Gen Z shpesh cilësohet si apatike. Por intervistat me studiues të njohu tregojnë të kundërtën: një brez që po rritet mes krizave të strehimit, punës dhe institucioneve politike nuk po humbet besimin te politika, por te pemtimet e kapitalizmit.
Gen Z bojkoton markat, amplifikon hashtag-et dhe u bashkohet protestave pa iu bashkuar partive. Politika e saj mund të duket e çorganizuar ose kalimtare, por nën këtë çrregullim mund të fshihet diçka shumë më e vjetër: ngritja e ndërgjegjes klasore.
Dora Mengüç
Gjenerata Z shpesh përshkruhet si e shpërqendruar, cinike, politikisht jokonsistente ose alergjike ndaj institucioneve. Por ky përshkrim humbet çarjen më të thellë. Ajo që e dallon këtë brez nuk është mungesa e politikës, por kolapsi i besimit te institucionet dhe te rregullat që dikur i jepnin politikës, punës dhe jetës së të rriturve një strukturë të njohur.
Për dekada me radhë, kapitalizmi u tregoi të rinjve një sekuencë: arsimi do të çonte në punë; puna do të çonte në stabilitet; stabiliteti do të çonte në një shtëpi, një familje dhe një jetë me njëfarë dinjiteti. Ky premtim nuk u shpërnda kurrë në mënyrë të barabartë. Për shumë njerëz, ai ishte gjithmonë i brishtë. Por për Gjeneratën Z, ai tashmë është bërë pothuajse i pamundur për t’u besuar.
Në shoqëri shumë të ndryshme, të rinjtë po hyjnë në jetën e të rriturve përmes së njëjtës dere të ngushtë. Pas kësaj dere qëndrojnë punët e pasigurta, strehimi i paqendrueshëm, borxhet studentore dhe ato konsumatore, tregjet e punës të menazhuara nga algoritmet, ankthi ndaj klimës dhe institucionet politike që duken ose tepër të dobëta, ose tepër të kapura për të ndryshuar diçka me rëndësi.
Ky brez nuk u beson partive, udhëheqësve apo institucioneve. E megjithatë, ai voton, bojkoton, proteston, organizohet online, braktis punët dhe e kanalizon zemërimin e tij përmes platformave digjitale. Më e rëndësishmja, ai mund ta kthejë jetën e përditshme në një fushëbetejë politike. Politika e tij është e copëzuar, me lëvizje të shpejta, pa udhëheqës dhe shpesh e riabsorbuar nga vetë tregjet që ai refuzon. Por është politikë gjithsesi.
Në intervistat e zhvilluara për këtë artikull, Guy Standing, Emre Erdoğan, Christian Fuchs dhe Anu Muhammad përshkruan pjesë të ndryshme të së njëjtës krize: krijimin e një brezi pa asnjë të ardhme të sigurt profesionale, pa një kontratë shoqërore të qëndrueshme dhe pa asnjë arsye bindëse për të besuar se kapitalizmi mund t’i mbajë ende premtimet e tij.
Një student universiteti që jeton në Stamboll e thotë më troç: “Unë nuk e kam një ideologji. Kam thjesht një rend botëror që e urrej.”
Ajo fjali kap diçka më të madhe se zemërimi rinor. Ajo që po dëshmojmë është një shkëputje brezi. Gjenerata Z nuk është e tërhequr nga politika. Ajo është thjesht e zhgënjyer nga gjuha dhe nga modeli i vjetër i politikës. Dhe është rritur në një botë ku fjalori i vjetër politik nuk mund t’i japë më kuptim pasigurisë me të cilën ajo po përballët.
Gjenerata Z nuk ekziston jashtë marrëdhënieve klasore. Ndryshimet në kapitalizëm kanë ristrukturuar strukturën klasore dhe kushtet e punës, dhe Gen Z është rritur brenda këtyre marrëdhënieve të reja. Ajo që e përshkruajmë si “politika e Gen Z” nuk duhet kuptuar si politika e një brezi homogjen, por si një shprehje brezash e një transformimi më të gjerë në marrëdhëniet e klasave.
Një brez pa të ardhme profesionale.
