ROBERTO BOLAÑO: FJALA E MBAJTUR NË KARAKAS (VENEZUELË) ME RASTIN E MARRJES SË ÇMIMIT “ROMULO GALLEGOS”

in Letërsi by

ROBERTO BOLAÑO*

Gjithmonë e kam pasur problem Venezuelën. Problemi me të ka qenë qysh në fëmini, për shkak të edukimit tim rrëmujë. Problem i vogël, por gjithsesi problem. Thelbi i këtij problemi është i natyrës verbale dhe gjeografike. Gjithashtu, ka mundësi të jetë edhe për një lloj disleksie timen të padiagnostikuar.
Me këtë nuk dua të them se ime më nuk më paska çuar kurrë te mjeku, përkundrazi, derisa mbusha dhjetë vjeç kam shkuar shpesh për konsulta mjekësore, madje kam qenë edhe në spital, por qysh atëherë e shkreta nënë besoi se tashmë qenkësha shumë i fortë për t’i përballuar të gjitha.
Por le të kthehemi te problemi im. Kur kam qenë i vogël kam luajtur futboll. Numri im ka qenë përherë 11, numri i Pepes dhe i Zagalos në botërorin e Suedisë. Kam qenë një lojtar entuziast, ama lojtar koti, megjithëse këmba ime e mirë ishte e majta dhe dihet se mëngjarashët nuk të turpërojnë në ndeshje. Po në rastin tim kjo nuk ishte e vërtetë dhe unë, pothuaj, gjithmonë stonoja, veç nganjëherë, për shembull një herë në gjashtë muaj, bëja lojë të mirë dhe kështu rifitoja një pjesë të vogël nga gjithë ajo humbje besimi të të tjerëve. Ishte e natyrshme që natën, para se të flija, mendoja dhe bluaja në mendje gjendjen time të mjerueshme si futbollist.
Dhe pikërisht në atë kohë pata shenjat e para të vetëdijes mbi disleksinë time. Në fakt unë gjuaja me të majtën, por shkruaja me të djathtën. Kjo ishte e vërtetë. Edhe pse më pëlqente të shkruaja me të majtën, e bëja me të djathtën. Dhe aty qëndronte problemi. Për shembull, kur trajneri më thoshte: kaloje topin nga e djathta, Bolanjo, unë nuk e kisha të qartë se nga duhet ta kaloja topin. Madje, nganjëherë, kur isha duke luajtur nga krahu i majtë, sa më bërtiste trajneri, unë qëndroja e mendohesha: e djathtë-e majtë. Po ta gjuaja topin nga e djathta, ishte brenda fushës së futbollit, po ta gjuaja nga e majta e nxirrja jashtë, nga ata pak spektatorë, fëmijë si dhe unë, apo nga livadhet e shkretuara që rrethonin fushat e futbollit të Kilpesë e të Kaukenesit ose të provincës Bio-Bio. Sigurisht, me kohë, mësova të kem një referencë sa herë që më pyesnin apo më thoshin për një rrugë që ishte në të djathtë apo në të majtë, dhe kjo referencë nuk ishte dora me të cilën shkruaja, por këmba me të cilën gjuaja topin. Pak a shumë në të njëjtën periudhë, domethënë deri dje, të njëjtin problem kam pasur edhe me Venezuelën. Problem për mua ka qenë kryeqyteti i Venezuelës. Për mua më e logjikshme ishte që kryeqyteti i Venezuelës duhet të ishte Bogota, dhe kryeqyteti i Kolumbisë, Karakasi. Pse, do të thoni ju. Sepse kështu na thotë logjika verbale apo logjika e shkronjave: sepse shkronja v e emrit Venezuelë është e ngjashme*, për të mos thënë familjare, me b-në e Bogotës. Ndërsa k-ja e Kolumbisë është motra e k-së së Karakasit. Kjo duket e parëndësishme, dhe ashtu duhet të jetë, por për mua ka qenë një problem i madh. Kështu, një herë në Meksikë, gjatë një konference mbi poetët urbanë të Kolumbisë, po flisja për forcën e poetëve të Karakasit, dhe njerëzit, njerëz po aq të dashur e të edukuar sa edhe ju, mbetën me