këtij filmi; një gjykatës që zbulon se babai i të fejuarës së tij është vjedhës dhe përvetësues i pasurisë shtetërore. Kemi në këtë film personazhin e Agronit, njeri me parime dhe i dashuruar me të fejuarën e tij, Marjetën, kjo e fundit, e dhënë më shumë pas botës materiale sesa asaj shpirtërore (personazhin e Marjetës do ta konsideroja një përfaqësuse të denjë të borgjezisë së mjerë dhe qesharake që po lindte në mesvitet 80′ në kryeqytet përveç të tjerash), kemi babain e Marjetës, përvetësues të pasurisë shtetërore dhe me sjellje autoritare në familje, Astritin, vëllain e Marjetës që refuzon të nisë një punë, elitare në dukje, që ia imponon i ati autoritar, punë e cila e largon nga pasionet e tij të vërteta… dhe Benin, i cili është aq i tejmbushur me hipokrizinë, falsitetin dhe meskinitetin e familjes së tij, gjë që e shtyn drejt pijes dhe rezultateve jo të mira në punë.
Regjisori i filmit është Esat Musliu dhe skenariste Diana Çuli.
Më duhet ta them pa doreza mendimin tim që në fillim; në këndvështrimin tim Diana Çuli është një shkrimtare medikore, e mbivlerësuar nga instancat kulturore që e ftojnë gjithkund të japë mendime edhe pse nuk ka asnjë meritë të veçantë, gjë që përfaqëson fare mirë ndërtimin kulturor po aq mediokër të punonjësve të Ministrisë së Kulturës, të vetë Ministres së Kulturës apo të drejtuesve të institucioneve të librit. Gjithashtu është indinjues për mua mënyra arrogante sesi shkrimtarja Diana Çuli ka reaguar në media për recensën e saj të dikurshme për poezitë e Genc Lekës, poetit të pushkatuar.
Por, përtej të gjitha këtyre, duhet t’i japim Çezarit atë që i takon Çezarit. Skenari i këtij filmi është i mirë.
Për të bërë një skenar filmi të mirë, nuk nevojitet të jesh se s’bën shkrimtar i madh, edhe një shkrimtar mediokër mund të bëjë skenarë të mirë. (Madje do të shtoja se veprat e shkrimtarëve të mëdhenj, ndonjëherë rezultojnë tejet të vështira dhe komplekse për t’u përshtatur si filma.)
Në këtë rast, ky është një skenar i mirë dhe filmi i lidhur harnonishëm në të gjithë aspektet.
Nuk kemi në këtë film asnjë lloj ideologjie. Kemi një vjehërr që vjedh, që përvetëson pasurinë shtetërore. A nuk jemi ne ata që sot po çirremi që të zbatohet reforma në drejtësi? Që politikanët dhe funksionarët të marrin dënimin e merituar për vjedhjen dhe përvetësimin që i kanë bërë pasurisë shtetërore? Atëherë ku qëndron ndryshimi i këtij koncepti me atë të këtij filmi?
Në film personazhi i Agronit i thotë diku personazhit të Marjetës: – Sesi më duket në atë familjen tënde, sikur gjithçka është vënë në mënyrë të padrejtë! Më lejoni t’ju them, të dashur lexues, se po kështu u ndjeva unë, kur një gazetare mendjelehtë, bëri një emision të tërë për të na treguar vilën e një politikani, bashkë me të 50 banjat e tij. Dhe mendoj se edhe ju lexues duhet të jeni ndjerë si unë kur e keni parë. Atëherë ku qëndron dallimi? Apo mos ndoshta nismëtarët e këtyre studimeve do të na thonë se personazhi i këtij filmi vidhte materialet e ekspozitës “për t’iu kundërvënë sistemit”? “Për të dëmtuar rëndë sistemin nga brenda”?
Përveç të tjerash, kam edhe një rezervë të madhe dhe një ndjesi të pakëndshme me termin “mbjellës i përçarjes familjare”, sepse nuk e gjej se ku është mbjellja e përçarjes në këtë film. Jetojmë në vitin 2021. Edhe brenda një famijeje ka individë me parime dhe koncepte të ndryshme, pavarësisht dashurisë që pjesëtarët mund të kenë për njëri-tjetrin. Ta kundërshtosh një veprim të një familjari tënd, nuk do të thotë se ti nuk ke dashuri për të. Sipas këtij termi, që mua më tingëllon edhe primitiv, nëse dikush nga familja vjedh, mos vallë të gjithë të tjerët duhet të vjedhin për solidaritet familjar? Sipas këtij termi, nëse dikush vjedh, mos vallë anëtarët e tjerë të familjes duhet ta mbulojnë aktin për hir të unitetit familjar? Atëherë kodi penal që dënon personin që e fsheh informacionin mbi një akt penal, duhet të shpallet edhe ai “mbjellës i përçarjes familjare”! Po në rastin edhe më të rëndë, atëherë kur dikush nga familja vret një pjesëtar tjetër të familjes, a mos vallë anëtarët e tjerë duhet ta mbulojnë krimin për hir të unitetit familjar? Kemi patur jo pak raste të tilla në realitetin tonë. Vëllai ka vrarë motrën dhe prindërit e kanë mbuluar krimin. Kjo është tejet e rëndë.
Epo, nëse gjërat duhet të shkojnë kështu, në djall pra uniteti familjar! Në djall pra ai uniteti i rremë familjar! Ç’është ky moral i gënjeshtërt? Ç’është ky raport i deformuar që ka kombi ynë me të vërtetën?