Ekonomisti dhe teoricieni britanik i punës Guy Standing ka kaluar vite të tëra duke përshkruar ngritjen e një klase të re: “prekariati”. Ky nuk është thjesht një grup njerëzish me punë të këqija. Është një klasë e formësuar nga vetë pasiguria: punësimi i paqendruesheshëm, të ardhurat e parregullta, borxhet, mungesa e identitetit profesional dhe kërkesa e vazhdueshme për t’u ritrajnuar, për të rikrijuar veten dhe për të mbetur i disponueshëm për punë që mund të mos bëhen kurrë të sigurta.
Standing-u e kupton ekonominë bashkëkohore si “një epokë globale rentiere”: “Po jetojmë në epokën globale rentiere të kapitalizmit; të ardhurat, pasuria dhe pushteti po rrjedhin gjithnjë e më shumë drejt atyre që zotërojnë pasurinë dhe elitave që zotërojnë format kryesore të pronës,” thotë ai. “Pjesa më e madhe e të rinjve në moshë madhore do të përballen me punë të paqendrueshme dhe të pasigurta. Ata do të jetojnë me paga të ulëta e të pasigurta dhe do të jenë pothuajse vazhdimisht në borxhe.”
Për Standing-un, çështja nuk është thjesht se të rinjtë kanë kushte më të këqija pune se brezat e mëparshëm. Çështja është se çdo brez i ri po tërhiqet më thellë në prekariat sesa ai para tij.
Siç shprehet ai, “Çdo brez i ri është më i përfshirë në këtë klasë sesa ai i mëparshmi.” Për Standing-un, mundësitë e punës për të rinjtë janë aq të zymta saqë ata nuk kanë “asnjë të ardhme profesionale.”
Miliona janë online; gjithkush është i dukshëm; gjithkush po prodhon diçka. E megjithatë, punëtorët shpesh përballen me tregun të vetëm.
“Individët në prekariat janë gjithashtu të detyruar të kërkojnë vazhdimisht punë, të ritrajnohen dhe të gjejnë burime të reja të ardhurash,” thotë Standing-u. “Shumica e këtyre aktiviteteve janë të papaguara dhe të padukshme. Prandaj, njerëzit nuk mund të zhvillojnë një identitet profesional dhe nuk mund të pozicionohen brenda një linje të qëndrueshme karriere.”
Ky është kolapsi i një prej premtimeve klasike të kapitalizmit. Çështja e vjetër për punën në demokracitë liberale ishte se ajo do t’u jepte të rinjve jo vetëm paga, por edhe drejtim, përkatësi dhe një të ardhme. Në tregun e ri të punës, puna shpesh u jep atyre vetëm rraskapitje, pasiguri dhe borxhe.
Standing-u gjithashtu thekson se kjo gjendje prodhon pasojat trupore dhe psikologjike. Pasiguria kronike nuk mbetet jashtë trupit. Ajo kthehet në stres, sëmundje dhe frikë.
“Veçanërisht të rinjtë, por secili në prekariat në përgjithës duhet të përballet me pasigurinë kronike,” thotë ai. “Kjo do të thotë të përballesh me ‘të panjohurat e panjohura’; domethënë, nuk ka as qëndrueshmëri për t’u bërë ballë tronditjeve, as elasticitet për t’u rimëkëmbur. Pasojat individuale të kësaj janë borxhi, stresi dhe rritja e sëmundjeve.”
Ky nuk është një problem i përkohshëm i tregut të punës. Është një gjendje politike. Kur të rinjtë nuk mund të imagjinojnë më një të ardhme të qëndrueshme përmes punës, ata fillojnë ta humbasin besimin edhe te institucionet që flasin ende sikur një e ardhme e tillë ekziston.
Rregullat nuk funksionojnë më
Vetëm pasiguria ekonomike nuk e shpjegon dot politikën e Gjeneratës Z. Ajo që e bën shkëputjen e tanishme më të thellë është kolapsi i besimit se shoqëria ka rregulla të qarta dhe legjitime.
Shkencëtari politik Emre Erdoğan, kërkimet e të cilit fokusohen te besimi shoqëror, rinia dhe sjellja politike, e përshkruan këtë si një krizë më të gjerë të rendit shoqëror të pasluftës. Erdoğan argumenton se pasiguria e të rinjve pasqyron shkatërrimin e institucioneve që dikur i jepnin legjitimitet kapitalizmit. “Konsensusi i pas-1945 ka përfunduar,” thotë Erdoğan-i.
