E dija që studentët e mi të shkrimit përdornin Inteligjencën Artificiale. Rrëfimet e tyre çuan në një çast të fuqishëm mësimdhënieje

in Esé by

Problemi nuk ishte thjesht proza e lëmuar në mënyrë të përsosur, por mediokre. Është ajo që humbet kur dorëzohemi para përpjekjes për ta përkthyer mendimin në fjalë.

Micah Nathan

Unë jap mësim shkrimin e fiction-it në MIT që prej vitit 2017. Shumë prej studentëve të mi kanë shkruar fiction për herë të fundit në shkollën tetëvjeçare dhe shumë pak prej tyre kanë përjetuar një workshop të mirëfilltë, ndaj në fillim të çdo semestri ofroj këto udhëzime, si për shkrimtarin, ashtu edhe për lexuesin:

Lexojeni tregimin të paktën dy herë. Shënoni atë që funksionon dhe atë që jo – nënvizoni fjalitë e shkëlqyera, shenjoni sintaksën e rënduar, mangësitë në logjikë dhe dialogët jonatyralë. Pyesni veten: a funksionon tregimi? Pse po, ose pse jo? Çfarë mund ta përmirësonte atë? Përgjigjuni me një letër të nënshkruar drejtuar autorit, bashkëngjitur tregimit të tyre. Jepni mendimet tuaja të sinqerta. Mbani mend se një kritikë e frytshme nga kolegët kërkon një lexim të vëmendshëm të tekstit, shoqëruar me një guxim shpirtëror.

Siç udhëzimet e paralajmërojnë, shumicën e kohës ne diskutojmë se pse nuk na pëlqeu tregimi që po shqyrtojmë në workshop, sepse të shkruash një tregim të mirë është jashtëzakonisht e vështirë edhe në kushtet më të mira, veçanërisht për studentët e degëve STEM, të cilët lulëzojnë brenda një strukture problemesh dhe zgjidhjesh kuantitative – sisteme ku ekziston një përgjigje e saktë dhe një metodë e qartë për të mbërritur tek ajo.
Shkrimi i fiction-it nuk është kuantitativ. Shkrimi i mirë të fal ndjesi të mirë kur e lexon; shkrimi i keq të jep ndjesi të keqe. Një workshop efektiv është një paradoks: studentët duhet të ofrojnë prova tekstuale për të mbështetur aspektin kualitativ, sikur ky të ishte kuantitativ. Kjo është një perspektivë tmerruese për studentin që është mësuar të jetë gjithmonë i shkëlqyer: të rrijë i ulur në një heshtje të ngrirë, ndërsa shokët e klasës dhe profesori e “copëtojnë” veprën e tij.
Akti i përballjes me atë tmerr është, në vetvete, një edukim për shkrimtarin, sepse shkrimi është njëkohësisht mjet dhe mbartës i mendimit – abstraktja e bërë konkrete, ndjenjat e përkthyera në fjalë. Kjo është ajo për të cilën flasin shumë shkrimtarë kur i referohen prozës së mirë jo thjesht si shprehje poetike, por si komunikim. Kësisoj, kur ne kritikojmë veprën e një shkrimtari, nuk po kritikojmë vetëm zgjedhjet e tyre estetike, por po kritikojmë gjithashtu – dhe këtu gjërat mund të bëhen personale – ndjenjat e shkrimtarit dhe aftësinë e tij për t’i komunikuar ato.
Është një ngarkesë e madhe për t’u përballuar nga egoja. Deri para pak vitesh, e vetmja mënyrë që një shkrimtar fiction-i ta mbronte egon e tij ishte ose të paguante dikë tjetër që të shkruante për të, ose të përdorte plagjiaturën. Inteligjenca Artificiale e ndryshoi krejtësisht këtë.

Përsosmëria e vdekur”

Proza e Inteligjencës Artificiale është në mënyrë të përsosur mediokre, duke prodhuar atë lloj lëmimi inert që lexohet si një amalgamë frankenshtajane e shkrimeve të workshop-eve letrare (MFA), një parodi e pavullnetshme e stilit që ajo imiton. Tregimet dhe esetë që rezultojnë janë shëmbëlltyra të mendimit, të gjeneruara përmes njohjes së modeleve të mësuara nga miliona fjalë të shkruara prej njerëzve, por pa rrënjë në asnjë përvojë specifike të ndonjë personi specifik. Shkrimi i Inteligjencës Artificiale më kujton përshkrimin që Tennyson-i i bën Maud-ës së bukur në poemën me të njëjtin titull:

E patëmetë me të meta, rregullsi e akullt, madhështisht e zbrazët,
Përsosmëri e vdekur; asgjë më shumë.