I kemi dëgjuar me mijëra herë funksionarët e huaj që mbikëqyrin votimet, që pataksen me ne dhe me të ashtuquajturin “votim familjar”, ku kryetari i familjes voton për të gjithê shtëpinë. Kjo më indinjon jo pak edhe mua. Sepse në familjen time unë kurrë nuk e kam ditur se për kë votonte im atë, ai përsëriste gjithmonë se vota është vetjake, por nga ana tjetër asnjëherë nuk më ka imponuar mua se për kë duhej të votoja dhe jam e sigurt se ndonjëherë duhet të kem votuar të kundërtën e asaj që ka votuar ai. Them se ky duhet të jetë koncepti i një shteti të lirë, i një familjeje të lirë.
Nuk kemi në këtë film dikë që do dënohet për arsye politike, por për vjedhje, dhe vjedhja është e dënueshme në çdo sistem. Dikush që ka vjedhur në sistemin komunist dhe është dënuar, quhet thjesht “hajdut”, në çdo sistem, nuk mund ta bëjmë sot dëshmor thjesht se “ka guxuar të vjedhë në një sistem të përgjakshëm diktatorial”. Nuk mund ta quajmë disident, e shumta mund ta quajme “hajdut disident”, meqënëse ka vjedhur në kushte më të vështira se kushtet e sotme komode.
Përpara dy vjetësh, unë u kam kushtuar një shkrim filmave para viteve 90′ dhe nuk do të isha ulur të shkruaja përsëri, po të mos filloja të ndieja brenda meje këtë alarmin se është duke nisur një gjueti shtrigash.
Ne jemi një komb që, në konstruktin tonë administrativ, gjithmonë jemi nxituar të shkatërrojmë me një mendjelehtësi indinjuese.
Le të gjykojmë kësaj radhe më me maturi. Le t’i shiikojmë këta filma në një dritë më largpamëse dhe jo të munduar nga inatet dhe pasionet që na prekin nga afër me njerëz të caktuar.
Jam e sigurt se filmi “Hije që mbeten pas” do të shihet edhe pas 100 vjetësh, sepse është një film i ndërtuar mirë në të gjithë kompozicionin e tij (do veçoja këtu lojën e aktorit Ndriçim Xhepa, lojë e cila mban një peshë të konsiderueshme në film) dhe se brezat që do të vijnë, do ta shohin si një film që bën fjalë për një dënim që duhet të jepet për aktin e vjedhjes dhe jo për një akt politik.
Pajtohem me nismëtarët e studimeve, që filmat me temë për Sigurimin e Shtetit nuk duhet të shfaqen fare në asnjë televizion, sepse në këndvështrimin tim ata nuk kanë asnjë lloj vlere artistike dhe për më tepër janë shpëlarës trush, por edhe ata nuk duhet të zhduken, por të mirëmbahen dhe të shfaqen në shkollat e filmit, si dhe të analizohen se deri ku arrinte demagogjia në sistemet diktatoriale, madje edhe pas 100 vjetësh atyre filmave do të duhet t’u bëhen analiza të reja nën dritën e realiteteve të tjera.
Më shqetëson shumë kjo verbëri gjykimi, kjo kosë që pret gjithandej, pa u thelluar në mesazhet universale që shpesh bartin këta filma dhe që ne do të duhet t’i shpëtojmë.
Që nga krijimi i Kinemasë  Shqiptare dhe deri aty nga mesi i vite ’80, kemi një sërë filmash mjaft të mirë. Dhe një nga arsyet kryesore që do të meritonte aniliza të tëra sociologjike, është izolimi i vendit, i cili e pati dhe një anë të mirë në mes shumë të këqijash, ai ruajti të paprekur shpirtin autentik të shqiptarit, të pasqyruar besnikërisht në këta filma, një shpirt aq origjinal, aq gjenuin, që nuk e gjejmë askund, në asnjë kombësi tjetër dhe që për fat të keq, me globalizimin nuk do ta gjejmë kurrëmë.
Filmi nuk është si letërsia, me një letërsi demagoge koha është shumë e pamëshirshme, ajo e hedh në kosh atë pa u menduar dy herë, kurse me filmin nuk ndodh kështu, sepse ai ka një sërë përbërësish që e ndihmojnë… Imazhi, muzika, forografia, etj. Qoftë edhe vetëm imazhi të ketë vlerë, është pasuri dokumentareske.
Duhet të mendohemi mirë se ç’pasuri filmike po u lëmë brezave të ardhshëm. Ata nuk duan të na shohin të shtirur dhe sesi duhet të kishim qenë, por thjesht sesi kemi qenë…
Kështu do të ishim më të ndershëm me veten, dhe mbi të gjitha, me raportin tonë problematik me të vërtetën dhe të drejtën.

© Arlinda Guma

26 Shkurt, 2021

__________

Shënim i autores:

Qysh prej dy vjetësh, shkrimet e mia për tema të caktuara të realitetit shqiptar janë rralluar, kjo për shkak të gazetarëve grabitqarë që i vjedhin, i publikojnë në gazetat e tyre (me gabime të tmershme drejtshkrimore) dhe i hedhin në gojën e komentuesve vulgarë, duke i bërë shënjëstër qitjesh të lloj-lloj makabritetesh, që një mendje normale do t’i kishte të vështirë t’i perceptonte.
Për këte arsye, i bëj me dije kujtdo që do të tentojë ta vjedhë këtë shkrim, se do të përgjigjet në gjykatë.

Një shkrim tjetër të autores për këtë temë e gjeni këtu:

Një përgjigje për të gjithë ata që mendojnë se filmat shqiptarë të paranëntëdhjetës duhet të ndalohen/Arlinda Guma

_________

Arlinda Guma është autore e romaneve:”Bulevardi i Yjeve”, 2014, “Terma humanitarë si fjala bombardim”, 2016, “Bob Legjenda”, 2021. Autore e faqes defekt-teknik.com.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.