“Rendi i Kombeve të Bashkuara ka përfunduar. Sistemi i ngritur nga Banka Botërore, FMN dhe Organizata Botërore e Tregtisë ka kolapsuar. Shteti i mirëqenies ka kolapsuar. Ajo që e quajmë rrjetë sigurie nuk ekziston më. Kur rrëzohesh, kush do të të mbajë? Përgjigjia është: familja, të afërmit, bashkëatdhetarët. Jo shteti.”
Analizat e Standing-ut shpjegojnë kushtet ekonomike, kurse Erdoğan-i shpjegon pse kjo kthehet në politike. Të rinjtë nuk po luftojnë vetëm për të gjetur punë. Ata po luftojnë gjithashtu për të kuptuar se cilat rregulla supozohet të ndjekin.
“Nuk mund t’u thuash më të rinjve: ‘Nëse punon fort, do t’ia dalësh’,” thotë Erdoğan-i. “Ne nuk e dimë sesi t’ia dalim. Njerëzit gjithmonë e më shumë nuk u besojnë rregullave. Nuk ka konsensus se çfarë kërkohet për të qenë i suksesshëm në këtë shoqëri. Të rinjtë luftojnë jo vetëm për të gjetur punë, por për të kuptuar se çfarë rregullash duhet të ndjekin. Kjo pasiguri, me kalimin e kohës kthehet në një perceptim të padrejtësisë strukturore sesa në një ndjenjë të dështimit individual. Dhe ky perceptim ushqen zemërimin.”
Ky dallim ka rëndësi. Nëse të rinjtë do të besonin se problemet e tyre ishin thjesht dështime personale, rezultati mund të ishte turpi, tërheqja ose dëshpërimi i heshtur. Por kur pasiguria kuptohet si padrejtësi strukturore, zemërimi kthehet në politikë.
Në mbarë botën, Gjenerata Z ka qenë vazhdimisht në krye të trazirave politike.
Një student grek i programit Erasmus në Stamboll e përshkruan këtë mosbesim në mënyrë drastike: “Nëse do të votoj ndonjëherë, me gjasë do të jetë si protestë ose për të shkatërruar diçka, jo sepse i besoj ndonjë politikani.”
Ky nuk është thjesht cinizëm. Është një shprehje e anomisë: një gjendje në të cilën rregullat e jetës shoqërore e humbasin legjitimitetin e tyre. I riu mund të votojë ende. Mund të marrë pjesë ende. Por akti nuk rrënjoset më te besimi. Ai kthehet në një akt refuzimi.
Erdoğan-i ka një fjalë të vetme për këtë gjendje: “mëri”.
Në Turqi, kjo mëri u shfaq fuqishëm gjatë protestave të Parkut Gezi në vitin 2013, kur një protestë mjedisore u kthye në një lëvizje masive kundër qeverisë. Edhe pse Gezi i paraprin botës politike të Gen Z, mëritë që identifikon Erdoğan-i që atëherë janë rishfaqur në forma më të reja protestash: lëvizje studentore, protesta urbane, fushata online, bojkotime të konsumatorëve dhe akte refuzimi pa udhëheqës.
Shprehja politike po shfaqet në forma që institucionet më të vjetra e kanë të vështirë t’i lexojnë.
Në mbarë botën, Gjenerata Z ka qenë vazhdimisht në krye të trazirave politike. Kjo nuk vjen nga një ideologji e përbashkët brezi; është rezultat i përvojës së përbashkët të pasigurisë dhe mosbesimit institucional. Nga grevat e klimës te kryengritja e udhëhequr nga gratë në Iran, te mobilizimet e rinjve në Bangladesh dhe Nepal, e deri te protestat e fundit të “Buburrecëve” në Indi, Gen Z është shfaqur vazhdimisht si një forcë shpërthyese në çaste krizash politike.
Zemërimi nuk është diçka e re. Ajo që është e re është shpejtësia e tij, lëvizshmëria e tij dhe mënyra sesi ai udhëton nëpër rrugë, ekrane, vende pune, kampuse dhe tregje.
Kapitalizmi digjital dhe terreni i ri i luftës
Është tunduese të thuash se rrjetet sociale janë motori i politikës së Gen Z. Por kjo do të ishte tepër e thjeshtë. Nuk e krijuan platformat digjitale shfrytëzimin, borxhin, pasigurinë apo dhunën policore. Por ato kanë ndryshuar terrenin në të cilin këto konflikte shihen, organizohen, përshpejtohen dhe monetizohen.