Lexuesit e thellë e ndiejnë atë zbrazëti, edhe nëse nuk munden ta artikulojnë. Ata e ndiejnë se trupi lëviz pa tru. Përkundrazi, fiction-i i shkruar nga studentët ka mbetur lavdishëm me të meta, një përpjekje në faqe mes asaj që autori po përpiqet të thotë dhe asaj që po thuhet realisht. Proza pengohet në një mënyrë që të kujton një mëz që po mëson si të ecë: edhe në këmbët e tyre që dridhen, unë shoh shenja të hirit të ardhshëm. Një ngathtësi e tillë është e domosdoshme; mungesa e saj do të ishte prova që mëzi nuk ka mësuar kurrë të ecë.
Vdekja dhe taksat; teknofobia është e treta e sigurt. Në vitin 1565, pothuajse një shekull pasi Gutenbergu shpiku shtypshkronjën, shkencëtari zviceran Conrad Gessner ishte tashmë i shqetësuar për “bollëkun konfuz dhe të dëmshëm të librave”. Një artikull i vitit 1889 në Nature pretendonte se telefoni ishte më i rrezikshmi nga të gjitha shpikjet “sepse hyn në çdo banesë. Rrjeti i tij i pafund i telave është një kërcënim i vazhdueshëm për jetën dhe pronën.”
Tani i kemi shtuar Inteligjencën Artificiale listës së shqetësimeve: një studim paraprak i vitit 2025 nga MIT Media Lab zbuloi se pjesëmarrësit që përdorën ChatGPT për të shkruar ese shfaqën një ndërlidhje neurale më të ulët sesa ata që shkruan pa ndihmë.
Studime të tjera paralajmërojnë për rreziqe të ngjashme, që nga raportet ende të papublikuara në revista shkencore me tituj vetëshpjegues si “Asistenca e IA-së redukton këmbënguljen dhe dëmton performancën e pavarur” dhe “Varësia nga Inteligjenca Artificiale Gjeneruese dhe dobësimi i funksionit ekzekutiv: Prova të shkarkimit kognitiv te të rriturit me përdorim të lartë”. Fakte alarmante, nëse vërtetohen. Por, cilatdo qofshin gjetjet shkencore, paralajmërimi kryesor është vështirë të injorohet dhe nuk kërkon një studim për t’u vërtetuar: duke i lejuar studentët ta përdorin IA-në në mënyrë rutinore dhe të pamenduar, ne po ua dobësojmë mendjen. Ky paralajmërim i dha formë mënyrës sesi unë e trajtova IA-në në planprogramin tim. Veçanërisht, sesi planifikova ta shkurajoja përdorimin e saj:
Lojërat e diktimit të Inteligjencës Artificiale më fusin në një mentalitet survejimi që minon mjedisin e workshop-it tonë. Nëse përdorni IA-në, kjo tregon orientimin tuaj ndaj të shkruarit. A doni të krijoni art, apo thjesht të dorëzoni një tekst? A doni vërtet të mësoni si të shkruani, apo thjesht të hiqeni sikur po e bëni këtë?
Isha i sigurt se pyetjet e mia do t’i bënin të ndienin turp e do t’i detyronin të bindeshin, edhe pa një ndalim të shprehur nga unë. Ndaj, në fillim të semestrit të shkuar, kur lexova tregimet e dy prej studentëve të mi për workshop-in e parë dhe e kuptova që në paragrafët hyrës se të dy tregimet ishin shkruar nga IA-ja, u lëndova. Gjithashtu u shqetësova, sepse kuptova se për herë të parë si profesor shkrimi, po përballesha me studentë që prodhonin fjalë pa punë, gjë që nuk ishte plotësisht plagjiaturë dhe as pagesë që dikush tjetër të bënte punën, por ngjante me një lloj dhelpërie naive; një perversion i kontratës midis shkrimtarit dhe lexuesit.
Shkrimi nuk është thjesht prodhimi i fjalive – ai është stërvitja e qëndrueshmërisë përmes vëmendjes së pandërprerë.