gojë hapur e po prisnin që, pas lajthitjes sime duke përmendur poetët karakasas, të dilja prapë në temë e të flisja për poetët bogotas, por unë, taraman, vazhdova të flas për poetët karakasas, për estetikën e tyre të shkatërrimit, madje, duke kapërcyer tërë ato distanca, i krahasova me futuristët italianë dhe me letristët* e parë, me grupin e Isidore Isout* dhe Moris Lëmetres*, grupi prej nga do të mugullonte situacionizmi* i Gi Debordit*, dhe atëherë njerëzit nisën të hamendësonin. Sipas meje ata mendonin se bogotasit qenkëshin zhvendosur me shumicë në Karakas, ose karakasasit paskëshin pasur një rol përcaktues në grupin e poetëve të rinj të Bogotës. Dhe kur unë i dhashë fund fjalës sime në atë konferencë, një fund i beftë e i papritur, ashtu siç më pëlqente mua të përfundoja çdo ligjërim, njerëzit u ngritën, duartrokitën si të druajtur, dolën nga salla dhe te hyrja u ndalën për të lexuar edhe një herë se ç’shkruanin afishet. Kur dola edhe unë, i shoqëruar nga poeti meksikan Mario Santiago, i cili gjithmonë rrinte me mua dhe që me siguri e kishte kuptuar gafën time, megjithëse nuk më tha gjë, sepse për Marion gafat dhe ngatërrimet ishin si mjegullat e Bodlerit që kalojnë për qielli, domethënë që duhet t’i shikosh por jo t’i korrigjosh, pra kur dola andej me Marion, na takoi një poet plak venezuelas, dhe kur them plak kam parasysh këtë moment, sepse ç’është e vërteta poeti venezuelas atëherë ishte më i ri nga ç’jam unë sot, dhe ai, me lot në sy na tha se duhet të ishte bërë një gabim, se ai nuk paskësh dëgjuar ndonjëherë mbi ata poetë misteriozë të Karakasit.
Tani e parandiej se, për shkak të atij ligjërimi, Romulo Gajegos do të kthehet përmbys atje në varrin e tij. O zot, kujt ia japin çmimin tim, do të mendojë ai. Më fal, don Romulo. Por puna është se edhe “Donja Barbara”, me b, tingëllon edhe si Venezuela edhe si Bogota, po ashtu edhe Bolivar*, tingëllon si Venezuela dhe si donja Barbara, çfarë çifti të bukur do të formonin, edhe pse dy romanet e tjerë të mëdhenj të don Romulo Gajegos, “Kantaklaro” dhe “Kanaima”, do të ishin kolumbianë të përsosur, gjë që më bën të mendoj se ndoshta ashtu janë dhe që pas disleksisë time mbase fshihet një metodë, metoda semiotike bastarde apo grafologjike, ose metasintaktike apo fonomatike, ose thjesht një metodë poetike, dhe se e vërteta e të vërtetës është që Karakasi është kryeqytet i Kolumbisë, ashtu si Bogota është kryeqytet i Venezuelës, në të njëjtën mënyrë që Bolivari, i cili është venezuelas, vdes në Kolumbi që është gjithashtu Venezuelë, Meksikë dhe Kili. Nuk e di nëse më kuptoni se ku dua të dal. Po ashtu “Zezaku i shkretë” i don Romulos është një roman plotësisht peruan. “Shtëpia e gjelbër” e Vargas Josës është një roman kolumbiano-venezuelas. “Toka jonë” e Karlos Fuentes është një roman argjentinas dhe ju këshilloj që më mirë mos më pyesni se ku e mbështet këtë pohim, sepse përgjigjia do të ishte e gjatë dhe e mërzitshme. Akademia patafizike* na mëson, në mënyrë tepër misterioze, shkencën e zgjidhjeve imagjinare që, siç e dini, është shkenca që studion ligjet që rregullojnë përjashtimet. Dhe kjo fërgëllimë shkronjash, në njëfarë mënyre është një zgjidhje imagjinare që kërkon një zgjidhje imagjinare.