Teoricieni i medias Christian Fuchs-i, puna e të cilit fokusohet te puna digjitale dhe kapitalizmi, argumenton se platformat duhet të kuptohen jo si shkaku i kryengritjeve bashkëkohore, por si ndërmjetësuese të luftës shoqërore nën kapitalizmin digjital:
Rrjetet sociale nuk janë shkaku i protestave, rebelimeve dhe revolucioneve bashkëkohore. Duke patur parasysh se të rinjtë janë shumë të aftë në teknologji, është e natyrshme që ata të përdorin çdo lloj meideje digjitale në komunikimin, koordinimin dhe organizimin e protestave. Puna e pasigurt është sigurisht një faktor i rëndësishëm në disa protesta të Gjeneratës Z. Megjithatë, nuk mund të thuhet se këto protesta “krijohen” nga platformat e rrjeteve sociale. Në kapitalizmin digjital, këto platforma nuk krijojnë shfrytëzimin dhe luftërat shoqërore, por më tepër i ndërmjetësojnë ato.
Politika që është shfaqur mes shumë anëtarëve të Gen Z nuk mund të reduktohet në TikTok, Instagram, X apo në ndonjë platformë tjetër. Por ajo gjithashtu nuk mund të kuptohet jashtë tyre. Kohortat e brezit nuk e fshijnë klasën. Përkundrazi, përvoja e brezit formëson kushtet në të cilat përjetohen marrëdhëniet e klasave. Mediat digjitale janë bërë një nga hapësirat kryesore ku qarkullon zemërimi i Gen Z, ku organizohet protesta, ku formohen identitetet dhe ku madje edhe opozita mund të kthehet në përmbajtje, të dhëna dhe fitim.
Kundërshtia qëndron në kushtet në të cilat punojnë tani shumë të rinj. Edhe ata që e refuzojnë sistemin mund të tërhiqen në tregje digjitale spekulative, ekonomitë e influencuesve, punën e platformave dhe konkurrencën algoritmike. Ata mund të protestojnë kundër kapitalizmit në mëngjes dhe të jenë të detyruar të performojnë për platformat e tij në mbrëmje.
Kapitalizmi digjital nuk qëndron jashtë jetës së të rinjve. Ai ecstrukturon punën e tyre, komunikimin e tyre, vëmendjen e tyre dhe gjithnjë e më shumë ndjenjën e tyre për veten. Fuchs-i e përshkruan kapitalin digjital si global, ndërsa punëtorët digjitalë janë lokalë, të izoluar dhe të copëzuar.
Problemi nuk është vetëm se puna në platforma paguhet keq. Është gjithashtu se ajo është e organizuar në mënyra që e bëjnë pushtetin kolektiv më të vështirë për t’u ndërtuar.
“Puna digjitale shpesh është e individualizuar dhe e copëzuar,” thotë Fuchs-i. “Punëtorët veprojnë të shkëputur nga njëri-tjetri dhe mundësitë për organizim kolektiv janë të dobëta. Kjo i bën ata disi më të brishtë, po ashtu edhe më të lehtë për t’u shfrytëzuar.”
Me fjalë të tjera, ekonomia digjitale krjon një forcë punëtore që është vazhdimisht e lidhur, por politikisht e ndarë. Miliona janë online; gjithkush është i dukshëm; gjithkush po prodhon diçka. E megjithatë, punëtorët shpesh përballen me tregun të vetëm.
Fuchs-i argumenton se nëse kapitali është globalizuar, edhe puna duhet të organizohet globalisht. “Na nevojitet një sindikatë e punës digjitale transnacionale dhe globale, ku punëtorët digjitalë në mbarë botën të bashkohen kundër kapitalit digjital.”
Këtu diskutimi shkon përtej kulturës rinore. Pyetja nuk është se a janë të rinjtë më ironikë, më në ankth, më online apo më të paduruar se brezat e mëparshëm. Pyetja është kjo: A po i ristrukturojnë format e reja të punës dhe të komunikimit formacionet klasore? Dhe nëse po, a mund t’i shpëtojnë këto forma të reja të politikës klasore përthithjes nga platformat përmes të cilave qarkullojnë?