Teksa workshop-i i parë nisi atë mbrëmje, unë u ktheva nga autorët e supozuar dhe u thashë se e dija që i kishte shkruar IA-ja tregimet e tyre. Nuk kisha nevojë për softuerë diktues për ta marrë vesh; thjesht e dija. Proza ishte tepër e lëmuar për një shkrimtar të ri, harku i ngjarjeve tepër i rregullt, çdo personazh i paketuar paraprakisht, çdo metaforë një imitim pa kontekst.
I thashë klasës se workshop-i nuk mund të vazhdonte, sepse unë nuk mund t’i jap reagime një autori që nuk ekziston, por i sigurova autorët e supozuar se nuk ishin në telashe. Politikat e MIT-it lidhur me përdorimin e IA-së ishin ende në ndryshim, dhe planprogrami im kishte lënë një shteg. Për më tepër, po të kishte qenë Inteligjenca Artificiale e disponueshme gjatë viteve të mia të studimeve, a do t’i kisha rezistuar unë ndihmës së saj? Sigurisht që jo. Kufijtë pedagogjikë kanë qenë gjithmonë të mbushur me studentë që kërkojnë rrugë të shkurtra. Teknologjia ndryshon, por kërkimi mbetet i njëjtë.
Për pak çaste, gjithçka ra në qetësi, me përjashtim të zhurmës së radiatorëve të klasës. Më pas, erdhi një rrëfim mes lotësh: njëra prej autoreve të supozuara tha se e kishte përdorur Inteligjencën Artificiale vetëm sepse kishte frikë se mos dukej budallaqe, se mos e kritikonin për shkrim të keq. Ajo tha se i donte tregimet dhe se e urrente faktin që kishte përdorur IA-në. Por nuk ishte përmbajtur dot, duke përshkruar një sekuencë të ngjashme me rënien e një të varuri: fillimisht ia dha tregimin IA-së për një kontroll gramatikor; ajo i sugjeroi redaktime fjalish dhe ajo i pranoi; pastaj e pyeti nëse donte redaktime strukturore, e në fund, i ofroi ta rishkruante krejt pjesën nga e para.
Autori tjetër i supozuar pranoi se nuk kishte shkruar kurrë më parë një tregim të shkurtër dhe se kishte një ide, por nuk dinte nga t’ia fillonte. E pyeta se pse nuk më ishte drejtuar mua për ndihmë. Ai mblodhi supet.
Një nga studentet e tjera ngriti dorën, duke thënë se nuk e kuptonte pse ishte gjë e keqe që IA-ja të shkruante tregime, për sa kohë që ato bazoheshin në idetë e tyre. Edhe studentë të tjerë morën fjalën: dikush donte të dinte sesi ndryshonte përdorimi i IA-së nga përdorimi i një redaktori njerëzor. Një tjetër kërkoi që unë t’i jepja përgjigje faktit se pse, në një universitet që hodhi një nga programet e para kërkimore të IA-së në botë në vitin 1959, po e bënte këtë debat? A nuk është IA-ja e krijuar për ta bërë jetën e gjithsecilit më të lehtë? Më pak stresuese? A nuk është qëllimi i saj që t’i çlirojë njerëzit nga tmerri i detyrave mekanike e përsëritëse?
Biseda që pasoi rrëfimet e tyre ishte një nga çastet më produktive të mësimdhënies në tetë vitet e mia në MIT. Shkrimi, u thashë atyre, nuk është menduar të jetë i lehtë, dhe sigurisht që mund të jetë i mundimshëm, por kjo nuk e bën atë një proces mekanik. Shkrimi nuk është thjesht prodhimi i fjalive – ai është stërvitja e qëndrueshmërisë përmes vëmendjes së pandërprerë. Është një mënyrë për të mësuar se çfarë mendon njeriu, duke u përpjekur ta thotë atë. Një model i madh gjuhësor (LLM) mund të riprodhojë dukjen e atij aktiviteti, por nuk mund ta zëvendësojë atë, sepse vlera nuk qëndron vetëm tek objekti i prodhuar, por te transformimi që ndodh gjatë krijimit të tij.

