Vepra e Banksy-t që u zhduk nga Met-i/Alex Scordelis

in Pikturë by

Artisti i rrugës fshehu një vepër arti “të shkëlqyer” në Met, në vitin 2005. Më pas ajo u zhduk. A e di ish-shefi i sigurisë se ku është piktura tani?

Alex Scordelis

John Barelli punoi në departamentin e sigurisë së Muzeut Metropolitan të Artit për tridhjetë e tetë vjet dhe shërbeu si shef i tij nga viti 2001 deri në vitin 2016. Ai del për ndonjë shëtitje herë pas here në vendin ku banon; Lower East Side. Në një prej këtyre shëtitjeve ai u ul në një nga tavolinat në kafenenë Petrie Court dhe foli për një incident që ai rrëfen në librin e tij të vitit 2019, “Qendra e Vëmendjes: Një Histori e Artit dhe e Krimit në Gjashtë Vjedhje”.
Mashtrimi në fjalë ishte më shumë si Monty Python sesa si “Çështja e Thomas Crown-it”. Dhe – deri më tani – rezultati i tij ka qenë një mister. Më 13 Mars, 2005, tre bashkëpunëtorë hynë në hapësirën amerikane të muzeut. Dy prej tyre filluan të debatonin, duke i shpërqendruar rojet, në mënyrë që të lejonin personin e tretë, i cili kishte veshur pardesy, kishte vënë mjekër të rreme dhe në kokë mbante një kasketë, të ngjiste fshehurazi një pikturë në mur duke përdorur shirit ngjitës. Vepra e artit, një portret neoklasik dhjetë me trembëdhjetë inç në një kornizë të lirë të praruar, përshkruante një grua me një maskë gazi. I infiltruari më pas vuri një pankartë pranë pikturës; ku shkruhej “Banksy, 1975. “Fryma e fundit”. Pikturë në vaj. Dhuruar nga artisti.”
Po atë vit, Banksy, artisti anonim britanik i rrugës, la vepra gjithashtu në MOMA, në Muzeun Amerikan të Historisë Natyrore dhe në Muzeun e Bruklinit. Në Met, personeli i sigurisë e pikasi pikturën kontrabandë dhe e hoqi atë brenda dhjetë minutash – më shpejt se në institucionet e tjera.
(Një pikturë e një kanaçeje supe qëndroi në mur në MOMA për tri ditë.) “Ne bëmë një foto të skenës, formuluam një raport,” tha Barelli. “Të nesërmen, doli në gazeta.”
Në kohën e kësa çështjeje, Elyse Topalian, zëdhënëse e Met-it, tha: “Mendoj se është e drejtë të thuhet se do të duhej më shumë se një copë shirit ngjitës për të futur një vepër arti në Met”.
Barelli shpesh e përdorte incidentin si një mjet mësimor kur trajnonte personelin e sigurisë. “Ne jo vetëm që duhet të kërkojmë gjërat e hequra nga muri, por edhe gjërat që vihen në mur,” tha ai. Banksy nuk ishte i vetmi artist që e vari punën e tij në Met. “Ne zakonisht i jepnim këto gjëra ose i hidhnim jashtë,” tha Barelli për pikturat bredharake.
Në librin e tij, Barelli nuk zbulon se çfarë ndodhi me “Frymën e fundit”. “Zakonisht diçka e tillë nuk ‘humbet dhe gjendet’,” tha ai. “Nëse do të humbiste, do të shkonte në departamentin tonë të sendeve të humbura dhe të gjetura”.
Nëse do të ishin një palë syze dielli, le të themi, muzeu do të priste pesëmbëdhjetë ditë dhe pastaj do t’ia jepte Goodwill-it. “Me çdo gjë me vlerë – si bizhuteri, pará,” tha ai, “ne do të prisnim tridhjetë ditë dhe, nëse askush nuk do ta kërkonte, ajo do t’i kthehej personit që e gjeti. Unë kisha një byzylyk Cartier që vlente pesëqind mijë dollarë të dorëzuar nga një kamarier në Met Gala.” Brenda dy ditësh, byzylyku ​​u kërkua nga pronari i tij, i cili i dha kamarierit një shpërblim.