Por le të kthehemi te don Romuloja para se të ngatërrohemi me Xherrin, dhe, kalimthi, të flasim për shenja të çuditshme. Unë sapo fitova çmimin e njëmbëdhjetë Rómulo Gallegos. I njëmbëdhjeti. Ju thashë se mbaja numrin 11 në bluzën e futbollit. Kjo mund t’ju duket thjeshtë një rastësi, por mua më fut dridhmat. Ky njëmbëdhjeç që nuk dallonte dot të majtën nga e djathta dhe që për më keq ngatërronte Karakasin me Bogotën sapo ka fituar (përfitoj me këtë parantezë të falënderoj edhe një herë jurinë për këtë nder, veçanërisht Angeles Mastretën) Rómulo Gallegos-in e njëmbëdhjetë. Ç’do të mendonte don Romuloja për këtë? Një ditë më parë, Pere Gimferreri, që është një poet i madh dhe që veç kësaj di shumë dhe ka lexuar shumë, më thotë në telefon se paska dy pllaka përkujtimore në Barcelonë, në secilën nga dy shtëpitë ku ka jetuar don Romuloja. Sipas Gimferrerit, edhe pse për këtë gjë nuk i vë dot duart në zjarr, në një nga këto shtëpi, shkrimtari i madh venezuelas filloi të shkruajë romanin “Kanaima”. E vërteta është se 99.9 % e gjërave që thotë Gimferreri unë i besoj verbërisht, kështu që ndërsa Gimferreri fliste (njëra nga shtëpitë që kishte pllakën nuk qenkësh shtëpi por bankë, gjë që paraqiste një seri dyshimesh, për shembull nëse don Romuloja gjatë qëndrimit të tij në Barcelonë – them qëndrim e jo mërgim sepse një latinoamerikan kurrë nuk quhet emigrant në Spanjë – kishte punuar në një bankë apo nëse shtëpia ku jetoi shkrimtari qenkësh bërë bankë më vonë), pra, siç po thosha, ndërsa poeti katalan fliste, unë po mendoja për ato ditët e mia të largëta, por jo për ato më rraskapitëset, mbi të gjitha m’u kujtuan shëtitjet nëpër zonën e Ensançes, dhe e pashë veten time përsëri atje, ashtu rrokopujë, në vitet 1977, 1978, ndoshta 1982, dhe papritur m’u duk se, në të ngrysur, u gjenda në një rrugë, pranë Muntanerit, dhe pashë një numër, pashë numrin 11, dhe pastaj eca edhe pak, disa hapa më tej, dhe atje ishte pllaka. Ja këtë pashë me sytë e mendjes. Ama, gjithashtu aso kohe, kur kam jetuar në Barcelonë, ka mundësi që të kem kaluar në atë rrugë dhe ta kem parë pllakën, një pllakë që thotë: Këtu ka jetuar Romulo Gajegos, shkrimtar dhe politikan, lindur në Karakas në vitin 1884 dhe vdekur në Karakas më 1969, dhe pastaj me shkronja më të vogla, thuhen gjëra të tjera, librat e shkruar, nderimet që i janë bërë, etj., dhe ka mundësi që, pa u ndalur, unë të kem menduar: tjetër shkrimtar i famshëm kolumbian, dhe është e mundur ta kem menduar kështu, pa u ndalur, për këtë ngul këmbë, sepse e vërteta është se atëherë e kisha lexuar don Romulon vetëm si lexim të detyruar, nuk më kujtohet në një lice kilian apo në një institut meksikan, dhe më kishte pëlqyer “Donja Barbara”, megjithëse sipas Gimferrerit romani më i mirë është “Kanaima”, ama, sigurisht, e dija që don Romuloja ishte venezuelas dhe jo kolumbian. Në të vërtetë, të qenët kolumbian apo venezuelas