Legjenda e lavires Eveline Ro-Bertolt Brecht

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Legjenda e lavires Eveline Ro-Bertolt Brecht

 

Ishte pranverë, e mbi det s’kishte hije

(n’pranverë ish dhe ajo…)

Me varkën e fundit na erdh në anije

Një vashë që quhej Evelinë Ro.

 

Një këmishë të leshtë kish mbi lëkurën

Të bardhë sa t’i lbyrte sytë

Gjerdanë s’mbante përveç flokëve

Të arta aq sa s’kish të dytë.

 

“Oh kapedan, merrmë në anije

Në Palestinë të shikoj Jezunë”

“Të marrim vashë, se jemi të marrë

E vashë kaq të mirë s’kemi parë askund”.

 

“Ua shpërbleftë! Se unë skamnore

E shpirtin ia kam falur Krishtit Zot”.

“Atëherë do të na japësh hiret vajzërore.

Zoti udhëtimin s’ta paguan dot

Se ka shumë kohë i vdekur”.

 

Lundruan detarët në diell e në erë

Dhe bënë dashuri me Evelinë Ro

Me të hëngrën bukë, me të pinë verë

Dhe qanë, kur qante ajo.

 

Vallëzuan netëve. Vallëzuan ditëve

Sa edhe timonin e harruan dikur

Evelin Ro qe e butë dhe e ëmbël

Ndërsa marinarët të ashpër si gur.

 

Shkoi pranvera, dhe vera shkoi tash

Çdo natë këmbëzbathur endej mbi kuvertë

Nën dritën e hënës, prej kiçit në bash

Përpiqej një breg të premtuar të shohë

E varfra vajzë, e varfra Evelinë Ro.

 

Vallëzonte çdo natë. Vallëzonte çdo ditë

Dhe pas lodhjes sëmundja kaplon

“Oh kapedan, kur vallë kemi me mbërritë

Në qytetin e Zotit Tonë?”

 

Kapedani i rrinte shtrirë mbi prehër

E puthte edhe qeshte domosdo

I thoshte se fajin pse s’ gjenin kund breg

S’e kish tjetërkush, veç Evelinë Ro.

 

Vallëzoi çdo natë, vallëzoi çdo ditë

E u lodh aq sa s’ndihej e gjallë

Ata më s’e deshën, qejfi iu ronit

Kapedanit dhe secilit që vinte vërdallë.

 

Fustan të mëndafshtë mbi lëkurën e saj

Dregëzuar nga plagët e grista

Mbi ballin e rrudhur qëndronte si skaj

Një tufë me flokë të pista.

 

“Nuk do të shoh kurrë o Krisht o imzot

Kurmi im është i ndotur për ty

E ti te një kurvë e skamur s’vjen dot

S’jam më grua e mirë tani.”

 

U end pa u ndalur prej bashit në kiç

Gjer zemra e këmbët iu çanë

E një natë të errët kur askush zgjuar s’ish

U nis vetë të dalë në bregun matanë.

 

Ishte janar i ftohtë

E aq gjatë i ra të notojë nëpër det

Se deri në mars a në prill a në maj

Nuk lëshojnë pemët gjethe të lajmërojnë jetë.

 

Ia dha veten valëve që të zeza sterrojnë

Dhe e lanë, e bënë të bardhë si dritë

Në Tokën e Shenjtë ato do ta çojnë

Para se Kapedani të ketë mbërritë.

 

Në pranverë kur mbërriti në dyer të qiellit

Shën Pjetri në fytyrë ia përplasi ato

“Zoti më tha se nuk mund të pranojë

Laviren Evelinë Ro”.

 

Por edhe kur shkoi në dyer të Ferrit

Prapë mbyllur i gjeti ajo

Djalli bërtiti “nuk mund ta pranoj unë

Të ndershmen Evelinë Ro”.

 

U end nëpër erë, nëpër qiej me yje

Pa ditur se ku po shkon.

Një natë e pashë tek ecte në një arë.

Rrëzohej, pengohej, po kurrë nuk ndalon.

E gjora vajzë, e gjora Evelinë Ro.

 

Përktheu: Arbër Zaimi 

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

DËSHTIM-Janis Ricos

DËSHTIM-Janis Ricos Gazeta të vjetra të hedhura në oborr. Përherë të njëjtat.

Një orë- Erich Fried

Një orë- Erich Fried M’u desh një orëpër të korrigjuarnjë poezi që

Harta-Wislawa Szymborska

Harta-Wislawa Szymborska E sheshtë si tavolina ajo është vendosur mbi të. Asgjë
Go to Top