Në vitin 2005, tha Barelli, shumica e stafit të tij nuk kishin dëgjuar kurrë për Banksy-n. Tani “Fryma e fundit” ka të ngjarë të vlejë sa një pasuri e tërë. Në vitin 2021, “Sunflowers from Petrol Station“, një pikturë në vaj në kanavacë e Banksy-t prej vitit 2005, u shit në ankand për shumën 14.5 milionë dollarë.
“Është e shkëlqyer”, tha galeristi Jeffrey Deitch, pasi pa një imazh të veprës “Fryma e fundit”. Ai e përfshiu veprën e Banksy-t në “Art in the Streets“, një shfaqje e 2011-ës që ai e kuroi në Muzeun e Artit Bashkëkohor në Los Angeles, “Fryma e fundit”, vazhdoi ai: “Është një pikturë shumë e fortë, një pikturë shumë kuptimplote. Unë e admiroj faktin sesi Banksy arrin të bëjë një deklaratë të thellë politike në këtë mënyrë kaq të drejtpërdrejtë dhe kompakte.”
Në kafenenë Met, Barelli tha se ai e dinte vendndodhjen e pikturës. “Hëm, ne nuk ia kthyem rojes,” tha ai. “Prirja ime e parë ishte ta hidhja jashtë, siç bëjmë me të gjitha këto gjëra.” Banksy, ashtu si pronari i byzylykut Cartier, u përpoq ta rimerrte pronën e tij. “Rreth një muaj më vonë, mora një telefonatë nga departamenti ynë ligjor, ku m’u komunikua se ai donte ta merrte atë”, tha Barelli. “Dhe unë thashë, “Epo, ai nuk mund ta marrë. Ne e hodhëm pikturën.”
Por ai nuk e hodhi. Ligjërisht, pronësia e pikturës është e paqartë. Raymond Dowd, avokat nga Manhatan-i, i specializuar në ligjin e artit, tha: “Një drejtor muzeu mund të kishte thënë: “Hidheni në kosh”, dhe një roje sigurie sipërmarrëse ka menduar: “Epo, kam një vend në mur. Do ta nxjerr nga koshi.” Dhe këtu jo domosdoshmërisht ka diçka të paligjshme.
Por, kur vlerat rriten, qëndrimet ndryshojnë.” Muzeu Amerikan i Historisë Natyrore e bëri hyrje veprën e Banksy-t dhe e ekspozoi atë në Qendrën e tij për Shkencë, Edukim dhe Inovacion. Një zëdhënës i Met-it konfirmoi se “Fryma e fundit” nuk është në koleksionin e muzeut.
Në një telefonatë vijuese, Barelli zbuloi historinë e plotë. “E solla përsëri në zyrën time dhe fola me ndihmësin tim, Ed Devlin,” tha ai. Devlin-i, veteran i Luftës së Dytë Botërore, punoi për departamentin e sigurisë së Met-it nga viti 1988 deri në vitin 2013, pasi doli në pension nga N.Y.P.D. Ai vdiq në 2014-ën. “Unë thashë, “Ed, hiqe qafe këtë pikturë.” Dhe ai tha, “O.K.” Por Devlin-i nuk i zbatoi urdhrat. “Ai e solli atë dhe e la në zyrën time,” tha Barelli. Barelli ka ofruar të dhëna kontradiktore për atë që ndodhi më pas me veprën e Banksy-t. Ai ka thënë se nuk e di se ku është ajo. Ai ka thënë gjithashtu se, kur doli në pension, “E mora me vete.” Ai shtoi: “Nëse do të më duhen pará, ndoshta do të bëj diçka me të”.

Ilustrimi: João Fazenda

Përktheu: Arlinda Guma

Marrë nga: The New Yorker

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Pikturë

Go to Top