nuk ka fare rëndësi, dhe në këtë pikë, si të ngacmuar nga një rreze, kthehemi prapë te b-ja e Bolivarit, dhe te don Romuloja, i cili nuk ishte disleksik, dhe të cilit nuk i kishte pëlqyer një Amerikë Latine e bashkuar, një dëshirë që unë e ndaj me Libertadorin Bolivar, sepse për mua njësoj është kur më thonë se jam kilian, edhe pse disa kolegëve kilianë u pëlqen të më shohin si meksikan apo të më quajnë meksikan, ndërsa disa kolegë meksikanë më konsiderojnë si spanjoll, ose më thjesht, i humbur në luftë, madje për mua është njësoj që më konsiderojnë spanjoll, edhe pse disa kolegë spanjollë bërtasin deri në kupë të qiellit duke më thënë se tani qenkam venezuelas, i lindur në Karakas apo në Bogota, gjë që më pëlqen, edhe sikur të jetë e kundërta. Në të vërtet jam kilian dhe çdo gjë tjetër. Dhe duke mbërritur në këtë pikë duhet t’i lë Xherrin dhe Bolivarin dhe do të përpiqem të kujtoj atë shkrimtar që ka thënë se atdheu i një shkrimtari është gjuha e tij. Nuk më kujtohet emri i tij. Ndoshta ka qenë një shkrimtar që shkruante spanjisht. Por mund të ketë qenë edhe një shkrimtar që shkruante në anglisht apo frëngjisht. Gjithsesi ka thënë se atdheu i një shkrimtari është gjuha e tij. Tingëllon shumë demagogjike, por unë jam plotësisht në një mendje me të, sepse nganjëherë nuk na mbetet rrugë tjetër veç të bëhemi demagogjikë, ashtu si ndonjëherë nuk i shpëtojmë dot vallëzimit të një boleroje nën dritën e fenerëve të rrugës apo nën dritën e një hëne të kuqe.
Ama, gjithashtu është e vërtetë se atdheu i një shkrimtari nuk është gjuha e tij, ose nuk është vetëm gjuha e tij, por njerëzit që e duan atë. Veç ndodh që atdheu i një shkrimtari nuk janë as njerëzit që e duan, por kujtimi i tij. Dhe ka raste kur i vetmi atdhe i një shkrimtari është besnikëria dhe vlera e tij. Në të vërtetë një shkrimtar mund të ketë shumë atdhe, nganjëherë identiteti i këtij atdheu varet në shkallë të gjerë nga momenti në të cilin ai është duke shkruar. Por tani u kujtova se vërtet një shkrimtar mund të ketë shumë atdhe, ama ai ka vetëm një pasaportë, dhe kjo pasaportë është cilësia e të shkruarit të tij. Kjo nuk do të thotë të shkruash mirë, sepse atë gjë mund ta bëjë kushdo, por të shkruash mrekullisht mirë, madje as kjo, sepse edhe të shkruarit mrekullisht mirë mund ta bëjnë plot njerëz. Atëherë, ç’është të shkruarit me cilësi? Ja, gjithmonë qenka e thënë: të dish të futësh kokën në errësirë, të dish të hidhesh nga lartësitë, të dish se letërsia në thelb është një profesion i rrezikshëm; të ecësh buzë një gremine: në njërën anë hon i thellë, pa fund, dhe në anën tjetër fytyrat që njeriu i do, fytyrat e dashura të buzëqeshura, dhe librat, miqtë e tij, ushqimi i tij; dhe të pranosh këtë gjë të qartë, megjithëse nganjëherë kjo na rëndon më shumë se pllaka që mbulon eshtrat e gjithë shkrimtarëve të vdekur. Letërsia, ka thënë një folklorist andaluzian, është një rrezik.