Rikthimi i fërkimit

Në esenë e vitit 1946 të George Orwell-it, Rrëfimet e një recensuesi librash, Orwell-i e përshkruan veten të rrethuar nga libra të palexuar, “duke shpikur vazhdimisht reagime ndaj librave për të cilët nuk ka asnjë ndjesi spontane”. Ai argumenton se recensimi me volum të lartë dhe me afate të ngushta, nuk deformon vetëm punën e të lexuarit – ai deformon vetë njeriun. Prodhimi i pamenduar i reagimeve gërryen gjykimin dhe standardet shemben.
Orwell-i përshkruan atë që ndodh kur gjuha prodhohet në kushte që e shkëpusin atë nga mendimi: recensuesi performon formën e një reagimi pa reaguar realisht. Ajo që Orwell-i nuk mund ta parashikonte është se kjo gjendje përfundimisht do të delegohej diku tjetër më lart. Kur një workshop mbushet me fiction të gjeneruar nga Inteligjenca Artificiale, çdo shkrimtar dhe lexues shndërrohet në recensuesin që përshkruan Orwell-i.
Orwell-i e mbyll esenë e tij duke argumentuar se kritika do të ishte më e shëndetshme nëse do të ishte më e ngadaltë, më përzgjedhëse dhe më pak industriale. I njëjti argument vlen tashmë edhe për shkrimin e fiction-it. IA-ja e përshpejton procesin e shkrimit, por nuk është aspak përzgjedhëse, dhe – në një cikël ironik – e kthen aktin e krijimit në llojin e detyrës mekanike që ajo supozohet të automatizojë.

Çfarë humbasim kur ia dorëzojmë vëmendjen algoritmeve

Duke ecur përpara, politika ime tashmë është e deklaruar qartë: nuk dua që studentët të përdorin Inteligjencën Artificiale për të shkruar punët e tyre. Dua fjalët e tyre. Dua qasje në mendimet e tyre, në zërin e tyre, në përpjekjet e tyre për të gjetur atë që ata duan të thonë dhe mënyrën më të mirë për ta thënë. Dua të shoh se çfarë ndodh kur dikush përpiqet të lëvizë përmes gjuhës pa pasur një ndërmjetës që ia përfundon mendimin.
Ky është një qëndrim pedagogjik, jo moral apo teknik. Workshop-i funksionon vetëm nëse në dhomë ka një shkrimtar, dikush, mendimi i të cilit është i dukshëm në faqe, dhe që mund të flasë drejtpërdrejt për atë mendim. Përdorimi i Inteligjencës Artificiale për të shkruar jo vetëm që e zhvlerëson të gjithë konceptin e rishikimit nga kolegët – ne jemi këtu për të punuar me krijimtarinë e njëri-tjetrit, jo për të analizuar mbetjet e IA-së – por gjithashtu garanton një dobësim të muskujve të nevojshëm për t’u përballur me shkrimin.
Rreziku nuk është se IA-ja do të zëvendësojë shkrimtarët apo do ta bëjë workshop-in të vjetruar. Rreziku është se studentët po mësohen të anashkalojnë fërkimin që dikur zbulonte procesin e tyre krijues.
Që nga ajo natë, workshop-et tona kanë ndryshuar në mënyra që nuk i kisha parashikuar. Flasim më hapur për frustrimin, e çasteve kur draft-i i bën rezistencë vetë autorit të tij. Vazhdoj të jap mësim mbi mjeshtërinë—formën, strukturën, rishikimin—por e gjej veten duke u rikthyer vazhdimisht te tensioni midis mendimit dhe gjuhës, te tregimet ku abstraksioni refuzon të marrë formë.
Diskutojmë se pse mendimi i tyre ka rëndësi, se përpjekja e tyre për të përkthyer mendimet në fjalë nuk është dëshmi e dështimit, por shenjë e rritjes. Edhe atëherë kur, dhe sidomos atëherë kur, fjalët dështojnë. Ajo që unë dhe studentët e mi mbrojmë tani nuk është thjesht një kufi kundër makinerive, por një shenjtëri për autorësinë, një vend ku çdo gjë që është në faqe – dhe çdo gjë që nuk është hedhur ende në të – i përket një personi real.

Përktheu: Arlinda Guma

Marrë nga The Guardian

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Esé

Go to Top