Rinia si viktimë dhe forcë politike
Anu Muhammad-ekonomist nga Bangladeshi, i njohur për kritikat e tij ndaj kapitalizmit, e sheh papunësinë dhe punën e pasigurt si të pandashme nga ekonomia e tregut kapitalist. Por ai gjithashtu thekson se këto kushte nuk prodhojnë një rezultat të vetëm politik.
“Klasat sunduese e shohin këtë situatë si një mundësi për t’i përdorur të rinjtë,” thotë Muhammad-i. “Të rinjtë përballen me pasigurinë, qëndrueshmërinë e ulët dhe papërmbushjen që në moshë të re. Ndërsa këto kushte i kthejnë disa prej tyre në pjesë të sistemit, të tjerët i shtyjnë të pyesin dhe ta kundërshtojnë këtë rend.”
Kjo është një nga kontradiktat kryesore të politikës së Gjeneratës Z, e cila pasqyron krizën më të gjerë të vetë kapitalizmit. Kushtet e pasigurisë nuk prodhojnë një politikë të vetme. Ato mund të prodhojnë dorëzim, nihilizëm ose përshtatje – ose opozitë dhe rebelim. Një pjesë e rinisë mund të bëhet një aparat i sistemit, ndërsa një pjesë tjetër bëhet pjesë e rezistencës kundër tij.
Ky nuk është thjesht një grup njerëzish me punë të këqija. Është një klasë e formësuar nga vetë pasiguria: punësimi i paqendrueshëm, të ardhurat e parregullta, borxhi dhe mungesa e identitetit profesional.
Kryengritja e vitit 2024 në Bangladesh tregoi paqëndrueshmërinë e pakënaqësisë rinore. Modele të ngjashme mund të shihen diku tjetër. Të rinjtë nuk janë gjithmonë të organizuar përmes partive. Ata nuk udhëhiqen gjithmonë nga ideologji koherente. Lëvizjet e tyre shpesh janë të paqendrueshme dhe me kontradikta të brendshme. E megjithatë, ata shfaqen vazhdimisht në qendër të shkëputjeve politike.
Këto dinamika janë shqetësuese për institucionet më të vjetra politike. Partitë shpesh presin që të rinjtë të hyjnë në politikë përmes kanaleve të njohura: anëtarësimit, fushatave, zgjedhjeve, besnikërisë ideologjike. Por Gjenerata Z shpesh hyn në politikë përmes krizës: një lufte për strehim, një katastrofe klimatike, një skandali korrupsioni, një proteste në kampus ose një video virale që kristalizon një padrejtësi më të gjerë.
Rezultati është një politikë që është e vështirë të përmbahet. Ajo mund të jetë e shpejtë dhe me intensitet moral. Mund të jetë pa një formë të qartë. Mund të zhduket dhe të rishfaqet. Mund të refuzojë udhëheqësit. Mund të mos ketë besim te negociatat. Por ajo thjesht nuk mund të zhduket si apolitike.
Asnjë besim, por asnjë tërheqje
Një nga paradokset e Gjeneratës Z është ky: mosbesimi nuk çon gjithmonë në tërheqje. Të rinjtë mund t’u mos u besojnë institucioneve dhe sërish të votojnë. Ata mund ta urrejnë sistemin politik dhe sërish të dalin në rrugë. Ata mund të tallen me politikën tradicionale dhe sërish të zhvillojnë gjykime të forta morale për punën, konsumin, identitetin, klimën, luftën dhe barazinë.
Një i ri me të cilin fola e përshkroi kolapsin e premtimit të vjetër të karrierës me një qartësi brutale: “Të ngjitem në shkallët e karrierës? Unë thjesht po përpiqem të mos mbetem nën shkallë. Shtëpia dhe makina që brezat e mëparshëm i kishin në moshën njëzet e pesë vjeçare janë për mua përtej çdo ëndrre.”
Kjo nuk është thjesht një ankesë për paratë. Ajo shpreh shkatërrimin e një ekonomie të tërë morale. Premtimi i vjetër thoshte se përpjekja do të shpërblehej, se jeta e të rriturve do të bëhej më e qëndrueshme me kalimin e kohës dhe se e ardhmja do të ishte diçka që mund të planifikohej arsyeshëm. Për shumë të rinj, ai premtim tani duket si një relike historike.
Megjithatë, kjo humbje e besimit nuk do të thotë se të rinjtë kanë ndaluar së vepruari. Përkundrazi, politika e tyre shpesh shfaqet në vende që brezat më të vjetër nuk i njohin si politike.