Dhe, më në fund, tani që u ktheva te numri 11, i cili është numri i atyre që luajnë në krah, dhe tani që përmenda rrezikun, kujtoj atë faqe të Don Kishotit ku diskutohet mbi meritat e ushtarit dhe të poezisë, dhe ma ha mendja se, thellë-thellë, ajo që vihet në diskutim është shkalla e rrezikut, mendoj se, gjithashtu, duhet folur mbi virtytin që fsheh natyra e të dy këtyre profesioneve. Servantesi, që ishte edhe një ushtar, anon nga ushtari, sipas tij, është ushtari ai që ka një profesion më të nderuar se poeti, dhe nëse do t’i lexojmë me kujdes ato faqe (diçka që, kur po shkruaja këtë ligjëratë, nuk po e bëja dot, edhe pse në tryezën ku shkruaja kisha përpara dy botimet e Don Kishotit), do të ndiejmë në to një aromë të fuqishme melankolie, sepse te Servantesi, përpara realitetit të ushtrimit të tij të prozës dhe poezisë, një realitet deri atëherë aq i huaj për të, fiton pikërisht rinia e tij, fantazma e rinisë së tij të humbur. Dhe kjo më vjen në mendje sepse, në masën më të madhe, gjithçka që kam shkruar është një letër dashurie apo lamtumire për vetë brezin tim, për ne që kemi lindur në vitet ’50 dhe që, në një moment të dhënë, zgjodhëm profesionin e ushtarit, në këtë rast do të ishte më e saktë të thosha militantizmin, dhe, atë pak apo shumë që kishim, atë që ishte rinia jonë, ia dorëzuam një kauze që besonim se ishte më bujarja nga të gjitha kauzat e botës, dhe që në njëfarë mënyre ashtu ishte, por që në të vërtetë nuk ishte e tillë. Për më shumë, duhet thënë se luftuam me thonj e me dhëmbë, por patëm drejtues të korruptuar, udhëheqës burracakë, një aparat propagande që ishte më i keq se leproza, luftuam për ato parti që sapo të fitonim, menjëherë do të na dërgonin në kampet e punës së detyruar, luftuam dhe ia kushtuam gjithë shpirtin tonë të gjerë një ideali, i cili kishte më se pesëdhjetë vjet që kishte vdekur, gjë që disa nga ne e dinin (e si nuk do ta dinim kur kishim lexuar Trockin dhe ishim trockistë?), por, prapëseprapë e bëmë, sepse ishim budallenj dhe me zemër të madhe, siç janë të rinjtë. Pra, i dhamë gjithçka që patëm asaj kauze dhe nuk kërkuam kurrfarë shpërblimi. Tani, nga ajo rini nuk ka mbetur asgjë. Ata që nuk vdiqën në Bolivi, vdiqën në Argjentinë apo në Peru, ata që mbijetuan atje, shkuan për ta dhënë jetën në Kili apo në Meksikë, dhe ata që nuk u vranë aty, i vranë më vonë në Nikaragua, në Kolumbi apo në El Salvador. E gjithë Amerika Latine është mbjellë me eshtrat e këtyre të rinjve të harruar. Dhe ky është zembereku që lëviz Servantesin dhe e bën të zgjedhë ushtarin ndaj namit të keq të poezisë. Edhe shokët e tij gjithashtu kishin vdekur. Ose të plakur dhe të braktisur, qenë lënë në mjerim dhe në mospërfillje. Zgjedhje do të thoshte të zgjidhje rininë, të zgjidhje të rrënuarit, të zgjidhje ata që tashmë nuk kishin asgjë. Dhe atë bëri Servantesi, zgjodhi rininë. Edhe në atë dobësi melankolike, në atë zbrazëti shpirtërore, Servantesi është shumë i qartë, sepse ai e di që shkrimtarët nuk kanë nevojë që askush t’u lavdërojë profesionin. Ne ngremë lart vetveten. Nganjëherë mënyra jonë për t’u lavdëruar është të mallkojmë orën e ligë kur vendosëm të bëheshim shkrimtarë, por, sipas një rregulli të përgjithshëm, është më mirë të duartrokasim dhe të vallëzojmë kur jemi vetëm, sepse ky është profesion vetmitarësh, dhe t’i recitojmë vetes tonë shkrimet tona; ja kjo është forma për të lavdëruar veten, sepse nuk kemi nevojë të na thotë kush se çfarë duhet të bëjmë, aq më pak që, pas një anketimi, profesioni ynë të jetë zgjedhur si më i nderuari i të gjithë profesioneve.
