Rrëfim i një gjuetari qensh/Heinrich Böll

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Heinrich Böll 

Nuk e pohoj pa njëfarë rezerve zanatin me të cilin jetoj, pa dyshim, por duke më shtrënguar të veproj në një mënyrë që ndërgjegjja ime nuk e aprovon gjithmonë. I caktuar në detyrën e vjeljes së taksave mbi qentë, përshkoj vëra e guxhuvëra të qytetit tonë në kërkim qensh të padeklaruar. Me pamjen e shëtitësit të paqtë, trupvogël e rondokop, me një puro dylekëshe në gojë, eci përmes kopshtesh publike e rrugësh të qeta për të hyrë në muhabet me ata që kanë nxjerrë shëtitje qenin. Atëherë mbaj shënim emrat dhe adresat e tyre gjithë duke përkëdhelur me dashuri kafshën, nga e cila e di se së shpejti shteti do përfitojë pesëdhjetë marka.
Qentë e rregullt i njoh. I dalloj menjëherë falë shpengimit me të cilin përmjerrin rrëzë ndonjë peme: duket qartazi që e kanë ndërgjegjen të qetë. Vëmendja ime përqendrohet veçanërisht mbi bushtrat me barrë që janë duke lindur kontribues të ardhshëm: i gjurmoj gjithë kujdes, shënoj ditën kur pjellin, diktoj vendin ku i strehojnë këlyshët e rinj dhe i lë këta të rriten qetësisht deri në çastin kur askush s’do guxojë më t’i mbysë… vetëm atëherë ia dorëzoj ligjit. Ndoshta do kisha bërë mirë të kisha zgjedhur një zanat tjetër, kaq shumë dashuria për qentë më shkakton një brerje të pandërprerë ndërgjegjeje. Detyra dhe dashuria zhvillojnë brenda meje një betejë të pamëshirshme dhe jam i shtrënguar të pohoj se ndonjëherë është dashuria ajo që del fitimtare. Ka qen të cilët nuk kam as më të voglën kurajë t’i denoncoj. Atëherë, siç thuhet, i mbyll sytë. Ndjenjën e përdëllimit ma shton edhe fakti që qenin tim bastard nuk e kam deklaruar. Ime shoqe përkujdeset dhembshurisht për këtë lodër të preferuar të fëmijëve të mi dhe këta as që e vënë në dyshim paligjshmërinë e asaj krijese që i falin dashurinë e tyre.
Ekzistenca, vërtet, gëluaka nga rreziqet. Ndoshta duhet të veproj me më tepër kujdes. Por fakti i të qenit deri në njëfarë pike mbrojtës i ligjit ma forcon bindjen e shkeljes së tij pa u ndëshkuar. Kam zanat të vështirë: kaloj orë të tëra i strukur nëpër gëmushat gjembaçe të periferive duke pritur që një lehje të dalë nga ndonjë barakë ku dyshoj praninë e një qeni të dyshimtë. Apo, ulem në bisht mbrapa ndonjë muri gërmadhë për të përgjuar ndonjë qen për të cilin e di që s’ka as kartelë as numër llogarie. Pastaj kthehem në shtëpi, i ndotur e i këputur, dhe tymos puron time pranë stufës ku Plutoja ynë që tund bishtin nën përkëdheljet e mia më kujton sakaq paradoksin e situatës ku ndodhem.
Prandaj është e kuptueshme që unë di t’i çmoj shumë shëtitjet e gjata të të dielave me gruan, fëmijët dhe Pluton, shëtitje gjatë së cilave interesi im për qentë mbetet në njëfarë mënyre krejtësisht platonik, sepse të dielave, të deklaruar ose jo, qentë nuk i nënshtrohen asnjë mbikëqyrjeje.
Në të ardhmen do më duhet thjesht që për shëtitjet tona të zgjedh një trajektore tjetër, sepse u bënë dy të diela rresht që takojmë shefin tim të shërbimit. Të dyja herët ai ndaloi për të përshëndetur time shoqe dhe fëmijët, si dhe për të përkëdhelur Pluton. Mirëpo, gjë e habitshme, Plutoja nuk para e do, hungëron e kruspullohet, gati për t’u sulur. I përpirë nga shqetësimi, detyrohem t’i ngut përshëndoshjet, duke zgjuar sakaq dyshimin e shefit, i cili, duke mrrudhur vetullat, vëzhgon pikat e djersës që më shkëlqejnë në ballë.
Ndoshta duhet ta kisha deklaruar Pluton, por rroga ime është e vogël… Ndoshta duhet të kisha ndërruar profesion, por në të pesëdhjetat s’ta ka më qejfi ndryshimin. Sidoqoftë, rreziku po bëhet vërtet shumë shtypës dhe jam i sigurt se do ta deklaroja Pluton nëse kjo do ishte ende e mundshme. Por është tepër vonë. Me mendimin se duhej të sillej sa më njerëzishëm, ime shoqe i tregoi shefit që qenin e kishim qysh prej tre vjetësh, që ky mik i pandashëm i fëmijëve ishte tashmë pjesë e familjes… dhe plot pallavra të tjera që më pengojnë tani të deklaroj qenin.
Më kot sforcohem për ta qetësuar ndërgjegjen duke dyfishuar zellin në ushtrimin e funksioneve të mia, më kot… Jam zhytur në një situatë shumë të ndërlikuar. Sigurisht që nuk duhet “t’i vësh gojëz demit kur shin grurin”, por nuk e di nëse shefi është aq mendjemprehtë sa për të pranuar në këto rrethana vlerën e një reference nga tekstet biblike. S’e kam nisur hiç mirë. Dikush mund të më trajtojë si cinik, por si të mos jesh i tillë kur s’pushon së marruri me qentë…

Përktheu: Alket Çani

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

DËSHTIM-Janis Ricos

DËSHTIM-Janis Ricos Gazeta të vjetra të hedhura në oborr. Përherë të njëjtat.

Një orë- Erich Fried

Një orë- Erich Fried M’u desh një orëpër të korrigjuarnjë poezi që
Go to Top