Anëtarët politikisht aktivë të Gen Z bojkotojnë markat. Ata braktisin punët. Ata ndërtojnë rrjete të ndihmës së ndërsjelltë. Ata amplifikojnë hashtag-et. Ata ekspozojnë punëdhënësit. Ata u bashkohen protestave të rrugës pa u bashkuar me partitë. Ata përdorin ironinë si armë. Ata e kthejnë konsumin në gjykim dhe dukshmërinë digjitale në presion.
Premtimi i vjetër thoshte se përpjekja do të shpërblehej, se jeta e të rriturve do të bëhej më e qëndrueshme me kalimin e kohës dhe se e ardhmja do të ishte diçka që mund të planifikohej arsyeshëm.
Disa nga këto komercializohen lehtësisht. Disa janë sipërfaqësore. Disa zhduken po aq shpejt sa shfaqen. Por fakti që kjo është kontradiktore nuk do të thotë se është pa kuptim.
Standing-u sheh në këtë proces mundësinë që prekariati – në të cilin Gen Z përbën një pjesë disproporcionale – po fillon ngadalë ta njohë veten si një klasë.
“Ne shohim se prekariati po bëhet ngadalë ‘një klasë për vete’ në mbarë botën,” thotë ai. “Me fjalë të tjera, të qenit në prekariat nuk shihet më si një shenjë turpi apo dështimi, por po njihet gjithmonë e më shumë si rezultat i kapitalizmit të sotëm global.”
Kjo njohje është politikisht shpërthyese. Sapo pasiguria të mos përjetohet më si një dështim privat, ajo mund të nxisë veprimin kolektiv.
Një imagjinatë e re politike
Gjenerata Z është më shumë se një kohortë demografike. Ajo është gjithashtu një rezultat: i dekadave të ristrukturimit neoliberal, uljes së mbrojtjes së punës, rritjes së borxhit, strehimit të papërballueshëm, dobësimit të shteteve të mirëqenies, shfrytëzimit digjital dhe sistemeve politike që gjithmonë e më shumë dështojnë që të përfaqësojnë realitetin shoqëror.
Zemërimi i saj është kontradiktor, i copëzuar dhe shpesh i përthithur nga vetë tregu që ajo refuzon. Ai mund të bëhet protestë, por mund të bëhet edhe përmbajtje. Të rinjtë që duan të refuzojnë sistemin përsëri shpesh janë të integruar në ekonominë e platformave.
Por kjo nuk e bën Gjeneratën Z apolitike. Ajo tregon se shprehja politike po shfaqet në forma që institucionet më të vjetra e kanë të vështirë t’i lexojnë.
Ky brez nuk është jashtë politikës. Por ai gjithmonë e më shumë e ndien veten jashtë institucioneve të vjetra të politikës. Politika e tij nuk fillon domosdoshmërisht me parti, programe apo tradita ideologjike. Ajo fillon me pasigurinë, poshtërimin, të ardhmen e bllokuar dhe ndjenjën se rregullat janë të trukuara – ose që nuk funksionojnë më fare.
Gjuha e vjetër e politikës pyet se a janë këtëa të rinj të majtë, liberalë, konservatorë, populistë, radikalë apo apatikë. Por pyetja më e thellë mund të jetë ndryshe: Çfarë ndodh kur një brez nuk beson më se sistemi mund t’i ofrojë një të ardhme?
Kriza e kapitalizmit sot nuk është vetëm se ai prodhon barazi. Është se premtimi i tij qendror ka humbur besueshmërinë. Historia e vjetër – puno fort dhe do t’ia dalësh – nuk e bind më brezin që pritet të trashëgojë botën.
Nëse zemërimi dhe zhgënjimi i Gen Z do të prodhojnë dorëzim, reaksion apo solidaritet, kjo mbetet për t’u parë. Ajo që është e qartë është se gjithmonë e më shumë të rinj nuk e shohin më pasigurinë si një dështim privat, por si një gjendje të përbashkët. Njohja e asaj që duket si një fatkeqësi private, si një gjendje e përbashkët publike është vendi ku fillon politika. Është ajo që e shtyn veprimin kolektiv dhe kërkesat për ndryshime strukturore.
Përktheu: Arlinda Guma
Marrë nga: Jacobin