Servantesi, i cili nuk ishte disleksik, por të cilin profesioni i ushtarit e la dorac, dinte mirë se ç’thoshte. Letërsia është një profesion i rrezikshëm. Gjë që na çon drejtpërdrejt te Alfred Xherri, i cili mbante një pistoletë dhe i pëlqente të shtinte me të, na çon edhe te numri 11, anësori i majtë, i cili e shikon me bisht të syrit pllakën e shtëpisë ku paskësh jetuar don Romuloja, ndërkohë që kalon aty si plumb. Dhe në këto çaste të ligjërimit tim pres që don Romuloja të mos mërzitet me mua, as të mos i dalë në ëndërr Domingo Milianit* për ta pyetur pse më dhanë mua çmimin që mban emrin e tij, një çmim shumë i rëndësishëm për mua. Jam i pari kilian që marr këtë çmim, një çmim që, mundësisht, e dyfishon sfidën, nëse sfida nga vetë natyra e saj, për hir të virtytit të vet, tashmë, paraprakisht, nuk do të ishte më e dyfishtë apo e trefishtë. Një çmim, sipas të mëparshmit, do të ishte një akt i pathemeltë dhe, tani që e mendoj, vërtet diçka ka nga akti i pathemeltë. Është një akt i pathemeltë se nuk flet për romanin tim e as për meritat e tij, por për zemërgjerësinë e një jurie. (Në parantezë: deri dje nuk njihja asnjë prej tyre). E vërteta është se ashtu si veteranët e Lepantos së Servantesit, ashtu si veteranët e luftërave të Amerikës Latine, e vetmja pasuri imja është dinjiteti im. E lexoj dhe nuk e besoj. E kam fjalën për dinjitetin. Mundet që shpirti i don Romulos të mos i dalë në ëndërr Domingo Milianit, por të më dalë mua ëndërr. Këto fjalë i kam shkruar në Karakas (Venezuelë) dhe një gjë është e qartë: don Romuloja nuk mund të më dalë në ëndërr për arsyen e thjeshtë se mua nuk më zë gjumi. Jashtë tani këndojnë bulkthat. Me përafërsi llogarit se ata mund të jenë nja dhjetë ose njëzet mijë. Dhe në këngën e njërit prej këtyre bulkthave ndoshta është zëri i don Romulos, i shqetësuar, lumturisht i shqetësuar, në natën venezuelase, në natën amerikane, në natën e të gjithë neve, e atyre që flenë dhe e jona që nuk mund të flemë. Ndihem si një Pishë.

Përktheu nga origjinali: Bajram Karabolli

___________

Shpjegime:

* Roberto Bolanjo (1953 – 2003) – Shkrimtar dhe poet kilian. Iku nga vendlindja që kur ishte ende djalosh i ri duke u endur nëpër Amerikën Latine. U vendos për disa vite në Meksikë dhe më vonë emigroi në Spanjë (Katalunja), ku jetonte e ëma. Aty bëri punët më të rëndomta, vjelës rrushi gjatë verës, roje nate nëpër kampingje, shitës nëpër lagje, etj., derisa iu kushtua përfundimisht letërsisë. Bolanjo është autor që pranohet si një nga risitë më të mëdha të letërsisë dhe si një nga talentet që fati e mori shumë shpejt. Romani i tij “Detektivët e egër” ka marrë çmimin Heralde (1988) dhe atë Romulo Gallego (1999). Pas vdekjes, Bolanjo u bë një ndër shkrimtarët më të rëndësishëm të gjuhës spanjolle. Është futur në 15 vendet e para të listës me 81 shkrimtarë dhe kritikë latinoamerikanë e spanjollë me njëqind librat më të mirë të tyre në gjuhën kastejano për 25 vitet e fundit.
* Romulo Gajego (Rómulo Gallego 1884 – 1969) – shkrimtar dhe politikan venezuelas. Konsiderohet si shkrimtari më i shquar venezuelas i shekullit XX dhe një ndër shkrimtarët më të mëdhenj latinoamerikanë të të gjitha kohëve. Disa nga veprat e tij si romani “Donja Barbara” (1929) janë kthyer në veprat klasike të letërsisë hispanoamerikane. Ka qenë edhe president i Venezuelës (1948). Për letërsinë hispanoamerikane ka një çmim me emrin e tij, çmim të cilin e ka marrë edhe Roberto Bolanjo për romanin “Detektivët e egër”
* Në spanjisht bashkëtingëlloret b dhe v pothuaj nuk dallohen nga njëra tjetra. Një spanjisht-folës i konsideron ato të barabarta dhe b-në mund ta shqiptojë v e v-në mund ta shqiptojë b. Vetëm në të shkruar ka ca rregulla se kur përdoret b e kur v, ndërkohë që mund t’i shqiptosh si të duash.
* letrist – quhet një shkrimtar i specializuar për krijimin e vargjeve të këngëve. Kjo, në përgjithësi, është një veprimtari që porositet nga këngëtarët dhe paguhet prej tyre. Këngëtarët që i shkruajnë vetë vargjet e këngës së tyre quhen kantautorë.
