Një stinë në ferr-Arthur Rimbaud

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Një stinë në ferr-Arthur Rimbaud

Pak kohë më parë, në s’gaboj kujtim, jeta m’ ish festë pa mbarim,
ku zemrat çeleshin si drita n’agim, e vera derdhej veç për gaz e dëfrim.

Një natë Bukurinë e ula n’prehërin tim, — por therëse m’u duk, krenare plot mundim — Egër e godita me zemërim.

U armatosa kundër drejtësisë t’pamëshirë.

E ika mora arratinë. O shtriga, O mjerim, O urrejtje e nxirë,
Te ju po besoj thesarim tim!

Çrrënjosa nga mendja çdo shpresë njerëzore, çdo gaz e shkula si bishë mizore.

Si bisha mbyt prenë në natën pa dritë, ashtu gëzimin e zura n’ pritë.

Thirra xhelatët, që në grahmën e fundit në ferr, t’u kafshoja kondakët e pushkëve plot vrer.

Thirra murtajat t’ më mbysnin, me gjak, me rërë; fatkeqësinë e bëra zot, nder.

Në baltë u shtriva si trup pa shpëtim, u thava në ajrin e krimit zi si ferri vet. Dhe me çmendinë lodrova lojra t’bukura pa jetë, —

dhe Pranvera më solli të qeshurën e idiotit, t’zbrazët, të trishtë.

Po, kur së fundmi, papritur në terr sa s’rashë, u kujtova për çelësin e haresë së lashtë,
Që ndoshta mund t’ia zgjonte shpirtit tim urinë.

Bamirësia është çelësi. — Ky frymëzim qe veç një ëndërrim!

“Do mbetesh hienë përjetë…”, më ulëriti Satani që më kurorëzoi dikur me lulëkuqe zjarri.

“Meritoje vdekjen me epshet e krenaritë, me egoizmin, mëkatet e gjith’ ligësitë!”

Ah! Sa kam vuajtur, — veç, i ëmbli Satan, të lus, ma jep një sy më pak flakërues, e mos më digj si prush!
Dhe, teksa pres frikërat e vogla të mbesin pas, meqë s’të pëlqen te shkrimtari mungesa e aftësive përshkruese apo didaktike/ udhëzuese, më lër t’i shqyej këto faqe të zymta, të mallkuara, t’ fletores sime t’ ferrit.

Përktheu: Meli Ajazi

Shënimi përkthyeses: “Një stinë në ferr” (Une Saison en Enfer) është një vëllim poetik i poetit francez Artur Rembo, shkruar rreth vitit 1873.
Konsiderohet një kryevepër e letërsisë simboliste, pasi autori eksploron krizat shpirtërore, rebelimin ndaj shoqërisë dhe kërkimin e një gjuhe të re poetike, si dhe shënon shkëputjen e Rembosë nga poezia tradicionale.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

Lulja-Aracelis Girmay

Lulja-Aracelis Girmay në atë që jea ekziston vallëëndërrimiapo frikatronditja e beftëe zogjvenjë
Go to Top