Pse shkruaj?/Desantila Qerimaj

in Letërsi/Pse shkruaj? by

Pse shkruani? Revista defekt-teknik ua drejtoi këtë pyetje disa shkrimtarëve dhe poetëve shqiptarë, brenda dhe jashtë vendit.

Përgjigjia e radhës erdhi nga poetja Desantila Qerimaj.

Pse shkruaj?/Desantila Qerimaj

Asht pyetje që ja kam ba aq shpesh vedit e asnjiher’ s’i kam dhanë ndoj përgjigje që m’bind. Dij që kur shkruej shkarkoj barrën e padukshme t’pështjellimit shpirtnor dhe e kundërta. Sot, po e marr pak ma seriozisht! Edhe pse pyetja fluturon, asht ikëse, që mund t’më çojë gjithkáh, po rrekem me gërmue çka ka zan’ vend në mue der’ tash, diçka ma e kjart’ ndoshta del e kështu i afrohem disi t’vërtetës teme…

Pse shkruen m’kujton pyetjen: pse ndjen dashni? Gjej sa e sa arsye: çka e si jam un’, çka vjen prej jashtë, çka m’ka krijue, njohja, thellimi, kërkimi, mandej ma shum njohje, thellim, përlotje, rrëmujë, gëzim e të tjera që s’kanë fund. Janë arsye që shemben, për me krijue arsye të reja prandaj… s’e dij pse shkruej!!! Ndojher’ shkruej gjana pa dritë, pa dritore, mundohem me u vesh’ copëza t’kujtimeve, saksi me lule, filiza t’oborrit t’fëminisë, pemë kumbulle n’shpërthim të plotë afër pusit, por ajo çka shkrova duket ma e vërtetë ashtu si ishte në zanafillë, ashtu u krijue, me pak dritë pak dritore, dhe ashtu ka kuptim, ashtu asht rranja e saj, ndaj duhet shkrue diçka ma e vonë për kumbullën. Ndaj duhet shkrue prap’! Çdo fjalë, sido që t’jetë… asht pragu jem. Kaloj pragun dhe m’presin stinët, ferri e parrízi, lotët e vetvedi, éngjuj e dreqën. Ndojher’ shkruej male të that’, dhé e gur, thellësive të shkambit gurgullon freskia, freski që s’e shof por e kërkoj, kuptoj se qëndroj mbi shkamb… edhe nji vetëtimë prej nalt kishte m’e përmbushë kët’ përsiatje t’shpirtit, të l’kurës teme që e rrah koha. Pres t’vijnë dallga e qiellit dhe e tokës, le të çahet dheu e t’më çlirojë freskia, t’vijnë ngjyrat e pranverës e dimnit, shkëndija e hija e vetvedit, të tjerët dhe “përqafimi”/ përqafimi i tyne. Ndojher’ s’shkruej asgjá, më mbledh n’vedi kotësi e papritun, përpiqem m’u largue prej t’shkruemit, por fjala e ndjenja kthehen vetë, kadal’… u bien portave me forcë dhe diçka del në letër. Diçka! Nji poezi e pabukur, e asht fenomen që m’intrigon. Edhe poezia e paplotsueme s’më pyet mue, e gjen vetë rrugën m’u shfaqë. Si mund ta dij pse shkruej kur edhe absurdi, kotësia e vërteta, bukuria dalin në dritë njisoj? Ndoshta shkruej me plotësue dritëhijet e territ e të dritës që mbaj…

Ndojher’ shkruej me vendosë në shkallë dashnitë, mendimet e kujtimet, asht lojë e befasishme e zemrës, din vetë çka ban, lojë që rrotullohet shpejt, dhe e vërteta e çastit risjell ndjenjën e fundit, at’ ma t’harruemen… në majën ma t’naltë. Shkruej se… mos me shkrue asht e rand’; asht si t’mos ushqej krijesën teme, asht si t’mos këndoj kangën që flet për mue, si t’mos kërcej ritmin që lëviz brinjët tue ngjallë rrjedhje e gjak, si t’mos pij ujë kur kam etje ose si t’largoj diellin kur më djeg me ngulm mes turbullimesh.

Ndojher’ jam e sigurt, por ma së shumti e pasigurt pse shkruej. Kur dyshimi kërkon t’vërtetën ngjizet nji poezi ndërsa vdes nji siguri, kur e vërteta fundoset ngjizet nji poezi ndërsa vdes nji “lumtuni”, kur lumtunia asht e rrejshme ngjizet nji poezi ndërsa lind pezmi i nevojshëm i thellimit. Tana këto, mund ti shoh anasjelltas ose t’zhvendosuna. Ndërsa lind pezmi i nevojshëm i thellimit e lumtunia asht e vërtetë, ngjizet poezi. Ndërsa vdes nji “lumtuni” dhe e vërteta del në dritë, ngjizet poezi. Ndërsa lind nji siguri dhe dyshimi s’kërkon të vërteta, ngjizet poezi. Due me thanë, s’mund t’kem përcaktim të saktë. Çka ndjej asht mbijetesa jeme, poezia asht ndjenjë. Dimensioni i ndjenjës m’dhuron poezinë, por pse shkruej… s’kam përgjigje deri në fund, deri në thelb.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.