* Isidore Isou (1925 – 2007) – poet, kritik kinemaje dhe artist vizual me origjinë rumune, por lindur dhe jetuar në Francë. Themelues i Lëvizjes Letriste, një lëvizje artistike e frymëzuar nga dadaizmi dhe surrealizmi.
* Moris Lëmetrë (Moris Lemaître 1926) – artist, poet dhe shkrimtar francez. Është një nga figurat kryesore të Lëvizjes Letriste të viteve’50 dhe sot.
* situacionizëm – emërtimi i mendimit dhe praktikës në politikë dhe në art, frymëzuar nga lëvizja Internacionalia Situacioniste që ishte një organizatë e artistëve dhe intelektualëve revolucionarë, objektivi kryesor i të cilëve ishte t’i jepte fund shoqërisë me klasa, i konsideruar prej tyre si një sistem shtypës, t’i jepnin fund sistemit ideologjik të qytetërimit bashkëkohës perëndimor, domethënë të ashtuquajturit dominim kapitalist. Kjo lëvizje erdhi si një përzierje ideologjike e lëvizjeve të ndryshme revolucionare të shfaqura qysh në shekullin XIX deri në ditët e vetë kësaj lëvizjeje (në gjysmën e dytë të shekullit XX), sidomos e mendimit marksist të Anton Pannekoek-ut, Roza Luksemburgut, Georg Lukacs-it dhe të ashtuquajturit Këshilli Komunist ose thjesht Këshilli.
* Gi Dëbor (Gui Debord 1931 – 1994) – filozof revolucionar dhe shkrimtar francez, anëtar i Internacionales Letriste, i grupit radikal të pasluftës “Socializëm ose Barbari”, dhe themelues e teoricien kryesor i Internacionales Situacioniste.
* Simon Bolivar (1783 – 1830) – ushtarak dhe politikan venezuelas, themelues i Kolumbisë së Madhe dhe një nga figurat më të shquara të emancipimit amerikan përballë Perandorisë Spanjolle. Ka dhënë kontributin vendimtar për pavarësinë e Venezuelës, Bolivisë, Kolumbisë, Ekuadorit, Panamasë dhe Perusë që janë sot. Së bashku me argjentinasin San Martin quhen Libertadorë (Çlirimtarë) të Amerikës së Jugut.
* patafizike (gr. epi ta meta ta physiká) – lëvizje kulturore franceze e gjysmës së dytë të shekullit XX e lidhur me surrealizmin. Emri vjen nga “Bëma dhe mendime të doktor Faustrollit, patafizikan” e Alfred Xherrit (Alfred Jarry 1873 – 1907) një dramaturg, romancier dhe poet francez. Si pasojë e leximit të kësaj vepre, disa admirues të saj filluan të praktikonin një shkencë parodike të quajtur patafizikë, e cila ka të bëjë me ushtrimin e zgjidhjeve imagjinare dhe me ligjet që rregullojnë përjashtimet.
* Domingo Miliani (1934 – 2002) – eseist, kritik, prozator dhe profesor universiteti venezuelas.
Më 2 nëntor 1998, një juri e përbërë nga Salvador Klotas, Huan Kueto, Paloma Díaz-Mas, Luis Goytosolo, Ester Tusket dhe botuesi Horhe Herralde i dha Çmimin Herralde të Romanit, me unanimitet të plotë, romanit Detektivët e egër të Roberto Bolanjos.
Më 2 gusht 1999, një juri e përbërë nga Saul Sosnevski (Argjentinë), Antonio Benites Roho (Kubë), Angeles Mastretta (Meksikë), Hugo Açugar (Uruguaj) dhe Karlos Norega (Venezuelë), ndër dhjetë romanet më të mirë, midis 220 romaneve të vitit në Amerikën Latine, përzgjodhi romanin Detektivët e egër të shkrimtarit kilian Roberto Bolanjo, të cilit, me katër vota pro, iu dha Çmimi Ndërkombëtar i Romanit Rómulo Gallego.
Ky roman është sjellë në shqip nga përkthyesi i kësaj ligjërate dhe është botuar nga Shtëpia Botuese TOENA

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

Go to Top